Edukimi i individit fillon që në foshnjëri

Dialektika e botës rinore është e pasur dhe e ndërlikuar. Rinia nuk e ka përvojën e duhur jetësore dhe mund të mos e dalloj të renë e vërtetë nga ajo false.

Mund të “joshet” nga “molla e ndaluar” e të ndikohet nga desinformacioni. Prandaj, nuk ka përse të trembemi për t’u dhënë fëmijëve njohurit e nevojshme mbi pasionin seksual, duhet edukuar fëmijët se si t’i frenojnë epshet dhe pasionet e tyre, duhet informuar mbi pasojat e kurvërisë. Më mirë është që fëmija të marrë njohuri nga prindi se sa nga “mësuesit e rrugës”.

Feja islame është për zhvillim të ekuilibruar me qëllim që njeriu të formohet në harmoni me instinktet e tija natyrore të cilët Allahu i krijoi në njeriun. Për t’u arritur ky ekuilibrim, ndihmon shumë edukata e cila siç thuhet fillon që me qumështin e nënës, respektivisht që në moshën e foshnjërisë, kohë kur fillojnë të formohen dhe të zhvillohen disa veti kryesore të personalitetit të fëmijës si anëtarë i ardhshëm i shoqërisë. Prandaj, për të përfituar fëmijë me edukatë të shëndoshë, me moral të lartë, me vullnet të fortë, me aftësi për të frenuar e drejtuar dëshirat dhe për të përmbajtur veten, fëmijë të cilët nuk i jepen eksitimit të parakohshëm seksual dhe ngacmuesve erotizues, rol të rëndësishëm dhe thuajse vendimtarë luan familja, e cila, nëse drejtohet dhe organizohet drejtë, sipas principeve të edukatës islame dhe porosive të Zotit, me siguri do të përfitojmë të rinj të shëndoshë dhe me karakter të plotë.


