Shkolla e Ramazanit

Muaji i Ramazanit është shkollë stinore, shkollë e cila në këto ditë të çdo viti i hap dyert e saj për t’i pranuar grupet e agjëruesve në të gjitha anët e botës. Në këtë shkollë ka vend për të gjithë, dhe kjo nuk i mbyll dyert e saj për askënd.

Agjëruesit futen në këtë shkollë për t’u regjistruar në kursin pedagogjik praktik, synimi i të cilit është ngritja e nivelit të tyre të besimit, ngritja e cilësisë së tyre në kryerjen e adhurimeve si dhe shtimi i të kapurit të tyre pas moraleve të Islamit dhe sjelljeve të ti. Në këtë shkollë, në të cilën mësimi vazhdon gjatë tërë ditës si dhe brenda një pjese të natës, agjëruesit mësojnë një sërë lëndësh shumë të rëndësishme, ndër të cilat të përmendim: Durimin. Shkolla e Ramazanit agjëruesve u ofron mësime praktike, që lënë gjurmë të thella në shpirtrat e tyre, në mënyrë që ata ta bëjnë zakon durimin me format e ti të ndryshme:

a) Durimin ndaj kënaqësive të stomakut. Agjërimi e pengon agjëruesin nga ushqimi dhe pija gjatë tërë ditës, me gjithë mundësinë e ti që të hajë ç’të dëshirojë prej tyre. Atë e pengon vullneti i ti i fuqishëm si dhe mbikëqyrja e Allahut të Lartësuar.
b) Durimin ndaj epshit të organit. Sigurisht që ky është epsh i fuqishëm, rrënjët e të cilit janë të thella në shpirtin e njeriut, ngacmimet e të cilit janë të forta, të cilave nuk u rezistojnë përveç njerëzve të rrallë e të pakrahasueshëm. shkolla e ramazanit e mëson agjëruesin sesi të përmbahet nga teket e këtij epshi dhe si ta nënshtrojë atë ndaj vullnetit të ti të ndërgjegjshëm, në mënyrë që më pastaj t’i lehtësohet udhëheqja e ti; i përgjigjet atij - kur të dëshirojë si dhe ndalon veten prej thirrjes së tij - kur të dëshirojë.
c) Durimin ndaj zemërimit dhe dëshirës për hakmarrje: Zemërimi shpesh verbon të zotin e ti dhe e nxit për të kryer gjynahe dhe rënie në mëkatet shkatërruese, për të cilat pendohet pas qetësisë së shfrimit të zemërimit të tij. Shkolla e Ramazanit e mëson agjëruesin sesi ta përmbajë zemërimin e tij, t’i kontrollojë nervat e tij, në mënyrë që ato pas Ramazanit të jenë nën kontroll të tij dhe, si rrjedhojë e kësaj, zemërimi, sharjet dhe as mallkimet - nuk e nxisin drejt asaj që nuk dëshiron. I Dërguari i Allahut, a.s., thotë: “Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin. Nëse atë e ofendon ose e lufton dikush, le të thotë: “Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm”.(1)
Mësimi i durimit konsiderohet pothuaj nga mësimet më të rëndësishme të muajit të Ramazanit dhe me dobitë më të shumta. Prandaj, mos u habit kur të dëgjosh hadithin e të Dërguarit të Allahut për muajin e Ramazanit: “Është muaj i durimit, e shpërblimi i durimit është Xheneti”.(2)

