Bashkërendit ja e së përhershmes me të ndryshueshmen

I. Hyrje

Perëndimi, nëpërmjet programeve të veta edukative-arsimore, pastaj mekanizmave politiko-ekonomikë e socialo-kulturorë ka depërtuar qysh herët në botën myslimane dhe ka zgjuar perceptime heterogjene rreth shfaqjes së dukurive të reja.
Dijetari mysliman, tashmë i ndjerë, Muhammed Asadi, këtë depërtim nuk e sheh vetëm si shqetësim, por edhe si "rrezikun më të madh për ekzistimin", gjegjësisht" si rrezikun më të madh për ringjalljen e sërishme të qytetërimit islam", e njëkohësisht edhe si mbështetje për pohimin tashmë të zëshëm të Perëndimit se "Islami është forcë e konsumuar."(1) Edhe dijetari bashkëkohor malajzias, El-Attasi depërtimet perëndimore i quan sfidë dhe të keqen më të madhe të kohës.(2) Prandaj, edhe shtrohet pyetja si të perceptohen drejt dhe si të shfrytëzohen karshi një mirëkuptimi bashkëkohor ndërfetar, ndërkulturor dhe ndërfilozofik.

II. E thjeshta, racionalja, praktikja

Njëtimi i Zotit xh.sh., besimi në botën e melaqeve dhe librave të shpallur, pejgamberia e Muhammedit a.s., besimi në ahiret janë karakteristikat kryesore të Islamit, ndërsa të gjitha këto janë të bazuara në tekste të shenjta (Kuran dhe Hadith), janë të arsyeshme dhe të logjikshme.
Të gjitha mësimet islame burojnë nga këto parime themelore dhe janë të thjeshta dhe të qarta. Nuk ka hierarki të priftërisë, por as nuk ka rituale abstrakte e të komplikuara filozofike apo spiritualiste, për anëtarë të tjera e për publik të tjera.
Islami nuk bazohet në kurrfarë mitologjie as besëtytnie.
Të gjitha mësimet islame janë të thjeshta, praktike dhe racionale. Nuk ka as besëtytni, as bindje të palogjikshme.(3)
Njeriu në Kuran, si fjalë e Zotit, ka qasje të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, ndërsa urdhrat e tij janë të zbatueshëm në çdo kohë. Islami me qindra ajete e nxit arsyen te njeriu dhe e motivon ta përdorë atë. E udhëzon njeriun që gjerat t'i marrë ashtu çfarë janë ato në realitet. Kurani po ashtu udhëzon që të arrihet dituria dhe t'i lutemi Zotit për përhapjen e saj.(4)
" ... Dhe thuaj: 'O Zoti im, shtoma diturinë'!"(Ta Ha, 114)
" ... Thuaj: "A janë njëlloj ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Mësim marrin vetëm të mençurit" . (Ez-Zumer, 9)
Përcillet se Pejgamberi a.s. lidhur me stimulimin e diturisë ka thënë: "Ai që e braktis shtëpinë me qëllim të arritjes së diturisë, ai është nisur rrugës së Zotit." (Et- Tirmidhi)
Gjithashtu: "Kërkimi i diturisë është detyrim për çdo mysliman." (Ibn Maxhe dhe El-Bejhekiu)
Në këtë mënyrë Islami e nxjerr njeriun nga injoranca, mashtrimi, besëtytnia, terri besimor dhe e fut në botën e dijes botërore dhe dritës shpirtërore.
Pra, Islami është fe praktike dhe nuk i parapëlqen spekulimet dhe bisedat e kota. Islami nuk është vetëm predikim besimi por nxitësi kryesor i njeriut. Feja duhet të zbatohet, përndryshe ajo do t'i ngjasonte një filozofie apo ideologjie, që trajtohet vetëm në qarqet intelektuale, nëpër shqyrtime filozofike.
Kurani thotë: "Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, të lumët ata, se i pret përfundim i bukur!" (Er-Ra'd,29)
Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë: "Zoti nuk e pranon besimin i cili nuk është manifestuar në vepra, as që e pranon veprën e cila nuk është në pajtim me besimin." (Et- Taberani)

