Edukata në xhami

Xhamitë janë shtëpitë e Zotit në tokë. Në to është vendi, ku mësohet praktikisht vëllazëria, vendi ku aplikohet të paktën pesë herë në ditë barazia përpara Krijuesit tonë, vendi ku mësohet se besimtari i mirë është ai, që do për tjetrin atë që do për vete.

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë.” (Muslimi)
Xhamitë janë vendet më të dashura tek Zoti, sepse ato janë burim drite dhe udhëzimi. Për të treguar rëndësinë e xhamisë mjafton të themi se nga gjërat e para, për të cilat u interesua i Dërguari i Allahut, sapo mbërriti në Medinë, ishte ndërtimi i xhamisë.
Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai që merr abdes në shtëpinë e tij siç duhet dhe shkon në xhami, është mik i Allahut.” (Taberani në Kebir (6139,6145) dhe Bejhakiu në Shuabul iman (2682)
Edukatën në xhami mund ta ndajmë në tri pjesë:

- Edukata nga shtëpia deri në xhami.

Besimtari para se të vijë në xhami duhet të kujdesët për pastërtinë e rrobave dhe trupit. Nëse ke një rrobë të bukur e të hijshme, dije se e meriton të vishet në xhami. Allahu (xh.sh) thotë: “O bijtë e Ademit! Vishuni bukur kur shkoni në xhami.” (A’raf, 31)
Kij kujdes mos të të vijë erë e keqe nga goja, nga trupi apo nga rroba jote. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush prej jush ha hudhra ose qepë, apo i vjen erë nga trupi, është më mirë për të, që të falet në shtëpi. Mos t’i bëjë keq atyre që i ka majtas e djathta dhe le ta dijë, se melekët e Zotit ndihen keq, kur dëgjojnë erëra të këqija.” (Buhariu, Muslimi)
Ecja për në xhami duhet të jetë e qetë dhe pa shpejtuar. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kur të vini në namaz, ruani qetësinë; çfarë të arrini (nga namazi) faleni dhe, çfarë t’ju ikë, plotësojeni!” (Buhariu) “Kur ta dëgjoni ikametin, ecni (hajdeni) për në namaz duke ruajtur qetësinë dhe seriozitetin, mos shpejtoni. Çfarë të mbërrini faleni dhe, çfarë t’ju ikë, plotësojeni!” (Buhariu)
Hyrja në xhami. Është e pëlqyeshme që muslimani të hyjë në xhami me këmbën e djathtë duke thënë: “Bismilah, Allahumme sal-li ala Muhammed, Rabbigfirli dhunubi, Allahummeftah li ebvabe rahmetike!”, që do të thotë: “Me emrin e Allahut. O Allah, dërgo salavate mbi Pejgamberin! O Allah, m’i fal gjynahet e mia! O Allah, m’i hap dyert e mëshirës Tënde!”
Përshëndetja e xhamisë (Tehijetul-mesxhid) Është praktikë e Profetit (a.s) falja e dy rekatëve namaz nga besimtari, i cili hyn në xhami, në shenjë respekti dhe nderimi për xhaminë.
Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nëse hyn dikush nga ju në xhami, le t’i falë dy rekatë namaz para se të ulet.” (Buhariu) Shumica e dijetarëve të islamit thonë se këto dy rekatë janë sunnet nuk janë të detyrueshme. Besimtari duhet të ulet aty ku gjënë vend të lirë. Nëse safat janë të mbushur, nuk duhet të hidhemi mbi supet e të tjerëve që kanë arritur përpara në safe. (Ebu Davud).

- Ruajtja e qetësisë në xhami

Nuk lejohet zhurma apo biseda me zë të lartë në xhami pa qenë e nevojshme, aq më tepër kur dikush është duke u falur. Në xhami, besimtari është në komunikim me Allahun, prandaj nuk lejohet shqetësimi i askujt. Omeri (r.a) dëgjoi njëherë dy burra, që po ziheshin në xhami. Pasi mbaroi namazi, nuk i pa dhe pyeti: “Ku janë ata, që po ngrinin zërin në xhami?” i thanë: “ Kanë dalë”. Omeri (r.a) tha: “ M’i sillni këtu ata”. Ia sollën dhe ai i pyeti: “Prej nga jeni ju?” Ata iu përgjigjën: “Jemi nga qyteti i Taifit”. Taifi ishte larg Medines. Atëherë Omeri (r.a) u tha: “Betohem në Zotin, se sikur të ishit nga banorët e Medines, do t’ju jepja një mësim, që kurrë s’do ta harronit në jetën tuaj. A nuk e keni frikë Zotin, që bëni zhurmë në xhaminë e Tij, por bërtisni dhe ngrini zërin tuaj në xhami?” Kjo kritikë e Omerit ndaj këtyre dy personave nuk është e veçantë vetëm për xhaminë e Profetit, sepse zhurma ndalohet në të gjitha xhamitë.
Abdullah ibn Abasi tregon: “Ngritja e zërit me dhikër, pas përfundimit të namazit farz, është praktikuar në kohën e Profetit (a.s).” (Buhariu)
T’i japim përparësi tjetrit mos të zihemi me askend për asgjë. Nuk lejohet shitblerja në xhami. Profeti (a.s.) ka ndaluar shitblerjen në xhami dhe ka thënë: “Nëse e shikoni një person që shet apo blen në xhami, thuajini atij: “Mos të dhëntë Allahu bereqet në shitblerje!” (Tirmidhiu)
Leximi i sures Kehf ditën e xhuma. Kjo sure ka 110 ajete dhe ka zbritur në Meke. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kush e lexon suren El-Kehf ditën e xhuma, e mbulon drita prej këmbëve e deri në kupën qiellore, dritë që do të ndriçojë në Ditën e Gjykimit, dhe i falen të gjitha gjynahet (e vogla) midis dy xhumave.” (Hakimi)
Shtimi i lutjeve sa më shumë në ditën e xhuma. Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, në ditën e xhuma është një kohë në të cilën, nëse muslimanët e kalojnë duke iu lutur Allahut, Allahu me të vërtetë do t’u përgjigjet atyre.” (Buhariu, Muslimi)
Dërgimi i salavateve për Pejgamberin (a.s). Profeti (a.s) ka thënë: “Shtojini salavatet për mua gjatë ditës së xhuma dhe gjatë natës së xhuma. Kush dërgon për mua një salavat, Allahu i dërgon atij dhjetë salavate.” (Behjakiu në es-Sunen elKubra,3/353)

- Dalja nga xhamia me edukatë

Është e pëlqyeshme që muslimani të dalë nga xhamia me këmbën e majtë duke thënë: “Bismilahi, Allahumme sal-li ala Muhammed, Rabbigfirli dhunubi, Allahumme inni es-eluke min fadlike!” që do të thotë: “Me emrin e Allahut. O Allah, dërgo salavate mbi Pejgamberin! O Allah m’i fal gjynahet e mia! O Allah, kërkoj nga mirësitë Tuaja!”
Besimtari pasi të dalë nga xhamia duhet të sillet më mirë se sa është sjellur përpara se të vinte në xhami. Një kundërshtar i Islamit, i cili e ka studiuar thellë Islamin, ka thënë: “O njerëzit e kësaj bote! Për sa kohë të ketë xhami dhe Kuran në duart e muslimanëve, ata njerëz kurrë nuk do të dorëzohen edhe sikur të shkojnë deri në fijen e fundit të perit”.



Naim Drijaj
Etika 115

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.