Konsultimi dhe vendimmarrja në familje

Pse nevojitet dhe si ta bëjmë

Në Islam marrëdhënia në mes burrit e gruas nuk shihet si një garë konkurrimi, siç ndodh në shumë shoqëri perëndimore sot. Përkundrazi, marrëdhënia në mes tyre bazohet në bashkëpunimin e tyre.
“Mos lakmoni në atë, që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grve gjithashtu ju takon hise bga ajo që fituan ato. All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij. All-llahu është i dijshëm për çdo send.” (En-Nisaë, 32).
Në kontekstin e familjes, burri është udhëheqësi (përgjegjësi) i saj.
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që All-llahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës... (En-Nisaë, 34).
Sidoqoftë, pushteti i këtij udhëheqësi, si të gjithë udhëheqësit e tjerë në Islam, është i lidhur ngushtë, nga njëra anë, me Kuranin e Synetin, dhe, nga ana tjetër, me konsultimin e ndërsjellë - 'amruhum shura bainahum': "Edhe ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre dhe e falin namazin rregullisht, dhe ata që konsultohen në mes tyre për punë të përbashkëta, e nga ajo që Ne u japim, ata shpërndajnë". (Esh-Shura, 38) Familja myslimane, si të gjithë institucionet e tjera myslimane, formale ose joformale, duhet të drejtohet me këshillime të ndërsjella. Një nga shkaqet kryesore të problemeve të Ymetit mysliman sot është mungesa e këshillimit me njëri tjetrin. Procesi i këshillimit, në qoftë se inkuadrohet në sjelljen personale dhe ushqehet në familje si një pjesë e jetës, do të jetë e dobishme për Ymetin tonë në perspektivë.

Disa rregulla për konsultim joformal

Këshillim joformal konsiderohet edhe vetëm të folurit me njëri-tjetrin. Kjo mund të ndodhë në çdo vend e në çdo kohë. Ja disa shembuj të konsultimit joformal dhe disa rregulla që mund t'i përdorim:

• Dëgjo me vëmendje: Në qoftë se bashkëshorti ose fëmija dëshiron të flasë me ty, duhet të përqendroheni duke u larguar nga televizori, libri, gazeta, etj ..
• Këshillimi nuk është e thënë të jetë vetëm për çështje familjare. Këshillimi në familje mund të bëhet për çdo temë (për çështje pune, karriere, studimi, ose dhe për probleme të tjera më të gjera bashkëkohore).
• Në qoftë se një çështje është serioze, në familje mund të diskutohet në pjesë të vogla, pak nga pak.
• Shumë gra kanë merak se mos i mërzisin burrat me çështjet e shtëpisë. Por, merr pak kohë dhe mendo se si do të doje që burri të kontribuonte për çështjen në fjalë, dhe pastaj fol me të.
• Bashkëshortët duhet t'i tregojnë njëri-tjetrit me pak fjalë për punët e tyre, për lagjen, xhaminë ose për aktivitetet ditore të njëri-tjetrit. Informacioni i ndërsjellë është i nevojshëm për këshillimin e ndërsjellë.
• Po ashtu është mirë të mbahet një kalendar familjar, ku të shënohen aktivitetet e anëtarëve të familjes; në një vend të dukshëm, në kuzhinë apo pranë telefonit.
• Udhëheqësi duhet të inkurajojë gruan dhe fëmijët, që të jenë pjesëmarrës aktivë në procesin e këshillimit familjar, duke u treguar mirëpritës ndaj reagimeve të tyre. • Këshillimi mund të bëhet edhe në restorant, ose edhe gjatë një shëtitjeje në park, në natyrë.

