Burimet e së drejtës së sheriatit (I)

Në të drejtën e Sheriatit ekzistojnë burime kryesore dhe burime sekondare. Të gjitha burimet kryesore nuk kanë rang të njëjtë, ngase disa prej tyre gëzojnë përparësi mbi të tjerat. Juristët e sheriatit i kanë radhitur burimet kryesore sipas rangut, rëndësisë dhe kuptimit juridik të tyre në mënyrën si vijon: 1. Kurani, 2. Sunneti (tradita), 3. Ixhmaul - ummeti (pajtueshmëria e dijetarëve islamë për çështje të caktuara), 4. Kijasi (dispozitat e nxjerra në bazë të analogjisë).

Kurani

Kuran do të thotë përmbledhje dispozitash. Ai është burim themelor, kryesor i mësimeve islame, andaj paraqet një lloj kushtetute, në të cilën janë përfshirë parimet themelore të besimit, moralit dhe të jurisprudencës. Kurani, sipas besimit islam, përmban dispozita hyjnore, të shpallura profetit të Zotit Muhamedit a.s .. Ai nuk është i shpallur përnjëherë. Dispozitat e tij janë shpallur gjatë një kohe 23- vjeçare. Dispozitat e para janë shpallur në Mekë në vitin 611, ndërsa të fundit në Medinë në vitin 632.
Ky sistem i shpalljes graduale ka pasur për qëllim që popullin ta përgatitë e ta aftësojë shpirtërisht që më bindje dhe respekt ta pasojë fenë e re. Këtë gradualitet e thekson edhe vetë Kurani, ndërsa teologët islamë e quajnë lehtësim e mëshirë të Zotit dhe vërtetojnë se sikur Kurani të ishte shpallur përnjëherë me sistemin e tij moral dhe social, vështirë se do të kishte gjetur përgjigje (pranueshmëri) në popullin jobesimtar arab.(1)
Në fillim janë shpallur dispozitat e natyrës së pastër fetare - morale e pastaj të asaj sociale- juridike. Për këtë mund të ofrojë argument më të mirë krahasimi mes dispozitave të shpallura në Mekë me ato në Medinë. Gjatë 13 viteve të para të punës predikuese të Muhamedit në Mekë është shpallur më tepër se gjysma e Kuranit. Gati të gjitha dispozitat nga kjo kohë, flasin mbi besimin dhe moralin, ndërsa vetëm një numër i vogël i tyre kanë pika referuese për jurisprudencën. Ato janë dispozita të cilat i ndalojnë disa ushqime, e dënojnë vrasjen dhe rekomandojnë ruajtjen e pasurisë së personave të mitur.(2)
Vetëm kur kaloi qendra e Islamit në Medinë, Kurani filloi me vëllim më të fuqishëm për të sjellë dispozita me karakter juridik. Në këtë qytet gjatë 10 vjetëve u vendos i tërë sistemi politiko - juridik islam. Në Kuran ka afër pesëqind citate (ajete) të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e raporteve shoqërore. Mirëpo, kur merret parasysh së në të ka me tepër se gjashtëmijë ajete, atëherë shihet se ky numër është relativisht i vogël. Prandaj shumë më tepër u është kushtuar kujdes besimit dhe moralit sesa jurisprudencës, ngase Kurani përkrah qëndrimin se për zhvillimin e drejtë të shoqërisë, më i nevojshëm është përforcimi i besimit dhe moralit sesa të sillen dispozita juridike, të cilat pa besim nuk do të kishin vlerë të madhe dhe rëndësi për rendin shoqëror.
Është e kuptueshme se vetëm me atë numër të vogël të dispozitave juridike nuk është menduar të rregullohen të gjitha raportet shoqërore. Kurani kryesisht i kushton kujdes së drejtës familjare, trashëgimore, penale dhe asaj të luftës. Ndërsa, për të drejtën e vërtetë dhe obligative, ai ka një numër relativisht të vogël dispozitash. Fjala vjen ka institucione nga këto dy fusha të cilat nuk janë rregulluar me Kuran, siç është dhurimi, kaparimi, themelata bamirëse fetare etj. Këto institucione rregullohen me burime të tjera juridike, për të cilat edhe do të bëhet fjalë.
Në mesin e këtyre dispozitave juridike ka një numër të konsiderueshëm që janë shfuqizuar dhe nuk kanë rëndësi praktike. Shfuqizimin e ka bërë vetë Kurani, i cili në disa vende përmend se disa dispozita të tij janë shfuqizuar.(3)
Nuk janë shfuqizuar vetëm dispozita të natyrës juridike, por gjithashtu edhe aso që kanë karakter fetar [adhurimor-që ka të bëjë me ibadetet,- plot.përk.].(4)
Sa u përket dispozitave të besimit të pastër, në to nuk ka pasur shfuqizime, ngase të gjitha dispozitat kuranore që flasin për këtë, në mënyrë reciproke plotësohen dhe vërtetohen. Kurani aq më tepër vërteton se të gjitha religjionet monoteiste përmbajnë dhe parashtrojnë parime të njëjta mbi besimin. Ai konsideron që parimet e besimit janë palca dhe përmbajtja kryesore të atij religjionit universal të cilin Zoti i shpalli njerëzimit në forma të ndryshme nga fillimi i botës.(5)
