Tubimi i Kuranit në kohën e Uthman ibn Afanit

Iniciativa për tubimin e Kuranit kishte pasur edhe më herët, që në kohën e Ebu Bekrit dhe të Umerit r.a..

Pas përfundimit të betejës së Jemames dhe pas rënies dëshmor të shumë hafëzëve të Kuranit, Umer ibn Hatabi i kishte sugjeruar Ebu Bekrit r.a. që ta mblidhte Kuranin në një vëllim. Ebu Bekri në fillim hezitoi ta pranonte këtë sugjerim, por më vonë e kishte kuptuar se ky ishte veprim i arsyeshëm.
Për shkrimin e Shpalljes hyjnore për të Dërguarin e Allahut dhe për angazhimin e tij për t'i bindur njerëzit që duhej të kishte një lexim të vetëm të Kuranit, Uthman in Afani luajti një rol shumë të rëndësishëm. Për kontributin që Uthmani r.a. kishte dhënë në ndihmë të Pejgamberit a.s. për shkrimin e Kuranit, tregon edhe imam Ahmedi, i cili ka thënë: "Na ka treguar Abdus-Samedi, i cili thotë se i kishte treguar Fatima bint Abdurrahmani, e cila paska thënë: "Më ka treguar nëna, e cila e kishte pyetur Aishen, tek e cila e kishte dërguar xhaxhai i saj që t'i thoshte: 'Thuaji Aishes se njëri nga bijtë e saj e përshëndet me Es-selamu alejkum si dhe kërkon të dijë për Uthmanin, të cilin e kanë ofenduar njerëzit'. Aishja i kishte thënë: 'All-llahu e mallkoftë kë e mallkon atë, se, pasha Allahun, ai ka qenë te i Dërguari a.s. që ishte kthyer me kurriz nga unë, ndërkohë që Xhibrili i sillte shpalljen. I Dërguari i thoshte Uthmanit: 'Shkruaj, o Uthman! E, ta dini se Allahu nuk ia jep këtë pozitë përveçse atij që është i nderuar tek Ai".
E përmendëm më lart se nga kontributet e rëndësishme të Uthmanit është edhe unifikimi i besimtarëve për leximin e Kuranit në një version. Ai Mus'hafin e mblodhi dhe e shkroi ashtu siç i vinte Pejgamberit a.s. nga Allahu xh.sh., përmes Xhibrilit. Shkaku i unifikimit në një leximi ishte ky: "Hudhejfe ibn Jaman ishte në një betejë, ku nga të pranishmit e banorëve të Shamit dikush lexonte sipas mënyrës (versionit) të Mikdad ibn Esuedit, e dikush sipas versionit të Dardasë. Aty kishte edhe banorë të Irakut, të cilët lexonin sipas dialektit të Abdullah ibn Mes'udit dhe Ebu Musa el-Eshariut. Ky problem u rrit edhe më tepër me zgjerimin e pushtetit mysliman në kohën e Uthmanit. Pas shfaqjes së mosmarrëveshjeve rreth mënyrës së të lexuarit të Kuranit, Hudhejfe shkoi tek Uthmani r.a. dhe i tha: "Bjeri mbrapa këtij populli para se të përçahet rreth librit (Kuranit), siç u përçan çifutët dhe të krishterët".
Pas kësaj fjale i tregoi për atë që kishte parë tek myslimanët. Nga ky çast, Uthmani i tuboi ashabët dhe u këshillua me ta. Ai e pa të udhës që Mus'hafi të shkruhej në bazë të një leximi, që të mos kishte mosmarrëveshje në mes myslimanëve. Uthmani kishte dërguar dikë te Hafseja, e bija e Umerit, për të kërkuar Kuranin, në mënyrë që të shkruanin prej tij disa kopje. Ai urdhëroi katër djem të rinj që ta kopjonin (përshkruanin) Kuranin në disa kopje dhe, nëse gjatë kopjimit do të kishin ndonjë problem në lexim, le ta shkruanin në dialektin kurejshit. Me atë rast u shkruan shtatë kopje të Kuranit, të cilat u shpërndanë kësodore: një kopje në Mekë, një në Sham, një në Kufe, një në Basra, një në Jemen dhe një në Medinë. Uthmani r.a. dha urdhër që të digjeshin kopjet e tjera, të cilat nuk përputheshin me këto kopje.

