Mënyrat e uljes: teverruk-u dhe iftirash-i

Hyrje

Janë kryesisht dy forma apo dy mënyra të uljes gjatë namazit, që të dyja janë të vërtetuara nga hadithet e transmetuara lidhur me këtë çështje. E para njihet si "teverruk", gjersa mënyra e dytë si "iftirash". Në kronologji, gjatë gjithë historisë këto dy mënyra kanë pasur aplikim. Kjo çështje nuk njihet si çështje konfliktuale, me përjashtim në dy dekadat e fundit që në vende të caktuara u bë goxha popullarizuese dhe diku-diku edhe çështje konfliktuale nga disa të paformuar fetarisht dhe me dije të cekët nga shkencat dhe argumentet fetare.
Mënyra e uljes apo pozita "teverruk" është kur namazfalësi ulet në tokë (jo mbi këmbë), këmbën e djathtë e mban në pozitën vertikale, ashtu që gishtat e këmbës janë të drejtuar në drejtim të kibles, kurse këmba e majtë është e shtrirë nën këmbën e djathtë.
Mënyra tjetër, gjegjësisht pozita e uljes, e njohur si "iftirash", është atëherë kur namazfalësi, ndryshe prej mënyrës paraprake, e shtrin këmbën e majtë dhe ulet në të, gjersa këmba e djathtë është në pozitën vertikale dhe gishtat janë të kthyer në drejtim të kibles.
Këto janë dy format apo pozitat që përdoren gjatë uljeve në namaz, rreth të cilave dijetarët janë të ndarë në mendime se cila prej tyre është më e saktë dhe cilën prej tyre e aplikoi më tepër i Dërguari i Allahut.

Opinionet e ndryshme në lidhje me uljen

Sa i përket pozicionit të uljes, kemi mendime të ndryshme, ndonëse njihen vetëm dy pozita (mënyra): teverruk dhe iftirash, por problematika qëndron në faktin se a të përdoret vetëm një pozitë, apo të përdoren të dyjat? E, në rast të përdorimit të dy mënyrave, cila të përdoret në uljen e parë e cila në të dytën?
Hanefitë janë të mendimit se mënyra më e mirë e pozitës së uljes në namaz, është ajo e iftirash-it dhe se kjo përdoret si në uljen e parë, ashtu edhe në të dytën.(1) Megjithatë, sipas hanefive, edhe pse rekomandohet të aplikohet pozita "iftirash", pozita "teverruk" është gjithashtu e lejuar.
Për dallim nga hanefi të, të cilët rekomandojnë pozitën "iftirash" në të gjitha uljet, malikitë janë të mendimit të kundërt, ngase parashohin që, në të gjitha uljet, të aplikohet pozita "teverruk", madje edhe në uljen mes dy sexhdeve.
Shafiu dhe medhhebi i tij është mes hanefive dhe malikive, ngase në uljen e parë rekomandojnë uljen "iftirash" (sikur hanefitë), gjersa në të fundit atë "teverruk" (sikurse malikitë). Në namazet me një ulje, sipas Shafiut, namazfalësi ulet në pozitën "teverruk", sepse ajo konsiderohet ulja e fundit.
Ahmedi pajtohet me mendimin e Shafiut që në uljen e parë të aplikohet pozita "iftirash", ndërsa në të fundit ajo "teverruk", mirëpo mes tij dhe Shafiut ekziston një dallim te namazet me një ulje. Përderisa Shafiu ishte i mendimit qenë namazet me një ulje, namazfalësi të aplikojë pozitën "teverruk", Ahmedi është i mendimit që në namazet me një ulje, si ai i sabahut, xhumasë dhe i bajrameve, mos të aplikojë pozitën "teverruk", por atë "iftirash."(2)
Se kjo formë është më e fuqishme, tregon edhe fakti se pjesa dërrmuese e namazfalësve e praktikonin më tepër, madje që nga gjeneratat e hershme. E, në lidhje me këtë, Tirmidhiu, pasi që sjell hadithet në lidhje me këtë çështje, për uljen "iftirash", thotë: "Kjo praktikohet nga shumica dërrmuese e dijetarëve. Njëherit ky opinion është i Sufjan Thevriut, Abdullah Mubarekut dhe i banorëve të Kufës."(3)

Argumentet për uljen "iftirash"

