Vlera dhe rëndësia e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit

Dhuntitë dhe begatitë e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij janë të shumta dhe të llojllojshme. Koha, në esencë është një nga begatitë më të mëdha për njerëzimin mbarë. Nëpërmes shfrytëzimit të saj në mënyrën e duhur, njëriu arrin synimet dhe aspiratat e tij.

Vlera e madhe e saj vërehet në faktin se a betuar në kohën, madje një sure e tërë llahu i lartësuar më së shumti është emërtuar El-asr-Koha. E dihet mirëfilli se Allahu i Lartësuar nuk betohet në ndonjë send dhe nuk i jep përkatësi të Veten, përveçse gjërave që janë ekskluzive dhe të një rëndësie të veçantë. Allahu i Madhërishëm nga kohët veçoi disa muaj, ditë dhe net, i begatoi ato në mënyrë që t’u mundësojë robërve të Tij që, duke i shfrytëzuar ato, të marrin shpërblim të shumëfishtë dhe të jenë sa më afër mëshirës dhe rahmetit të Allahut.
Muaji i bekuar i Ramazanit është i dalluar dhe veçohet nga muajt e tjerë; agjërimi në këtë muaj është farz dhe me të praktikohet një nga pesë shtyllat e Islamit. Vlera dhe rëndësia e muajit të Ramazanit në përgjithësi, është shumë e madhe, ndërsa dhjetë ditët e fundit të tij kanë një vlerë të veçantë. Këto ditë në të vërtetë janë pjesa e zgjedhur dhe më madhështore e muajit të Ramazanit, janë yndyra dhe fryti i tij, si dhe përbëjnë kurorën e tij.
“Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja”. (El Kasas, 68).
Pejgamberi a.s. në këto dhjetë ditë përpiqej dhe angazhohej më shumë në vepra të mira sesa në ditët e tjera, për se na njofton Aishja r.a., e cila thotë: “I Dërguari i Allahut angazhohej me adhurim në dhjetëditëshin e fundit, me një angazhim që nuk e bënte jashtë tij” (Muslimi). Po ashtu Aishja r.a.
transmeton: “I Dërguari i Allahut e përziente natën e njëzetë me namaz dhe gjumë, por, kur fillonte dhjetëditëshi i fundit, angazhohej maksimalisht dhe i përkushtohej adhurimit”. (Buhariu dhe Muslimi).
Këto dhe të tjera hadithe tregojnë për vlerën e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit dhe kujdesin e shtuar të Pejgamberit a.s. për t’i shfrytëzuar dhe për t’u angazhuar me adhurime llojesh të ndryshme. Pejgamberi a.s. shtonte adhurimin këto dhjetë ditë dhe angazhohej me adhurim me një përkushtim të tillë, saqë mezi e jemi të nevojshëm më shumë, ne të cilët gabojmë dhe kemi mangësi, që ta marrim atë për shembull, ashtu që t’ua dimë vlerën këtyre ditëve dhe të angazhohemi sa më shumë në ato ditë, ndoshta Allahu i Madhërishëm na përfshin me mëshirën dhe rahmetin e Tij dhe na begaton me dhuntitë e Tij.

