Esenca e emancipimit të femrës muslimane

“O ju njerëz, vërtetë ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) e Allahu është më dijshëm dhe hollësisht I njohur për çdo gjë” (Huxhuratë, 13)

Kuptimi i thellë i besimit islam është se njeriu në realitetin qenësor nuk ka pësuar evolucion dhe se nuk ekziston “para njeriut” në kuptim të paraardhësit kohor ose një gjendje nga e cila u krijua njeriu në kohë. Njeriu edhe para mijëra dhe miliona vitesh, të vdekurin e ka varrosur dhe ka besuar në botën e ardhshme (ahiret). Gjithashtu edhe sot njeriu beson dhe ka nevojë të besojë, por edhe nesër ai do të ballafaqohet me të njëjtin realitet.

Një herë e kanë pyetur Muhammedin s.a. se çka ekzistonte para Ademit a.s. Ai është përgjigjur: “Ademi”. Kjo pyetje është përsëritur disa herë. Ai përsëri është përgjigjur “Ademi”. Pastaj Pejgamberi a.s. ka thënë, sikur të duhej t’i përgjigjem kësaj pyetje edhe disa herë, deri në fund do të kisha thënë “Ademi”.

Shikuar në aspektin fetar islam, krijesa më e përsosur e Allahut xh. sh., njeriu, gjegjësisht mashkulli dhe femra, në çdo moment të jetës së tyre, me dëshirën apo pa dëshirën e tyre, ata gjendet në mes dy dimensioneve: dimensioni vertikal dhe dimensioni horizontal. (amenu ve amilus-salihat=besojnë dhe bëjnë vepra të mira).

Dimensioni vertikal njeriut ia mundëson të jetë në përputhshmëri me esencën e vetë, gjegjësisht me dëshirën e Krijuesit-Allahut xh.sh., kuptohet nëse njeriu një bindje të tillë e ka ngulitur në thellësinë e shpirtit të tij.

Nga vet fjala vertikale kuptojmë dy pozita jo të barabarta që kanë dallim të madh njëra me tjetrën. Në pozitën vertikale, një kemi lartë dhe një kemi poshtë. Allahu xh.sh. është lartë, kurse njeriu është poshtë. Kjo është simbolikisht e thënur, pasi dihet se Allahu nuk ka vend të caktuar. Allahu është më i Përsosuri, më i Përkryeri, më i Larti, Krijuesi, kurse njeriu me të meta, i papërkryer, i krijuar etj. Që njeriu, këtë lidhje vertikale, apo këtë dimension vertikal ta mbajë të gjallë dhe të fortë i duhet të ketë lidhje me Krijuesin-Allahun xh.sh., Muhammedin a.s., Kur’anin-Shpalljen (Vahjin). Ky dimension e mban gjithmonë të gjallë dimensionin horizontal, gjegjësisht raportin me njerëzit tjerë.

Edhe në fushën e dijes (shkencës), kur flitet për krizën e paraqitur në këtë drejtim, dijetarët shprehen se, shkenca e ka patjetër të integrohet në metafizikë nga lartë (besimi-dimensioni vertikal), e jo nga poshtë, pasi vetëm në atë formë faktet e padyshimta shkencore mund të fitojnë edhe kuptimin shpirtëror të tyre. Por edhe kur bisedohet për mosekzistimin e harmonisë mes njeriut dhe natyrës (krizës ekologjike), si përgjegjëse e tregojnë dhe e argumentojnë, pasi edhe ashtu është, humbjen e diturës metafizike (lidhjes vertikale-shpalljes). Ndotja e rrethit, nuk është asgjë tjetër vetëm se, një pas-efekt i ndotjes së shpirtit të njeriut.

Dimensioni horizontal është një pozitë që njeriut i tregon si ai gjendet në një horizont apo në një vijë me krijesat tjera. Pra, njeriu nuk është vetë dhe nuk është më i lartë prej tjerëve, as edhe më i mirë se të tjerët, as mashkulli nuk është më i mirë se femra e as femra nuk është më e mirë se mashkulli, kur kemi parasysh njeriun si krijesë e Allahut. Por, dallimin në mesin e njerëzve e bën lidhshmëria sa më e fortë në vijën vertikale. (inne ekremekum indallahi etkakum). Mëkatarët kur do të pyeten nga xhennetlinjtë, se pse jeni në xhehennem (sekar), ata do të thonë: nuk jemi falur (dimensioni vertikal) dhe nuk i kemi ushqyer të varfrit (dimensioni horizontal).

Ajeti kur’anor që tregon se nuk ndryshon gjendja e shoqërisë pa mos ndryshuar njeriu (Rad, 11), tregon dy ndryshime shumë vitale individuale dhe shoqërore. Në fillim fjala është për Vepruesin e ndryshimit të parë i cili është Allahu, kurse i të dytit është njeriu. Ndryshimi i parë, gjegjësisht ai shoqëror është i detyrueshëm (cebri), kurse i dyti, gjegjësisht ai individual është fakultativ (ihtiyari). I pari tregon shoqërinë, kurse i dyti tregon individin-gjendjen shpirtërore të tij. Që të ndryshojë e para është kusht realizimi i të dytës (ma bi enfusihim). Fuqia ndryshuese është një sintezë, në bazë të ajetit të lartpërmendur, e asaj që është e domosdoshme dhe fakultative, gjegjësisht është rezultat i marrëdhënieve në mes të dëshirës së njeriut dhe Dëshirës së Allahut xh.sh. Pra, realizimi i ndryshimit, i cili realizohet me fuqinë e Allahut, është i varur nga dëshira e njeriut, gjegjësisht që Allahu të ndërhyjë, sipas këtij ajeti, është kusht përmirësimi i njeriut. Njeriu duhet të ringjallet vetë shpirtërisht para se të jetë në gjendje të ringjallë botën rreth tij. Nuk duhet harruar asnjëherë se, reforma e vërtetë e botës fillon me reformën e vetvetes. Pra reforma e shoqërisë e cila quhet vëllazërim, të cilën e realizoi Muhammedi a.s. në Medine, fillon me reformën e brendshme shpirtërore të individit. Pra nën emrin njeriu duhet të kuptojmë edhe mashkullin edhe femrën.

