Si duhet ta presim muajin e Ramazanit

Allahu i Lartmadhëruar në Librin e Tij fisnik thotë: "O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju sikur ka qenë obligim edhe për ata që ishin para jush, që të jeni më të devotshëm (më të përkushtuar)". (El Bekare: 183).

Në ajetin tjetër Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: "Muaji i Ramazanit,
në të cilin filloi të shpallet Kur'ani , që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjëroj". (El Bekare: 185).

Ky ajet Kur'anor, sipas shumicës së dijetarëve islamë, e bën të detyrueshëm agjërimin e muajit të Ramazanit.

Ndërsa nga hadithet e shumta, kemi edhe këtë thënie të Pejgamberit a.s: "Islami ngrihet mbi pesë shtylla, që janë: të dëshmuarit se Zoti është një dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, zekati, agjërimi i ramazanit dhe haxhi në Mekë".(1)
Zakonisht, në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, Pejgamberi a.s. u drejtohej besimtarëve me këtë këshillë: "O njerëz, ju e keni aq afër muajin e madhërishëm të mëshirës, të shpresës e të përparimit, muajin në të cilin është nata e Kadrit, që është më e vlefshme se një mijë muaj! Allahu ju ka urdhëruar që të agjëroni Ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t’i kaloni në ibadet (lutje) vullnetar. Kush fal nafile gjatë Ramazanit, i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër, e kush e ka kryer farzin në Ramazan, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit. Ramazani është muaj i durimit, kurse shpërblimi për durimin është Xhenneti. Ky është muaji i ndihmës dhe i solidaritetit të ndërsjellë në mes myslimanëve, muaji në të cilin shtohen begatitë dhe pasuria për besimtarët e përkushtuar. Kush i shtron iftar një agjëruesi, për këtë do të ketë shpërblim sikur të kishte liruar një rob, e do t'i falen të gjitha mëkatet e vogla"(2)
Mbështetur në ajetet Kur'anore dhe në porositë e thëniet profetike, shohim se muaji i Ramazanit është një stinë e mëshirës hyjnore, që i pajis besimtarët me virtyte të larta bujare; muaji të cilin Allahu xh.sh. e dalloi me zbritjen e Kur'anit, libër i përkryer dhe plot dritë, udhëzues i qartë për të gjithë njerëzit si dhe ligj qiellor e dhuratë për mbarë njerëzit në hapësirën tokësore.


Si ta begatojmë këtë muaj

Para se t'i përgjigjemi kësaj pyetjeje, secili duhet t'i bëjë vetes një pyetje: Nëse kemi një shok shumë të dashur, një të afërm, një mik apo dashamir, që të ka munguar për njëmbëdhjetë muaj me radhë, pa u çmallur asnjëherë me të, si do të ishte kënaqësia dhe mikpritja për të, sikur ai të rikthehej tek ne pas njëmbëdhjetë muajsh mungesë! Me siguri që gëzimi, mikpritja dhe kënaqësia do të ishte e pa përshkruar. Prandaj këtu shtrohet pyetja se si duhet të gëzohemi dhe si duhet ta respektojmë në rast se mysafiri i rikthyer pas njëmbëdhjetë muajsh, është muaji i madhërishëm i Ramazanit!
Sigurisht, ardhja e këtij mysafiri të nderuar duhet të jetë një gëzim i madh dhe një sihariq i mirë për të gjithë myslimanët. Madje këtij muaji i gëzohen edhe të rinjtë, për të cilët akoma nuk është obligim agjërimi i këtij muaji. Këtë muaj nuk e begatojnë ata që e injorojnë Ramazanin duke shprehur shqetësimin e tyre për arritjen e këtij muaji, siç ndodh jo rrallë.
Muaji i Ramazanit është i nënti me radhë nga dymbëdhjetë muajt, sipas kalendarit hënor. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: "Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas Hënës), ashtu si është në Librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)". (Tevbe: 36).
Sipas këtij ajeti Kur'anor, kuptojmë se katër nga dymbëdhjetë muajt e vitit janë të shenjtë. Në mesin e tyre është edhe muaji i Ramazanit. Nëpërmjet këtij ajeti Kur'anor, Allahu xh.sh. na e tërheq vërejtjen që të mos e ngarkojmë veten me mëkate në ata katër muaj. Myslimanët duhet të ruhen nga mëkatet sidomos në muajin e Ramazanit, sepse nuk është qëllimi kryesor i këtij muaji vetëm agjërimi i tij, duke hequr dorë nga ngrënia dhe pirja, por Ramazani ka për synim që të jemi të kujdesshëm edhe për gjuhën tonë - që ajo të mos e thotë të pavërtetën, për syrin tonë - që ai të mos shikojë të ndaluarën, për duart, këmbët dhe veshët tanë - këto gjymtyrë të jenë larg veprimeve të liga dhe të këqija.
Ai që e pret Ramazanin me gjuhën e tij përplot përgojime dhe bartje fjalësh, ai që nuk respekton prindërit, nuk i përfill raportet familjare, nuk u flet vëllezërve të vet, - ai e ka shumë vështirë të përfitojë nga begatitë e këtij muaji fisnik.


