Betimi në procedurën gjyqësore (2)

Sipas mendimit që përfaqësohet nga shkolla juridike Hanefi dhe Hanbeli, nëse i akuzuari refuzon betimin, atëherë refuzimi i betimit është argument për vërtetimin e aktakuzës, dhe gjyqtari merr vendimin në favor të aktakuzës.

Betimi në procedurën gjyqësore

E theksuam edhe më parë se betimi është i ligjësuar të përdoret si argument në procedurën e vërtetimit apo mohimit të akuzës para gjykatësit. Këtë e vërteton hadithi i Pejgamberit a.s. i regjistruar në gjashtë koleksionet, që është transmetuar nga Esh’ath b. Kajsi, i cili ka thënë: Mes meje dhe djalit të axhës kishte zënkë rreth pusit- bunarit, e këtë lëndë e ngritëm tek Muhamedi a.s. për se ai tha: “Argumentet- dëshmitarët duhet të sillen nga akuzuesi, kurse betimi nga i akuzuari. Unë i thashë: Ai betohet, ai nuk ka dert për betimin e rrejshëm. Pejgamberi a.s. tha: Kush betohet, e
në betimin e ti është i rrejshëm me qëllim që të shkëpusë një copë të pasurisë nga një mysliman, ai do ta takojë All-llahun xh.sh. Ditën e Gjykimit të hidhëruar”, e më pas zbriti ajeti kuranor, ku All-llahu xh.sh. thotë: (Shih:Ali Imran,77).
Mirëpo, për personin që betohet rrejshëm për një interes, e më pastaj vërtetohet se betim i ti ka qenë i rrejshëm, ndaj ti aplikohen sanksione.
Sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes, për betuesin e rrejshëm si formë e sanksionit diskret është që ai të shpallet dhe publikohet para njerëzve për veprën e bërë. Një mendim pak më rigoroz për këtë çështje kanë nxënësit e Ebu Hanifes, Imam Ebu Jusuft dhe Imam Muhamedit, të cilët janë të mendimit se ndaj betuesit rrejshëm zbatohen edhe sanksione fizike, duke e privuar nga liria derisa të pendohet për veprën e bërë.

Dobitë nga betimi

Megjithëqë theksuam konkluzionin e juristëve islamë për betimin e urryer dhe sqaruam se bëhet falë për betimin e panevojshëm dhe të tepruar, kjo nuk nënkupton se prej betimit nuk kemi edhe dobi në jetën e kësaj bote, sepse, po të ishte betimi i padobishëm, sigurisht se nuk do të ishte edhe i ligjësuar në jurisprudencën islame. Prandaj juristët islamë, duke bërë analiza të thukëta në këtë lëmë, kanë theksuar edhe disa dobi, që përftohen përmes betimit në procedurën gjyqësore, i cili përdoret konform rregullës dhe procedurës së ligjshme. Nga dobitë më të rëndësishme janë:
- Frikësimi i të akuzuarit për pasojat e betimit të rrejshëm, është motivi që e detyron të tregojë për realitetin e akuzës.
- Nëse i akuzuari mohon betimin, kur kërkohet nga ai, atëherë vendimi merret në dëm të ti.
-Përmes betimit bëhet ndërprerja e armiqësisë.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se betimi nuk ia vërteton të drejtën dhe as e pastron nga mëkati. Nga kjo nënkuptohet se, nëse pala akuzuese ka mundësi të paraqesë prova të sakta për vërtetimin e akuzës, pasi që i akuzuari të ketë bërë betimin, atëherë në këtë rast, veprohet sipas provave të sjella nga pala akuzuese e jo sipas betimit. Kjo mbështetet në hadithin e Pejgamberit a.s. ku ka thënë: “Argumentet e shëndosha kanë më shumë përparësi dhe fuqi se betimi i faxhirit”.

Kushtet e betimit:

Jo çdokush mund të betohet në procedurën gjyqësore, ngase për të qenë betimi i vlefshëm, i mbështetur dhe i pranuar në procedurën gjyqësore, duhet të plotësohen patjetër këto kushte:
- Betuesi duhet të jetë i rritur dhe mendësisht i shëndoshë e të jetë i liruar nga presioni dhe imponimi ose ndonjë kërcënim fizik.
- Betuesi - pala e akuzuar të mohojë aktakuzën, ngase, nëse ai e pranon aktakuzën, atëherë s’ka nevojë betimi.
- Betimi duhet të bëhet me kërkesën e gjykatësit ose nga akuzuesi.
- Betimi duhet të bëhet personalisht nga pala e akuzuar, e jo nga dikush tjetër ose nga mbrojtësi i tij.
- Betimi të mos bëhet për ato të drejta që kanë të bëjnë me të drejtën e All-llahut xh.sh. , si p. sh. për sanksione fiksive (hudud), por të jetë i kufizuar vetëm për ato lëndë për të cilat lejohet përdorimi i betimit si argument gjyqësor.