Hanefitë, kur parapëlqejnë pozitën "iftirash", (ndërsa femrat pozitën "teverruk", ngase kjo është më e mbrojtur për to), e arsyetojnë se i Dërguari i Allahut në pjesën më të madhe të jetës së tij e kishte aplikuar një formë të tillë gjatë uljes në namazet e tij. Këtë formë apo pozitë, siç do ta shohim edhe në vijim nga hadithet, e kanë praktikuar në masë të madhe edhe gjeneratat e hershme dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve, ashtu siç e ka pohuar dhe miratuar vetë kolosi i sunetit, Tirmidhiu. Ndërsa hadithet e tjera që përmendin pozitën tjetër "teverruk", shpjegohen se kjo ka ndodhur në pjesën e fundit të jetës së Pejgamberit a.s., për shkak të sëmundjes, dobësisë apo edhe pafuqisë së tij që të ulet në pozitën "iftirash".(4) Por, mund të jetë edhe si mësim për sahabët se edhe kjo pozitë është e lejuar.
Ka shumë argumente që përcillen nga suneti rreth uljes në namaz, do të sjellim disa prej tyre, duke filluar nga hadithi i transmetuar nga Vaili: N a ka treguar Ebu Kurejbi i cili thotë: "Na ka treguar Abdullah ibën Idrisi nga Asim ibën Kulejbi, ky nga babai i tij, e ky nga Vail ibën Huxhri, i cili thotë: "Erdha në Medinë dhe thashë: (tash) Do ta shikoj namazin e Pejgamberit a.s., e kur ai u ul (për teshehud) e shtriu këmbën e majtë dhe vendosi dorën e majtë mbi gjurin e tij të majtë e këmbën e djathtë e mbajti në pozitën pingule (me gishta të kthyer nga kibla)."(5)
E, në Sunenin e Ebu Davudit, po ashtu nga Vaili, ky transmetim është më detajizues sesa ai paraprak, ndonëse nuk do ta sjellim të tërin për shkak se hadithi është i gjatë: “Na ka treguar Museddedi, na ka treguar Bishr ibën el-Mufeddal nga Asim ibën Kulejbi, ky nga babai i tij, e ky nga Vail ibën Huxhri, i cili ka thënë: "Thashë: Do ta shikoj namazin e Pejgamberit a.s. se si do të falet ai. U ngrit (Pejgamberi a.s.), u drejtua kah kibla, mori tekbir dhe i ngriti duart e tij gjersa ato ishin afër veshëve të tij ... " Më pas u ul dhe këmbën e majtë e shtriu dhe dorën e majtë e vendosi në gjurin e majtë, kurse dorën (bërrylin) e djathtë mbi gjurin e djathtë, kapi dy gishta dhe bëri një lëvizje. Unë e pashë atë tek thoshte: "E kapi gishtin e madh me të mesmin dhe dha shenjë (e ngriti) me gishtin tregues."(6)
Ky hadith ka ardhur në formë të përgjithshme, pa kushtëzuar pozicionin "iftirash" në uljen e parë apo në të dytën. Kjo është e qartë dhe mjaft e kuptueshme nga mesazhi që jep hadithi.
Hadithi në vijim është hadithi i transmetuar nga Aisheja dhe është hadith detajizues rreth faljes së namazit të Pejgamberit a.s. që nga tekbiri fillestar e deri tek përfundimi i namazit: “Na ka treguar Muhamed ibën Abdullah Numejri, na ka treguar Ebu Halid (el-Ahmeri), nga Husejn el-Mualim, i cili ka thënë: "Na ka treguar Is'hak ibën Ibrahimi (teksti është i tij) dhe ka thënë: "Na ka treguar Husejn el-Mualimi, nga Budejl ibën Mejsereh, ky nga Ebu-l Xhevzai, e ky nga Aisheja, e cila ka thënë: " ... E shtrinte këmbën e majtë, kurse të djathtën e mbante pingul..."(7)
Hadithi është dëshmi se i Dërguari i Allahut e aplikonte një pozicion të vetëm gjatë uljeve në teshehud, si në të parin ashtu edhe në të dytin e që është pozicioni "iftirash". E, po të ishte ndonjë tjetër pozicion, sigurisht se do ta përmendte Aisheja. Ky është kuptimi i hadithit!
Hadithi në vijim është ai që transmetohet nga Ebu Humejdi: Na ka treguar Bundari dhe tha: "Na ka treguar Ebu Amir el-Akadij, i cili tha: "Na ka treguar Fulejh ibën Sulejmanel-Medenij, i cili tha: "Na ka treguar Abas ibën Sehles-Saidij dhe tha: "U takuan Ebu Humejdi, Ebu Usejdi, Sehl ibën Sa'di dhe Muhamed ibën Meslemeh dhe përkujtuan namazin e të Dërguarit të Allahut. Ebu Humejdi u tha: "Unë jam më i dituri prej jush për namazin e të Dërguarit të Allahut dhe tha: "I Dërguari i Allahut u ul në teshehud, e shtriu këmbën e tij të majtë, gishtat e këmbës së djathtë i drejtoi kah kibla, bërrylin e djathtë e vendosi në gjurin e djathtë, përderisa bërrylin e dorës së majtë e vendosi në gjurin e majtë dhe sinjalizoi me gishtin e tij tregues."(8)