Kopja origjinale e Kuranit në mekë

Analistët nuk janë në një gojë lidhur me numrin e mus'hafeve të përshkruara, megjithatë mendimi mbizotërues i shumicës së dijetarëve është: "Nga shtatë mus'hafet, njërin Uthmani e kishte lënë për vete dhe ai është quajtur "mus'hafi qendror". Në një transmetim tjetër thuhet se Uthmani r.a. kërkoi t'ia sillnin Mus'hafin që e kishte mbledhur Zejd ibn Thabiti në kohën e Ebu Bekrit. Ky Mus'haf gjatë jetës së Ebu Bekrit gjendej në shtëpinë e tij, pastaj kaloi te Umeri dhe më pastaj te Hafseja, e bija e tij, nëna e besimtarëve. Pasi ia sollën atë, e urdhëroi Zejdin që ta shkruante, kurse Seid ibn El-As t'ia diktonte në prani të Abdullah ibn Zubejrit dhe Abdurrahman ibn el-Harithit. Ai urdhëroi njëkohësisht që, nëse për ndonjë fjalë nuk ishin dakord, le ta shkruanin në gjuhën e kurejshëve. Kështu, banorëve të Shamit u shkruan një mus'hai, atyre të Egjiptit një tjetër, të Basras një dhe të Kufes një. Një e dërgoi në Mekë, një në Jemen dhe një e mbajti në Medinë. Për këto mus'hafe thuhet se janë prijëse. Asnjëri prej tyre nuk është shkruar nga Uthmani, por nga Zejd ibn Thabiti. Një kopje origjinale e Mus'hafit, e shkruar në kohën e Uthmanit r.a, gjendet e ruajtur edhe tash në bibliotekën e Mekës. Kjo kopje i është dhuruar bibliotekës në Mekë në vitin 1411 h., nga administrata për çështje fetare e myslimanëve të Azisë së Mesme në Kazakistan. Për sa i përket shprehjes së ashtuquajtur "Mus'hafet Uthmanijeh", dijetarët janë të mendimit se kjo i adresohet urdhrit të Uthmanit r.a. për ta shkruar Kuranin, siç thuhet "Dinar heraklian", "monedhë cezariane" etj., që do të thotë e prerë dhe e stampuar në kohën e tyre. Disa të tjerë këtë ngjarje e tregojnë pak më ndryshe, po nga Ebu Hurejre: "Kur Uthmani i shkroi Mushafet, tek ai hyri Ebu Hurejre dhe i tha: "Je i saktë dhe i suksesshëm! Dëshmoj se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: "Njerëzit më të dashur për mua janë ata që vijnë pas meje, më besojnë pa më parë, si dhe veprojnë sipas asaj që është shkruar në letrat e lidhura". Thosha: "Çfarë janë letrat e lidhura"? Derisa erdhi kjo ditë kur i pashë Mus 'hafet". Uthmanit i pëlqeu kjo dhe urdhëroi t'i jepnin Ebu Hurejres dhjetë mijë dërhemë, pastaj tha: "Pasha Allahun, nuk e kam ditur. Ti e mban sekret ndaj nesh fjalën e të Dërguarit" . Pastaj vendosi t'i digjte të gjitha Mus'hafet e tjera që ishin nëpër duart e njerëzve, që të mos ketë mosmarrëveshje". Ebu Bekër ibn Ebi Davudi thotë: "Na ka treguar Muhamed ibn Beshar, ky nga Muhamed ibn Xhafer dhe Abdurrahmani, të cilët thonë: Na ka treguar Shu'bah ibn Alkamah ibn Murthid, nga një njeri i cili transmeton prej Suejd ibn Gafalel, i cili tregon: Kur Uthmani i dogji Mus'hafet, Aliu r.a. më ka thënë: "Sikur të mos e bënte ai, do ta bëja unë". Këtë e transmetojnë edhe Ebu Davudi si dhe Amr ibn Merzuk nga Shu'be.

