Rrugët më të mira për forcimin e raporteve në shoqëri (2)

Një fjalë e urtë arabe thotë: "Shëndeti është një kurorë e artë mbi kokat e njerëzve të shëndoshë. që askush nuk e vëren përveç të sëmurëve".

El-Bera bin Azib r.a. tregon dhe thotë: "Na ka urdhëruar Resulullahu s.a.v.s. për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera. Na ka urdhëruar për përcjelljen e kufomës - xhenazes, vizitën e të sëmurit, përgjigjen ndaj ftesës, ndihmën ndaj viktimës, përmbushjen e betimit, kthimin e selamit, Lutjen për atë që teshtin dhe na ka ndaluar nga enët e argjendta, nga bartja e arit (unaza), nga mëndafshi me llojet e tij (qofshin rroba, mbulesa, shtroje, këmisha)." Transmetuesi nuk e ka përmendur të shtatën e ajo është mbulesa prej mëndafshi e shalës së devesë."(1)

Vizita e të sëmurit

Prej detyrave që ka myslimani ndaj vëllait të vet është edhe që ta vizitojë kur të jetë ai në gjendje të sëmurë. Shëndeti është prej begative të veçanta të Allahut që ia ka dhuruar robit të Tij, sikurse është edhe siguria. Njeriu e vlerëson fare pak shëndetin kur e ka.
Një fjalë e urtë arabe thotë: "Shëndeti është një kurorë e artë mbi kokat e njerëzve të shëndoshë, që askush nuk e vëren përveç të sëmurëve". Kur njeriu është i sëmurë, është në sprovë. Kur shërohet, ai patjetër duhet ta pyesë veten se si u sëmur dhe përse u shërua. Në këtë mënyrë ai vetëdijesohet për shumë lëshime të së kaluarës dhe përgatitet për të vepruar shumë më mirë sesa më herët. Ai bëhet human, bën mirësi ndaj prindërve, fqinjëve, farefisit dhe shoqërisë në përgjithësi. Ai vetëdijesohet për shoqërinë dhe rolin e vizitës së të afërmit të sëmurë në mënyrë që të mos gabojë dhe të mos japë llogari para Allahut xh.sh ..
Në hadithi kudsij thuhet: "I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet Allahu i Madhëruar do të thotë në Ditën e Kiametit: "O bir i Ademit, jam sëmurë e nuk më ke vizituar." Ai thotë: "O Zoti im, si të të vizitoja Ty, kur Ti je Zoti i botëve?!" Allahu i përgjigjet: "A nuk e ke dëgjuar se u sëmur filan robi Im, a nuk e ke ditur se sikur ta vizitoj e, më gjeje Mua te Ai?! ... “(1)
Për vlerën e vizitës së të sëmurit tregon edhe kjo thënie e Resulullahut s.a.v.s.: "Kush e viziton një të sëmurë, ai është në kopshtin e Xhenetit derisa të kthehet.”(2)
Pejgamberi s.a.v.s. i kishte vizituar sahabët kur ishin të sëmurë dhe kishte bërë lutje për shërim, siç kishte ndodhur me vizitën tek Sead bin Ebi Vekkasi, kur ishte lutur për shërimin e tij. Po ashtu Pejgamberi s.a.v.s. kishte vizituar edhe Xhabir bin Abdilahun, i cili nga sëmundja ishte alivanosur, atëherë Resulullahu s.a.v.s. mori abdes dhe e stërpiku me ujë e ai u zgjua nga ajo gjendje. Njëherë Pejgamberi a.s. vizitoi një beduin të vrazhdë dhe filloi të lutej për të, por ai e refuzoi".(3)
Prej rregullave që myslimani duhet t'i ketë parasysh gjatë vizitës së të sëmurit është edhe moszgjatja e qëndrimit tek i sëmuri. Për këtë kemi një ilustrim që Imam Dhehebiu e cek në biografinë e El-E'arnesh-it, i cili kur u sëmur për një kohë të gjatë e njerëzit filluan ta vizitonin duke ndenjur mjaft gjatë, ai u shqetësua, kështu që vendosi t'ua përshkruante sëmundjen e tij në letër dhe shkaqet e saj dhe e vendosi nën jastëkun që flinte. Kur njerëzit e pyesnin për sëmundjen e tij, ai e nxirrte letrën e shkruar dhe u thoshte që ta lexonin, saqë më vonë e vendosi nën sqetulla nga shqetësimi i njerëzve dhe shkroi edhe një fjali: "Allahu i shëroftë të sëmurët tuaj!".
Prej rregullave të tjera është edhe të shprehurit me fjali lehtësuese për të sëmurin, paraqitja e sëmundjes si e lehtë me fjalë të shkurtra dhe mospërdorimi i fjalëve që e frikësojnë apo i duken rrezik për jetën.
Kur Pejgamberi s.a.v.s. vizitonte të sëmurin, i thoshte me fjalë të shkurtra: "Nuk ke gjë, kjo është vetëm një pastrim, nëse do Allahu."(4)
Disa dijetarë kanë thënë: "Kur ta vizitosh një person që i është vështirësuar sëmundja dhe shihen shenjat e vdekjes, përpiqu që t'ia mbjellësh mendimin e mirë për Allahun dhe përgëzoje me Xhenet dhe t'i japësh shpresa të mira për tek Allahu xh. sh .. "
Veprat e të sëmurit do të regjistrohen të plota ashtu siç i kishte vepruar kur ishte i shëndoshë. Resulullahu s.a.v.s. thotë: "Kur njeriu sëmuret ose udhëton, i shkruhet shpërblimi për atë vepër që punon sikur të ishte në vendin e tij ose të ishte i shëndoshë."(5)
Allahu xh.sh. e di se robi i Tij, i cili ishte i përpiktë në kryerjen e adhurimeve dhe punëve të tjera, po të mos ishte i sëmurë do t'i kryente në formën e plotë, ndaj shpërblimi i shkruhet i plotë sikurse kishte vepruar më herët, sepse nijeti është i tillë.

