Në Tiranë mijëra besimtarë Natën e Kadrit e presin në shesh

Mijëra besimtarë, gra dhe burra, fëmijë, të rinj e të moshuar u bënë pjesë e faljeve dhe lutjeve në këtë natë mirësish dhe vlerash të panumërta. Mes ajeteve Kur’anore, faljes së teravive, ligjëratave rreth Natës së Kadrit, lutjeve dhe vëllazërisë, besimtarët myslimanë i kërkuan Allahut paqe, falje dhe mëshirë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, me rastin e Natës së Kadrit, organizoi mbrëmjen e së dielës, 10 qershor 2018, programin “Nata më e mirë se njëmijë muaj”, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish-Hotel Dajtit.

Programi u hap në orën 22:00, me këndimin e ajeteve të Kur’anit famëlartë nga i ftuari special, Egzon Ibrahimi. Me leximin e ajeteve Kur’anore ai solli një atmosferë mjaft të mirë shpirtërore, më pas ai thirri edhe ezanin e jacisë.

Më pas kryetari i Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se ne u bashkuam sonte të gjithë së bashku, për të përfituar nga atmosfera shpirtërore e kësaj nate të begatë. Per të adhuruar dhe falënderuar krijuesin e gjithësisë për të gjitha mirësitë dhe begatitë që na ka falur. Për tu lutur të gjithë së bashku, për më shumë paqe, begati, mirësi dhe shëndet për familjet tona dhe për gjithë shoqërinë.

“Nata e Kadrit shënon nivelin më të lartë të triumfit të mirës ndaj të keqes. Nata e Kadrit është një natë simbolike pasi në këtë natë filloi shpallja e Kuranit fisnik, udhërrëfyesi i myslimanëve në mbarë botën. Nata e Kadrit është nata e Kuranit, është nata e adhurimit të Zotit, është nata triumfit ndaj pasionit, është nata e faljes, nata e shpërblimit dhe e afrimit me Zotin.”, theksoi z. Brucaj.

Programi vijoi edhe me referate të tjera mbi mirësitë dhe begatitë e kësaj nate, ku folën: Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, imami i Xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi, si dhe imami i Xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja.

Ndërkohë namazi i jacisë dhe teravive u drejtua nga nënkryetari i KMSH-së, Lauren Luli, imami i Xhamisë së Ethem Beut, Elton Karaj, zv/myftiu i Tiranës, Bilal Teqja, imami i Xhamisë së Selitës, Mikel Hazizolli dhe pedagogu I Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Veton Tulla.

Programi është mbyllur me lutjen e përbashkët. Lutja në arabisht u bë nga zv.myftiu i Tiranës, Bilal Teqja ndërsa në gjuhën shqipe nga nënkryetari, Bujar Spahiu..

Pritja e natës së 27 të muajit të Ramazanit, Natës së Kadrit dhe lutjet e përbashkëta në shesh, organizohen për herë të tretë nga Komuniteti Mysliman dhe ka pasur një pjesëmarrje masive të besimtarëve.

Pas programit i cili zgjati deri në mesnatë, besimtarët janë shpërndarë nëpër xhami dhe shtëpitë e tyre për të vazhduar lutjet dhe adhurimet deri mëngjesin e sotëm.

Nata e Kadrit është nata më e vlefshme se një mijë muaj, si dhe është nata kur ka zbritur Kur’ani, Libri i Shenjtë i Myslimanëve.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

APEL PËR NDIHMË për familjen 6 anëtarëshe nga Demjani, Gjakovë