Argumentet për uljen "teverruk"

Maliku në "Muvetta", përcjell se i biri i Abdullah ibën Omerit kishte praktikuar pozitën" teverruk", ndërsa kishte sinjalizuar se edhe Ibën Omeri kishte praktikuar një gjë të tillë: “Maliku nga Jahja ibën Seid përcjell se Kasim ibën Muhamedi u kishte treguar atyre në praktikë për uljen në teshehud, ku këmbën e djathtë e kishte pingule, gjersa të majtën e kishte shtrirë dhe ishte ulur në anën e majtë e nuk ishte ulur mbi këmbën e tij. Më pas tha: "Kështu më tregoi Abdullah ibën Abdullah ibën Omeri dhe më tregoi mua se babai i tij vepronte ashtu."(9)
Shumë komente e analiza janë bërë në lidhje me tregimin e Ibën Omerit rreth formës së uljes, në disa transmetime vërtetohet se ai kishte praktikuar pozicionin ulur "iftirash": “Na ka lajmëruar Rrebi' ibën Sulejman ibën Davudi, i cili ka thënë: "Na ka treguar Is'hak ibën Bekër, i cili ka thënë: "Na ka treguar babai im nga Amër ibën Harithi, ky nga Jahja se Kasimi ka treguar nga babai i tij (Abdullah ibën Omeri) të ketë thënë: "Nga suneti i namazit është mbajtja e këmbës së djathtë pingul, drejtimi i gishtave të saj në drejtim të kibles dhe ulja mbi këmbën e majtë."(10)
Ndërsa sipas një transmetimi tjetër që është autentik vërtetohet se ai e kishte praktikuar pozicionin "terebbu", me këmbë të kryqëzuara, gjersa e kishte ndaluar për të tjerët: Na ka treguar Abdullah ibën Meslemeh nga Maliku, ky nga Abdurrahman ibën el-Kasimi, e ky nga Abdullah ibën Abdullahi (ibën Omeri) se ai e kishte vështruar Abdullah ibën Omerin gjersa është ulur në namaz kishte kryqëzuar këmbët. Gjithashtu edhe unë veprova ashtu njëherë derisa isha i ri në moshë, por më ndaloi Abdullah ibën Omeri dhe tha: "Nga suneti i namazit është të ngrihet këmba e djathtë, kurse të shtrihet e majta." Unë i thashë: "E ti po vepron kështu (me këmbë të kryqëzuara)." Ai m'u përgjigj: "Këmbët e mia nuk mund ta mbajnë trupin tim."(11)
Këtu përmendet arsyeja se përse kishte vepruar ashtu, do të thotë nuk mund të qëndronte ndryshe dhe e kishte ndaluar të birin e tij të vepronte ashtu, ndërsa i kishte treguar për formën e uljes sipas sunetit, e që është "iftirashi". Pozicionet e tjera mund të merren në konsideratë si pozicione alternative apo dytësore në rastet kur pozicioni "iftirash" ka qenë i pamundur të aplikohet nga vështirësia, sëmundja apo pleqëria.
Një tjetër element që ndërlidhet me veprimet e Ibën Omerit është edhe fakti se hadithi i parë që tregon për pozicionin "teverruk" është përshkrim (hadith fi'li), gjersa versionet e transmetimeve të përzgjedhura nga hanefitë për pozicionin "iftirash" janë verbale (el-ehadith el-kavlije), dhe se kjo sipas shkencës së usulit (usului-hadith) ka përparësi ndaj së parës.
Më herët kam përmendur një transmetim të Ebu Humejdit rreth pozicionit të uljes "iftirash", ekziston edhe një transmetim thuajse i ngjashëm me të, por që përmend pozicionin tjetër të uljes në namaz: "teverruk": “Na ka treguar Ahmed ibën Hanbeli, na ka treguar Ebu Asim ed-Dahak ibën Mahledi, na ka treguar Museddedi, nga Jahja, i cili ka thënë: "Na ka lajmëruar Abdulhamidi (i biri i Xhaferit), më ka lajmëruar Muhamed ibën Amër ibën Atau, i cili ka thënë: "E kam dëgjuar Ebu Humejd es-Saidij, në prezencë të dhjetë sahabëve, në mesin e tyre ishte Ebu Katadeh, të ketë thënë: "Unë jam më i dituri prej jush për namazin e të Dërguarit të Allahut! I thanë: "Përse?" Tha ai: "Për Zotin unë isha nga mesi juaj që më së shumti e ndoqi atë dhe më i hershmi prej jush që e shoqëroi. Gjithsesi i thanë ata. Ai tha: " ... Derisa i Dërguari i Allahut ishte në sexhdenë e fundit pas së cilës përfundon edhe namazi, e lëshoi këmbën e tij të majtë dhe u ul "teverruk" duke u mbështetur në anën e majtë (në tokë)." Të pranishmit i thanë: "E the të vërtetën, ngase kështu falej i Dërguari i Allahut!"(12)
Siç kam përmendur Ebu Humejdi është prej sahabëve të mëvonshëm dhe ka mundësi që, sipas këtij transmetimi, ta ketë parë të Dërguarin e Allahut tek ulej në pozitën "teverruk" nga fundi i jetës së tij për shkak të pamundësisë apo sëmundjes së tij. Megjithatë ka mundësi që transmetimi i tij i fundit të jetë në kontekstin e lejueshmërisë se edhe kjo formë është e ligjërishme. Prandaj, ky transmetim mund të jetë indikacion për lejueshmërinë e një forme të tillë, me theks të veçantë kur të paraqitet nevoja për një gjë të tillë.

