Rëndësia e thirrjes islame-davesë

Koncepti dave apo thirrja islame në përgjithësi do të thotë thirrja e njerëzve ndaj Allahut dhe udhëzimeve të Tij, ndërsa ai që thërret në këtë mision quhet thirrës (dai).

Në aspektin etimologjik fjalë "dave" rrjedh nga fjala arabe dea, jed'u dhe paskajorja davetun.
Nocioni dave përdoret në gjuhë me disa kuptime si: thirrje, grishje, apel, përhapje, kërkesë, lutje, çështje, proces gjyqësor, mision, propagandë, agjitacion, lutje Zotit, veprimtari misionare fetare.(1)
Thirrja mund të jetë për në rrugë të mirësisë, por edhe në të keqes. Ashtu siç ceket edhe në Kuranin famë lartë :"Dhe, o populli im, ç'është që unë ju thërras në shpëtim e ju më thirrni për në zjarr? Më thirrni ta mohoj Allahun dhe adhuroj atë që nuk di asgjë për të i gjithëfuqishmi, mëkatfalësi! (Gafir, 42).
Kurse në një vend tjetër thotë: "Ata ju ftojnë për në zjarre, Allahu me mëshirën e Vet ju fton për në Xhenet, për në shpëtim dhe u sqaron njerëzve argumentet e veta, ashtu që ata të përkujtojnë. (El Bekare, 221).
Ndërsa Murteda Zebejdiu mendon se ky nocion ka të bëjë me dëshirën për t'u afruar tek Allahu me lutje dhe dua, siç përmendet edhe në ajetin kuranor: "Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë". (El Arafë, 55).
Ndërsa në kuptimin terminologjik përdoret po ashtu si: vetë feja islame, thirrja e pejgamberëve, procesi i shtrirjes dhe komunikimit të islamit.
Sipas kësaj thirrja islame ka disa definicione:
1. Nxitja e njerëzve për në mirësi, udhëzim, urdhërim në të mira e ndalim nga të këqijat për t'iu gëzuar fitimit herët apo vonë.(2)
2. Shkenca e cila nëpërmjet saj arrijmë të njohim të gjitha përpjekjet artistike të cilat kanë synim komunikimin e islamit tek masa si besim, legjislacion dhe moral".(3)
3. Nxitja për të vepruar mirë, duke iu larguar së keqes, duke urdhëruar në të mirë e ndaluar nga e keqja, duke e bërë të dashur vlerën dhe gjykuar të pavlerën, përmbajtja e së drejtës dhe flakja gënjeshtrën".(4)
4. Komunikimi i islamit te masa dhe mësimi i atyre me qëllim praktikimi në jetën e përditshme.(5)
5. Thirrja islame është program i plotë i cili në thellësi të tij ngërthen dijet për të cilat njerëzit kanë nevojë, që të ndriçojnë qëllimin që nga lindja e tyre si dhe të zbulojnë shenjat e rrugës të cilat i bashkon të ndërgjegjshmit.(6)
6. Ekziston një definicion i përgjithshëm i paraqitur nga Muhamed Erravi në librin e tij "Thirrja islame është globale"ku i bashkon mes botëkuptimit të fesë dhe botëkuptimit të thirrjes për të."Thirrja islame është thirrje globale. Ajo është një sërë kriteresh të plota për sjelljen njerëzore duke vendosur të drejtat dhe obligimet"(7)
Nga definicionet e paraqitura më lart mund të konkludojmë se daveja është shtrirja apo përhapja e islamit dhe komunikimi i tij te masa mbi bazën e fakteve me rrugë të lejuara siç janë mësim dhënia, hutbeja, ligjërimi, këshilla, leksionet, konferencat, sesionet shkencore, debatet dhe mbrojtja e Islamit, replika me kundërshtarët etj.
Sikurse definicionet e lartshënuara na ofrojnë sqarime shtesë në lidhje me ekzistimin e lidhjeve të drejtpërdrejta me terminologjitë e tjera siç janë urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga të këqijat, këshillimi, përkujtimi, llogari, reformim, rinovim, pra botëkuptimi mbi davenë i përfshin të gjitha.(8)
Pra, definicionet janë të ndryshme dhe varësisht nga qasja dhe përcaktimi i saktë të nocionit "dave" nga njëra anë dhe nga ana tjetër ndryshimi i vizionit ndaj saj.
Disa studiues e shohin "davenë" si komunikim dhe sqarim i asaj për të cilët thërret islami, por disa studiues të tjerë nuk mendojnë kështu pasi që davenë e kategorizojnë si shkencë dhe mësim në vete duke e zhveshur atë nga ana praktike dhe ekzekutive, e shumë e shumë mendime të tjera.