Pastrimi i gjuhës nga dërdëllitja, fjalët e ndyta dhe dëshmia e rrejshme

Pastrimi i gjuhës nga këto sëmundje të zotin e saj e ngre në një shkallë të lartë tek Allahu i Lartësuar dhe tek myslimanët, për faktin se këto sëmundje dhe të ngjashme me to si: gënjeshtra, përgojimi, thashethemet, shpifa, tallja, fyerja, sharja si dhe mëkate të tjera, që bëhen me gjuhë, janë sikurse zjarri që djeg të mirat e njeriut pa e ditur ky, e rëndojnë me gjynahe sa kohë që ai është i shkujdesur, derisa të vijë në Ditën e Kiametit, kur ka për të gjetur tërë këtë në regjistrat e tij, kurse zjarrin - shpërblim të tij.
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin për të, thotë: “A thua, diçka tjetër i hedh njerëzit në zjarr përveç gjuhëve (thënieve) të tyre të këqija”.(3)
Transmetohet nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë për të, ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (mu?is)”? I thanë: “I falimentuar tek ne është ai që nuk ka as para, as mall”. Tha: “I falimentuar i Ymetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat dhe vjen me mëkatin e sharjes së një personi, me shpife të një tjetri, me ngrënien e pasurisë së një tjetri, me gjakderdhjen e një personi, me rrahjen e një tjetri. Kur t’u jepen atyre prej veprave të mira të këtij dhe, nëse harxhohen mirësitë e ti, para se t’u paguhen borxhet, - atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj ky do të hidhet në zjarr”. (Muslimi)
Këto sëmundje të gjuhës dhe të ngjashme me këto, konsiderohen shkaqe për përçarje, grindje, armiqësi dhe mospajtim ndërmjet myslimanëve. Nëse do të pastronin gjuhët e tyre nga këto, do të largoheshin shumë shkaqe të grindjeve në jetën e tyre. Pikërisht tek kjo mësojmë fshehtësinë e fuqizimit të Islamit në pastrimin e agjëruesit, të gjuhës së tij nga këto defekte.
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut, a.s., ka thënë: “Kush nuk e lë fjalën e rrejshme dhe punën me të (shpifen), Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen e tij”.(4)
Gjithashtu nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut, a.s., ka thënë: “Nuk është agjërimi (vetëm ndalim) prej të ngrënit dhe të pirit, po agjërimi është zmbrapsje nga e kota (falë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: “Unë po agjëroj, unë po agjëroj”!(5)

Solidarizimi shoqëror

Në shkollën e ramazanit ka mësime praktike për realizimin e aspekteve të solidarizimit shoqëror ndërmjet myslimanëve. Nëse myslimani i ushtron dhe i përsos ato, ati do t’i lehtësohen edhe aspekte të tjera të këtij solidarizimi shoqëror. Prej gjërave për të cilat kujdeset shkolla e Ramazanit në realizimin e këtij solidarizimi, janë:

a) T’i jepet iftar agjëruesit
b) Ngushëllimi ndërmjet myslimanëve
c) Lehtësimi i vështirësisë së punës të punonjësve gjatë Ramazanit.

Transmetohet nga Selmani, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë: “Na fliste Profeti i Allahut në fund të muajit Shaban, duke thënë: “O njerëz! Ju është afruar një muaj i madh, i begatshëm. Një muaj në të cilin është Nata e Kadrit, që është më e vlefshme se një mijë muaj. Agjërimin e ditëve të tij (Zoti) e bëri farz, faljen gjatë netëve të ti e bëri vullnetar. Kush punon në të një të mirë, ka shpërblimin sikur të ketë kryer një farz jashtë Ramazanit. E kush punon një farz në të, e ka shpërblimin sikur t’i ketë kryer shtatëdhjetë farze jashtë tij. Është muaj i durimit, e shpërblimi i durimit është Xheneti. Është muaj i shpëtimit dhe ngushëllimit, muaj në të cilin shtohet rrësku. Kush i jep iftar një agjëruesi, do të jetë falje mëkatesh për të dhe shpëtim nga zjarri. Do ta ketë shpërblimin sa edhe vetë agjëruesi, pa iu pakësuar shpërblimi i tij (agjëruesit). Thanë: O i Dërguar i Allahut, po nuk ka mundësi çdonjëri prej nesh të japë iftar për agjëruesin! Ai tha: Allahu e jep këtë shpërblim edhe nëse i jep agjëruesit të bëjë iftar qoftë edhe me një pikë qumësht, një copë hurme apo ujë. Kush i jep të pijë agjëruesit, atij do t’ia mundësojë Allahu të pijë nga Havdi im, që pas asaj pirjeje të mos ketë etje derisa të hyjë në Xhenet. Kush ia lehtëson (e liron) robit (shërbëtorit, punëtorit) të tij në të (Ramazan), Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit derisa të futet në Xhenet...”(6)