III. Uniteti ndërmjet materiales dhe shpirtërores

Islami është specifik karshi feve të tjera, sepse nuk e ndan jetën në dy pjesë diametralisht të kundërta, në jetën materiale dhe në jetën e përshpirtshme. Islami nuk e refuzon jetën as të mirat materiale, por ato i konsideron pjesë të domosdoshme të jetës. Islami nuk e pranon jetën e izoluar, ndaj edhe nuk e pëlqen asketizmin. Kjo jetë shërben për të fituar jetën tjetër dhe jo duke iu shmangur jetës dhe sfidave në të.
Kurani na këshillon: "Po ka prej tyre edhe që thonë: "O Zoti ynë, na jep mirësi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër dhe ruana prej dënimit me zjarr!" (El-Bekare, 201)
Por, kur flitet për gjerat luksoze dhe me bollëk, Kurani na sugjeron të bëhemi të matur: " ... dhe hani e pini, por mos e teproni, sepse Ai, njëmend, nuk i do ata që e teprojnë." (El-A'raf, 31)
Pejgamberi i Zotit thotë: "Agjëroni, por edhe pushoni, falni namaz dhe bëhuni të zellshëm në kryerjen e namazit (të natës) dhe flini. Sepse trupi yt ka të drejtë te ti, dhe sytë e tu kanë të drejtë te ti dhe gruaja jote ka të drejtë te ti dhe mysafiri i cili ju viziton ka të drejtë te ti."
Islami nuk njeh ndarjet mes materies dhe shpirtit, moralit dhe jomoralit, kësaj dhe asaj bote. Të gjitha këto janë një dhe vetëm së bashku e përbëjnë plotëninë. Të kuptuarit e ndarë të Islamit ul vlerën dhe dëmton myslimanët. Çdo ndarje mes shpirtërores dhe materiales gjatë historisë ka sjellë deri te konfliktet, ngecjet, fatkeqësitë, sepse njerëzisë i sollën varfëri, trazira, moszhvillim. Edhe djathtizmi dhe majtizmi i tepruar dëmtojnë. Islami është pa anë, pa skajshmëri, pa majtas e pa djathtas, e ushqen materialen por edhe shpirtëroren, përkatësisht i vë në baraspeshë instinktet e njeriut, i harmonizon me mjedisin dhe i pajton me ligjet hyjnore. Çdo gjë është krijuar për njeriun, ndërsa njeriu është krijuar ta falënderojë Allahun dhe të menaxhojë drejt mirësitë e dhuruara.(5)

IV. Islami - mënyrë e plotë e jetës

Islami nuk është fe e kufizuar, as e bazuar në koncepte të kufizuara të jetës private dhe shoqërore, individuale dhe grupore, por është mënyrë e plotë e jetës, e pranishme në çdo fushë të jetës, në politikë dhe ekonomi, në aspektin material dhe moral, individual dhe social, kulturor dhe nacional Islami është vlerë e gjallë, historike dhe ka kontinuitet historik dhe jo masë e vdekur religjioze, amorfe dhe anakrone.(6) Edhe pranimi i fesë dhe jetësimi i saj duhet të bëhet pa kufizime, duke ndjekur rrugën e Zotit.(7)
Kufizimi i disa feve në jetën private ishte fatkeqësi për vetveten dhe të tjerët. Restrikcionet e fesë brenda shtëpisë jashtë shoqërisë janë dëm i pariparueshëm për një shoqëri. Islami nuk njeh fushë përjashtimisht fetare dhe fushë përjashtimisht laike. Ndarja e fesë në aspekte e fusha është ndarje e fesë nga realiteti, pamundësi të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve dhe zgjedhjen e më të mirës. Roli i Islamit nuk mund të mbyllet brenda ritualeve, as brenda mureve të caktuara, sado që këtë e dëshirojnë laicistët e sekularistët, materialistët e ateistët.(8)
Kurani thotë: "Ne i kemi dërguar felajmëruesit tanë me argumente të qarta dhe me anë të tyre kemi shpallur librin dhe peshoren, që njerëzit të sillen me drejtësi. Kemi zbritur hekurin ku ka forcë të madhe edhe dobi të madhe për njerëzit, për ta ditur Allahu se kush e ndihmon atë dhe felajmëruesit e tij. Allahu është pa dyshim shumë i fortë dhe i fuqishëm." (El-Hadid, 25)
" ... Gjykimi i takon vetëm Allahut, Ai ka urdhëruar të mos adhuroni askë përveç Atij. Ajo është e vetmja fe e qëndrueshme, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Jusuf, 40)(9)