Përmbushja e detyrimeve

Thirrja islame si mision është mision i të gjithë të Dërguarve që nga Ademi a.s. e deri tek i Dërguari i fundit Muhamedi a.s. Thirrja e tyre u drejtohej popujve të tyre dhe ishte vetëm për një kohë dhe vend të caktuar, ndërsa thirrja e Muhamedit a.s., mbetet për të gjitha kohërat dhe universale. Ata qëndruan në këtë rrugë dhe aspak nuk u dorëzuan dhe nuk iu nënshtruan dëshirave dhe apetiteve të ndryshme të masës edhe pse disa prej tyre u flijuan në këtë rrugë. Ata thirrën në unitet dhe të braktisen armiqësitë.
"Dhe kurrsesi ata të mos shmangin ty nga ajetet e Allahut meqë ato të janë shpallur ty, dhe ti thirr te Zoti yt dhe kurrsesi mos u bëj pasues i dëshirave të idhujtarëve". (El Kasas, 87)
Edhe pse pati njerëz që u munduan ta mohojnë pejgamberllëkun dhe Kuranin, por për këto i Lartësuari tha: "Thuaj: "Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Allahun e mos t'i bëj shok Atij. Unë vetëm te Ai thërras (njerëzit) dhe vetëm te Ai është kthimi im!" (Er'Rad,36)" .
Duke u nisur nga mësimet e pastra islame, thirrja në islam është obligim dhe është një përgjegjësi morale e çdo myslimani për të përhapur Fjalën e Allahut dhe traditën e Muhamedit a.s. si dhe të mundohet me fjalë dhe vepra për të ndaluar të tjerët nga veprimtaria e paligjshme. Allahu i Plotfuqishëm na drejton që të marrim këtë vepër në Kuranin e Shenjtë si:
"Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit". (Ali Imran, 104).
Prandaj, obligimi për dave është përmendur edhe në shumë ajete kuranore.
"E për këtë shkak (të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqendrohu ashtu si të është urdhëruar" (Esh-Shura. 15). Poashtu në një ajet tjetër thotë: Thuaj: "Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta" (Jusuf,108).
" .. E ti thirri te Zoti yt, se pa dyshim ti je në rrugë të drejtë" (El Haxh,67).
"Ti (Muhamed) thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira" ( En-Nahl, 126).
"E kush ka fjalën më të mirë prej atij që thërret te Allahu" (Fusilet, 33).
" Allahu thërret për në xhenet, dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë" (Junus, 25).