Përgjigjja ndaj ftesës

Prej detyrave të myslimanit ndaj vëllait të vet është edhe përgjigjja ndaj ftesave që ia bën ai. Disa ftesa janë obligative, disa të pëlqyeshme e disa të ndaluara. Prej ftesave të detyrueshme janë marrja pjesë në dasma, ceremoni synetllëku, ceremoni të përfundimit të shkollimit apo diplomimit në specializime të vështira, mjekësi, arkitekturë, elektroteknikë apo edhe në ceremonitë fetare, si p.sh. në hatme të Kuranit, koncerte me karakter fetar, me ilahi, kaside, ligjërata etj ..
Transmetohet se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Kur ndokush ju fton në ceremoninë e dasmës, përgjigjuni ftesës."(6)
Urdhri në këtë hadith ka karakterin e obligueshmërisë, nëse në atë dasmë apo ceremoni nuk ka gjëra të ndaluara, që bien në kundërshtim me sheriatin.
Ai që bën ftesa për njerëzit nuk ka dyshim se fton njerëzit e farefisit, të dashurit, miqtë, kolegët. Ai i fton që të marrin pjesë në gëzimin e tij duke ndier se gëzimi i tij është edhe gëzimi i tyre, kënaqësia e tij është edhe kënaqësia e tyre. E kush nuk i përgjigjet ftesës së vëllait të tij, ai sikur e injoron atë dhe afërsia e tij është lëkundur dhe është drejt fundit. Për këtë arsye shohim shumë hadi the që ftojnë në mënyrë kategorike për përgjigjen ndaj ftesave, në mënyrë që lidhjet shoqërore të mos marrin fund. Nganjëherë mospërgjigjja ndaj ftesës shpie në urrejtje dhe armiqësi mes zemrave të njerëzve dhe mund të jetë shkaktar i prishjes së raporteve të mira të ndërtuara në vite.
Në këtë kapitull nuk bëjnë pjesë ceremonitë që kanë të bëjnë me hulumtime shkencore, politike, ekonomike, kongreset, seminaret, tubimet e përkujtimeve e të ngjashme.

