Në Kosovë u prit dhe u kremtua festa e Fitër Bajramit

Si tradicionalisht, pas përfundimit të muajit të Ramazanit, më 14 korrik 2018, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtu përfundimi i muajit të agjërimit – Ramazanit sherif, duke falur namazin e Fitër Bajramit.

Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Vedat ef. Sahiti. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër Bajramit e mbajti drejtori i Medresesë Alauddin në Prishtinë, Mr. Jakup Çunaku, i cili në fjalën e tij përveç tjerash tha se festa Fitër Bajramit është ditë e festimit, gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njeri-tjetrin.

Ai më tutje vuri në dukje se sot besimtari ka fituar hyrjen në xhenet, nga një derë e cila është speciale-Rejanit, për të cilën Muhamedi a.s. ka thënë se për atë derë do të hyjnë të gjithë agjëruesit . Po ashtu sot besimtari duhet të gëzohet se është i falur nga mëkatet. Ai më tutje ka veçuar se festa e Bajramit është një rast i mirë, e që patjetër duhet shfrytëzohet, sidomos për përmirësimin e marrëdhënieve familjare dhe shoqërore; t’i zgjatet dora dhe të falet edhe ai që na ka dëmtuar. “Është pyetur Muhamedi a.s. se cilët njerëz janë më të mirët? Ka thënë: “Çdo zemër e devotshme që nuk ka gjynahe, xhelozi, mashtrime dhe asnjë të keqe.”-tha Jakup ef.Çunaku
Namazit të Fitër Bajramit i priu Resul ef. Rexhepi, sekretar i Kryesisë së BIRK-ut, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
Ai tha se festat janë pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit. Secili popull ka pasur dhe ka festat e veta por edhe motivet pse feston. Edhe ne, myslimanët, natyrisht kemi festat tona dhe motivet pse festojmë. Nëse ndalemi dhe meditojmë për pak çaste pse festa e Fitër Bajramit vjen pas një muaji agjërim, lehtë mund ta kuptojmë motivin e saj. Suksesi i besimtarit në fushën e adhurimit dhe fitorja e tij përballë vetive të liga, janë motivi pse ai sot feston. Festa është ceremonia e certifikimit në një kurs adhurimi e edukimi njëmujor andaj nuk ka si të kalojë pa u festuar. Ajo që e bën këtë motiv më të fuqishëm dhe këtë gëzim më gjithëpërfshirës është fakti se festa është shoqërore. Ramazani është një kurs shoqëror në të cilin bëhet trajnimi dhe certifikimi në mënyrë kolektive. Për këtë shkak, edhe gëzimi shprehet në mënyrë kolektive. Ndryshimi që ndodhë në Ramazan nuk prek vetëm disa individ por tërë shoqërinë. Në Ramazan më së miri jetësohet maksima islame e të funksionarit si një trup, në të cilin secila gjymtyrë luan rolin e vet duke i shërbyer kështu mirëqenies së përgjithshme të trupit.

Myftiu Tërnava duke ligjëruar tha se festat në Islam janë momente reflektimi, momente rikthimi në vlerat e vërteta fetare dhe humane. Ndërlidhja e Fitër Bajramit me lëmoshën për nevojtarët është bërë për të na kujtuar se nuk ka vlerë një manifestim shoqëror në të cilin anëtarët e shoqërisë nuk ndihen të barabartë. Shoqëria është sikur trupi; një pjesë nuk mund të kremtojë nëse pjesa tjetër rënkon. Nga këtu, festa është për të na kujtuar rolin tonë karshi njëri tjetrit, për të na dëftuar rrugën drejt përsosmërisë humane, rrugë kjo që përshkohet duke parë të tjerët si pasqyrë në të cilën ne shohim vetën tonë. Ne do të bëhemi të mirë ose më të mirët kur të kuptojmë se nuk jemi krijuar për vetveten por për të tjerët dhe kur të punojmë për ta jetësuar këtë të vërtetë. Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: ‘Njeriu më i mirë është ai që është më i dobishmi për njerëzit. Para pesë ditësh më 10 qershor festuam edhe 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në Xhaminë Bajrakli në Prizrenin e lashtë, në të cilën lidhje apo kuvend, vihen themelet e shtetësisë shqiptare.

“Sot edhe në këtë ditë feste të Fitër Bajramit, me respekt e pietet i kujtojmë gjyshërit tanë, prijësit e shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme, të vështira e të disfavorshme, duke e parë rrezikun që i kanosej trojeve tona nga shtetet fqinje dhe mungesën e vullnetit të fuqive të mëdha për të bërë zgjidhje të drejtë arritën të organizojnë mbajtjen e Kuvendit të L.Sh.P. Për t’i bërë me dije botës mbarë se shqiptarët nuk do të pranojnë asnjëherë marrëveshje të kujtdo qofshin ato që qojnë në copëtimin e trojeve shqiptare, duke iu bërë me dije se populli shqiptarë meriton lirin dhe pavarësinë e plot brenda trojeve të tyre”-tha myftiu Tërnava./bislame/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.