Rëndësia e Bajramit dhe manifestimi i drejtë i tij

Me të vërtetë trupi lëngon që të ketë raste për të manifestuar dhe shprehur gëzimin dhe harenë, të paktën herë pas herë, në mënyrë që për sado pak çaste të harrohen brengat dhe preokupimet e jetës.

Prandaj festat janë të pranishme tek të gjithë popujt pa marrë parasysh përkatësinë fetare a kombëtare, meqë kjo ndërlidhet me vetë intuitën e njeriut.
Festat tek jomyslimanët zakonisht janë ngjarje apo evenimente që kanë të bëjnë me çështjet e kësaj bote, pra të dynjasë, siç janë festat shtetërore, ngjarjet historike, karnavalet e ndryshme apo besëtytnitë. Në disa raste ka festa edhe me motive fetare, siç janë tek hebrenjtë apo të krishterët festa të cilat kryesisht ndërlidhen me ngjarje historike, si krishtlindja, viti i ri sipas kalendarit gregorian, pashkët, e të tjera.
E pra, si qëndron puna tek myslimanët? Në Islam festat dhe manifestimet në të vërtetë ndërlidhen me përmbushjen e ndonjë obligimi fetar, siç janë Fitër-Bajrami, i cili vjen si festë pas përmbushjes së obligimit të agjërimit të Ramazanit, i cili është një nga shtyllat e fesë Islame, ose Kurban Bajrami, i cili vjen si festë pas përmbushjes së obligimit të Haxhit, që po ashtu është një nga kushtet që duhet të përmbushë myslimani. Por nuk duhet harruar as festa javore e myslimanëve, që është dita e xhumasë.
Transmetohet nga Enesi, r.a., se Pejgamberi a.s., kur arriti në Medinë, i gjeti banorët e Medinës duke i festuar dy ditë. I pyeti: Ç'janë këto dy ditë? Thanë: Në këto dy ditë luanim në injorancë. Atëherë Pejgamberi a.s., tha: "Allahu jua ka zëvendësuar me dy ditë të tjera, të cilat janë më të mira se ato: dita e Kurban-bajramit dhe dita e Fitër-Bajramit." (Ebu Davudi).
Meqë jemi në muajin e bekuar të Ramazanit, do të flasim rreth festës së Fitër-Bajramit, si duhet kremtuar ajo. Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga shtyllat e fesë islame dhe veçohet për agjërimin e tij. Meqë rutina jonë jetësore ndryshon në këtë periudhë kohore, për shkak të agjërimit, intensifikimit të ibadeteve, siç është namazi i teravive, leximi i Kur'anit, i cili duhet të shpeshtohet në këtë kohë, lëmosha dhe vepra të tjera të mira, natyrisht që pas përmbushjes me sukses të të gjitha këtyre adhurimeve nga ana e besimtarit, vjen edhe koha për kurorëzimin e këtij mundi, që është Dita e Fitër Bajramit, e cila është në ditët e para të muajit Sheval. Dhe vërtet ai që u mundua të realizojë me përpikëri Urdhrat dhe Këshillat e Allahut dhe Pejgamberit të Tij, ka arsye për festim.


Eidu-l-Fitri, kthim në natyrshmëri

Quhet Eidu-l-Fitr, që domethënë kthim në natyrshmëri, meqë gjatë muajit të Ramazanit bëhet ndryshimi i regjimit tonë ditor, kurse pas kalimit të këtij muaji të bekuar, secili prej nesh, u kthehemi përsëri rregullave të përditshme të jetës sonë.


Por çfarë duhet të bëjë besimtari në këtë ditë?

