Mrekullia e Israsë dhe Miraxhit

U realizua që t'i bëhej e mundur Muhamedit a.s, për të parë argumentet e madhërisë së Allahut, të shihte ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat manifestohej Fuqia e Allahut xh.sh ...

Israja dhe Mi’raxhi ishin sprovë për besimtarët dhe provim për besimin e tyre. Kjo sepse arabët nuk kishin dëgjuar kurrë më parë për mrekulli të tilla, që ishin jashtë mundësisë që ta konceptonin, pra jashtë natyrës që mund ta pranonin shqisat dhe logjika e tyre.

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë nate prej Mesxhidi Haramit (Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit)". (El Isra, 1)

Muaji Rexheb është muaj i bekuar, është njëri prej katër muajve të shenjtë që përmenden në Kuran. Kur vjen nata e 27-të e këtij muaji të madhërishëm, besimtarët e mbarë Botës Islame përkujtojnë ngjarjen dhe një nga muxhizet më të mëdha të Muhamedit a.s., që është "Mrekullia e Israsë dhe Mi'raxhit", muxhize kjo e cila, jo vetëm që përmendet në Kuran, po Allahu i Lartësuar ka emërtuar një sure "Suretu El Israë".
Deshi Allahu xh. sh. që Muhamedin a.s. ta dërgonte Pejgamber të fundit tek njerëzit, për t'i nxjerrë ata prej errësirës në dritë, që, me mësimet islame, të jetojnë të lumtur në këtë dynja dhe në Ahiret të jenë faqebardhë para Allahut të Madhëruar. Thirrja në Islam nuk ishte e lehtë për Muhamedin a.s., ai gjatë thirrjes në fe, ka pasur një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Misioni i tij ka përjetuar ngritje dhe rënie. Mirëpo, as për bashkësinë e parë të besimtarëve s' ishte fare e lehtë, sepse ishin në shënjestër të intrigave, kurtheve, dredhive dhe qëllimeve të tjera të këqija të mushrikëve. Persekutimet, përbuzjet, sulmet fizike deri në mbytje, e përdhunimet, - të gjitha këto kanë qenë metoda që shfrytëzonin mushrikët kundër muslimanëve. Të kujtojmë torturat që përjetoi Bilalli r.a., po dhe shumë të tjerë.
Idhujtarët, në sjelljet e tyre barbare kulmuan me shpalljen e bojkotit trevjeçar kundër muslimanëve. Muslimanët, së bashku me Muhamedin a.s., përjetuan ditët më të vështira, kur u detyruan të hanin rrënjë e gjethe të thara, kurse, për shkak të urisë, për stomaku lidhnin gurë.
Zoti i Madhëruar ndihmoi dhe përkrahu të Dërguarin e Tij a.s. me shumë muxhize - mrekulli. Disa nga ato mrekulli kanë qenë në formë materiale e konkrete, të cilat i patën parë edhe njerëzit, kur patën ndodhur, si p.sh.: vranësira, rrjedhja e ujit nga gishtat e bekuar të tij, çarja e Hënës për hir të tij dhe shumë mrekulli të tjera. Mirëpo, Muhamedi a.s. pati edhe një mrekulli të madhe, që nuk patën mundësi ta shihnin njerëzit kur ajo ndodhi, që ishin Israja e Mi'raxhi dhe arritja e tij në Sidretu El-Munteha, për të parë argumentet e Allahut xh.sh. në qiej. Me këtë mrekulli Allahu i Madhëruar veçoi vetëm Muhamedin a.s., që të ngjitej në qiell në sferat më të larta brenda natës dhe të kthehej prej andej në të njëjtën natë, për të vazhduar jetën në Tokë.

Ç'do të thotë Isra dhe Mi’raxh

Israja dhe Mi'raxhi janë dy ngjarje të rëndësishme, të cilat i përjetoi Muhamedi a.s. brenda një nate. E para ka të bëjë me një udhëtim horizontal mbi sipërfaqen e tokës, e tjetra me ngritje vertikale drejt qiellit.
Ngjarja, ndahet në dy etapa të përjetimit:
E para ka të bëjë me udhëtimin, i cili u bë me Muhamedin a.s. prej Qabesë, Xhamisë së parë të vendosur mbi fytyrën e Tokës, me qëllim orientimi drejt saj, deri në xhaminë e largët, në Aksa të Jerusalemit, rrethinën e së cilës e ka bekuari Zoti xh. sh. duke dërguar në atë vend shumë pejgamberë dhe duke e pasuruar me shumë begati.
Etapa e dytë është fluturimi-ngritja e Muhamedit a.s. prej xhamisë Aksa deri mbi të gjithë qiejt, deri në atë vend ku nuk ka shkelur këmbë njeriu dhe as ka fluturuar krah meleku. Deri aty ku as Xhibrili a.s., misionari i të gjithë të dërguarve të Zotit, të cilit iu besuan të gjitha shpalljet, nuk pati mundësi tjetër përveçse të ndalej dhe të mbetej prapa Muhamedit a.s., e kur e pyeti Muhamedi a.s.: "Pse më le vetëm?" Xhibrili i tha Pejgamberit a.s.: "S'ka kush prej nesh që e ka të njohur vendin e tij". Me këtë kuptohet se edhe Xhibrili a.s., kryemeleku ngurroi dhe nuk pati guximin dhe as leje të shkonte deri atje ku shkoi Muhamedi a.s ...