Andaj, Kurani nuk ka ardhur për të krijuar fe të re, por për të vërtetuar atë fenë universale, ngase feja si dritë hyjnore mbetet gjithmonë e njëjtë, nuk ndryshon, ndryshojnë vetëm format e saj sipas shkallës kulturore dhe nevojave të njerëzve, në shkallë të caktuar të zhvillimit të tyre. E drejta, të cilën Kurani e konsideron si anë të jashtme formale të religjionit të tillë universal, ka pasur ndryshime sipas kohës dhe popujve. Me qëllim të rivendosjes së këtij religjioni universal hyjnor Kurani pamëshirshëm i ka gjykuar dhe rrënuar besimet e vjetra arabe. Mirëpo, ai më butë ka gjykuar dhe vepruar ndaj traditave të tyre zakonore. Në realitet, ai nuk ka flakur në tërësi rendin juridik i cili bazohej në traditat e atëhershme, dhe nëse ka qenë e mundshme, thjesht ia ka përshtatur ato tradita juridike sistemit të vet moral. Kurani ka bërë një lloj seleksionimi të traditave të vjetra juridike. Ai një pjesë të atyre zakoneve i ka anuluar si p.sh. adoptimin dhe të drejtën që gruaja [e vejë,- plot. përk.] të merret si trashëgim. Mirëpo është pranuar me pak apo më shumë ndryshime një numër mjaft i madh i institucioneve të së drejtës së vjetër zakonore siç është afërsia prej qumështi, poligamia [deri në katër gra,plot. përk], dhurata martesore dhe lëshimi arbitrar i gruas. Gjithsesi këto dispozita juridike të përvetësuara nuk kanë mundur që t'i plotësojnë të gjitha nevojat e bashkësisë myslimane. Andaj Kurani nga koha në kohë ka sjellë edhe dispozita të reja të cilat kanë pasur për qëllim rishtas rregullimin e marrëdhënieve të shfaqura. Si shembull i këtij krijimi origjinal mund të na shërbejë një institucion interesant kuranor e ai është "Liani" mundësia që me anë të betimit (mallkimit) të prishet kurora për shkak të tradhtisë (bashkëshortore) dhe të hiqet dorë nga atësia për fëmijën e porsalindur.(6)
Kurani parashtron parime të përgjithshme juridike, ai nuk hyn në shqyrtim detal të disa institucioneve juridike. Me këtë jep mundësi që institucionet e paparapara pastaj t' i rregullojnë faktorët kompetentë sipas nevojave dhe zhvillimit social të botës islame. Nga kjo shihet se Kurani lejon dhe pranon evolucionin juridik si anë të jashtme formale të fesë. Dispozitat e Kuranit kanë më tepër karakter moral sesa juridik. Kjo mund të shihet në atë se në Kuran ka mjaft dispozita ligjore me të cilat diçka rekomandohet, si dhe në atë që dispozitat kuranore kanë karakter sakral.
Për thyerjen e dispozitave të tij, Kurani parasheh sanksione të dyfishta. Çdo thyerje duhet ta tërheqë ndëshkimin qoftë nga ana e faktorëve shtetërorë, qoftë nga ana e Zotit në këtë botë apo në botën tjetër, Pra, sipas Kuranit, fajtori nuk mund t' i shpëtojë ndëshkimit për thyerjen e bërë,(7) Në rastin e caktimit të fajësisë, Kurani përfaqëson parimin e përgjegjësisë individuale, ndërsa me rastin e përcaktimit të ndëshkimit miraton sistemin e përzier, të kompozicionit dhe sistemin e frikësimit.(8)
Kurani është shpallur në gjuhën arabe në prozë të rimuar "Sexh". Ai nuk ka qenë i bashkuar në një libër sa ishte gjallë Muhamedi a.s .. Gjatë gjithë asaj kohe ka ekzistuar në pjesë. Vetëm pas vdekjes së tij, në kohën e halifit të parë Islam Ebu Bekrit, ky material i shpërndarë është tubuar në libër të veçantë.(9) Kurani ndahet në sure (kaptina), suret në ajete (citate). Në të ka 114 sure, nga të cilat një pjesë është shpallur në Mekë, ndërsa tjetra në Medinë. Të gjitha sure t e Kuranit nuk kanë gjatësi të njëjtë as numër të njëjtë të ajeteve. Disa prej tyre kanë 200 e më tepër ajete, ndërsa tjerat vetëm nga disa ajete. Këto sure nuk janë të radhitura sipas rendit kronologjik të shpalljes së tyre, por, në parim, sipas gjatësisë së tyre: në fillim suret e gjata, ndërsa në fund të shkurtat, këtë renditje e ka miratuar komisioni i cili ka pasur për detyrë për ta tubuar Kuranin në libër të veçantë (Mushaf).
Citatet apo dispozitat kuranore nuk janë të radhitura në disa sure sipas materie s, por kryesisht sipas kohës kur janë shpallur. Kështu që dispozitat të cilat kanë të bëjnë me jurisprudencën, janë renditur nëpër sure të ndryshme. Për këtë shkak është shumë vështirë për të fituar koncept të qartë mbi të drejtën e sheriatit, vetëm nga Kurani, aq më tepër për faktin se dispozitat e tij parashtrojnë parime të përgjithshme, disa prej këtyre dispozitave janë shfuqizuar dhe se ka institucione të cilat nuk janë paraparë fare me Kuran.(10)