Agjërimi, vlerë e lartë

Vepra që më së shumti e begaton muajin e Ramazanit, është agjërimi i këtij muaji, i cili ishte detyrim edhe tek popujt e tjerë para nesh. Nga lashtësia e këtij ibadeti, vetvetiu nënkuptohet vlera e lartë e tij, si lutje apo adhurim specifik, që shpie nga vlerat e larta të moralit e të sakrificës në rrugën e Allahut të Madhërishëm.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër përveçqë të Më adhurojnë".(Edh-dhariat: 56).
Agjërimi i muajit të Ramazanit është bërë farz për myslimanët nga fundi i muajit Sha'ban, në vitin e dytë hixhri, për t'i pastruar shpirtrat dhe zemrat e tyre për çdo vit.
Ebu Hurejre transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë; "Po vjen një muaj i bekuar, në të cilin Allahu ju ka bërë detyrim agjërimin. Gjatë këtij muaji hapen dyert e parajsës, mbyllen dyert e ferrit dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga ajo, do të jetë i privuar nga diçka e madhe". (Ahmedi, Nesaiu dhe Bejhakiu).
Nga transmetimi i Ebu Emames, tregohet se ai kishte shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i kishte thënë që ta urdhëronte për një punë që do ta çonte në Xhennet. Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Agjëro, se ai është i pakrahasueshëm". Pastaj shkoi përsëri tek Pejgamberi a.s. dhe i bëri të njëjtën pyetje. Pejgamberi a.s. iu përgjigj përsëri: "Agjëro" (do të hysh në Xhennet)”.(Ahmedi, Nesaiu dhe Hakimi).
Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Ebu Seid El Hudri, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush e agjëron muajin e Ramazanit duke iu bindur Allahut dhe duke iu larguar haramit, do të pastrohet nga gabimet që ka bërë më parë". (Ahmedi dhe Bejhakiu).
Kurse, në lidhje me lëshimin e agjërimit pa ndonjë shkak të justifikueshëm të mbështetur në ligjin e Sheriatit islam, në një hadith, të cilin e transmeton Ebu Hurejre, Muhamedi a.s. ka thënë: "Nëse dikush e ndërpret agjërimin gjatë muajit të Ramazanit pa pasur ndonjë arsye për të cilën Allahu do ta falë, - nuk do të mund ta zëvendësojë atë ditë, edhe nëse agjëron gjithë jetën e tij". (Ebu Davudi, Ibn Maxhedhe Tirmidhiu).
Mund të themi se ky është vetëm një prej shumë haditheve, të cilat flasin për pasojat e mosagjërimit të muajit të Ramazanit.