Përse Israja dhe Mi'raxhi

Kjo është pyetje e pakuptim përderisa Zoti i Madhëruar është Ai Që nuk pyetet për atë që vepron. Aq sa mund të kuptojë mendja e njeriut, Israja dhe Mi’raxhi ishin zgjatje e dorës së mëshirës dhe dashurisë së të Madhit Zot xh. sh. ndaj Muhamedit a.s., mu atëherë kur ishte më se e nevojshme. Ishte koha kur idhujtarët mekas torturonin dhe përqeshnin muslimanët dhe misionin e Muhamedit a.s. pandërprerë. Më në fund, edhe lëçitën - bojkotuan atë dhe tërë familjen e tij për tre vjet rresht. Edhe pas lirimit, heqjes së bojkotit, atë e mbërthyen shumë vështirësi. I vdiq xhaxhai i tij, Ebu Talibi, i cili ishte mburojë - kështjellë e fortë kundër sulmeve të mushrikëve- politeistëve mekas. Ai nuk iu nda kurrë dhe nuk kurseu asgjë vetëm e vetëm për ta mbrojtur Muhamedin a.s. nga ndonjë e keqe e mundshme.
Pasi i vdiq xhaxhai, Pejgamberit a.s. iu shtuan mundimet dhe e kërcënonin për ta vrarë. Një ditë e gjuajtën me rërë, e Muhamedi a.s., derisa e pastronte trupin nga rëra, tha: "Sa shpejt po e ndiej mungesën tënde, o xhaxha". Në ato çaste iu shpall ajeti: "Ti mbështetju Atij të përjetshmit Që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij ... ". (El Furkan, 58.)

Mesazhi i këtyre ajeteve

Mesazhi i këtyre ajeteve nuk i drejtohej vetëm Pejgamberit a.s., por na drejtohet edhe neve në ditët e sotme: Nëse deri dje kishe ndihmën e dikujt dhe përkrahjen e tij dhe ai vdiq, tani do të kesh Zotin e Madhëruar."
I vdiq edhe bashkëshortja e dashur, zonja Hatixhe r.a., për të cilën Muhamedi a.s. kishte thënë: "Më besoi kur të tjerët nuk më besuan, më vërtetoi kur të tjerët më quanin rrenacak, më ofroi tërë pasurinë e saj kur të tjerët më mohuan, e edhe Zoti, vetëm me të më dhuroi fëmijë e me të tjerat jo" .
U pikëllua shumë, kur e refuzuan banorët e Taifit, tek të cilët kishte shkuar për të kërkuar përkrahje, ndihmë dhe mbështetje në misionin e tij. Për të gjitha këto vështirësi që e ndiqnin të Dërguarin e Allahut, e dinte mirë i Madhi Zot xh.sh ..
E dinte edhe për vështirësitë edhe më të mëdha dhe më të rënda, të cilat do të kishte në të ardhmen. E dinte se ai një ditë do të detyrohej ta lëshonte edhe vendlindjen e tij të dashur - Mekën, e do të shpërngulej në një vend tjetër, në Medinën e ndritshme.
Zoti xh.sh. nuk e lë pa përkrahje robin e Vet. Megjithatë, Muhamedi a.s. përballonte me durim të madh ato vështirësi dhe gjithnjë mbështetej në shpresën se Zoti i Madhëruar do ta ndihmonte. Dhe pikërisht në atë gjendje, Allahu i Madhëruar e ftoi dhe e mori në fqinjësi të Tij, për t'ia bërë me dije se, nëse nuk pranohej në Tokë, në qiell pritej i mirëseardhur; nëse në Tokë kishin vdekur mbrojtësit, në qiell kishte Allahun Që nuk vdes dhe nuk e lë të pambrojtur.
Allahu ia mundësoi të shkonte në xhaminë El-Aksa dhe të falej si imam i Pejgamberëve, duke aluduar se të gjithë Pejgamberët janë një të bashkuar në fenë e tyre, në njërën anë, dhe se ai duhej të duronte, siç kishin duruar ata, në anën tjetër.
Ky udhëtim u realizua që t'i bëhej e mundur Muhamedit a.s, për të parë argumentet e madhërisë së Allahut, të shihte ngjarje e ndodhi të ndryshme, në të cilat manifestohej Fuqia e Allahut xh.sh ..