Ndihma ndaj viktimës

Fjala viktimë ka një kuptim të përgjithshëm. Ajo përfshin të gjitha klasat njerëzore pa dallim race, gjuhe, etniteti, kulture dhe feje. I viktimizuar mund të jetë myslimani dhe jomyslimani, i riu dhe plaku, gruaja dhe fëmija. Të ndihmuarit e tyre është obligim apo detyrim me të cilin ngarkohen një grup njerëzish në bazë të mundësive dhe nuk kanë frikë se mund të dëmtohen. Kurani besimtarët i ngre në shkallën më të lartë duke i cilësuar vëllezër: "Pa dyshim që besimtarët janë vëllezër. Kështu pra vendosni pajtimin ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun, që të mund të fitoni mëshirën e Tij." (El-Huxhuratë, 10)
T'i pajtosh zemrat e ndara dhe të pikëlluara është një vepër kulminante, përmes së cilës njeriu del në krah të viktimës.
Myslimani nuk e do padrejtësinë, e urren dhe e kundërshton në çdo kohë dhe nga çdokush. Padrejtësia në Ditën e Kiametit do të shumëfishohet. Allahu xh.sh. nuk e do zullumqarin, madje ia ka ndaluar padrejtësinë Vetes së Tij dhe njëkohësisht e ka ndaluar edhe mes krijesave. T’ia zgjatësh dorën e ndihmës dhe mirësisë viktimës apo nevojtarit përbën ndjeshmërinë më të lartë njerëzore dhe humane në shpirtin e njeriut. Në këtë kontekst, Resulullahu s.a.v.s. thotë: "Ndihmoje vëllanë tënd zullumqar ose viktimën e zullumqarit. Ne i thamë: "O i Dërguar i Allahut, ne e ndihmojmë viktimën e zullumqarit, por si ta ndihmojmë zullumqarin?!" Ai tha: "Ta largosh nga e keqja, kjo është ndihma ndaj tij."(7)
Myslimani nuk e braktis vëllanë e tij në fushën e mejdanit, por qëndron në krah të tij duke e ndihmuar, përkrahur dhe mbrojtur.
Ai shpejton në vepra që reflektojnë pozitivisht për ta ndihmuar vëllanë e tij, duke mos mjaftuar vetëm me deklarata, opinione, hytbe, ligjërata dhe fjalë të thata ngase këto janë gjërat që lakmon kundërshtari.
Ndihma e fiton rëndësinë e saj kur jepet në bazë të nevojës dhe mundit. Nganjëherë ndihma bëhet me armatim, nganjëherë me gjak, nganjëherë me pasuri, nganjëherë me fjalë këshilluese, nganjëherë me mjete diplomatike dhe politike. Duhet t'i apelojmë çdo myslimani që padrejtësia të mos ketë vend në mesin e besimtarëve, të mos ketë zullumqarë dhe viktima të zullumqarit, por secili t'i gëzojë të drejta e tij dhe të jetë i lirë e i qetë në çështjet e tij. Të vërtetës duhet t'i japim përparësi edhe pse injorantët ndoshta na shqetësojnë.