Leximi i Kur’anit

Muajin e Ramazanit besimtarët mund ta begatojnë edhe më shumë duke i falur namazet farz, duke i falur synetet, namazin e teravisë, duke dhënë sadaka dhe ndihma të tjera solidare. Këtë muaj e begatojmë veçanërisht duke lexuar Kur'an, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e tij. Allahu xh.sh. në muajin e Ramazanit e ka dekoruar Ymetin islam me dhuratën më të madhe, duke i zbritur librin madhështor, Kur'anin famëlartë, në natën më madhështore- Natën e Kadrit, për Ymetin më të zgjedhur - Ymetin islam, dhe për Pejgamberin më të madh - Muhamedin a.s., vulën e pejgamberisë dhe udhëzuesin e dritës hyjnore, i cili solli shpresë në zemrat e thyera e të dëshpëruara të idhujtarëve kurejshitë dhe të mbarë njerëzve në botë.
Duke pasur parasysh se muaji i Ramazanit është muaj i Kur'anit, muaj i diturisë, muaj i leximit dhe i qytetërimit, besimtarët islamë duhet ta respektojnë këtë muaj duke lexuar Kur’an dhe duke i nxitur edhe familjet e tyre të mobilizohen në kryerjen e veprave të mira, sepse kështu vepronte Pejgamberi a.s. dhe të gjithë myslimanët e mirë gjatë këtij muaji.
Në një hadith, të cilin e transmeton Abdullah Ibn Amr, i Dërguari i Allahut ka thënë: "Agjërimi dhe Kur'ani janë dy ndërmjetësues të robit tek Allahu Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: "O Zot! Unë e ndalova nga ushqimi dhe dëshirat e tij gjatë ditës, më lejo të ndërmjetësoj për të". Kur'ani do të thotë: "Unë e ndalova nga gjumi i natës. Më lejo të ndërmjetësoj për të". Kështu, ndërmjetësimi i tyre do të pranohet". (Ahmedi).
Nga Kur'ani besimtarët përfitojnë shpërblime të shumta. Ata shpërblehen për leximin e Kur'ani t, për dëgjimin e tij, shpërblehen për mësimin dhe studimin e Kur'anit dhe për praktikimin e për programimin e jetës së tyre në përputhje me udhëzimet e Kur'anit.
Muhamedi a.s. në një hadith tjetër, ka thënë: "Kush flet me Kur'an, e flet të vërtetën; kush punon sipas tij, do të jetë i shpërblyer. Kush gjykon sipas tij, gjykon drejt. Kush thërret për të besuar, ai është i udhëzuar në rrugë të drejtë". (Hadithin e transmeton Termidhiu).
Ndërsa për këtë shpallje (libër) Allahu xh.sh. ka thënë: "Ky libër, në të cilin nuk ka dyshim aspak, është udhëzim për të devotshmit". (El-Bekare: 2).
Kur'ani, pra, është Fjalë e Allahut xh.sh., mrekulli dhe libër i përjetshëm, materie e islamit, bazë dhe sistem i jetës. Myslimanët e parë kështu e kishin kuptuar Librin e Allahut dhe, duke pasur konsideratë të lartë për të, e kishin pranuar si udhërrëfyes të përhershëm në jetën e tyre. Kur'ani arriti t’i çlironte mendjet e tyre d he të avanconte idetë e tyre si dhe të plotësonte moralin e tyre.


