Respekti ndaj prindërve, kreu i të gjitha mirësive

Në suren Nisa, Allahu i Madhëruar urdhëron: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj...” (Nisa, 36)

Besojmë se ky ajet fisnik, duhet lexuar me shumë kujdes, sepse këtu jepen të radhitura fushat e përgjegjësisë së besimtarëve që zotërojnë përkushtimin dhe vullnetin për të adhuruar Allahun pa i shoqëruar asgjë. Pra, këto janë virtytet që i kanë hije njeriut të Islamit.
E kemi për detyrë të theksojmë që në fillim se Islami parashikon ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore mbi themelet e dashurisë dhe respektit, duke dëshiruar t’i vërë ato në jetë brenda kornizës së besnikërisë dhe sakrificës. Islami urdhëron përhapjen e të gjitha bukurive -duke filluar prej më të afërmit. Po në këtë kuadër, pikësëpari dëshirojmë të bartim përsëri në rend të ditës domosdoshmërinë e bindjes dhe mirësisë ndaj prindërve. Më pas, të shohim se sa përpara mund të shkojmë. Të mendojmë se çfarë mund të bëjmë në emër të bamirësisë dhe kujdesit ndaj të afërmve, fqinjëve, nevojtarëve, udhëtarëve të mbetur në rrugë etj.
Tani mund ta fillojmë fjalën tonë me të parën prej dhjetë detyrave që janë përmendur në ajetin e mësipërm. Në suren Isra, urdhërohet:
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as «uh!», mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: «O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!»” (Isra, 23-24)
Siç theksohet edhe në tefsir, në këtë ajet fisnik, menjëherë pas adhurimit të Allahut, vjen urdhri për bindje dhe mirësi ndaj prindërve. Dhe, kuptimi i kësaj, është: “Kur ti ishte aq i pafuqishëm sa nuk mund të largoje qoftë edhe rrezikun më të vogël me të cilin përballeshe, prindërit e tu të mbrojtën. Kështu që, edhe ti në radhë të parë kryej detyrën e të qenit rob i Allahut, më pas sillu mirë me prindërit e tu. Nëse ata i zë pleqëria pranë teje dhe bëjnë diçka që nuk të pëlqen, bëj kujdes, mos i qorto dhe mos u thyej zemrat. Njëherë e një kohë, kur ti bëje gjëra që atyre nuk u pëlqente, ata të kanë mirëkuptuar. Prandaj tani edhe ti sillu me mëshirë e butësi ndaj tyre dhe lutu për ta...”
Profeti ynë (a.s.), një pyetjeje që iu bë, iu përgjigj duke i thënë se veprat më të virtytshme janë: “Namazi i falur në kohën e vet, mirësia ndaj prindërve dhe lufta në rrugën e Allahut.” (Buhari, Edeb, 1.) Ndërsa në lidhje me gjynahet më të mëdha, është përgjigjur: “Shirku ndaj Allahut, mosbindja ndaj prindërve dhe dëshmia e rrejshme.” (Buhari, Edeb, 6.)
Ndërsa në një hadith tjetër, Profeti (a.s.), tregon se besimi ka nevojë për virtytet si mikpritja, mirësia ndaj të afërmve etj., duke thënë: “Kush beson në Allahun dhe botën tjetër, le të gostitë mikun. Kush beson në Allahun dhe botën tjetër, t’i bëj mirë të afërmve. Kush beson në Allahun dhe botën tjetër, ose të flasë mirë, ose të heshtë!” (Buhari, Nikah 80, Edeb 31, 85, Rikak 23; Muslim, Iman 74, 75, 77.)
Lidhur me ajetet dhe hadithet e përmendura, duhet të tërheqim vëmendjen se bindja dhe respekti ndaj prindërve vlen për të gjitha kërkesat dhe dëshirat e tyre, përveçse nëse dëshirat e tyre çojnë në shirk ndaj Allahut dhe mosbindje ndaj Tij. Në fakt, nuk duhet harruar se kënaqësia hyjnore gjendet e fshehur në bindjen ndaj prindërve. Po ashtu, duhet ditur se kjo, nuk është e kufizuar vetëm me periudhën kur ata janë të moshuar dhe nevojtarë. Ndaj tyre duhet folur gjithmonë me ndjenjën e butësisë, duke shfrytëzuar çdo rast për t’i kënaqur ata.
