Arsimi fetar dhe përgatitja e kuadrove gjatë viteve 1912-1930

Me islamizimin e trevave shqiptare krahas të tjerave, u morën masa për organizimin e arsimit islam. U ngritën shkollat e arsimit fillor (Mejtepet)(1) dhe, mbi këtë bazë filluan të ngrihen edhe shkollat e mesme (Medresetë).(2)

Mejtepet nuk kanë pasur kurdoherë të njëjtën fizionomi, qoftë nga struktura, qoftë edhe nga programi, por gjithmonë ato kanë ruajtur përmbajtjen fetare, kanë synuar edukimin fetar dhe formimin fillestar teologjik islam të brezit të ri. Mejtepet u përhapën në të gjithë trevat shqiptare,(3) madje vazhduan të ekzistonin edhe pas pavarësisë, deri në kohën që shteti shqiptar ndërmori reforma në arsim, gjatë viteve '20 të shek. XX, ku fillimisht mësim-besimi do të futej në shkollat e hapura nga shteti dhe pak më vonë do të mënjanohej totalisht për disa arsye, ndër të cilat: mungesa e mësuesve të mësim-besimit, keqdashja e disa drejtorëve për të mos dhënë mësim-besimin në shkollat që drejtonin, për mos organizimin e duhur nga organet drejtuese të myslimanëve të cilët në këtë kohë ishin mjaft të preokupuar me ngritjen e shtetit shqiptar, e më pas me zyrtarizimin e Komunitetit Mysliman, plani i tyre ishte Medreseja e cila u themelua më 1924.
Në piramidën e arsimit Fetar islam, medresetë i korrespondojnë arsimit të mesëm. Ato ngrihen mbi bazën e mejtepeve. Disa medrese kanë pasur edhe elemente të arsimit të lartë teologjik, disa kanë qenë më të kufizuara. Programi mësimor i medreseve përfshinte lëndët fetare dhe grupin e lëndëve humane e shkencore. Medresetë, si institucione fetare, arsimore, kulturore dhe edukative, që në vitet e para të islamizimit, shërbyen si vatra të kualifikuara të përfitimit e të përhapjes së fesë islame, dhe, njëkohësisht përhapëse të diturisë pa harruar asnjëherë edukimin që u bëhej medresistëve me atdhedashurinë dhe respektimin maksimal kundrejt institucioneve të shtetit.
Si kudo, edhe në trevat shqiptare, me përhapjen e islamit, filluan të ngrihen mejtepe dhe medrese, në të cilat jepnin mësim mësues specialistë (hoxhallarë, etj.) gjithashtu specialistë të gjuhëve të orientit (arabe, turke, persiane). Shqiptarët, të etur për dije, e mirëpritën hapjen e këtyre shkollave, si një mundësi për t'u arsimuar. Medresetë u ngritën nga bamirës myslimanë shqiptarë, çifligarë, ushtarakë, guvernatorë, që donin përparmin e vëllezërve të tyre. Ngritja e këtyre institucioneve arsimore në qendra të ndryshme mbarë shqiptare faktohet nga të dhëna të shumta arkivore në osmanishte, por dhe në shqip të gjendura pranë Arkivit Qendror të Shtetit, pranë Institutit të Historisë dhe Bibliotekës Kombëtare.
Me pavarësinë e Shqipërisë, këto institucione arsimore do të vazhdonin aktivitetin e tyre edukativ me të njëjtin mision si më parë, normalisht disi më të dobësuara, si shkak i ndryshimeve të shumta që po zhvilloheshin në vend.
Sipas studiuesit të njohur të Islamit në Ballkan, Aleksandër Popoviç: "Qendra kryesore e arsimimit fetar duhet të ketë qenë e famshmja Medreseja e Beratit. Shkollimi në të zgjaste tetë vjet dhe përpara Luftërave Ballkanike të vitit 1912 ajo numëronte 120 nxënës. Në periudhën për të cilën po bëjmë fjalë kjo shkollë fetare myslimane do të shndërrohet në një shkollë pedagogjike, ku shkollimi do të bëhet në shqip dhe në të do të grumbulloheshin nxënësit më të dalluar të vendit.(4)
Mbas pavarësisë së vendit në të gjithë medresetë filloi të mësohej gjuha shqipe, dhe aty ku ishte mundësia, dhe lëndë të tjera do të bëheshin në shqip. Nuk munguan as përpjekjet e dijetarëve myslimanë për të botuar libra në shqip.