(Vijon)

* Ky punim është ribotuar pa emër të autorit, në veprën "Izbor hutbi i vazova", recenzuar nga Bilal Hasanoviq botuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame në Bosnjë dhe Hercegovinë, Sarajevë, 1979.
(1) Mbi këtë flet Kurani në S. VI, el-Enam, 114, S. XVII el-Isra; 106. Në këtë kontekst është e përshtatshme për t' i sjellë fjalët e një besimtari, nga gjenerata e parë e myslimanëve, i cili thotë: "Zoti e ka lëshuar mbi ne mirësinë e tij. Kemi qenë idhujtarë dhe sikur profeti i Zotit të na i kishte parashtruar të gjitha parimet e fesë së re, ne nuk do ta kishim pasuar. Në fillim na është obilguar vetëm një dogmë (besimi) dhe kur zemrat tona janë mbushur me ëmbëlsirë të besimit, vetëm atëherë na janë shpallur të tjerat". Këtë e citon Rahmetullahi në veprën e tij: "Idhharul-hakk", vëll.lI, fq. 32. Një ide të tillë e thekson edhe Fahrudin Raziu, në tefsirin e tij: vëll. II fq. 327, duke folur mbi pijet alkoolike).
(2) Kuran, VI. S. el-Enam: 151-152.
(3) Kuran, S. ll, el-Bekare 106, S. XVI, en-Nahl, 101. Në shkencën islame ekziston një degë e veçantë e diturisë e cila merret me shfuqizimet në Kuran, dhe quhet Nasih dhe Mensuh. Ka dijetarë islamë që e kundërshtojnë këtë mendim dhe pohojnë se asnjë dispozitë kuranore nuk është shfuqizuar. Abdur-Rahman Seoharvi, Eine Kritische Prufung Der Quellen Des Islamitischen Rechts, Oxford, 1914, fq. 30.
(4) Kur'an, S. II, el-Bekare, 145. Kjo dispozitë ka të bëjë me ndërrimin e Kiblës.
(5) Kuran, S. II, el-Bekare, 136: S. XLIl, esh-Shura, 13.
(6) Në të drejtën e sheriatit tradhtia bashkëshortore në parim vërtetohet më dhënien e dëshmisë së katër burrave të aftë. Kuran, S. IV, en-Nisa, 14. Mirëpo nëse burri e sheh gruan e vet në vepër tradhtie dhe atë nuk mund të vërtetojë me anë të dëshmitarëve, atëherë me këtë rast atij i mbetet betimi si mjet vërtetues. Gruaja e akuzuar mund ta pranojë veprën ose ta demantojë me bërjen e betimit. Kuran, S. XXlV, en-Nisa 4-9. Në këtë rast kurora prishet. Me anë të betimit gjithashtu mund të mohohet atësia e fëmijës së porsalindur. Ahkamush-sheriah, 334-336, Ibrahim Halebi, Multeka, Stamboll, 1916, fq. 149.
(7) Kur'an, S. XCIX, ez-Zulzile, 7-8.
(8) Kur'an, S.lI, el-Bekare, 178.
(9) Glasnik IVZ, nr. 8, fq. 9-13 dhe nr. 9, fq. l-S, Beograd, 1933.
(10) MegjithatëKurani mbetet si themel bazë i tërë mësimit islam. Për këtë arsye myslimanët porositen për të studiuar, për ta njohur si dhe porositen për ta mësuar tërësisht përmendsh.



Përktheu nga gjuha boshnjake
Hajrullah Hoxha

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.