Rëndësia e thirrjes dhe komunikimit islam

Thirrja islame është ndër veprat më të mira që na afrojnë te Zoti, i Cili na ka urdhëruar me të në Kuranin e tij fisnik nëpërmjet Muhamedit a.s. Në vazhdim do të paraqesim pozitën, vlerën dhe rëndësinë e saj që ka.
Thirrja në Islam është një nga bazat esenciale të përhapjes dhe komunikimit të tij dhe është po ashtu një nga shtyllat e ekzistencës së tij.
"O ti i dërguar! Komunikoje atë që t' u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon. (El Maide, 67).
Me anë të thirrjes për te Allahu, arrihet tek adhurimi i një Zoti të vetëm, me të udhëzohen njerëzit, mësohen çështjes e fesë, siç është njësimi i Zotit, adhurimi i Tij, me të njihet e lejuara dhe e ndaluara dhe mësohen kufizimet që ka vendosur Allahu. Me anë të thirrjes për tek Allahu rregullohen marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, si shitblerjes, aktmarrëveshjet, martesat dhe ndreqen problemet e tyre sociale e familjare. Me anë të thirrjes përmirësohen moralet e njerëzve, pakësohen mosmarrëveshjet, zhduken smira, dhe mëritë mes tyre si dhe pakësohen lëndimet që njerëzit i shkaktojnë njëri-tjetrit. Nëse thirrja islame bëhet ashtu siç duhet, njerëzia do t' i përgjigjen pozitivisht asaj dhe lumturia e kësaj bote dhe botës tjetër do të jetë fati i thirrësve dhe i njerëzve të thirrur.(9)
Mirëpo thirrësit dhe të thirrurit (myslimanët), assesi nuk mund t'u shpëtojnë paragjykimeve dhe stereotipave që të tjerët kanë krijuar për ne qoftë nga injoranca apo edhe shtrembërimi i fakteve që prezantohen në medie dhe qarqe të caktuara.
Në rastin e ne shqiptarëve, krahas problemeve që kanë ardhur për shkak të paragjykimeve ndaj myslimanëve në truallin evropian, saqë kanë shkaktuar pasoja të rënda, duhet të kihet parasysh edhe një realitet i ri gjeopolitik. Ndryshimet e mëdha gjeopolitike, kulturore e sociale kanë ndikim të ndjeshëm në fatet e kombit shqiptar, pra edhe në mënyrën e të kuptuarit të fesë dhe të praktikimit të saj. Pra, jo vetëm koha në të cilën jetojmë, koha postmoderne, po edhe përkatësia gjeopolitike e kulturore e plotë e Perëndimit, duhet të analizohen e të kuptohen sa më realisht. Më e rëndësishmja në këtë mes: njeriu i sotëm shqiptar, ky bartës konkret i këtyre identiteteve, në çfarë gjendjeje emocionale, intelektuale, ideologjike e fetare është dhe në çfarë gjendjeje do të jetë në të ardhmen? A është ende në ndonjë fazë të modernizmit, apo është futur tashmë në pellgun e përjetimit postmoderist të botës, sikundër që është futur nën ombrellën e NATO-s? Këto pyetje nuk kanë ende përgjigje të qarta. Shqiptarët me fatin e vet jetësor dhe me dashjen e vet janë brenda kulturës evropiane, janë brenda strukturave perëndimore, por ende nuk e kanë stabilizuar identitetin e vet në këto realitete të reja kulturore e gjeopolitike. Ende nuk e dinë se a do të mbeten shqiptarë, apo do të lëvizin drejt identitetesh të reja, fjala vjen, kosovarë, që është një projekt mjaft i sponsorizuar. Ende nuk e dinë se a do t' i nënshtrohen ndonjë procesi të konvertimit, për të cilin po ashtu ka projekte nga agjentë të ndryshëm.(10)
Prandaj, thirrja islame mbetet një nder shumë i madh dhe një shteg shprese për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë shpirtërisht qetësinë dhe frymën paqësore të Islamit si dhe shpërblimin të shumëfishtë që Allahu xh.sh ka përgatitur për thirrësit.


_________________
(1) Sulejman Tomçini, Fjalor arabisht-shqip, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam dhe ISESCO, Tiranë, 2009, f.267.
(2) Ali Mahfudh, Hidajetu el murshidin ila turuki el fadhi vel hatabe, Darul itisam, bot.9,1979, f17.
(3) Ahmed Galvesh, Edavetu el islamije, usuluha ve vesailuha,Muesesetu errisale, Bejrut, ,f.10.
(4) Muhamed Nemr Hatib, Murshidu edduati, Darul marife littiba' ati ven neshri, Bejrut, 2004, f.24.
(5) Muhamed Ebulfet'h El Bejanuni, El med'hal ila ilmi edda'veti, Muesesetu errisale, bot i tretë, Bejrut, 1995.f.17.
(6) Muhamed el Gazali, Mea Allah, Darul Kalem, Damask, botim i VI, 1996.f.17.
(7) Ibid. f.20.
(8) Hamed El Amar, Nusus eddaveti fi el kurani el kerim, dirase tesilije, Daru kunuz Ishbilija lin neshr vet tevzi, f.Il.
(9) Adnan Alaaraur,Metedologjia e thirrjes islame në dritën e realitetit bashkëkohor,Tiranë, 2009, Tradita, f.32.
(10) Milazim Krasniqi,Thirrja Islame ndër shqiptarë në ambientin konkret gjeokulturor e gjeopolitik dhe të postmodernizmit, Zani i Naltë, nr. 20 (173), korrik, gusht, shtator 2017, http://zaninalte.al.



PHDc Rexhep Suma

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.