Gjatë procedurës gjyqësore në gjykatë, në varësi nga nevoja e lëndës që shqyrtohet, vërehet se betimi në gjykatë mund të jetë:
- Betimi i dëshmitarëve; është kur dëshmitari, para se të dëshmojë, të betohet se do ta thotë të vërtetën. Në këtë rast duhet theksuar patjetër se këtë lloj të betimit nuk e lejojnë të gjithë juristët islamë, ngase sipas tyre dëshmitari nuk ka nevojë betimi, po e theksuam këtë lloj të betimit, meqë është i lejuar dhe i pranuar tek një numër i konsiderueshëm i juristëve islamë nga shkolla juridike e Malikive.
- Betimi nga pala e akuzuar; ky quhet edhe betimi autentik ose betimi obligativ a mbrojtës. Ky betim bëhet me kërkesën e gjykatësit, duke u bazuar në kërkesën e akuzuesit.
- Betimi i akuzuesit; ky lloj betimi është i pranuar për shumicën e juristëve islamë, me përjashtim të juristëve nga shkolla juridike Hanefite.
Sipas mendimit të kësaj shkolle juridike islame, betimi i akuzuesit nuk ka bazë juridike në të drejtën islame, sepse pala akuzuese, pas paraqitjes së aktakuzës, ka për obligim të sjellë argumente dhe prova për të vërtetuar aktakuzën, e nëse i mungojnë argumentet ose nuk janë të mjaftueshme, atëherë nga pala e akuzuar kërkohet, që të mbrohet dhe të betohet për refuzimin e aktakuzës. E nëse pala e akuzuar nuk betohet, atëherë gjykatësi nuk ka nevojë të kërkojë betimin nga akuzuesi, por vendimin e merr në
dëm të palës së akuzuar, i cili refuzoi betimin, dhe në dobi të aktakuzës.
Në rastin kur akuzuesi në seancën gjyqësore nuk posedon argumente për vërtetimin e aktakuzës, por thotë se posedon argumente jashtë gjykatës, e në të njëjtën kohë kërkon betimin e palës së akuzuar, atëherë pala e akuzuar, sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes, nuk betohet, kurse sipas mendimit tjetër, pala e akuzuar betohet edhe në këtë rast, sepse kërkesa për betim është e drejtë e akuzuesit dhe, nëse ai e kërkon këtë të drejtë, i akuzuari duhet të betohet.

Vendimi gjyqësor në bazë të një dëshmitari dhe betimit të ti.

Që në fillim të theksojmë se aktakuzat, sipas juristëve islamë, në të drejtën islame ndahen në tri lloje, që janë:
• Aktakuza që ka të bëjë me të drejtën civile, pronësore-juridike.
• Aktakuza që ka të bëjë me sanksionet fiksive (haddin) nga kodi penal islam.
• Aktakuza që ka të bëjë me lëndë të tjera nga e drejta familjare etj.(9)

Juristët islamë janë unikë në mendimet e tyre, se aktakuzat të cilat nuk mund të vërtetohen me dëshmitarë një mashkull dhe dy femra, siç janë aktakuzat që përmbajnë vepra penale për të cilat sanksioni është fiksiv (hadd) dhe kisas (gjakmarrje), nuk mund të gjykohet dhe të merret aktvendim gjyqësor vetëm në bazë të pranisë së një dëshmitari dhe betimit të akuzuesit. Gjithashtu ekziston konsensusi i dijetarëve islamë se edhe disa vepra që kanë të bëjnë me të drejtën familjare, që mund të vërtetohen vetëm me një dëshmitar mashkull dhe dy femra, por në seancë gjyqësore është i pranishëm vetëm një dëshmitar dhe betimi i akuzuesit, nuk mund të merret aktvendim gjyqësor.
Mospajtimet në mes juristëve islamë në çështjen se a mund të gjykohet vetëm me një dëshmitar dhe me betimin e akuzuesit, janë në vërtetimin e aktpadive që kanë të bëjnë me çështje pronësore-juridike, si shitblerja, mëditja etj. . Në këto çështje mendimet e juristëve islamë i gjejmë të ndara në dy grupe, që janë:(10)
- Gjykatësi ka të drejtë të marrë aktvendim nëse akuzuesi për arsye objektive ka mundësi të sjellë vetëm një dëshmitar për të vërtetuar realitetin e aktakuzës dhe për të betohet. Përkrahës të këtij mendimi janë juristët si Imam Maliku, Imam Ahmedi, Ebu Thevriu dhe juristët
e medinës. Argumentet ku këta juristë mbështesin mendimin e tyre për
këtë çështje, janë: Hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. se Pejgamberi a.s. kishte gjykuar, kishte marrë aktvendim me praninë e një dëshmitari dhe betimin e akuzuesit.(11)
Pastaj në hadithin tjetër, të transmetuar nga Ali b. Ebu Talibi r.a. i cili ka thënë se Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjykoi me dëshminë e një dëshmitari dhe betimin e akuzuesit, e në të njëjtat kushte gjykoi edhe vetë Aliu r.a. në Irak.(12)
- Gjykatësi nuk mund të marrë aktvendim vetëm me praninë e një dëshmitari dhe me betimin e akuzuesit. Përfaqësuesit e këtij mendimi janë Imam Ebu Hanifa, Imam Evzaiu dhe shumë juristë të tjerë. Argumentet ku mbështesin mendimin e tyre, janë: Ajeti kuranor, ku All-llahu xh.sh. ka thënë: (Shih: El-Bekare, 282)
Nga ky ajet nënkuptohet se aktvendimi i gjykatësit duhet të merret pasi të vërtetohet aktakuza, e aktakuza mund të vërtetohet vetëm me dy dëshmitarë burra ose me së paku një burrë dhe dy gra. Argument tjetër, ku mbështetet ky mendim, është edhe hadithi i regjistruar në koleksionin e Imam Buhariut dhe Imam Muslimit, në të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë: “Sikur njerëzve t’u jepet (t’u plotësohet dëshira) vetëm me aktakuzën e tyre (pa e vërtetuar atë), atëherë do të kishte njerëz që do të kërkonin pasurinë e popullit dhe gjakun e tyre, por akuzuesi duhet të sjellë argument (dëshmitarë), kurse betimi për palën e akuzuar”.(13)

