Në Kosovë u prit dhe u kremtua festa e Kurban Bajramit

Si tradicionalisht, më 21 gusht 2018, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u prit dhe u kremtu duke falur namazin e Kurban Bajramit.

Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu hfz Xhelal Kaloshi, imam në Gjermani. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Kurban Bajramit Bahri ef. Sejdiu, ligjërues në këtë xhami i cili në fjalën e tij përveç tjerash tha se festa Kurban Bajramit është ditë e festimit, gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njeri-tjetrin. Ai tha se egoizmi dhe interesi i kësaj bote këtu nuk kanë vend dhe ndikim. Atu ku fletë ndërgjegjja e pastër, zemra e pastër dhe morali i lartë. Kjo është festë e sakrificës dhe haxhit ku haxhiut në ato vende të bekuara i përkujtohen fjalët e Muhamedit a.s. i cili në haxhin e fundit të tij duke i apeluar njerëzimit ku mes tjerash tha: O besimdrejtë ju jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe obligime, kurrfarë përparësi nuk ka mes arabit dhe joarabit, përveçse në devotshmëri dhe zemër të pastër.

Namazit të Kurban Bajramit i priu hfz Xhelal Kaloshi. Ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë. Kurban Bajrami nuk është thjesht festë. Nëse shikohet nga perspektiva e vlerave, mësimeve dhe urtësive, Kurban Bajrami është shkollë në vete. Vlerat dhe virtytet që kultivon kjo festë kalitin dhe farkëtojnë një karakter të fortë për besimtarin, të pandikuar nga kode, doke, zakone e veprime primitive. Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike dhe shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të ligën, që cenon të drejtat dhe liritë, vlerat dhe virtytet, njeriun dhe njerëzinë. Kurban Bajrami është kongresi vjetor në të cilin konfirmohet angazhimi i përhershëm i Islamit për të drejtat universale të njeriut. Nga kjo perspektivë, është edhe përgjigje ndaj atyre që padrejtësisht akuzojnë Islamin për shkeljen e të drejtave. Është momenti kur Islami flet për vetveten. Andaj ata që duan ta njohin më afër, më mirë dhe më thellësisht Islamin, tani e kanë mundësinë. Kurban Bajrami paraqet, simbolikisht, përmbylljen e shpalljes. Ligjërimi i Pejgamberit tonë Muhammedit a.s. gjatë ditëve të haxhillëkut, veçmas ai në Arafat, është një ligjërim përmbyllës dhe përmbledhës i filozofisë dhe mesazheve të misionit të tij. Kurban Bajrami është një festë, mësimet e të cilës nuk duhet lexuar vetëm në këtë ditë. Ato janë mësime që shërbejnë për të rregulluar jetën dhe përditshmërinë tonë. Fundja, kush mund të thotë se nuk kemi nevojë për to kur në mesin tonë ende ka vëllavrasje, vetëvrasje, vjedhjet e keqpërdorimet e pasurisë janë më shumë se kurrë më parë, shkelja e nderit të njeriut është për tu shqetësuar derisa femra dhe të drejtat e saja vazhdojnë të përbuzen.

Në këtë festë madhështore të haxhit lamtumirës të Muhamedit a.s.,, konfirmohen me theks të veçantë edhe të drejtat e femrës, të drejta këto që vazhdojnë të përbuzën dhe të abuzohet me to edhe sot e kësaj dite nga shoqëri të shumta nëpër botë. Fakti që Pejgamberi ynë Muhammedi a.s. e përzgjodhi të drejtën e femrës në mesin e shumë gjërave dhe çështjeve tjera me rëndësi në haxhin lamtumirës flet për përkushtimin e tij për të. Fillimisht na përkujtoi Allahun dhe përgjegjësinë që kemi para Tij, Allahu na përkujtoi edhe përgjegjësinë karshi femrës dhe të drejtave të saja, për të porositur më pas që të jemi të mirësjellshëm ndaj tyre. Nëse do të shpjegonim këtë të drejtë sipas tre të drejtave paraprake, atëherë me pak fjalë do të thoshim se Islami garanton të drejtën e femrës për të jetuar dinjitetshëm, e jo abuzuar me te. Allahu na urdhëron:“…Jetoni e silluni mirë me to!….” [En- Nisaë, 19]

Andaj, duke e marrë shkas këtë festë të madhe dhe mësimet e saja madhështore, të fillojmë që në vend të vrasjes e hakmarrjes, të falim e të shtrijmë dorën e pajtimit, në vend të fajdes e kamatës, të solidarizohemi me njëri tjetrin dhe të ndihmohemi, në vend të mohimit të të drejtave të femrës, ta marrim këtë festë si kampanjë në të cilën do të promovojmë këto vlera e të drejta të femrës të garantuara nga i Madhi Zot xh. sh., dhe të punojmë për jetësimin e tyre. Ngase femra është shtylla e shoqërisë, është gjysma e shoqërisë, por edhe gjysmën tjetër të shoqërisë njerëzore e lindi femra, ndaj meriton respekt e nderë edhe më të madh.

Në fund Myftiu Tërnava në emër të Kryesisë së BIRK-ut, në emër të të gjitha institucioneve të saja fetare dhe arsimore, dhe në emrin e tij personal, tua uroj festën e Kurban Bajramit të gjithë vëllezërve dhe motrave tonë si në Kosovë, brenda trojeve tona etnike shqiptare por edhe në mërgatën e largët, duke iu drejtuar Allahut me lutje që ta bëjë këtë festë gëzim për të gjithë ne! Është apel i vet festës që të lëmë anash inatet dhe mospajtimet e të bëhemi bashkë, jo vetëm për të festuar, por edhe për ta rregulluar jetën tonë. Ndaj, le të shërbejnë mësimet e kësaj feste si instruksione dhe këshilla përkatëse për të gjithë ne.

Edhe duanë e namazit të Kurban Bajramit e bëri myftiu Tërnava, pas së cilës uroi të gjithë besimtarët duke lutur Zotin që duatë e adhurimet të na i pranojë./bislame/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.