Si janë bërë Israja dhe Mi’raxhi

Është diskutuar mjaft në mesin e dijetarëve nëse Pejgamberi a.s. kishte udhëtuar me trup e me shpirt, vetëm me shpirt, apo e kishte parë në ëndërr, ndodhinë e Israsë dhe Mi’raxhit.
Grupi më i madh i dijetarëve janë të mendimit se Israja dhe Mi’raxhi kishin ndodhur edhe me shpirt dhe me trup. Disa të tjerë mbështesin mendimin se Iraja dhe Mi’raxhi kishin ndodhur vetëm me shpirt. E pjesa tjetër e dijetarëve mbështesin faktin se kjo ndodhi i ka ngjarë Muhamedit a.s. në ëndërr.
Kadi Ijadi demanton dy mendimet e fundit, për të cilat thotë se janë të pabaza dhe në kundërshtim me faktet e vërteta, që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.
Ibnul Kajimi thotë: "Resulullahu a.s. e ka përjetuar Isranë si udhëtim të vërtetë me trup, që kishte filluar në Mesxhidul Haram e kishte përfunduar në Bejtu-l-Mu-kaddes në Kudusi-Sherif dhe ishte ngjitur në qiell i shoqëruar me Xhibrilin a.s ... "
Një gjë duhet ditur se Israja ka qenë me trup dhe me shpirt, dhe, nëse do të bindesh për këtë, atëherë dëgjo faktet në vijim:
Për Allahun nuk është e vështirë asgjë; Ai krijoi njeriun dhe çdo gjë në këtë natyrë nga asgjëja, e sidomos kur e di se Allahu është: "Vërtet Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë". (El Bekare, 20)
Ai Zot Që e barti Muhamedin a.s. prej Qabesë në Kuds, është Ai I cili i tha zjarrit: "O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!" (El Enbija, 69.)
Ia zbuti hekurin Davudit a.s.; e shndërroi shkopin e Musait a.s. në gjarpër, i cili gëlltiste magjitë e magjistarëve; e shpëtoi Junusin a.s. prej gojës së peshkut; i shëroi të sëmurët dhe i ngjalli të vdekurit në duart e Isait a.s. etj.

Porositë nga Israja dhe Mi’raxhi

Mësimet dhe porositë që mund t'i përfitojmë nga ky udhëtim, janë të shumta, por më e rëndësishmja prej tyre mbetet ajo, për të cilin edhe jemi urdhëruar ta kryejmë pesë herë në ditë, që është Namazi.
Namazi përmbledh të gjitha dispozitat e fesë. Është çështja e parë për se do të japë llogari njeriu Ditën e Gjykimit: Në qoftë se e kalon atë, do të ketë lehtësi në të gjitha çështjet e tjera. Prandaj, për shkak të rëndësisë së madhe që ka namazi (me të cilin i bëhet adhurim dhe përulje e vërtetë vetëm Allahut xh. sh.), është bërë detyrim me urdhër të drejtpërdrejtë nga Allahu xh. sh. tek Muhamedi a.s ..
Namazi është adhurimi i vetëm i obliguar në qiell, sa kohë që: zekati, agjërimi dhe haxhi, po dhe të gjitha adhurimet tjera, janë obliguar në Tokë, prandaj namazi me të drejtë quhet: "Mi’raxh i besimtarit". Meqë namazit i është kushtuar një rëndësi e tillë hyjnore, është e natyrshme se duhet të kuptojmë që: nuk janë me rëndësi lëvizjet, po brendësia; jo gjestet, po esenca; jo gjimnastika, po pastrimi shpirtëror dhe, nëse namazi kryhet me këto që thamë, ai do ta realizojë rolin e tij, të përshkruar në ajetin kuranor: " ... fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat , e përmendja e Allahut është më e madhja (prej adhurimeve); Allahu e di ç'punoni ju". (El Ankebut, 45)
Namazi është shtyllë e fesë - po e kreve siç duhet, e ke forcuar fenë tënde; po e kreve formalisht apo Allahu na ruajttë - nëse nuk falesh fare, atëherë ti e ke shkatërruar fenë tënde. Për të qenë i vlefshëm, namazi duhet të kryhet ashtu siç na ka mësuar Muhamedi a.s.: ngadalë, me kujdes dhe me saktësi, se ndryshe shpërblimin e tij nuk mund ta vjelim.



Isa Tërshani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.