Filloni me kohë

Prindërit si institucioni i parë në edukimin e fëmijës, bartin përgjegjësinë më të madhe në orientimin e drejtë të fëmijëve të tyre.
Nëse fëmijës nuk i jepet edukata e drejtë në vitet e para të fëmijërisë, ai në moshën madhore do të jetë i çorientuar, dhe për këtë, fajtorë janë edukatorët e tij të parë. Këtu nuk nënkuptojmë vetëm edukatën familjare, por edhe atë seksuale, e cila është edhe esenciale për një zhvillim stabil dhe të drejtë të njeriut, e që, mjerisht, në mesin tonë i kushtohet shumë pak rëndësi.
Edukimi seksual është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e plotë dhe të shëndoshë të personalitetit të brezit të ri. Pedagogjia thotë se edukata fillon që me lindjen e fëmijës dhe se në edukatë nuk ka “vogëlsira”. Dihet gjithashtu se në moshat e fëmijërisë hidhen bazat kryesorë të formimit të personalitetit dhe të karakterit të njeriut të cilat përbëjnë themelin e jetës së tij të ardhshme.
Qysh në vogëli fillojnë të formohen pikëpamje të caktuara të cilat luajnë rol të madh në edukimin e mëvonshëm, përfshirë edhe atë seksual.
Prandaj, edhe puna për edukimin seksual duhet të fillojë më parë se sa të formohen e rrënjosen pikëpamjet e gabuara dhe shpesh të dëmshme për jetën e ardhshme.
Edukata seksuale për moshën fëmijërore deri në fillim të pjekurisë përfshinë një radhë problemesh, por si më kryesorët janë:
Të edukohen fëmijët me parimet e moralit të lartë, me aftësinë për të
frenuar e drejtuar dëshirat dhe për të përmbajtur veten;
Të ruhet psikika e fëmijëve;
Të parandalohen veset e këqija dhe eksitimi i parakohshëm seksual;
Edukimi i marrëdhënieve dinjitoze midis dy gjinive.
Të mbështetet fëmija dhe të nxitet për t’u ndjerë krenar si dhe të kuptoj vlerën e tij;
Prindërit duhet të kultivojnë vetëbesimin tek fëmija.
Këto elemente të edukimit meritojnë vëmendje të veçantë sepse siç sqaruam më parë, del e nevojshme t’u kujtojmë edhe njëherë prindërve se ato janë shkolla e parë prej të cilëve fëmija i merr mësimet e para.
Nëse kjo shkollë organizohet drejtë, drejtë shkon edhe edukimi i mëtejshëm.
Shpeshherë dëgjojmë nga disa prindër duke thënë se fëmija është i vogël dhe nuk kupton gjë.
Ky qëndrim është me pasoja për edukimin e instinktit seksual tek fëmija. Nuk duhet harruar se sytë e fëmijës kapin çdo gjë dhe veshët i kanë në përgjim, fëmija çdo gjë e “fotografon” dhe e ruan në kujtesën e tij dhe kjo mund t’i shërbej në të ardhmen si ngacmues.
Periudha e adoleshencës është ndër periudhat më të rënda dhe të rrezikshme për fëmijën dhe me të drejtë thuhet se, nëse kjo moshë e të riut kalohet me sukses edhe pjesa tjetër e jetës do të jetë e lumtur dhe pa rreziqe. Mbi prindërit bie një përgjegjësi e madhe në drejtim të inspektimit të sjelljes së fëmiut brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Ato kanë për obligim që fëmijëve t’ua mësojnë rregullat e sjelljes sipas parimeve islame duke i nxitur që të sillen në harmoni me to. Ndër këto rregulla mund të përmendim:
Kur djali t’i mbushë 10 vjet nuk duhet të hyj në vendet ku ekskluzivisht
sillen vetëm femrat, e posaçërisht nëse ato janë të veshura në mënyrë provokuese dhe të pahijshme;
Fëmijët nuk duhet lejuar që të flenë në një krevat edhe nëse janë të të njëjtës gjini;
Fëmijët duhet mësuar se cilat pjesë të trupit lejohet e cilat jo të shikohen tek personi tjetër;
Fëmijëve duhet rekomanduar se çfarë mund të përcjellin në televizion, sepse është bërë thuajse e pamundur të shikohet qoftë edhe një film vizatimor e të mos sulmohen vlerat morale islame;
Fëmijët duhet orientuar që të shoqërohen me të rinj të cilët posedojnë vlera morale dhe fetare.
Fëmijët musliman me rastin e daljes nga shtëpia shpesh krahasohen me ushtarët të cilët janë nisur në një betejë përplot sakrifica. Ndër problemet me të cilat do të ndeshen janë:
Rreziku i kinemasë dhe teatrit, skenat e të cilëve shpeshherë janë me përmbajtje amorale;
Rreziku nga provokimet e femrave të pamoralshme;
Rreziku nga shtëpitë publike dhe prostitutave.
Të gjitha këto norma të lartpërmendura, kanë si qëllim të ndihmojnë e të përgatisin fëmijët për një të ardhme të lumtur. Për arritjen e këtij qëllimi, edukata kërkon që prindërit të marrin në dorë që herët edukimin e bashkëshortëve të ardhshëm, duke ndjekur me vigjilencë te fëmijët çdo veprim të mirë ose të keq. Nuk duhet falur djalit fjala më e vogël cinike ose mungesa e mirësjelljes dhe e delikatesës ndaj motrës apo gruas.
Fatkeqësisht disa baballarëve nuk u bën ndonjë përshtypje të veçantë qëndrimi i djalit që komunikon ashpër me anëtarët tjerë të familjes.
Akoma më keq kur ndonjë e quan këtë si qëndrim “burri” Të kalosh lehtë dhe pa mbajtur qëndrim ndaj këtyre dukurive, do të thotë të rritësh një brez të pakontrolluar dhe të paedukuar mirë.
Në fëmijëri formohen stereotipet dinamikë bazë që përbëjnë format ose “kallëpet” sipas të cilave më vonë njeriu reagon ndaj ngacmuesve të botës së jashtme. Në këtë periudhë formohen edhe mekanizmat kryesor të emocioneve. Shumica e tipeve të reaksioneve përkatëse formohen pikërisht në moshat e reja dhe ruhen gjatë gjithë jetës. Madje edhe foshnja kur nuk është në gjendje të flas, të mendoj, apo të zotëroj lëvizjet e veta, ndjenjat dhe emocionet i kupton dhe i ndien. Këto shprehen edhe në dëshirën e fëmijës për të vendosur kontakte me gjithçka që e rrethon, për të fituar emocione, përshtypje e mbresa të reja, për të lëvizur, për të marrë “informacion” etj. Këto kërkesa të natyrshme me përgjegjësi duhen plotësuar nga prindërit që fëmija të zhvillohet normalisht e të mos vuaj nga “uria emocionale”.
Disa psikolog thonë se i gjithë zhvillimi i njeriut, gjatë jetës së tij i ngjanë
një ndërtese dhjetëkatëshe nga të cilat tetë katet e parë të saj ngrihen brenda moshës 3 – 6 vjeç.
Edhe pse njeriu konsolidohet, ristrukturohet, humbet dhe fiton gjatë gjithë jetës së tij, puna dhe kujdesi i prindërve me fëmijët ka rëndësi shumë të madhe. Prindërit duhet të kuptojnë se për çfarë interesohen fëmijët e tyre dhe të jenë të parët që t’u japin atyre shpjegimet e nevojshme e të dobishme ashtu siç na udhëzon dhe porosit Allahu Mëshirëmadh.