Analizë

Hadithet e cekura sipër, që të gjitha autentike, dëshmojnë se i Dërguari i Allahut e aplikonte formën "iftirash" dhe se të gjitha këto hadithe, sikurse ato transmetime që përcillen nga Aisheja e të cilat pasqyrojnë (në masë të madhe) namazin në shtëpi, apo transmetimet e tjera nga sahabët e ndryshëm; janë indikacione të qarta se "iftirashi", gjegjësisht ulja mbi këmbën e majtë të shtrirë në tokë dhe mbajtja e këmbës së djathtë në formë pingule, me gishtat të kthyer kah kibla, ka qenë praktikë e zakonshme e të Dërguarit të Allahut. Kjo praktikë ka qenë dominuese te shoqëria myslimane dhe se është parë si formë më e vërtetuar nga shumica dërrmuese e dijetarëve dhe plejada e tyre, ashtu siç e përmend Tirmidhiu në Sunenin e tij. Këtë formë apo pozicion të uljes, e preferonin edhe dy kolosët e hadithit: Sufjan Thevriu dhe Abdullah Mubareku.
Në hadithin që e kemi përmendur nga Vaili, i cili kishte ardhur nga Jemeni në Medinë, kishte vështruar faljen e të Dërguarit të Allahut, nga tekbiri fillestar e deri tek mbarimi i namazit; ai në përshkrimin që i bën tregon se i Dërguari i Allahut ishte ulur në pozitën "iftirash". Pra, fjalët e tij nuk dëshmojnë se ai e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, apo ta ketë dëgjuar ndonjë sahabij të tregonte rreth uljes në namaz, por dëshmojnë se e ka parë me sytë e tij, madje e ka vështruar komplet faljen e namazit nga i Dërguari i Allahut.
Hadithi i përcjellë nga Aisheja vjen sigurisht nga një kënd tjetër, nga një rreth më i ngushtë, nga familja dhe se ajo për shkak të afërsisë me të Dërguarin e Allahut, e ka parë çdo ditë nga afër faljen e të Dërguarit të Allahut dhe në bazë se çfarë ka parë, ajo më vonë edhe ka transmetuar. Edhe ky hadith, sikurse ai paraprak, tregon se forma e përdorur në ulje gjatë namazit ka qenë "iftirashi", pa bërë ndonjë dallim mes uljes së parë dhe së dytës.
Hadithi i transmetuar nga Ebu Humejdi ku përshkruan të falurit e të Dërguarit të Allahut vjen në një periudhë tjetër, atë pas vdekjes së Pejgamberit a.s., pasi që Ebu Humejd es-Saidij ka qenë prej sahabëve të mëvonshëm dhe ka vdekur 60 vjet pas hixhretit, sipas asaj që përmend Dhehebiu,(13) gjegjësisht 50 vjet pas vdekjes së Pejgamberit a.s .. Fjalët e Ebu Humejdit: "Unë jam më i dituri prej jush për namazin e të Dërguarit të Allahut .. " tregojnë për një rreth të ngushtë të sahabëve të cilët e kishin përkujtuar namazin e të Dërguarit të Allahut shumë vjet pas vdekjes së tij e që, në mesin e tyre, sigurisht se Ebu Humejdi ishte më i dituri prej tyre, ngase ishte i njohur edhe si fekih (jurist). Ndërsa hadithi tjetër i transmetuar prej tij që tregon për formën "teverruk" të uljes së Pejgamberit a.s. mund të komentohet se ajo ka qenë nga fundi i jetës së Pejgamberit a.s. dhe kështu mund të bëhet edhe bashkimi i haditheve që, në vështrim të parë, duken të kundërta. Në anën tjetër, shumë dijetarë janë të mendimit se hadithi i transmetuar nga Ebu Humejdi ka shkëputje (el-munkati') dhe ka parregullsi në zinxhirin transmetues dhe në tekst (mudtarib el-isnad vel-metn).(14)
Përfundimisht, mund të themi se forma e uljes së Pejgamberit a.s. gjatë namazit të tij ka qenë "iftirashi", duke mos përjashtuar edhe formën tjetër "teverruk", sepse ka transmetime edhe për atë formë, por që hanefitë formën e fundit e ndërlidhin me arsyen se ajo mund të jetë bërë nga pamundësia, dobësia apo edhe sëmundja gjatë fundit të jetës së Pejgamberit a.s. Kjo mund të dëshmohet edhe me rastin kur ibën Omeri ishte falur dhe ishte ulur në pozitën "teverruk" apo edhe në formën "terebbu'" që njihet me këmbë të kryqëzuara, ndërsa djali i tij pasi e kishte pyetur, ai i ishte përgjigjur: "Këmbët e mia nuk mund ta mbajnë trupin tim."(15)
Pozicioni i uljes "iftirash" është më lehtë i praktikuar, me theks të veçantë nga ata që janë të rinj, të shëndoshë dhe nuk kanë ndonjë pengesë, gjersa" teverruki" është më i rëndë në aplikim, por që për të moshuarit dhe të sëmurët mund të jetë një alternativë dhe një opsion më i lehtë. Sido që të jetë, të dyja pozicionet e uljes gjatë namazit janë legjitime, përderisa ka tekste për ty dyja, mirëpo" iftirashi" njihet si metodë më e aplikuar përgjatë gjithë historisë islame!