Fillimisht dëshira për reformim të sistemit arsimor fetar do të shfaqej që në Parashkresën e Përkohshme për organizimin e Sherisë në Shqipëri, në vitin 1917, në nenet 19-25 bëhej falë për arsimin, kurse në nenet 19-20 thuhej shprehimisht:
- Për arsimin e hoxhallarëve, si edhe të Ylemave do të përkujdesen medresetë e fakultetet, mbi organizimin e të cilëve do të flitet në një urdhër të veçantë.
- Medresetë e vjetra, të cilët s’janë më në gjendje që të mund të kryejnë qëllimin e vet, nëse nuk përmirësohen, do të mbyllen, dhe pasuria e tyre do t’u jepet medreseve të reja.(5)
Por reforma nuk do të realizohej vetëm se pas disa vitesh, për shkak të situatave të vështira që po kalonte vendi.
Një faqe e re për mbarë Shqipërinë gjithashtu dhe për arsimin do të hapej mbas Kongresit të Lushnjës. "Në gusht 1920 Ministria e Arsimit organizoi në Lushnjë një kongres të arsimtarëve. Kongresi mori vendim të njësohej përmbajtja e shkollës, duke përdorur të njëjtin program në të gjitha shkollat qytetëse. Madje edhe shkollat private do t’i Zhvillonin mësimet sipas këtij programi shtetëror.(6)
Shumë shpejt Ministria e Arsimit do t'i bëjë një kërkesë zyrtare Myftiut të Përgjithshëm H.Vehbi Dibrës, në të cilin e fton të marrë pjese ne Komisionin që do të ngrihet për çështjet e mësimit të besimit në shkolla. Letra është e datës 11 maj 1920, në të cilën shkruhet: Fort i ndershmi zotni, duke parë nevojën e madhe që ka mësim i besimit, dhe për të mundur me bërë programin e shkollave, kemi menduar me zgjedhur një komision, në të cilin është caktuar dhe zotnija juaj për të diskutuar këtë çështje kaq me rëndësi, duke marri parasysh nevojat e popullit e duke shpresuar se kemi ndrequr gabimet që i kemi pas deri më tani. Presim prej jush një raport, në bazë të cilit Ministria e Arsimit ka për ta marrë bazë të rregullimit të sajë.(7)
Ndërsa vetëm disa muaj më vonë. më 04.XI.1920, Ministria e Arsimit i dërgon një letër Ministrisë së Drejtësisë në të cilën e kujton mbi këtë çështje të lenë mbas dore: Më 12.V.1920 i kemi përcjellë një vendim kësaj Ministrie, për me u mbledhë një komision për çështje të fesë islame, i cili do të merrej me disa pyetje të nevojshme për arsimin botëror. Nga Shkaku i trazirave të atyre kohëve nuk u mbajt kjo mbledhje. Tani që u hapën shkollat, bëhen programet dhe orët mësimore, jepen projekt-ligjet për arsimin, ju lutem kini mirësinë të urdhëroni në mbledhjen e parë që ka për tu mbajtur më 7 nëntor 1920, ditën e dielë në orën 9 paradite. Si çështje do të trajtohen:
a. Për të caktuar orët e mësimit për besimin Islam ndër shkollat që vazhdojnë mësimin vetëm muslimanët. që do të jepen në shkolla të katundeve, ndër shkolla fillore të plota, ndër shkolla qytetëse dhe ndër shkolla normale.
b. Gjithë çështjet që i përkasin diskutimit që vazhdojnë shkollën nxënës të dy feve.
c. Programe sintetike për mësimin e fesë në shkollat e sipërpërmendura.
d. Programe analitike që kanë për të shërbyer si udhëheqës për autorët e librave të besimit musliman.
e. Në kohë (e Ramazanit, ç’rregullore duhet të mbajnë shkollat përgjithësisht. për vazhdimësinë e mësimit të nxënsave.”(8)
Firmosur e Vulosur nga Ministri i Arsimit

Në një letër që Gjyqi i Naltë i Sheriatit i dërgon zyrës Sherije në Shkodër, duke i kërkuar asaj që: "Ju urdhërojmë mbas sodit nga një herë në muaj me kontrolluar dhe me raportuar mbi mësimet e besimit ashtu dhe librat e leximit që nuk janë shqyrtuar, të cilat mund të kenë brenda shume fjalë që janë të papëlqyeshme e kundra moralit fetar. Në fillim të çdo muaji keni me na lajmëruar me raport mbi kontrollin e bërë: përndryshe ky Gjyq merr masat e duhura për ata që nuk veprojnë mbas këtij urdhri."(9) Faktikisht ky urdhër ishte për mbarë vendin dhe jo vetëm për qytetin në fjalë.
