Urimi i myftiut të Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, për festën e Kurban-Bajramit

Me emrin e Allahut. Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Të dashur qytetarë
vëllezër dhe motra,

Nesër, më 21 gusht 2018, është dita e parë e festës së Kurban Bajramit, e cila për ne, besimtarët myslimanë, ka një rëndësi të madhe. Siç e dini, festat tek ne nuk janë thjesht festa por edhe momente të rëndësishme reflektimi. Së këndejmi, ato dallojnë, jo për shkak të ambientit dhe natyrës festive, por për shkak të mësimeve, këshillave dhe mesazheve përmbajtësore që përcjellin. Nëse, simbolikisht, festa e Fitër Bajramit lidhet me shpalljen e Kur’anit, atëherë festa e Kurban Bajramit lidhet me përmbylljen e kësaj shpallje. Si sot, mbi njëmijekatërqind vite më parë, Allahu i Madhëruar i shpalli Pejgamberit Muhammed a.s., në rrafshnaltën e Arafatit citatin që konsiderohet të jetë përmbyllës i shpalljes:
“…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” [Kur’ani: Maide: 3]
Në këtë përmbyllje të shpalljes fshihet edhe sekreti i madhështisë dhe fuqisë së kësaj feje. Shpallja e saj ka filluar dhe është përmbyllur drejtpërdrejt nga Allahu. Rëndësia e këtij fakti në kohën tonë, kur ka tendenca të keqinterpretimit të fesë, është e madhe. Islami është jo ajo çfarë thonë a interpretojnë gabimisht njerëzit. Ndaj, konsiderojmë se në këtë festë, ne kemi mundësi të mësojmë për Islamin prej Islamit, dhe këtë duke shpalosur disa prej vlerave dhe mësimeve universale të tij, si: respektimi i të drejtave, veçmas të drejtës së jetës, solidariteti me të varfrit, jetimët, luftimin e dukurive negative si: hakmarrja, vëllavrasja, vetëvrasja, korrupsionin, etj.

Të dashur qytetarë!
Kurban Bajrami, mbi të gjitha, është momenti në të cilin ne, me gjuhë dhe zemër, shprehim besimin e pastër në Zot, duke iu përkushtuar Atij me tërë qenien dhe duke ia kushtuar çdo adhurim, mu ashtu siç na ka mësuar në Kuran:
“Me të vërtetë që Ne të kemi dhënë ty shumë të mira, 2. andaj, falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban! 3. Sigurisht, ai që të urren ty, ai vetë është fatprerë.” [Kur’ani: Keuther: 1-3]

Të dashur besimtarë!
Kurban Bajrami është festa e cila vjen pas kryerjes së njërës nga kushtet e Islamit, pas haxhit dhe prerjes së kurbanit, një rituali që i dedikohet solidaritetit me të varfrit. Njeriut, si krijesa më e dalluar e Zotit, i është ofruar çdo gjë në natyrë, që ta përdorë për të përmbushur nevojat e veta në mënyrë racionale, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Nga këtu, gjaku dhe mishi i kurbanit, nuk janë gjëra me të cilat ne afrohemi tek Zoti i Mëshirshëm por janë qëllimet dhe gatishmëria jonë për të qenë pranë njëri tjetrit. Ne, jemi të mirë, kur jemi të dobishëm për të tjerët. Allahu na mëson në Kur’an:
“Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj…” [Kur’ani: Haxh: 37]
Kështu, ata që kanë mundësi materiale, duhet të prerë kurban që të gëzojmë të varfrit dhe familjet e tyre, sepse festa nuk ka kuptim nëse gëzimi nuk bëhet petk që mbulon tërë shoqërinë.
Po kështu, nesër dhe tre ditët në vijim, vizitoni njëri tjetrin dhe urojeni për këtë festë të madhe, sepse kështu lidhemi më fort me njëri tjetrin dhe ofrojmë pamjen më të bukur të përshkrimit pejgamberik të bërë neve ‘godinë pjesët e të cilës janë të pashkëputura njëra nga tjetra.’

Për fund,
Më lejoni që, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, t’ua urojë festën e Kurban-Bajramit juve, qytetarë të Republikës sonë, dhe të gjithë besimtarëve vëllezërve e motrave tanë në mërgatën e largët kudo që gjenden ata, me lutjen drejtuar Allahut që haxhilerëve tanë tua pranojë haxhillëkun, të pranojë prej nesh prerjen e kurbaneve si dhe popullin tonë ta begatojë me mirësi, siguri e prosperitet.
Urime festa e Kurban Bajramit!



Myfti i Republikës së Kosovës
Mr. Naim ef. Tërnava

Prishtinë,
20.08.2018

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.