Bërja zakon e namazit të natës

Agjëruesi në shkollën e Ramazanit mëson mësime praktike për sa i përket faljes së namazit të natës, për faktin se ai u bashkohet vëllezërve të tij myslimanë në namazin e natës për çdo mbrëmje dhe, nuk mbarojnë tridhjetë net vetëm sa është mësuar me namazin e natës, i është bërë e zakonshme atij si dhe i lehtësohet vazhdimi i tij edhe pas muajit të Ramazanit. Namazi i natës shpërblimin e ka të madh dhe meritën të lartë. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut, do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që u ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më përpara kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak”. (Dhariat, 15-17)

Leximi i kur’anit

Pa dyshim që kjo lëndë ka një rëndësi shumë të madhe, për faktin se Kur’ani konsiderohet Libri i kësaj feje, është burim i besimit të myslimanit dhe kulturës së tij, është ushqim i imanit të tij dhe pije e shpirtit të ti. Është referencë për sa i përket moralit, sjelljes dhe ndërveprimeve të tij, është shërim i zemrës së tij nga sëmundjet e saj, është pastrim i saj nga mëkatet dhe defektet e saj. Shkolla e Ramazanit krijon një lidhje jashtëzakonisht të fortë ndërmjet myslimanit dhe Librit të Zotit të tij, lidh dashuri të fuqishme ndërmjet shpirtit të tij dhe Kur’anit, leximin e tij e bën zakon, në të gjen prehje të zemrës, shkëlqim të shpirtit, qetësi të zemrës, shërim nga sëmundjet e tij shpirtërore e morale, udhëzim drejt rrugës më të mirë, drejtim për në rrugën më të drejtë, sqarim për çdo gjë, që ngacmon shpirtin dhe gjoksin e tij si dhe e huton mendjen e tij. Nuk është për t’u habitur pse shkolla e Ramazanit kujdeset për këtë lëndë. Ramazani, siç e dimë, është muaji i Kur’anit. Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”. (El- Bekare, 185)
Xhibrili të Dërguarin e Allahut e takonte në Ramazan për çdo vit dhe ia paraqiste Kur’anin. Nëse në shkollën e ramazanit qenkan tërë këto mirësi, atëherë për myslimanin ia vlen të kujdeset dhe të interesohet për hapjen e dyerve të kësaj shkolle me padurim. Ia vlen për të, që të nxitojë për t’iu bashkuar pionierëve të saj që nga dita e parë e Ramazanit, për t’u angazhuar dhe përpjekur në mësimet e saj, me qëllim që fati i tij të jetë me sukses më të lartë, hisja e tij të jetë më e madhe për fitimin dhe faljen e mëkateve, të jetë më meritor për lirimin nga zjarri i Xhehenemit.
Transmetohet nga Ebu Hurejra, r.a., se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qofshin për të, ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim në Allahun dhe me shpresë për shpërblimin e Tij, i falen mëkatet e mëparshme.”(7)


_________________
(1) Buhariu nga Ebu Hurejra. nr. 1894.
(2) Shënon Ibn Huzejme nga Selmani nga hadithi i gjatë.
(3) Tirmidhiu nga Muadhi dhe thotë se hadithi është hasen sahih.
(4) Shënon Buhariu dhe të tjerët.
(5) Shënon Ibn Huzejme dhe Ibn Hibani në dy koleksionet e tyre të sakta.
(6) Ibn Huzejme në Sahihun e ti.
(7) Buhariu dhe Muslimi.



Almedin Ejupi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.