Gjatë viteve ne vazhdim do të vazhdohej të jepej mësimi i besimit në shkollat shtetërore. gjithashtu dhe në shkollat në të cilat bënin mësim vetëm nxënësit myslimanë. që ishin vazhdimi i shkollave të sistemit osman që përmendëm më lart.
Çështja e arsimit siç e theksuam më lart, është përmendur që në 'Parashkresen' e vitit 1917 dhe më pas në Statutin e Xhematit Islamije të Shqipërisë i vitit 1922, i cili kishte 17 nene, në dy nga të cilat flitej për arsimin:
12. Përveç masave që do të merren për përmirësimin e Medreseve të para (Medrese-Talije) që gjinden, do të themelohet dhe një universitet (Medrese-Alije) ku do të mësohen gjuhë të ndryshme duke i dhënë rëndësi literaturës e historisë kombëtare. Mënyra e formimit të këtij universiteti e pranimi i nxënësve të tij, caktohet me një rregullore të posaçme.
13. Mësimet fillore të nxënësve Muslimanë, kanë me qenë nën kompetencë të çdo Xhema-ati Musliman.

Në Kongresin e Parë Mysliman Shqiptar çështja e arsimit nuk u trajtua ashtu si pritej, normalisht kishte disa pika në të cilën flitej dhe për arsimin, por ishte vazhdimësi e asaj çka përmendëm më lart. Gjatë viteve, mësim-besimi vazhdonte në mbarë vendin, normalisht me problematikat e tij. Kështu më 15.lX.1923, Myftiu i Përgjithshëm i Shqipërisë nxjerr një Qarkore me të cilën i drejtohet mbarë Myftinjve të vendit, në të cilën thuhej: Është e ditur se qëllimi i organizimit të Xhematit Islamije pikë për pikë është rimëkëmbja e fesë tonë, e cila si po shihet është duke u rrënuar, e këtij qëllimi të shenjtë (rimëkëmbjes) do t'ia arrijmë duke hapur shkolla në të gjithë katundet (qëllimi është për mejtepet ose medrese Alije si u quanin në vitet '20, shkolla fillore e sotme, E.Sh.), dhe, medrese në të gjithë qytetet. Ndoshta sot për sot s'kemi mundësi të dërgojmë mësues në të gjithë katundet, por jemi të detyruar të përfitojmë prej imamëve (hoxhallarëve) të katundeve. Prandaj keni porosi që të na jepni përgjigje sa më shpejt për pihet e mëposhtme;
a. Në qarkun e prefekturës suaj cilët katunde kanë shkollë?
b. Mësuesit e atyre katundeve po japin mësim feje apo jo?
c. Në ato katunde që ka shkolla, a ka imam të zotë për me i mësuar nxënsave 'Kur'anin Kerim" apo jo?
d. Të na sillni emrat e katundeve dhe imamëve.(10)
Urdhri ishte për të gjithë zyrat që ishin në varësi të Myftinisë së Përgjithshme apo Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Më datë 23.X.I923 do të dalë Rregullorja mbi Medresetë e Myslimanëve," dhe qëllimi i rregullimit të medreseve me një rregullore të posaçme ishte që të përgatiteshin kuadro fetarë. Në medresetë do të përfshiheshin kategoritë fillestare 3 vjet, mesatare 4 vjet dhe e lartë 4 vjet, Ku në fillore do të mësohej:
1) Kur'ani Kerimi. 2) Dituri fetare. 3) Gjuhë arabe me metodë të re të shkurtuar: gjithashtu 4) Gramatikë, 5) Gjuhë shqipe, 6) Aritmetikë, 7) Gjeometri, 8) Dituri shkence. 9) Morali islam, 10) Histori, 11) Gjeografi, 12) Vizatim, 13) Bukurshkrim, dhe 14) Stërvitje trupore.
Ata që mbaronin mësimet e fillores së medresesë emëroheshin sipas rezultateve, imam, myezin ose mësues feje në shkollat fillore.
Kjo rregullore tregon më së miri se reforma që po bëhej ishte në rrugë të mbarë dhe se do të sillte rezultate nëse do ndiqej, pasi vërtet vetëm duke parë se çfarë mund të mësojnë nxënësit në 3 vjet të kategorisë së fillores, do të ishte shumë për nxënësit shqiptarë të atyre kohëve, e vetëkuptohen se çfarë programi duhet të kishin kategoritë më të larta nga kategoria fillestare e medresesë.