(1) Merginani, El-Hidajeh-Sherhflidajeti-I Mubtedi', v.I, f.52- 53.
(2) Bedrudin el-Ajni, El-Benajetu Sherhi-l Hidajeh, . .v.II, f.262.
(3) Tirmidhiu në Sunen, nr.292, v.l, f.379.
(4) Serhasij, El-Mebsut, v.I, f.27.
(5) Tirrnidhiu në Sunen, nr.292 dhe thotë se hadithi është autentik. Hadithi përcillet perms transmetimeve të shumtadhe nuk kadyshim se është autentik. Këtë e pohojnë thuajse të gjithë hdithologët.
(6) Ebu Davudi në Sunen, nr.624 dhe 820. Albani pasi që i vlerëson hadithet në Sunerun e Ebu Davudit, kur vjen te hadithi në fjalë, jep këtë vlerësim: "Autentik (sahih)". Shih: Albani, Sahih ve Daif Sunen Ebi Davud, nr. i hadithit 726 dhe 957.
(7) Muslimi në Sahih, nr.498 (240). Hadlthi është autentik.
(8) Tirmidhiu në Sunen, nr. 293. Ebu Davudi në Sunen, nr. 734. Hadithi është autentik.
(9) Maliku në Muvetta, nr.298; Bejhekiu në Sunenel-Kubra, nr. 2778.
(10) Nesaiu në Sunenel-Kubra, nr. 748.
(11) Buhariu në Sahih, nr.827; Maliku në Muvetta, nr.87, 297; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1537.
(12) Ebu Davudi në Sunen, nr.730; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1538; Bejhekiu në Sunenel-Kubra, nr.2517. Hadithi është i gjatë dhe përshkruan thuajse tërë procesin e namazit, nga fillimi gjer në mbarim. Kam shkëputur vetëm pjesën që ndërlidhet me tematikën e pozicionit të uljes.
(13) Dhehebiu, SijerA'lamu-n Nubela, v. II, f.48I.
(14) Tehanevi, I'Iau-s Sunen, v.III, f.97.
(15) Buhariu në Sahih, nr.827; Maliku në Muvetta, nr. 87, 297; Tahaviu në Sherh Meani-l Athar, nr.1537.



Mr. Ejup Haziri

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.