Namazi i teravive, e veçanta e Ramazanit

Përveç me agjërim dhe lexim të Kur'anit, besimtarët islamë muajin e Ramazanit e begatojnë dhe e respektojnë edhe me faljen e namazeve farz me xhemat, me faljen e namazit të teravive me imam, si dhe të nafileve të tjera. Pejgamberi a.s. në hadithin tjetër vijues, thotë: "Allahu ju ka urdhëruar që të agjëroni Ramazanin (ditën), ndërsa netët e Ramazanit t'i kaloni në ibadet vullnetar. Kush fal nafile gjatë Ramazanit, i njihet sikur të ketë kryer farzin në ndonjë muaj tjetër, e kush e ka kryer farzin në Ramazan, i njihet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë Ramazanit".
Nga ky hadith kuptojmë se fadileti i ibadeteve në muajin e Ramazanit ka rëndësi të veçantë dhe besimtari në këtë muaj shpërblehet me shpërblime të shumëfishta. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se përkushtimi i myslimanit, sidomos në çështjen e namazit, duhet të jetë vetëm në muajin e Ramazanit, sepse Allahu i muajit të Ramazanit është po Ai Allahu i muajve të tjerë. Duhet ditur se namazi është shtyllë themelore e Islamit, pa të Islami as që mund të imagjinohet.
Në lidhje me temën e namazit, si njëri prej kushteve kryesore të fesë islame, Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë "Me të vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)". (El-Ankebut: 45).
Ndërsa në ajetin tjetër, thuhet: "Kanë shpëtuar besimtarët që janë të përulur në namazet e tyre”. (El- Mu'minun: 1-2).
Nuk ka dyshim se namazi është vepra e parë për të cilën çdo njeri do të japë llogari. Abdullah bin Karti transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vepra e parë për të cilën njeriu do të japë llogari Ditën e Gjykimit, është namazi.
Nëse llogaria e kësaj vepre del mirë, atëherë edhe pjesa tjetër do të jetë mirë. Dhe nëse në namaz llogaria nuk është e mirë, atëherë edhe veprat e tjera të tij do të jenë të këqija” (Tabaraniu).
Rëndësia e namazit është aq e madhe, saqë ai nuk lejohet të lihet pa u falur as në Ramazan e as jashtë Ramazanit, as në shtëpi e as në udhëtim, as kur
njeriu është i sigurt dhe as kur nuk është i sigurt.
Po ashtu namazi është këshilla e fundit që Pejgamberi a.s. e la për Ymetin e tij si porosi (mesazh) në momentin e ndarjes së tij nga kjo botë. Ai, para se të vdiste, kishte lënë këtë porosi: "Të keni kujdes namazin, namazin dhe ajo çka posedoni (robërit)".


Zekatul Fitri

Obligimet e besimtarit islam në muajin e Ramazanit përmbyllen me kryerjen e Zekatul fitrit, i cili duhet të paguhet në fund të muaji të Ramazanit. Zekatul fitri u bë obligim në muajin Sh'aban të vitit të dytë hixhri. Nëpërmjet kësaj takse fetare, synohet pastrimi i agjëruesit nga veprat dhe fjalët e pahijshme e njëkohësisht të ndihmohen i varfri dhe nevojtari, të cilët mund të jenë në gjendje të rëndë ekonomike. Agjërimi i muajit të Ramazanit gjithsesi duhet të shoqërohet me dhënien e Zekatul fitrit, sepse pa dhënien e kësaj sadakaje pranimi i agjërimit mbetet pezull, në mes qiellit e Tokës-në mes pranimit dhe mospranimit tek Allahu xh.sh. Në lidhje me këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Agjërimi i agjëruesit mbetet pezull mes qiellit e Tokës dhe nuk ngrihet tek Allahu i Lartmadhëruar përveçse me dhënien e Zekatul fitrit".
Në përfundim të kësaj teme, duke pasur parasysh rëndësinë dhe vlerat shumëdimensionale të muajit të Ramazanit si stinë e mëshirës hyjnore dhe e shumëfishimit të shpërblimeve, buron edhe kjo porosi; "Që ditët e sidomos netët e muajit të Ramazanit, të mos i shndërrojmë në ditë e net të shejtanit duke e humbur kohën në haram-nëpër klube dhe kafeteri të ndryshme, në pije alkool, në prostitucion, në bilardo, në internet, në koncerte, pranë ekraneve televizive duke ndjekur programe të ndaluara (haram)". Në vend të kësaj, duhet t'i udhëzojmë fëmijët dhe rininë tonë në punë dhe në vepra të dobishme, si: "Mësimi i parimeve të fesë, mësimi i leximit të Kur'anit, agjërimi i Ramazanit, falja e namazeve të rregullta farz, falja e syneteve, falja e teravisë me xhemat, falja e namazeve vullnetare gjatë netëve të Ramazanit, dëgjimi i ligjëratave fetare, pjesëmarrja në gara të diturisë. pjesëmarrja në tribuna të ndryshme feta re si dhe në aktivitete të tjera islame. Vetëm kështu ditët dhe netët e Ramazanit kanë vlerë të vërtetë dhe shpërblim të sigurt nga Krijuesi i gjithësisë". Allahu na shpërbleftë me të mirat e Tij të pakufishme. (Amin).


____________
(1) Sejid Sabik, Flk-hus-sunneh, B^iut, 1985- 1405h.
(2) Abdurrahman Isa, S-hutuhat ed- Dirdje fi ed-dave d-islamije. Damask, 1405h.



Dr. Fahrush REXHEPI

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.