V. Baraspesha ndërmjet individit dhe shoqërisë

Islami kultivon baraspeshën ndërmjet të gjitha ndryshimeve, sidomos fillon mes individit dhe shoqërisë. Individualiteti ka rëndësi për njeriun dhe secili individ do të përgjigjet vetë për fjalët, veprimet apo pëlqimet e tij. Çdokush do të përgjigjet individualisht, kurse për këtë rast Pejgamberi a.s. ka thënë: "Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për atë që gjendet në shtëpinë e tij. Sunduesi është rojtar i atyre të cilët i binden dhe është përgjegjës për ta; burri është rojtar i familjes së vet dhe është përgjegjës për ta; gruaja është rojtare e shtëpisë së burrit të vet dhe përgjegjëse për ta; shërbëtori është rojtar i pasurisë së pronarit të vet dhe është përgjegjës për këtë." (Buhariu dhe Muslimi).
Islami garanton mësim të paanshëm dhe edukim të drejtë të personalitetit të çdo njeriu. Këtë të drejtë Islami e garanton karshi individit por edhe karshi komunitetit. Islami nuk është kundër individit as asimilimit të tij në një shoqëri apo në një shtet, por nuk e përkrah as individin mbi shoqërinë apo shtetin.
Të gjithë njerëzit janë të barabartë. Ngjyra, gjuha, raca apo etnia janë begati, por jo faktorë copëtimi. Islami mëson se njerëzia është një familje e madhe, kurse dallimet mes tyre duhen kuptuar si gjëra lehtësuese dhe begati për komunikim e solidarizim të ndërsjellë. Përkundër këtyre mësimeve të avancuara islame, megjithatë ekzistojnë dallimet racore, gjuhësore, fisnore, të gjakut, të territorit etj. Herë-herë këto dallime theksohen aq sa të kemi edhe konflikte verbale politike, ekonomike e madje edhe shpërthime luftërash.(10)
Myslimanët kanë një mundësi të mirë që, pas këtyre katrahurave të shumë llojeve, të ofrojnë mësime të matura, moral të kristaltë, ekonomi solidare, politikë të urtë, por fillimisht duhet ta unifikojnë botën përbrenda vetes e pastaj edhe përreth e tutje. Evro-perëndimi me politikën e tij hipokrite përçan popujt, madje edhe drejtpërdrejt ndërfutet, duke shkaktuar tragjedi të njëpasnjëshme dhe ngecje në zhvillim.(11)