Revista "Zani i Naltë", na vjen në ndihmë për të na e paraqitur hap mbas hapi lëvizjen e Komunitetit Mysliman në përgjithësi me çështje nga më të ndryshme, por veçanërisht mbi arsimin. e mbi medresetë, në të cilën thuajse raportohej çdo lëvizje që bëhej në arsim.
Në një artikull të saj, Nr. 5. Shkurt 1924, me temë "Medreseja e Përgjithshme", jepet lajmi për hapjen e kësaj medreseje në Tiranë, e cila do të ishte Medreseja me e madhe në Shqipëri. Për këtë Myftiu i Përgjithshëm i kërkon shtetit subvencion vjetor, të paktën deri në organizimin e plotë të institucionit Dhe kërkesa e dytë mjaft e rëndësishme ishte kërkesa për mësimin e fesë. Ai shkruante se, "Ne jemi të bindur që uniteti kombëtar sigurohet vetëm me bashkimin e shkollave dhe, në qoftë se mësimi i Kuranit dhe i fesë nuk do të plotësohej, ne atëherë do të jemi të shtrënguar të hapim shkolla private.(12)
Në vitin 1924, gjatë Qeverisë së Nolit, mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunitetit Mysliman do të hapej një debat i madh. pasi kjo ministri nxori një qarkore në të cilën kufizonte dhënien e mësimit të besimit, duke i bashkuar me mësimin e moralit, e duke mos i kushtuar shumë rëndësi, dhe mbas shumë debatesh, ministria do të dorëzohej si shkak i rrëzimit nga pushteti të Qeverisë së Fan Nolit, kjo për faktin. se shumë shpejt në pushtet do të kthehej Ahmet Zogu dhe debati do të vazhdonte me qeverinë e tij në forma të tjera dhe me problemet akoma më të mëdha.
Sërish në 1925 Këshilli i Naltë i Sheriatit i dërgoi një notë proteste Ministrisë së Arsimit në lidhje me një qarkore të saj për ndalimin e mësimit të fesë. Këtë veprim Këshilli i Sheriatit e quan ofensivë kundër mësim-besimit dhe për këtë njofton se ka marrë edhe ankime nga populli për moslejimin e mësimbesimit për fëmijët e shkollave nga mësues kompetentë. Protesta bëhej si pasojë e ankesave që vinin nëpërmjet peticioneve të popullsive të qyteteve dhe fshatrave nga Vlora, Shkodra, Korça, Pogradeci etj. Në protestë evidentohet se programet e mësim-besimit ekzistonin, por nuk zbatoheshin nga shkollat: mësuesit e besimit nuk figuronin në listën e arsimtarëve; mbi të gjitha shprehej shqetësimi i thellë se brezi i ri po edukohej pa edukatën fetare etj. Ky shqetësim do të vihej re jo më larg se 15-25 vjet më vonë me ardhjen dhe themelimin e shtetit komunist në Shqipëri.
Me të drejtë kleri mysliman i këtyre viteve theksonte se:
"Qëllimi i edukatës është: Me përfituar vetë dhe me bërë që të përfitojnë tjerët prej saj. Vijimi ndër shkollat tona sha për qëllim me marrë vetëm nji diplomë, por me iu përgatit jetës".(14) Pra ata nuk synonin të arsimohen të rinjtë për syfaqësi, por për t'i dhënë vlerat e vërteta që i takon mësimit-dijes dhe personave që e marrin atë duke skalitur te këta fëmijë vlerat njerëzore.
Probleme të tilla do të vazhdonin gjatë me arsimin fetar, ashtu si me të gjithë fushat e tjera të Jetës së myslimanëve shqiptarë, dhe vetëm mbas REFORMAVE të mëdha të ndërmarra nga Kongresi III Mysliman Shqiptar, do të arrihej të bëhej ajo që s'duhej bërë, që vetë nismëtarët e asaj reforme e pranuan vite më vonë që kishin gabuar, mbyllja përfundimtare e mbarë medreseve në gjithë Shqipërinë, me qëllim forcimin e vetëm të një medreseje në Tiranë, e cila do të ishte shumë e mirë, dhe me qëllim grumbullimin e forcave njerëzore dhe ekonomike vetëm te kjo Medrese e vetme, e ndarë në dy nivele. Niveli i Parë do të kishte qendrën në Tiranë dhe në Shkodër, ndërsa niveli i Dytë, normalisht Niveli i Lartë, do të kishte qendrën vetëm në Tiranë, dhe që të dyja do të ishin me konvikte për nxënësit-studentët që vinin nga larg. Kështu më 20.VI.1930 kjo Medrese e Përgjithshme do të mbyllë me sukses vitin e parë, me vetëm 100 nxënës nga mbarë Shqipëria, numër që u quajt i suksesshëm, por që realisht ishte shumë më i vogël duke e krahasuar me vitet që në Shqipëri ishin shumë medrese në mbarë vendin, pasi në to mund të ishin 100 nxënës vetëm në një qytet, ndërsa tashmë ishin 100 nxënës në një vit, një diferencë shumë e madhe mes të dyjave.