Pa dyshim, nga punët që duhet të kryejë në këtë ditë, janë: pastrimi i trupit, veshja e rrobave të bukura e të pastra, parfumosja, ngrënia e ndonjë ushqimi të ëmbël para se të shkohet për namazin e bajramit, për ta veçuar kështu këtë ditë nga ditët e kaluara në agjërim, të ndërrojë rrugën gjatë kthimit në shtëpi nga xhamia, e kështu me radhë.
Duhen bërë vepra të mira, siç janë madhërimi dhe falënderimi ndaj Allahut për mundësinë që na është dhënë për kryerjen e obligimeve ndaj Tij me sukses, duke shpresuar kështu shpërblimin nga Zoti për të solidarizimi me të varfrit dhe jetimët, vizita ndaj të afërmve, falja dhe shuarja e armiqësisë dhe hidhërimeve eventuale që mund të kemi pasur, si dhe ripërtëritja e lidhjeve shoqërore dhe farefisnore, e dashurisë vëllazërore dhe e respektit të ndërsjellë.
Allahu në Kur'anin fisnik thotë: "Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë Allahu…"(Tevbe, 71)
Por, natyrisht, myslimani i mirë nuk duhet ta kufizojë veten që të kryejë vepra të mira vetëm në këtë kohë, po duhet t'i kryejë vazhdimisht përgjatë tërë vitit. Tek ne, shqiptarët në Kosovë, kemi disa veçori të mira për sa i përket festimit të bajrameve, që është kalimi i kohës me familjen, solidarizimi, dhurata për fëmijët dhe vizita e të afërmve për të uruar njëri-tjetrin për këtë ditë të rëndësishme. Mirëpo, çfarë është brengosëse dhe shkak për t'u shqetësuar, janë shumë devijime dhe risi të inkorporuar në kremtimin e këtyre festave, duke pretenduar se kjo ditë është festë e gëzim, dhe se festimi mund të shprehet në forma të ndryshme.


Festim në kuadër të rregullave fetare

Do të veçojmë disa prej gabimeve të shpeshta dhe të rënda që bëhen në popullin tonë. Pa dyshim, në modë janë ahengjet që organizohen në kafiteri të ndryshme, ku sillen njerëz të njohur të estradës, për ta joshur popullatën (që janë kryekëput komerciale dhe shërbejnë vetëm për përfitime të individëve dhe bizneseve, e nuk organizohen për nder të festës apo në të mirë të besimtarëve, dhe, si të tilla, janë nxitëse për shthurjen e moralit tek të rinjtë). Duke u shoqëruar në këto tubime në një përzierje të pakontrolluar djem e vajza, këto me veshje provokative që nuk i kanë hije një gruaje myslimane, aty dëgjohet muzikë, konsumohet alkool e gjëra të tjera të tilla, të cilat i japin imazh krejtësisht të kundërt nga vlerat dhe mesazhi që ngërthen në vete festa e Bajramit dhe Islami në përgjithësi.
Për këtë arsye, veprimi i gjërave të tilla është amoral, joetik dhe krejtësisht i papranueshëm sepse ato janë në kundërshtim me dispozitat kur'anore dhe Synetin e Pejgamberit a.s., dhe gjithsesi janë të ndëshkueshme.
Po ashtu, prej gabimeve të besimtarëve janë edhe veçimi i kësaj dite për t'i vizituar varrezat duke u kthyer nga falja e namazit të Bajramit, një gjë që nuk ka bazë në praktikën e Pejgamberit a.s., meqë kjo duhet të jetë ditë gëzimi dhe të kalohet në mënyrë sa më të dinjitetshme me familjet tona e me të afërmit dhe miqtë tanë. E të mos flasim për vizitën dhe lutjet tek tyrbet e ndryshme për kërkim fati apo për përmbushjen e nevojave të tjera, një rrugë kjo që shpie në idhujtari dhe mosbesim, sa kohë që Islami bën thirrje për besimin e Zotit dhe përkushtimin ndaj Tij, e kjo do të thotë bindje ndaj Urdhrave të Allahut dhe udhëzimit të Pejgamberit a.s..
Prandaj nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësimi në mes besimtarit dhe Krijuesit të gjithësisë, ndërsa çdo veprim që nuk bazohet në Kur'an dhe Synet, dhe nuk ka për qëllim kënaqësinë e Allahut, është i papranueshëm dhe i refuzuar. Lusim Allahun e Madhëruar që të na ketë nën mbrojtjen e Tij, të na udhëzojë ne dhe familjet tona në rrugë të drejtë, dhe të na e shtojë devotshmërinë dhe sinqeritetin në zemrat tona, duke na bërë prej atyre që zbatojnë me përpikëri Fjalët, Urdhrat dhe Këshillat e Tij. Dhe lusim Allahun Fuqiplotë, që të na mëshirojë për gabimet tona, të na ruajë nga ndëshkimi i Tij dhe të na shpërblejë me Xhenetin e Tij të lartë. Amin!



Besart Shala

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.