Uthmani dhe ezani i dytë i xhumasë

Po kështu edhe Bejhekiu e të tjerë transmetojnë nga hadithi i Muhamed ibn Abanit, -i shoqi i Nafrës së Huzejrit, nga Alkamel ibn Murthidi, i cili thotë: "E kam dëgjuar Surejd ibn Gafalen të thoshte: Aliu r.a. tha: "O njerëz, kini kujdes kur flitni për Uthmanin e mos e teproni. Thoni se i ka djegur Mus'hafet, por për Allahun, nuk i ka djegur pa qenë të pranishëm një grup ashabësh. E sikur të më binte në dorë diçka e tillë, do ta bëja, siç e bëri ai". Transmetohet se ibn Mes'udi u mërzit kur ia morën Mushafin, duke pretenduar se ishte më i vjetër në fe se Zejd ibn Thabiti, i cili e shkroi Mus'hafin, Ndërkohë i urdhëroi shokët e tij ta fshihnin duke lexuar thënien e Allahut: "E kush fsheh diçka, do të vijë me të Ditën e Gjykimit". Uthmani i shkroi aty ku e ftonte të bëhej bashkë me ashabët, meqë ishte në të mirë të punës. Abdullah ibn Mes'udi u bind dhe i la mosmarrëveshjet e kundërshtimet. Në lidhje me lënien e mosmarrëveshjeve ndërmjet myslimanëve, el-A'meshi thotë: "Më ka folur Muavi ibn Kurre, nëpërmjet dikujt tjetër, nga disa mësues të tij: Uthmani e fali drekën në Mina, katër rekate. Kur e mori vesh këtë ibn Mes'udi, e qortoi. Më vonë ai vetë e fali ikindinë katër rekate. Ti e qortove Uthmanin, -i thanë, -pse tani i fal katër rekate? Nuk dua mospajtime! -tha ai". Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: "Mospajtimet sjellin vetëm të këqija" .
Pra, nëse ibn Mes'udi do ta ketë ndjekur dhe pasuar Uthmanin në këto çështje jo aq të rëndësishme, ç'mund të themi lidhur me Kuranin, duke përfshirë këtu zbatimin e atij lloj këndimi të Kuranit që ua obligoi njerëzve, e jo ndonjë tjetër, Uthmani r.a. u akuzua kinse u jepte të afërmve të vet shumë shpërblime e dhurata dhe i vinte në poste e në pozita të larta të shtetit islam. E vërteta ishte se pjesëtarët e familjes së tij Beni Umejes kishin pozitat që i kishin fituar para se Uthmani të zgjidhej halif i myslimanëve. Muaviu, fjala vjen, u emërua vali i Shami t në kohën e Umerit, pikërisht për shkak të aftësive e jo për shkak të afrisë me Uthmanin. Ndërkaq, për sa u përket dhuratave, Aliu r.a. tregon: "Allahu e mëshiroftë Uthmanin, pasi i mbante më shumë lidhjet e tij të gjakut, madje më shumë se çdo ashab". Përkitazi me akuzën për dhënien e dhuratave të afërmve, ai këtë e bënte nga pasuria e tij private, dhe të gjithë e dinë se sa i pasur ishte Uthmani. Uthmani r.a. ishte akuzuar edhe për bidate në fe. Kjo ishte prej propagandave të ulëta të Ibn Sebesë. Ndër bidatet, për të cilat akuzohej, ishte edhe ngritja e tij në minber. Dihet se Pejgamberi a.s. kishte një minber prej tri shkallësh në xhaminë e tij, dhe ngjitej deri në shkallën e tretë. Kur e mori halifatin e myslimanëve Ebu Bekri, ai ndalej në shkallën e dytë, kurse Umeri ndalej në shkallën e parë. Uthmani r.a., pasi u zgjodh në këtë post, ngjitej në shkallën e tretë. Sikur edhe Uthmani të shkonte një shkallë më poshtë se Umeri, kjo do të thotë që ai duhej të qëndronte në tokë, në një kohë kur xhamia ishte zgjeruar dhe numri i njerëzve ishte shtuar shumë, prandaj ishte e domosdoshme që Uthmani të ngjitej në shkallën e tretë, në mënyrë që ta shihnin njerëzit dhe ai t'i shihte ata. Uthmani akuzohet edhe për shpikjen e dy ezaneve në ditën e xhuma. E vërteta është se numri i njerëzve ishte shtuar shumë në Medinë dhe, me qëllim që të gjithë ta dëgjonin ezanin dhe të shkonin në namazin e xhumasë, Uthmani r.a. kërkoi që të thirrej edhe ezani i dytë.



Dr. Fahrush Rexhepi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.