Në vitin 1930 do të përfundonte së plotësuar! 'Rregullorja e Medresesë së Përgjithshme",(15) e cila ishte mënyra e zbatimit të nenin 60-të të Statutit të Xhematit Islamije, e dalë prej Kongresit III Mysliman. Kjo rregullore do të përcaktonte organizimin e Medresesë nga parimet e saj e duke përfunduar në çdo detaj të funksionimit të saj, në 90 pika të shqyrtuara hollësisht, dhe që mbas shikimit të mirë do të miratoheshin nga Ministria e Arsimit, dhe ankesat justifikuese të kësaj Ministrie mbas disa muajve do të ishin vetëm teknike, ose thënë ndryshe që mësuesit të mos bënin mbi 20-25 orë mësim por 18 maksimumi 20, dhe për drejtorin që të bënte vetëm 12 orë mësim dhe jo 14. Gjithashtu se 10 ditë praktikë për nxënësit ishin shumë, e së fundmi se ndëshkimi i nxënësve për shkelje të rregullave ishte shumë i rreptë, që ishte të mbushte ujë për nevojat e medresesë (të nxënësve). Ankesa të cilat më së shumti dukeshin se ishin një 'sulm' për front lufte ndaj medresesë sesa puna e dobët e tyre.
Gjithsesi Medreseja do të vazhdojë misionin e saj për përgatitjen e kuadrove fetarë në vend, që t'i përgatiste në mënyrën sa më të mirë brenda mundësive të saj, dhe brezin e parë të saj do ta nxirrte në vitin 1932, pas 3 vitesh studimi, e shumë shpejt kjo medrese faktikisht do të bëhej një "Institut i Lartë" për arsimin fetar në vend, edhe pse emërtimin nuk e kishte të tillë. Rëndësia e kësaj medreseje do të ishte mjaft thelbësore dhe kryesore për myslimanët në vend, pasi ishte i vetmi institut arsimor që përgatiste kuadro fetarë, në të cilin mësimi ishte i një niveli mjaft cilësor në krahasim me shkollat e tjera në vend.
Medreseja do ishte aq jetëgjatë saqë dhe shumë vite më pas, kur feja në Shqipëri u mbyll përfundimisht më 1967, ajo do të ekzistonte, por tashmë do të nxirrte kuadro për arsimin në vend dhe jo kuadro fetarë, duke ndryshuar në njëfarë mënyre kursin dhe qëllimin e vërtetë për të cilin qe themeluar.


____________________
1. Që nënkupton vendet në të cilin mësohet shkrimi e leximi ishte cikël i ulët i arsimit islam të sistemit osman, e ndryshe quheshin dhe 'Ruzhdije'
2. Që nënkupton vendet në të cilat merret dije, nga më të ndryshmet. qofshin ato fetare, por dhe shkencore.
3. Zeka, Ramiz, Zhvillimi i kulturës islame të shqiptarëve gjatë shekullit XX. AIITC. Tiranë 2002. fq.74.
4. Popoviç, Aleksandër. Islamizimi i Ballkanit, vepër e cituar, fq, 30,37,47.
5. A.Q.SH. Fondi 155. Viti. 1917, D. 53. f.35.
6. Akademia e Shkencave, Historia e Popullit Shqiptar, Vëllimi III, cituar më lart, fq. 189.
7 A.Q.SH. Fondi 482. Viti, 1920. D 38, f, 2
8. A.Q.SH. Fondi 15S, Viti. 1920, D. VIII- 2, f.1
9. A.Q.SH. Fondi 482 Viti. 1920, D.38. f.14
10. A,QSH, Fondi 482. Viti, 1923, D 74, f.1
11. Të cilën e gjejmë të plotë në Revistën “Zani i Naltë”, Nr.3, viti i parë i botimit, Djetor 1923.
12. Zani i Naltë, Viti II, fq.225-227
13. Zani i Naltë, Viti II, nr.2 prill 1925, gjithashtu dhe Ali M.Bashar, Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri, fq.124.
14. Zani i Naltë, Viti V, Korrik 1928, fq. 647-650.
15. për më shumë shih; A.Q.SH. Fondi 482, Viti. 1930, D. 102, fletët 6-22.


Edmond Sharka
Drita Islame

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.