Veçoritë e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, Namazi i Natës

S’ka dyshim që namazi i natës ka një vlerë të veçantë, është një adhurim përmes të cilit krijohet një lidhje e fortë në mes robit dhe Zotit të tij. Namazi i natës është prej ibadeteve më të dashura tek Allahu i Lartësuar dhe që shpërblehen dhe kanë vlerë më së shumti.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Namazi më i vlefshëm pas farzeve, është namazi i natës”. (Muslimi).
Namazi i natës është i vlefshëm për shumë arsye, nga të cilat veçojmë:
- Përmes namazit të natës njeriu pastron zemrën e tij, sepse adhurimi i Allahut mbetet synimi i vetëm.
- Fitimi i kënaqësisë së Allahut të Lartësuar. Kur myslimani fal namaz nate, me këtë bëhet i veçantë, sepse ata që falin namaz nate, nuk janë të shumtë. Me të falur natën myslimani I afrohet Allahut të Madhërishëm dhe fton kënaqësinë e Tij
- Falja natën është cilësi e besimtarëve të devotshëm, Allahu i Lartësuar i ka veçuar për të mirë ata që ngrihen natën për adhurim, duke i quajtur robër të Mëshiruesit. Në Kur’anin famëlartë thuhet: ”E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre u drejtohen injorantët me falë, ata thonë: ”Paqe”!. Dhe që, për hir të Zotit të tyre, natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)“. (El Furkan, 63-64).
- Namazi i natës i jep pozitë të lavdëruar falësit. Allahu i Madhërishëm thotë:” Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin, namazin), është e sigurt se Zoti yt do të të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”. (El Isra 79).
Nga kjo që u përmend, e kuptojmë se vlera e namazit të natës është shumë e madhe në të gjitha kohët, ndërsa në muajin e Ramazanit, dhe në veçanti në dhjetëditëshin e fundit të tij, namazi i natës ka një vlerë të veçantë.
Pejgamberi a.s. thotë: “Kush ngrihet të falet natën (në Ramazan) me bindje dhe përpikmëri, i falen mëkatet e tij të mëparshme”. (Buhariu dhe Muslimi).
Po ashtu Aishja r.a. tregon: “Pejgamberi a.s., kur vinte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, i ngjallte netët (me ibadet), zgjonte prej gjumi familjen e tij, përpiqej (për ibadet të shumtë) dhe shtrëngohej (për adhurim) si dhe largohej nga marrëdhëniet seksuale me gratë (e veta)”. (Muslimi).
Muhamedi a.s. angazhohej me namaz nate përgjatë këtyre dhjetë ditëve më shumë sesa herëve të tjera, e zgjonte familjen e tij dhe largohej nga gratë e tij për t’iu përkushtuar namazit dhe adhurimit, në mënyrë që të arrinte mirësinë e këtyre ditëve, dhe ishte në kërkim të natës së Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj.(1)
Prandaj edhe ne duhet të përpiqemi sa më shumë dhe të ndjekim shembullin e Muhamedit a.s. për t’u angazhuar dhe për të bërë namaz nate gjatë këtyre ditëve të begatshme, në mënyrë që të ftojmë mëshirën dhe begatinë e Allahut Fuqiplotë. Falja e namazit të natës lejohet në cilëndo kohë prej pas namazit të jacisë e deri në fillimin e kohës së namazit të sabahut, por preferohet vonimi i tij në pjesën e tretë të natës.

Nata e Kadrit

Ajo që e bën të veçantë më së shumti dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, është se në të gjendet nata e Kadrit, e cila konsiderohet si një nga dhuntitë më të mëdha për Ymetin mysliman. Muhamedi a.s. ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi).
Vlera e kësaj nate është shumë e madhe, ndërsa begatia më e madhe e saj është se në të ka zbritur Kur’ani famëlartë. Allahu i Lartësuar ka treguar se në këtë natë caktohet e ndahet çdo çështje në mënyrë të prerë, pra caktohet çdo gjë që do të ndodhë për një vit të tërë, shkruhen në të të gjallët dhe të vdekurit, të shpëtuarit dhe të humburit, të lumturit dhe të mjerët, krenari dhe i poshtëruari etj., nga ato që Allahu dëshiron të ndodhin për atë vit. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë”. (Ed-Duhan, 3 - 4).
Po ashtu Allahu i Madhërishëm, për këtë natë të begatë, thotë: “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në të (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti), është paqe deri në agim të mëngjesit”. (El Kadr, 1 - 5).