Përgjigjja me mirësi ndaj betimit

Vetë nocioni ibrar ka kuptimin e mirësisë dhe respektit ndaj besimtarit. Antonimi i kësaj fjale është el-hanithu - i pabesë, që thyen betimin. Kuptimi i kësaj shprehjeje në hadith është kur personi të betohet për t'i dhënë nga pasuria jote ose betohet duke kërkuar ndonjë ndihmë, ose betohet për t'i mësuar ndonjë çështje me rëndësi, ose të betohet për t'i ushqyer jetimët, atëherë përgjigj u betimit të tij me mirësi dhe realizoj e shpresën e tij. Ky veprim është prej moralit dhe etikës së Pejgamberit s.a.v.s., që nënkupton të jesh në krah të vëllait tënd kur ai ballafaqohet me probleme, të kesh kujdes për t'i kushtuar rëndësi çështjes së tjetrit kur këto gjëra mund të bëhen brenda mundësive, pa i bërë dëm vetvetes.
Dijetarët kanë thënë se përgjigjja me mirësi në betimin që të bëhet është sunet, nëse në këtë përgjigje nuk ka dëm. Sa i përket përgjigjes me mirësi në betimet që përmbajnë gjëra të ndaluara, si alkool, bixhoz, lojëra fati, mëkate etj., ai nuk merret parasysh dhe një betim i tillë nuk duhet të përmbushet. Përkundrazi, një gjë e tillë është haram - e ndaluar. E me këtë i përmbahemi rregullës: "Nuk ka respekt ndaj krijesës kur i bëhet mëkat Krijuesit."(8)
Kur jemi te betimi, vlen të ceket se është e mundshme që njeriu të betohet vetë në Allahun xh.sh. dhe betimit të tij t'i përgjigjet Allahu xh.sh .. Për shembull, një person mund të betohet në Allahun xh.sh. se nesër do të bjerë shi dhe vërtet ndodh një gjë e tillë. Ai thotë: "Vallahi bil-lahi, nesër do të bjerë shi", e këtij betimi Allahu xh.sh. t'i përgjigjet për shkak të devotshmërisë dhe sinqeritetit që ai ka me Allahun. Në këtë kontekst Resulullahu s.a.v.s. thotë: "Ka disa prej robërve të Allahut, sikur të betohen në Allahun, Ai do t'u përgjigjet betimit të tyre."(9)
Me këtë konfirmohet grada e lartë e personit dhe afërsia e tij shpirtërore me Allahun. I tillë ishte sahabi Bera bin Malik. Kur sahabët shkonin në luftë, i drejtoheshin atij që të betohej në Allahun xh.sh. se Ai do të na ndihmojë në fitoren tonë. Në një betejë me romakët sahabët nuk mund të mposhtnin një kala të tyre, prandaj El-Berau u betua në Allahun për fitore. Ai tha: "O Zoti im, Ti e di se unë të dua. O Zoti im, sot betohem në Ty që të na ndihmosh dhe më bëj mua dëshmori n e parë në këtë betejë!"!' Dhe ashtu edhe ndodhi, kalaja u pushtua, fitorja u arrit dhe ky u bë dëshmor i kësaj beteje.


________________________
1. "Sahihul Buhari': vëll. III, fq. 112, nr. 1239; vëll. XI,fq. 18, nr. 6235; Muslimi nr. 5356 Ndalesën e shtatë, të cilën e ka harruat transmetuesi "el-mithere - mbulesa e mëndafihtë e shalës së devesë" gjendet tek "Musnedi" i Ahmedit nga i njëjti transmetues, vëll. 37, fq. 488, nr. 17801
2. "Sahihu Muslim': vëll. Xll, fq. 440, nr. 4661.
3 "Sahihu Muslim”: vëll. XII, fq. 437, nr. 4658.
4. "Sahihul Buhari", vëll. VIII, fq. 149; "Sahihu Muslim”: vëll. 111, fq. 1234, nr.7.
5. "Sahihul Buhari”: vëll. 11, fq. 90; "Sahihu Muslim”: vëll. ll, fq. 652, nr. 945.
6 "Sahihul Buhari”: vëll. X, fq. 176, nr. 2774.
7. "Sahihul Buhari", vëll. Vl, fq. 143.
8. "Sahibu Muslim", vëll. II, fq. 1053, nr. 1429.
9. "Sahihul Buhari", vëll. 111, fq. 98.
10. "El-Mu'xhem el-kebir lit-Taberanij", vëll. Xlll, fq.60.
11. "Sahihul Buhari”: vëll. IX, fq. 209, nr. 2504; "Sunen Ebi Davud': vëll. XII, fq. 192, nr. 3979.
12. Dr. Aid El-Karnij, "El-misku vel inberu” fq. 123-124.



Prof.ass.dr. Musa Vila

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.