Ligjërimi përballë nuancave kulturore dhe përgjegjësive fetare

Prej të bukurave që ka Islami, është pikërisht fakti se i ka orientuar besimtarët në çdo çështje të jetës. Përmes ajeteve Kuranore dhe traditës profetike të mbërritur deri te ne me shumë përpikëri, ne sot zotërojmë një pasuri të rrallë hyjnore orientuese të sjelljes deri në detaje të marrëdhënieve ndërpersonale midis dy njerëzve, midis dy bashkëshortëve.

Pikërisht për faktin se besimi islam nuk përkufizohet vetëm në praktika dhe rituale religjioze, përkundrazi ai ngërthen nën konceptin e adhurimit gjithë sferat e jetës, për këtë arsye ligjërimet e edukatorëve dhe hoxhallarëve larmishëm janë të mbushura më tema sociale aktuale me synimin për të udhëzuar, orientuar te më e mira. Deri këtu jemi shumë në rregull, mirëpo nganjëherë në auditoret e ligjëratave fetare, pa dashur ose pa vëmendje pse jo ndoshta dhe pandërgjegjshëm, kapërcehen disa kufij konceptualë, të cilët bëjnë një miksim të asaj që është fe dhe referencë hyjnore, nga ajo që është kulturë dhe traditë e vendit apo qëndrim personal. Me dëshirën e mirë për të zhdukur problemet, nga mikrofonet e ligjëruesve burojnë receta dhe diku-diku ato zënë vend dhe përligjin mendime, sjellje, qëndrime. Kjo ndodh shpesh, dhe pothuaj është e paevitueshme për sa kohë ligjëruesi do t'i shkojë me se s'bën deri në palcë zgjidhjes së problemit social, duke harruar se e ka përthyer atë nga një kontekst i gjerë shoqëror në suazat e mureve të familjeve që funksionojnë mbi të tjera parime dhe sistemi jetësor.
Ligjëruesi i nderuar shumë bukur përmend hadithin i cili vjen në formën me të bukur si këshillë dhe orientues i ruajtjes së ekuilibrave ndërpersonalë midis çiftit, për të motivuar dhe ruajtur kultivimin e ndjenjës dhe tërheqjes fizike midis tyre, çka tregon se në fakt ruajtja e ekuilibri t të tërheqjes midis çiftit është realisht shumë e rëndësishme.
Por, më lejoni t'ju risjell në vëmendje një imperativ moral, etik dhe teorik i cili e kalon atë të tërheqjes fizike.
“Ndër shenjat e Tij është edhe fakti që ai ka krijuar për ju gra nga vetja juaj, që të preheni tek ato, dhe mes jush vendosi dhembshuri dhe mëshirë. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë" (Er-Rum, 21)
Martesa, dhe për rrjedhojë familja është një institucion i cili do të përballet me sfida nga më të ndryshmet në rrjedhën e jetës, me synimin për të përmbushur objektivat që dy bashkëshortët i vendosin për të mirën e qenieve që do të sjellin në jetë. Për këtë është e rëndësishme të kuptojmë drejt pozicionin dhe rolet e secilit nga bashkëshortët dhe prindërit e ardhshëm. Bashkëshortët duhet te jenë si dy duar që takojnë njëra-tjetrën për të mirën e përgjithshme të familjes.
"Femra martohet për katër shkaqe: për pasurinë e saj, pozitën, bukurinë ose fenë e saj. Zgjidh atë që ka fe dhe ia ke qëlluar. (Buhariu dhe Muslimi)
Është mesë e qartë se përballemi me një kompleksitet të pashmangshëm elementesh. Të mos harrojmë se këto dy qenie psikosociale, të cilat nuk kanë si motor bazik të funksionimit intsiktet seksuale, janë zotuar para Zotit për te ngritur një institucion të shenjtë, Familjen.
Diskutimet dhe ligjërimet të cilat tentojnë t' i atribuojnë femrës detyrën dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen e aspektit të jetës bashkëshortore në fakt pa dashur dhe pakuptuar në gjykimin tim, kanë shtrembëruar konceptin se minimalisht e kanë ngjyrosur atë me mbetje të mendësive maskiliste dhe patriarkale.