Këshillimi formal

Këshillimi formal është një proces gjatë të cilit arrihet një dakordim për një çështje me interes të përbashkët. Secili duhet të marrë pjesë në këtë proces me mendje të hapur. Ja disa pika që mund të ndihmojnë në këtë proces:

• Fillo me përmendjen dhe falënderimin e Allahut, si dhe me salavatet për Profetin.
• Duhet të jesh i gatshëm të sakrifikosh opinionin tënd, nëse ai nuk pranohet, edhe atëherë kur ti mendon se është shumë i mirë.
• Përgatitu pak para takimit për detajet e çështjes, për të cilën do të zhvillohet këshillimi.
• Dëgjo me vëmendje se çfarë thonë të tjerët.
• Trego respekt gjatë diskutimit të mendimeve të të tjerëve.
• Ki parasysh se gjatë këtij procesi, qëllimi është të arrihet dakordimi.
• Përfshij i fëmijët në procesin e këshillimit formal në familje. Ata mund të kenë ide të shkëlqyera.
• Mënjano sjelljen sarkastike ose mbrojtëse. Tregohu i arsyeshëm dhe racional.
• Bëj dua për bereqet (mirësi/hajër), kur të arrihet në një vendim.

Komunikimi joverbal (pa fjalë)

Çdo këshillim është një proces efektiv komunikim, prandaj janë të rëndësishme aspektet verbale dhe joverbale të komunikimit. Ja disa nga çështjet që duhet të mbahen parasysh në lidhje me komunikimin joverbal:

• Bisedë e sinqertë dhe e hapur me 'takua' (vetëdije ndaj Zotit); ky është çelësi për sukses. “O ju besimtarë, pëmbajuni mësimeve të All-llahut dhe thuani fjalë të drejta.” (El-Ahzabë, 70).
• Kritikat joverbale (gjeste të ndryshme, heshtja, etj.) mund të shkaktojnë shumë probleme.
• Mundohu të komunikosh qartë atë që ke në mendje. Mos prit që gruaja apo të tjerët ta lexojnë mendjen, e pastaj të mërzitesh kur ata nuk të kuptojnë.
• Komunikimi joverbal mund të vijë në ndihmë për të shprehur falënderime apo vlerësime. Sidoqoftë, shprehja me fjalë e asaj që ke në mendje, është më e mirë.

Kritika është një lloj këshillimi

Këshillimi nuk sjell vetëm diskutime të thjeshta dhe komente pozitive. Ai mund të ngërthejë edhe kritika. Sidoqoftë, në Islam ka etiketë (adab) për dhënien e kritikave. Ja disa nga këto etiketa:

• Para se të hapësh gojën, kontrollo nijetin (motivin). Duhet të bëjmë kritika konstruktive, me qëllim që të ndihmojmë dikë, dhe jo që të ndihemi më mirë se të tjerët.
• Bëj dua për veten dhe për personin që do të kritikosh, para se të ballafaqohesh me të.
• Mendohu paraprakisht dhe zgjidh fjalët më të përshtatshme.
• Mos përdor nota kritike, gjykuese apo përulëse.
• Zgjedhja e kohës është e rëndësishme; mos e bëj në nxehje e sipër.
• Kritika pranohet më mirë kur bëhet një-me-një.
• Rikujto shprehjen e Profetit: "Besimtari është pasqyrë e një tjetër besimtari". Prandaj thuaj atë që sheh, por mos ekzagjero.
• Ki parasysh se informacionet dhe përfundimet e tua mund të jenë të gabuara.
• Dëgjo shpjegimin me vëmendje dhe pranoje atë, edhe në qoftë se është pjesërisht i saktë, sipas mendimit tënd.
• Mënjano debatin pa fund.
• Kupto se kur duhet të pushosh. Mos e tërhiq zvarrë diskutimin, nëse e sheh që nuk je duke arritur diku.
Po aq e rëndësishme, sa dhënia e kritikës, është edhe pranimi i kritikës. Ja disa sugjerime për këtë situatë:
• Falëndero personin që do të të ndihmojë, dhe . i kushto rëndësi zhvillimit tënd me mendimet apo këshillat e tij.
• Mirëprit mendimet dhe vlerësimet e të tjerëve.
Pyet për këshilla dhe sugjerime, sesi mund të përmirësosh diçka.
• Shpjego, nëse ka ndonjë keqkuptim.
• Prano gabimet.
• Koha jo e përshtatshme nuk duhet t'ju pengojë që të dëgjoni dhe të përfitoni.
• Nuk duhet ta ndërprisni personin që po ju kritikon, për shkak të vendit, gjuhës ose sjelljes.
• Mos e rrotullo muhabetin që ti të fillosh të kritikosh personin gjatë kësaj kohe.
• Bëj dua për personin që po të kritikon.