Vlerat e kësaj nate janë të shumta, nga të cilat veçojmë:
- Allahu i Lartësuar në këtë natë të begatë ka zbritur Kur’anin, i cili është udhëzimi i njerëzve dhe është shkak për lumturinë e tyre, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.
- Vlerësimin që Allahu i Madhërishëm i ka bërë kësaj nate, e ka shprehur në ajetin e Kur’anit në mënyrë pyetëse: “E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit?”. -Kjo natë është më e vlefshme se një mijë muaj, do të thotë, është më e vlefshme se tetëdhjetë e tre vjet.
- Në këtë natë zbresin Engjëjt (Melaiket), dhe zbritja e tyre është e shoqëruar me shumë të mira, me begatinë dhe mëshirën e Allahut. –Ajo është shpëtim, për vlerat që i ka dhënë Allahu i Madhërishëm kësaj nate, që të na shpëtojë nga dënimi dhe nga vuajtjet me anë të namazit, lutjeve të shumta dhe adhurimit që bëhet gjatë kësaj nate të begatshme.
- Allahu i Lartësuar ka zbritur në Kur’an një kaptinë (sure) të plotë, që ?et mbi vlerat dhe begatitë e kësaj nate dhe që lexohet deri në Ditën e Gjykimit.
Vlera e madhe e kësaj nate vërehet edhe nga ajo që ka përmendur Muhammedi a.s. në një hadith: “Kush falet natën e Kadrit me iman (besim të plotë) dhe me bindje se do shpërblehet nga Allahu i Madhërishëm, do t’i falen atij të gjitha mëkatet që ka bërë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Allahu i Madhërishëm nga Mëshira e Tij bëri që njerëzit të mos e dinë saktësisht se kur është Nata e Kadrit, me qëllim që ata të angazhohen sa më shumë në kërkim të saj, duke shtuar adhurimin dhe veprat e mira në këto ditë të vlefshme e të begatshme. Prandaj na takon neve që ta kujtojmë e ta lusim Allahun sa më shumë, sidomos me lutjen që Profeti a.s. i mësoi Aishes r.a., e cila e kishte pyetur se çfarë të thoshte, nëse do ta kuptonte se mund të ishte nata e kadrit. Muhamedi a.s. tha: Thuaj: “Allahumme in-neke Afuvun tuhib-bul afve feafu an-nij” që do të thotë: “O Allah, me të vërtetë Ti je Falës (i mëkateve) dhe e do faljen, m’i fal mua mëkatet e mia”! (Tirmidhiu).(2)

I’tikaf

Prej veçorive të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit është edhe I’tikaf. I’tikaf do të thotë: Qëndrimi në xhami me qëllim veçimi me respekt dhe adhurim ndaj Allahut të Lartësuar. I’tikaf është prej syneteve të pohuara me librin e Allahut dhe synetin e të Dërguarit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “E kur të jeni të izoluar (në i’tikaf) në xhami, të mos u afroheni atyre (grave për marrëdhënie intime)”. (El Bekare, 187).
Aishja r.a. transmeton: “Pejgamberi a.s. qëndronte në I’tikaf gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit derisa ia mori shpirtin Allahu, ndërsa, pas vdekjes së tij, gratë e tij qëndronin në I’tikaf” (Buhariu dhe Muslimi).
I’tikaf njihet qysh nga kohët e lashta dhe ishte pjesë edhe e legjislacioneve të mëhershme. “Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastroni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty”. (El Bekare, 125).
Qëllimi i I’tikaft është largimi i njeriut nga njerëzit për t’iu përkushtuar adhurimit të Allahut dhe për t’u angazhuar për arritjen e shpërblimit dhe për arritjen e natës së Kadrit. Për këtë arsye, ai që qëndron në I’tikaf, duhet të përkushtohet sa më shumë për adhurim dhe në lutje ndaj Allahut të Lartësuar e të largohet nga ajo që nuk i hyn në punë nga gjërat e kësaj bote. Atij që qëndron në I’tikaf, i ndalohen marrëdhëniet intime dhe çdo gjë që u paraprin atyre. Po ashtu i ndalohet dalja nga xhamia, përveç në raste të domosdoshme, siç janë: nevojat fziologjike, marrja e abdesit të obliguar, marrja e gusllit nga xhunubllëku, si dhe ushqimit dhe pijes, nëse nuk ka kush t’ia sjellë në xhami. E, ndërkaq, dalja e tij nga xhamia për ndonjë vizitë, shitblerje e të ngjashme me to, është e ndaluar dhe nuk lejohet.(3)
E lusim Allahun e Madhëruar që të na mundësojë të bëjmë sa më shumë vepra të mira në këto ditë të vlefshme të begatshme. O Allah, na e shto begatinë Tënde në veprat tona e në kohën tonë, dhe na ndihmo ne të shtojmë ibadetin dhe veprat e mira! O Zoti ynë, na i fal gjynahet tona dhe na mëshiro, na e fal dhe na e mbulo çdo gabim, dhe na mbanë këtë besim deri në ditën kur të takohemi!


___________________
1. Erbeune dersen limen edreke Ramadan, Abdulmelik el Kasim f.131-132. Darul kasim. Rijad. Pa vit të botimit.
2. Shih:Essevm Fikhuhu ve Esraruhu, Mahjud-din Mitu f.128-130. Darul kalem. Dimeshk-Bejrut. Bot. 4. 1979, dhe Erbeune dersen limen edreke Ramadan, Abdulmelik el Kasim f.126-128.
3. Shih: Essevm Fikhuhu ve Esraruhu, Mahjud-din Mitu f.122-124.



Mr. Fitim Gashi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.