Në vazhdim të ajetit në suren Isra, që është dhënë më sipër, kemi urdhrin hyjnor: “Jepuni të afërmve, të varfrit dhe udhëtarit të drejtën e tyre!..” (Isra, 26.) Ndërsa pak më poshtë, vjen urdhri: “Mos e shtrëngo dorën, as mos u bëj dorëshpuar e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë.” (Isra, 29.) Siç shihet, zinxhiri i respektit dhe mirësisë, pas prindërve zgjatet hallk pas hallke. Në këtë ajet, besimtarët -që janë të ndjeshëm ndaj çdo gjëje që ndodh përreth tyre- nxiten drejt bamirësisë së vazhdueshme dhe cilësore.
Të urtët kanë thënë: “Përgjegjësitë e njeriut ngjajnë me valët rrethore që formohen në ujë me hedhjen e një guri. Më të afërtat prej tyre janë më pak tërheqëse, por me rëndësi të madhe. Ndërsa ato më të largëtat të tërheqin më shumë, por janë përgjegjësi të përbashkëta. Padyshim se arritja tek ato më të largëtat duhet bërë sipas mundësive pa neglizhuar ato më afërtat”.
Si përfundim, mund të themi se, besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm në lidhje me përgjegjësitë që ka ndaj Allahut, njerëzve të tjerë, vetes dhe krijesave të tjera. Ai nuk duhet të harrojë se, të jesh i respektueshëm, e ngre njeriun, ndërsa dhurimi dhe mirësia e begatojnë atë. Marshimi i dobishëm që do të fillojë me respektin ndaj prindërve, e lehtëson arritjen tek mirësitë e tjera.
Lexo/Mendo
Përgëzimi i brezave besimtarë
“Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur, 21)
Siç theksohet në Ruhu’l-Bejan, kuptim i fjalisë së parë të ajetit, është: “Ne ua kemi shtuar atyre edhe fëmijët e vegjël dhe të mëdhenj që janë në gradën e besimit”. Në një hadith, Profeti (a.s.), ka thënë: “Allahu i Madhëruar, pasardhësit e një besimtari i ngre në gradën e besimit –sado që pasardhësit e tij mund të jenë në nivel të ulët të besimit- me qëllim që ai njeri të gëzohet.” Pas këtij hadithi, Profeti (a.s.), ka lexuar ajetin e mësipërm.
Ndërsa Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ka thënë: “Me mirësinë e Allahut, gradët e pasardhësve që janë besimtarë, ngrihen në gradën e baballarëve të tyre.” Ndërsa fëmijët që ende nuk kanë arritur moshën e përgjegjësisë, do të ngrihen në pozitën e baballarëve të tyre për shkak se konsiderohen si ndjekës të tyre. Përkundër kësaj, edhe pse bijtë e tyre do të ngrihen në gradën e tyre të besimit, baballarëve nuk do t’u pakësohet aspak shpërblimi.
Me të vërtetë që ky ajet fisnik është një dhuratë e madhe hyjnore për të gjithë besimtarët. Shikimi i fëmijëve të tyre në grada të larta, do t’i lumturojë shumë zemrat e baballarëve. Përveç kësaj, ngritja në gradat e të lartëve, është një arsye shprese për brezat pasardhës. Për rrjedhojë, ajo që u takon fëmijëve të bëjnë, është të përpiqen të zotërojnë të njëjtat virtyte të të parëve të tyre të mirë. Ndërsa ajo që u takon të rriturve, është të mos harrojnë se përgëzimi në ajetin fisnik, varet nga “ata që i ndjekin në besim”. Ata duhet t’ia bëjnë të dashur fenë fëmijëve të tyre duke thënë, “puna prej nesh, suksesi prej Allahut”. Në këtë mënyrë, mangësitë e mbetura –siç thuhet edhe në ajetin fisnik- do të plotësohen me mirësinë e Allahut.



Xhafer Durmush
Revista Etika

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.