"Teoria e saktë" - në fakt "teoritë", sugjerimet, orientimet, kufizimet, urdhëresat dhe ndalesat për të cilat flet kodi i familjes në legjislacionin hyjnor, janë ideale për faktin e thjeshtë se burojnë prej një reference hyjnore, prej një sistemi vlerash universale dhe bashkëkohore të cilat janë të tilla që të gjejnë vend kudo dhe kurdo. Problemi qëndron te fakti se, ne, njerëzit jemi aktualë, të kufizuar, të pamundur për ta arritur idealen, afatshkurtër. Gjëja më e mirë që ne mund të bëjmë dhe kjo vlen për çdo aspekt të jetës duke renditur këtu familjen si më kryesoren, është pikërisht të përpiqemi të afrojmë aktualen drejt ideales. Pra, të përpiqemi që, në mënyrën tonë të të menduarit, të të folurit, të vepruarit të kemi për pikë referimi pikërisht mësimet dhe kuptimet e Kodit Hyjnor. Vetë Kurani famëlartë orienton burrat në: " Jetoni me to një jetë të ndershme. Nëse nuk pëlqeni diçka tek ato, mund të ndodhë që të mos e pëlqeni një gjë, por Allahu, nëpërmjet saj, mund të sjellë mjaft të mira" (En-Nisa, 19)
"Besimtari më i plotë është Ai që ka sjellje të mirë, ndërsa më të mirë në mesin tuaj janë ata të cilët sillen më së miri ndaj grave të tyre!" (Tirmidhiu – Sahih)
Kulturalisht, kudo dhe kurdo femrat kanë qenë të diskriminuara, të mbingarkuara me role dhe detyrime, përgjegjësi. Për t' i shtuar kësaj edhe faktin se fizikisht dhe emocionalisht ajo është lënie e brishtë dhe delikate, ndjeshmëria dhe reagueshmëria emocionale për t' iu përgjigjur situatës duhet të jetë gjithnjë, 100%.
Pa dashur dhe pa vënë re kemi artikuluar nga goja e dikujt që advokon kodin hyjnor të familjes, por vini re: Jo me gjuhën e referencave dhe sistemit të vlerave Islame, por me ngjyrat e kulturës maskiliste. Është fjala këtu pikërisht për ngjyrimin që i jepet diskutimit. Dhe njëkohësisht për tendencën për ta mbingarkuar femrën me përgjegjësinë e ruajtjes së gjithë ekuilibrave të familjes, që në rastin konkret thjeshtëzohet shkurt dhe ngushtë në eksluzivitetin që familja siguron raporteve seksuale midis partnerëve.
Problemet që nënkuptohen këtu për fat të keq janë disa. Të thënat dhe të pathënat, orientojnë në disa pikëpyetje, të cilat vlejnë të ngrihen në vëmendje jo vetëm për t'i dhënë një përgjigje, por mbi të gjitha për të reflektuar dhe të të evidentuar se cilat janë funksionet thelbësore të familjes dhe, para kësaj, cili është pozicioni që i ka dhënë Zoti secilit nga bashkëshortët, larg gjuhës dhe kuptimit kulturor maskilist, apo feminist.
Ajo që nuk duhet lënë mënjanë në kuptimin e këtij diskutimi është fakti se secili nga bashkëshortët ka rol" aktiv" në të gjitha aspektet, qofshin ato të marrëdhënies ndërpersonale midis tyre, qofshin në raport me të tjera rrethana dhe detyrime që ngërthen jeta bashkëshortore.
Të tregosh para një gruaje se nëse e gjen bashkëshorti me rroba gjumi apo duke gatuar, ai do të hedhë sytë jashtë, do të thotë të justifikosh dobësinë e një burri për t'i bërë ballë një tundimi, dhe më keq se kaq, të ngarkosh me ndjenja faji dhe kompleksi inferioriteti atë që, para Zotit nuk është e ngarkuar me përgjegjësi për sjelljet dhe vendimet e dikujt tjetër. Tjetër çështje thelbësore që ngërthen diskutimi është dhe fakti se kjo mënyrë të shprehuri, pa dashur" u jep të drejtë" dëshirave dhe çmendurive të fjetura të zgjohen, dhe madje nën pozicionin e kritikës dhe justifikimit, dhe fatkeqësisht me ndjenjën e zhveshur nga përgjegjësia për sjelljet personale në raport me kufijtë e Zotit.