VI. E përhershmja dhe e ndryshueshmja

E përhershmja dhe e ndryshueshmja ekzistojnë paralelisht dhe njëkohësisht.(12) Dominimi i njërës apo tjetrës në një shoqëri e bën shoqërinë të pamundur, përkatësisht e bën shoqërinë të pamjaftueshme, të brishtë, jofunksionale. Këtë e vërejmë tek ideologjitë e ndryshme, të cilat i japin epërsi njërës apo tjetrës, ndërsa kjo gjendje nga një anë prodhon ose një sistem rigjid, të ngurtë, ose, nga ana tjetër, prodhon mungesë të vlerave të përhershme, gjë që çon në relativizëm moral, politik, që çon në anarki dhe në gjendje amorfe.
E në fakt, shoqërisë sonë i nevojitet baraspesha ndërmjet dy skajshmërive, baraspeshë që përmbush edhe anën e përhershmërisë, por edhe anën e ndryshimeve. Koha moderne ka nevojë sidomos për ndërmjetës mes kundërshtive, duke i shtyrë proceset përpara. Pikërisht, ky është Islami, që ka në vete parimet e përhershmërisë, por që ka edhe dinamizmin e brendshëm për të bërë ndryshimet e nevojshme.(13)
Këtë e thotë ndryshe intelektuali El-Attasi: "Ilmi (dija) ka dy karakteristika që duhen theksuar dhe plotësuar medoemos: 1) Të jetë gjithëpërfshirës dhe 2) Që njeriun ta shpjerë në lumturi në këtë botë dhe në shpëtim në botën tjetër."(14)
Edhe vetë jeta ka parimin e përhershmërisë dhe të ndryshueshmërisë. As rigjiditeti as fleksibiliteti nuk janë absolutë, por të pranishëm në masë të caktuar. Vrojtimi i jetës së njeriut, por edhe të kafshëve, bimëve dhe jetës në përgjithësi na jep një pasqyrë të tillë; edhe pse indi ynë ndërrohet disa herë në trupin tonë gjatë jetës, personi i caktuar mbetet po ai i njëjti. Gjethet e një druri ndryshojnë shumë herë, por trungu mbetet po ai. Por, që të dy elementet, edhe e përhershmja edhe e ndryshueshmja bashkëjetojnë në pajtim të plotë mes vete. Problemet janë po ato gjatë historisë por zgjidhja e tyre ndryshon nga koha në kohë e nga vendi në vend, sepse ndryshon edhe vetë teknika e administrimit të problemeve.(15)
Burimet kryesore islame, si Kurani dhe Hadithi, përmbajnë në vete udhëzimin të dhënë nga Allahu xh.sh., i Cili nuk është i kufizuar as në kohë dhe as në hapësirë, dhe si të tillë, janë shpallur prej Zotit dhe janë të amshueshëm. Por, këto parime kanë karakter të përgjithshëm, sepse hollësitë i janë lënë njeriut t' i konkretizojë në kohën dhe hapësirën ku jeton e vepron. I është lënë njeriut ky angazhim për hollësi, përkatësisht kjo përpjekje intelektuale me synim për arritjen e së vërtetës dhe të implementimit të saj në kohën dhe vendin e caktuar. Pra, udhëzimi themelor është i përhershëm, kurse implementimi dhe metodat e implementimit janë të ndryshueshme në pajtim me nevojat, rrethanat dhe specifikat e kohës. Kjo është arsyeja përse për Islamin themi se është bashkëkohor dhe gjithnjë me zgjidhje të freskëta dhe jo se Islami i ka të gatuara zgjidhjet qysh nga koha e shpalljes dhe periudhës së selefëve.(16)

VII. Islami si trashëgimi e feve qiellore

Islami me Muhammedin a.s. kohësisht është feja më e re, por Islami në fakt është feja e parë, ajo që iu shpall Ademit a.s., Nuhit a.s., Ibrahimit a.s. Musait a.s., Isait a.s. dhe Muhammedit a.s .. Meqenëse fetë e mëhershme islame, të shpallura të gjithë pejgamberëve, nuk e ruajtën burimësinë gjatë historisë, Islami që iu shpall Muhammedit a.s. e ruajti tërësisht shpalljen e Zotit. Edhe historia e Muhammedit a.s. është e ruajtur në hollësi nëpërmjet haditheve. Leximi i biografisë së Muhammedit a.s. është mbresëlënës dhe faktdhënës. Para kësaj të vërtete edhe një numër i madh jomyslimanësh dorëzohen.(17)
Këto janë vetëm disa karakteristika të fesë islame. Ato forcojnë bindjen se Islami është fe e njerëzve, fe e së ardhmes. Këto veçori tërhoqën me miliarda njerëz gjatë së kaluarës, gjithashtu edhe në të ardhmen ashtu do të jetë. Ajo është fe e vërtetë dhe rrugë e drejtë për njerëzinë.(18) Deri në Ditën e Fundit njerëzit do të dëshmojnë:
Dëshmoj se nuk ka hyjni përveç Allahut, i Cili është Një dhe i Vetëm. Nuk ka rival dhe nuk mund të krahasohet ndonjë gjë me Të. Dëshmoj se Muhammedi është rob i Tij dhe i dërguari i Tij.