Përfshirja e fëmijëve në procesin e këshillimit

Fëmijët janë krijesa inteligjente dhe mençura e kanë shumë për të kontribuar në diskutime. Shpesh ndodh që prindërit të refuzojnë opinionet dhe mendimet e fëmijëve të tyre, duke menduar se ata janë të vegjël e pa përvojë për t'u përfshirë në vendimmarrje. Nuk duhet vepruar kështu.
Praktikimi i vendimmarrjes në familje i ndihmon fëmijët të mësojnë për të komunikuar në mënyrë efektive në një ambient ku ata ndihen rehat dhe të sigurt. Prindërit duhet të mos harrojnë se dashuria e tyre është vendimtare në rritjen e fëmijëve, por nuk është e mjaftueshme për të rritur fëmijë të lumtur dhe që të dinë t'u përshtaten mirë situatave. Aftësia për të komunikuar është çelësi i një zhvillimi të suksesshëm tek fëmijët.
Në vijim janë disa këshilla që mund t'ju vijnë në ndihmë për të inkurajuar fëmijët që të komunikojnë në mënyrë efektive dhe të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes në familje:

• Që në moshë të vogël, mundohu që fëmijës t'i bëhet zakon të bisedojë me ty për ditën (sesi e kaloi) dhe për ndjenjat e tij.
• Praktika e këshillimit është një nga karakteristikat e një besimtari (E sh-Shura, 38). Ngulite tek ai që në vegjëli. (Fëmija im më i vogël ulet gjatë këshillimit në familjen tonë me laps e letër dhe mban shënime, edhe pse ende nuk di të shkruajë).
• Fëmijët duhet të jenë pjesëmarrës të plotë në të gjitha këshillimet familjare, formale dhe joformale, përveç rasteve kur çështja e diskutimit ka të bëjë vetëm me prindërit, ekskluzivisht.
• Fëmijët hapen më mirë në rrethana joformale sesa në ato formale. P.sh., dy minuta bisedë në makinë me ta mund të japin informacione të rëndësishme për ndjenjat e tyre, më tepër sesa në një bisedë formale (paksa të sforcuar).
• Fëmijët kanë shumë dëshirë për të bërë pyetje.
Përgjigju pyetjeve të tyre me një nga të tuat: "Çfarë mendon ti për këtë?" Mendo për pyetjet e tyre si fillim i një bisede të ndërsjellë.
• Lëri fëmijët që të arrijnë zgjidhje vetë. Në vend të dhënies së këshillave, pyeti: "Pra, çfarë mendoni të bëjmë në këtë rast"? ose "Si duhet të veprojmë në këtë rast sipas mendimit tuaj"?
• Kalo përgjegjësi tek fëmija në vend që të ndjekësh stilin e komunikimit 'ti bëj këtë, ti bëj atë'.
• Mënjano ngarkesën elektronike: televizorin, magnetofonin, kompjuterin, etj., të cilat mund të shkaktojnë që fëmija të mbyllet ndaj prindërve. Vendos rregulla për shikimin e televizorit.
• Ruaj dellin e humorit. E qeshura nuk do të ulë autoritetin dhe as do të sabotojë mësimet. Përkundrazi, do të përmirësojë komunikimin.
• Respekto opinionet e fëmijëve.
• Dëgjo me vëmendje se çfarë thonë fëmijët, pa u bërë tepër gjykues apo kritik.
• Shpërble idetë e mira.



Arta Tahiri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.