Mësimi islam na mëson se, pasi mashkulli dhe femra janë të njëjtë para Zotit dhe Ligjit, ata të dy duhet të plotësojnë njëri tjetrin në familje dhe në shoqëri. Barazia e tyre para Zotit dhe Ligjit nuk e zhduk realitetin e paplotësueshmërisë së tyre. Kur bëhet pyetja se a janë mashkulli dhe femra (burri dhe gruaja) të barabartë në Islam, përgjigjja është se ata janë të njëjtë para Zotit, në botën reale eskatologjike (ahiret) dhe para Ligjit; por ata nuk janë të njëjtë në botë. As mashkulli nuk është i njëjtë me femrën e as femra nuk është e njëjtë me mashkullin. Prandaj të kërkohet që ata të dy të jenë të njëjtë është çmenduri, a që të jenë të barabartë është mençuria më e madhe. Këtë e tregojnë edhe fjalën që i përmendëm më lartë.

Kështu që, faza e parë e emancipimit të femrës në Islam është ngritja e vetëdijes së saj në rrafshin shpirtëror dhe intelektual, kurse pastaj pasojnë fazat e tjera të emancipimit të saj dhe të inkuadrimit dhe integrimit të saj në jetën shoqërore. Femra në botën islame më tepër vuan nga ajo që edhe vetë, por edhe meshkujt janë njohës të pakët të rregullave fetare, apo janë të preokupuar nga mentalitetet e fraksioneve të ndryshme. Pra, niveli shpirtëror dhe intelektual i tyre është i ulët. Është një gabim, apo më mirë të themi është një mëkat i madh i vepruar nga qarqet e ndryshme edhe në botën moderne, kur definohet femra muslimane si e prapambetur, e ende më keq është kur edhe ajo prapambeturi i mveshet fesë Islame. Femra muslimane mund të jetë e pazhvilluar për shkak të rrethanave të ndryshme ekonomike apo politike, ku nuk mund të përjashtohet as mashkulli. Por, duke marrë parasysh një rast të veçantë ose një rreth të veçantë dhe i njëjti të gjeneralizohet duke treguar se femra në Islam është e lënur pas dore është joshkencore, joobjektive dhe joreale. Pasi që, rastet e veçanta janë incidente dhe si të tilla nuk mund të merren si argumente për qëndrime gjenerale. Nuk është e logjikshme që të krahasohet një femër muslimane e një vendi të prapambetur me një femër të një vendi të zhvilluar, pasi edhe kundërta nuk do të ishte e logjikshme. Nëse krahasohet, atëherë duhet të krahasohet një muslimane e Afrikës me një jomuslimane të Afrikës, një muslimane e Tokios me një jomuslimane të Tokios etj.

Sot në botën moderne, krahas shumë të drejtave që i ka femra, në emër të atyre të drejtave në shumë raste është edhe e robëruar. Për shembull, shtëpitë publike në një aspekt janë një vend burgimi dhe shfrytëzimi i femrave vetëm për interesa epshore të mashkullit; reklamat dhe manifestimi i modës që bëhet nëpërmjet të femrave lakuriqe bën vetëm shtimin e dëshirës së mashkullit për të bërë amoralitet; homseksualiteti i lejuar dhe i pranuar si një veprim legjitim është një moment zhvlerësimi i femrës; ndalesa që u bëhet disa femrave (muslimane) që të realizojnë besimin e tyre, tregon dhunën e ushtruar në emër të asaj që bota sot e quan liri i individit, liri e të shprehurit apo liri e besimit.

Sot tek ne, në emër të asaj “lirie” shumë njerëz muslimanë, po edhe nga ata që falen dhe agjërojnë, janë duke e mashtruar vetveten. Kështu që, kur bëjnë dasmë ose synetllëk i ftojnë mysafirët burra e gra bashkë. Kjo nuk është emancipim, por kjo është shkelje e rregullave të besimit tënd, e cila ka pasoja shumë të mëdha familjare dhe shoqërore.. Në anën tjetër, shihet një dukuri tjetër, ajo e shkollimit të femrës. Rëndësi i jepet shkollimit, edhe pse edhe ajo tek ne muslimanët e Ballkanit-shqiptarë ende nuk është marrë aq seriozisht, kurse anës etike, morale nuk jepet aspak rëndësi.

Pra, me një fjalë nëse mungon ajo lidhja e fortë vertikale-besimi i njeriut, qoftë mashkull apo femër, atëherë është shumë vështirë të kihet sukses në emancipim, zhvillim, integrim apo ngritje shpirtërore dhe intelektuale. Sa është me rëndësi që njeriu në dukje dhe pamje të jetë i pastër dhe i rregulluar aq duhet edhe në brendësinë e tij të jetë pastër dhe i rregulluar. Bota e brendshme e njeriut herët apo vonë patjetër duhet të manifestohet në dukjen e tij, pasi njeriu nuk ka mundësi që gjithmonë të paraqitet ashtu sikur nuk është në brendësinë e tij.



Mr. Qani Nesimi
Drita Islame

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.