Dhe pse kuptoj se ndoshta në gjuhën e ligjëruesit ka tjetër retorikë dhe bisedim të tipit konfidencial brenda mureve të auditorit të tij, nuk duhet të harrojmë se pas publikimit në rrjete sociale, fjalët tona nuk mund të quhen më konfidenciale, dhe jo më "pa zarar".
Bashkëshortët, femrat dhe meshkujt mbi të gjitha duhet të jenë njerëz, më pas veshim ose mbiveshim secili nga ne rolet që kemi në jetë sipas momenteve.
Nëse elementi bazë mbi të cilin ngrihet i gjithë adhurimi ndaj Krijuesit është" dashuria", nuk duhet harruar se pikërisht femra është më meritore pas Zotit dhe Pejgamberit a.s. për t' ia atribuuar këtë ndjenjë.
Dashuria dhe mëshira' që buron prej saj deri në vetësakrifikim për të sjellë në jetë një tjetër jetë, madje dhe duke e ushqyer nga trupi i saj për dy vjet të plota përtej çdo norme, koncepti apo ligji, meriton respekt, dhe madhëri pikërisht ashtu si ia siguron ligji dhe kodi hyjnor.
Ligji hyjnor nuk i ka parë femrat si "objekte seksi dhe riprodhimi", përkundrazi pikërisht kjo mendësi e trajtimit të femrës si objekt është luftuar që në thelb. Problemi shpesh qëndron te fakti se dashur e pa dashur ne sjellim në arenat e auditorëve prurjet dhe mbetjet tona personale duke bërë fajin dhe gabimin e madh e të pafalshëm tashmë, atë të mveshjes dhe interpretimit të kulturës dhe dokeve e zakoneve krahinore apo familjare, si fe.
"Kush ia sheh hajrin më shumë martesës"?
Përkundër bindjeve të përgjithshme se meshkujt janë ata që kanë" alergji" ndaj martesës, Nil Jakobson nga Universiteti i Uashingtonit mendon se janë pikërisht meshkujt ata që përfitojnë më shumë në martesë.
Femrat zakonisht hyjnë në martesë me pritshmëri të mëdha, gjë që i çon ato drejt zhgënjimit. Edhe pse kryesisht mendohet se meshkujt janë më të mençur, Adrian Furnham, profesor britanik i psikologjisë në një kolegj të Londrës, ka analizuar rezultatet e studimeve ku ishin matur dhe krahasuar koeficientet e inteligjencës (IQ)
të meshkujve dhe femrave, gjë që ka treguar se nuk ka dallime të mëdha rreth vetë IQ-së, por janë vërejtur dallime të mëdha në perceptimin e inteligjencës. Meshkujt janë të prirë që t'i mbivlerësojnë aftësitë e tyre intelektuale, përkundrazi, femrat janë të prira që t'i nënvlerësojnë ato. Është parë se meshkujt e martuar bien dy herë më pak në de presion, në ndryshim nga gratë e martuara.
Dhe e merrni me mend se cila mund të jetë arsyeja?
Një nga ato është dhe rasti si ky për të cilin flasim; gishti i kritikës së fshehur drejtohet gjithnjë nga ato, përtej gjithë sakrificave dhe orëve të punës së paçmuar brenda mureve të shtëpisë që një femër bën me tre turne gjatë 24- orëshit. Pikërisht për shkak të mbingarkesës së roleve që përmendëm më sipër dhe që me kalimin e kohës askush nuk i vlerëson, përkundrazi i shohin si të mirëqena për të qenë pjesë e obligimeve të saj. Praktika profetike na tregon të kundërtën. Ajetete Kuranore na orientojnë për të kundërtën. Hadithet kudsi na tregojnë të kundërtën. Atëherë ku çalon çështja? Përse pikërisht këtu na krijohet ngërç në perceptim, mendim dhe reagim?
Femrat janë mbretëresha. Zoti i botëve i ka krijuar për nga brinja e Ademit që në to të prehen shpirtërisht pjesa tjetër e krijimit. Që të bëhen rrugë dhe urë për jetën.