VIII. Në vend të përfundimit

Islami është fe tërësore, shpirtërore dhe materiale.
Parimet e tij janë të pandryshueshme, të vendosura në Librin e Allahut dhe fjalët e veprat e Pejgamberit a.s., por hollësitë i përcakton secila kohë varësisht prej nevojave dhe përmasave të veta. Individi ka liri të veprojë e të zhvillojë prirjet e veta, por kjo duhet bërë në kuadër të nevojave të komunitetit dhe frymës së tij.
Zhvillimi i së përhershmes së bashku me zhvillimin e së ndryshueshmes dhe ruajta e ekuilibrave të shumtë, njerëzinë e dërgon në mirëqenie e rahati, dhe e kundërta: dhënia epërsi skajshmërive çon njerëzinë në përjashtime, skajshmëri dhe tragjedi.
Islami nuk ka kultivuar skajshmëritë individuale as kolektive, as të përshpirtmen kundrejt materiales dhe e kundërta, ndaj edhe në fazat e caktuara arriti kulmin botëror. Këtë bukur e kanë vërejtur edhe të huajt, sikurse letrari e dramaturgu i njohur anglez, George Bernard Shaw, me mendimin optimist të të cilit edhe po e përfundojmë këtë shkrim modest:
"Gjithnjë e kam çmuar lart fenë e Muhammedit për shkak të vitalitetit të saj të shkëlqyeshëm. Kjo është feja e vetme, e cila më duket se ka këtë kapacitet që i mundëson t'ia dalë në fund me ndryshimet dhe e cila është e përshtatshme për çdo kohë. E kam studiuar jetën e këtij njeriu të shkëlqyeshëm dhe sipas mendimit tim ai është larg asaj të quhet antikirisht, por do të duhej të quhej Shpëtues i njerëzisë. Besoj se nëse një njeriu sikurse ai t i jepet qeverisja mbi njerëzit, ai do të arrinte sukses në zgjidhjen e problemeve të botës dhe do të sillte paqen dhe lumturinë aq të dëshiruar. Parashikimi im është që feja e Muhamedit do të bëhet e pranueshme për të ardhmen e Evropës, sikurse ka filluar të bëhet e pranueshme për Evropën e tanishme."(19)


_______________________
(1) Muhanuned Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, fq. 77 dhe 65.
(2) Seyed Muhanunad Naquib Al-Attas, Islam i sekularizam, Sarajevë, 2003, fq. 193-234.
(3) Nexhat Ibrahimi, Hyrje në bazat e besimit islam, Logos-A, Shkup, 2017.
(4) AhmedHurshid, Razlike islama i ostalih religija, në: https:llputuislam. word press.com/20081 071 011 razlike-islama-i-ostalih-religija-dio-12/.
(5) Ahmed Hurshid, po aty.
(6) Nexhat Ibrahimi, Muslimanët në kërkim të Islamit, I-II, Logos-A, Shkup, 2007, fq. 159.
(7) Ibrahim Kalin, Islami, arsyeja dhe bota moderne, Logos-A, Shkup, 2012, fq. 161 e tutje.
(8) AhmedHurshid, po aty.
(9) Sipas: Ahmed Hurshid, po aty, 1.
(10) Gh. Muhammad, I. Kalin, M. Kamali, Lufta dhe paqja në Islam, Logos-A, Shkup, 2015.
(11) Kolonializmi, pastaj periudha e kohës së fundit është përplot konflikte e luftra, si në Afganistan, Irak, Siri, [emen, ku vendet evro-perëndimore nxisin luftërat për nevoja të tyre industriale e dominim ekonomik e politik. Ahmed Hurshid, po aty, 2.
(12) Një trajtim sociologjik, filozofik, metafizik dhe etik të të përhershmes dhe të ndryshueshmes e lexojmë: Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe virtyti, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 319 e tutje.
(13) MuhanunedIkball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Logos-A, Shkup, 2008, kapitulli V.
(14) Seyed Muhanunad Naquib Al-Attas, po aty, fq. 261.
(15) Ahmed Hurshid, po aty, 2.
(16) Ahmed Hurshid, po aty, 2.
(17) Ibn Hisham, Biografia e Pejgamberit s.a.v.s., Logos-A, Shkup, 2017.
(18) AhmedHurshid, po aty, 2.
(19) Sipas: Ahmed Hurshid, po aty, 2.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.