Refuzimi betimit nga i akuzuari (En-nukul)

Nocioni Nukul, në aspektin gjuhësor nënkupton refuzim, kurse në aspektin terminologjik të jurisprudencës islame, nënkupton “refuzimin e betimit nga pala e akuzuar në séancë gjyqësore, në rastin kur kërkohet nga gjykatësi”.
Gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore, nëse akuzuesi argumenton akuzën e ti përmes dëshmitarëve, atëherë pala e akuzuar nuk ka nevojë për betim. Mirëpo, nëse akuzuesi nuk arrin ta vërtetojë akuzën e ti përmes dëshmitarëve dhe, në anën tjetër, pala e akuzuar nuk ka pranuar akuzën, atëherë në këtë rast kërkohet betimi nga i akuzuari. Betimi bëhet me kërkesën e akuzuesit, por përmes gjykatësit. Në rastin kur kërkohet
betimi nga i akuzuari, kurse ai refuzon të betohet, në faktin se ç’duhet vendosur gjykatësi, a duhet të marrë aktvendim në të mirë të akuzuesit, ose duhet të kërkojë sërish betimin nga akuzuesi, juristët islamë nuk janë unikë në mendimet e tyre. Në këtë procedurë gjyqësore juristët i gjejmë të ndarë në dy grupe, që kanë shfaqur mendimet e tyre.
Sipas mendimit që përfaqësohet nga shkolla juridike Hanefi dhe Hanbeli,(14) nëse i akuzuari refuzon betimin, atëherë refuzimi i betimit është argument për vërtetimin e aktakuzës, dhe gjyqtari merr vendimin në favor të aktakuzës.
Në këtë rast juristët islamë thonë se refuzimi i betimit menjëherë pas kërkesës së parë, është argument i vlefshmërisë së akuzës, por do të rekomandohej që të akuzuarit t’i kërkohej tri herë që të betohet duke i thënë se, nëse nuk betohet, do të gjykohet në dëm të ti. Nga kjo shihet se betimi nuk kërkohet nga akuzuesi, po aktvendimi gjyqësor merret menjëherë pas
refuzimit të betimit. Ky mendim mbështetet në këto argumente:
Në hadithin e Pejgamberit a.s., ku ka thënë: “Betimi është për të paditurin (palën e akuzuar)”, e kjo nënkupton se nuk është edhe për paditësin. Gjithashtu transmetohet se Abdullah b. Omeri kishte shitur një rob për 800 dërhemë, por ai ishte me të meta. kur kishte parë të metat e ti, blerësi kishte ngritur padi gjyqësore tek Othmani r.a. ndaj Abdullahut. Othmani në seancën gjyqësore kërkoi nga Ibni Omeri që të betohej se ai nuk kishte njohuri për të metat e robit. Në këtë rast Abdullahu refuzoi betimin, kurse Othman vendosi që robi t’i kthehej ati, pra në dëm të tij.



[9] Buhariu
[10] Dr, Buti Muhammed Seid Ramadan, Fikhul Mukaren f. 169, darul fkr, Damask
[11] Po aty, f. 170
[12] Muslimi dhe Ebu Davudi.
[13] Ahmedi.
[14] Buhariu dhe muslimi



Jusuf Zimeri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.