I pari njeri që e besoi dhe pasoi Muhamedin ishte një femër. Zoti e merr si shembull për gjithë besimtarët një femër dhe pikërisht gruan e Faraonit. Praktika profetike na tregon për përparësi të femrës ndaj mashkullit në familje në raport 3 me 1, lidhur me respektin që duhet shfaqur ndaj sajë. Praktika profetike na tregon se gruaja në familje nuk detyrohet të shërbeje e as të jetë "hirushja e shtëpisë", vetëm nëse ajo me dëshirën e saj i kryen ato shërbime. Ajo nuk detyrohet të kontribuojë ekonomikisht në shpenzimet e familjes, vetëm nëse ajo me dëshirën e saj vendos të kontribuojë etj. E me gjithë këto aspekte prej të cilave referenca hyjnore e ka liruar femrën, sërish e gjejmë që ajo i kryen pothuaj të gjitha ato që përmendëm e madje dhe më shumë, e mbi të gjitha, me shumë dashuri.
Ajo që nuk falet në raport me ata që kanë në dorë të përcjellin të vërteta e nuk e bëjnë ose e bëjnë të përshtatur sipas konteksteve dhe prurjeve të veta personale, është pikërisht kjo. Askush nuk ua thotë femrave këto aq bindshëm sa të guxojnë të reagojnë ndaj maskilizmit që mbyt përditë të bukurat pranë kuzhinave të gatimit apo tavolinave të hekurosjes, e pse jo, dhe pranë tabakave dhe ibrikëve të çajit për gjithë farefisin. Dhe fatkeqësisht askush nuk ua thotë meshkujve këto të vërteta me po aq forcë.
Ajo që edukatorët e referencave hyjnore duhet të bëjnë me patjetër është pikërisht t' i tregojnë secilit nga bashkëshortët prej ku dhe deri ku fillon dhe mbaron e drejta hyjnore e femrës, i vjen kjo hidhur apo jo meshkujve burra. Dhe femrat duhet të vihen para informimit dhe diturisë se nëse përjetojnë situate si ato që kemi cekur më sipër, ajo duhet të presë shpërblim të jashtëzakonshëm nga Zoti, pasi po i kryen nga kultura e saj, njerzillëku, dëshira e mirë për bashkëpunim dhe ecje përpara, dhe pse jo nga kortezia e sajë si qenie e mirëkuptueshme dhe e magjishme.
Patjetër nga ajo duhen larguar ndjenjat e fajit, se nuk po arrin performancën që i kërkon realiteti i kohëve moderniste dhe konsumiste. Nëse meshkujt nuk do ta përballin femrën me detyrimin e shlyerjes së obligimeve kulturore dhe zakonore të veshura me rrobën e fesë, është e sigurt se kontributi i tyre në familje do të ishte shumë më i lartë në të gjitha aspektet. Nëse gruaja arrin t' u bëjë ballë gjithë këtyre presioneve psikosociale për arsye irracionale dhe kulturore të mjediseve familjare ku shpesh herë është e detyruar nga rrethanat të jetojë, mendoni si do të ishte performanca e roleve nëse ajo me bindje dhe me zemër di se: Këto sjellje i kryej sepse" unë dua dhe unë kam dëshirë të jap më të mirën". Sigurisht do të ishin më eficente, frytdhënëse, dhe do të shihnim ngritje të cilësisë së marrëdhënieve ndërpresonale si në aspektin personal, ashtu dhe atë social-familjar. Motivimi i sjelljes është kyçi për rezultate të kënaqshme. Dhe si mbyllje nuk duhet të anashkalojmë për asnjë moment mesazhin që përcjellin te anëtarët e rinj të familjes përmes këtyre fjalëve, fëmijët.? Çfarë mendojnë dhe çfarë ndiejnë vajzat dhe djemtë e këtyre grave dhe këtyre baballarëve pas dëgjimit të këtyre leksioneve? T'i ruajmë imagjinatën, mendimin, ndjenjat sublime, modelet dhe mbi të gjitha t' i ruajmë me fanatizëm për këto krijesa ato imperative që vetë Zoti i ka bërë të domosdoshme për të qenë figura "Ikona".
Gjëja më e mirë që një baba mund të bëjë për fëmijët e tij, është të dojë dhe respektojë nënën e tyre.
"Besimtari më i plotë është Ai që ka sjellje të mirë, ndërsa më të mirë në mesin tuaj janë ata të cilët sillen më së miri ndaj grave të tyre!" (Tirmidhiu – Sahih)



Edlira Durmishaj

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.