Stadet e edukimit seksual sipas moshës

Ashtu sikur që fëmija kalon përmes stadeve të ndryshme zhvillimore
edhe edukata e tij seksuale duhet të planifikohet dhe çdo leksion duhet të jetë përkatës varësisht nga mosha e fëmiut. Sipas pjekurisë së fëmijës ekzistojnë katër stade kryesore përmes të cilave fëmiu kapërcen: 7-10 vjet, vitet e ndryshimit. Në këtë moshë, fëmiu duhet të dijë se në çfarë kohe dhe mënyre mund të hyj në dhomën e prindërve, duhet të mësohet për mirëmbajtjen e pastërtisë si p.sh. pas përdorimit të tualetit. Djali shtatë vjeçar mund të vërej se nëna e tij herë-herë gjatë muajit nuk e falë namazin dhe ai do të interesohet për këtë. Fëmiut të kësaj moshe duhet t’i përgjigjemi se Allahu ndonjëherë e liron femrën nga falja e namazit; 10-14 vjet, koha e adoleshencës. Në këtë moshë fëmiu duhet të dijë se si t’u shmanget shtytjeve seksuale dhe si të mbrohet prej tyre. Në këtë periudhë fëmiu mund të informohet me problemin e menstruacioneve.
Temat mbi seksualitetin mund të preken derisa fëmiu është duke lexuar Kur’an, respektivisht versetet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet seksuale, menstruacionet apo homoseksualizmin, nocione këto të cilat mund t’ia shpjegojmë aty për aty; 14-16 vjet, koha e pubertetit. Në këtë moshë fëmiu duhet të mësoj etikën e marrëdhënieve seksuale. Ai duhet të informohen me rregullat e pastrimit obligativ “guslit”, në cilat raste ai aplikohet (pas marrëdhënieve seksuale, menstruacioneve, polucioneve etj);
16 vjeç e më lartë, mosha e pjekurisë. Djali dhe vajza e pamartuar,
në këtë moshë duhet të dinë për rregullat e marrëdhënieve seksuale,
për rrezikun e prostitucionit si dhe pasojat e jetës amorale si dhe të parapërgatiten për martesë.


Vitet e ndryshimit

Fëmija kryesisht kohën e kalon në shtëpi dhe ai zakonisht sillet shumë
i lirë, hy ku të dojë dhe kur të dojë. Mirëpo, ekzistojnë kufizime për fëmijët paksa më të rritur, të cilët në periudha të caktuara duhet të kërkojnë leje nga prindërit për të hyrë në dhomën e tyre të fjetjes.
Pedagogu ynë, Muhamedi alejhiselam, ka caktuar rregulla dhe norma të cilat prindërit duhet t’ia mësojnë fëmijëve të tyre me qëllim që të përfitojmë fëmijë të njerëzishëm dhe të sjellshëm.
Duhet kërkuar leje kur të hyhet në dhomën e prindërve. Fëmija është i obliguar që sidomos në tri periudha kohore të kërkoj leje për të hyrë në dhomën e prindërve:
- para namazit të sabahut,
- gjatë pushimit të mesditës dhe,
- pas namazit të jacisë.
Këto janë periudha kohore kur prindërit pushojnë dhe gjenden në dhomë të tyre.
Të shohim se si Kur’ani, flet detajisht për këtë çështje:
“O ju të cilët besuat, ata të cilët i keni në pronësinë tuaj (shërbëtorët) dhe ata që nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush (për të hyrë te ju) në tri kohë: para namazit të sabahut, në kohën e drekës kur i hiqni rrobat tuaja (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë, që të tria këto kohë janë kur ju nuk jeni të veshur. Pos atyre tri kohëve nuk është mëkat as për ju as për ata, të vizitoni njëri - tjetrin. Kështu Allahu ua sqaroi argumentet e veta. Allahu është i dijshmi i urti”. (En- Nurë: 58)
Kur fëmiu të arrijë moshën e pjekurisë, duhet t’i bëhet me dije se është i obliguar të kërkojë leje për të hyrë në dhomën e prindërve në çdo kohë. Ligjdhënësi i Plotfuqishëm thotë:
E kur fëmijët tuaj ta arrijnë moshën e pjekurisë, le të kërkojnë leje (për hyrje) ashtu si kërkuan ata para tyre. Allahu ju shpjegon dispozitat e veta, sepse Ai di më së miri dhe është më i urti” (En- Nurë: 59).
Fëmijët të mësohen dhe të ushtrohen që t’i ndalin shikimet e tyre (prej haramit) dhe t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre.
Pra, fëmijët duhet të mësohen që t’i ndalin shikimet e tyre (nga harami), mos t’i shikojnë pjesët e turpshme të trupit tek të tjerët me qëllim që të mos nxiten pasionet e tyre dhe të mos eksitohen para kohe.
Fëmijët të flenë të ndarë. Lidhur me këtë, Pedagogu ynë i dashur Muhamedi alejhiselam thotë:
“Urdhëroni fëmijët e juaj që të falen kur t’i mbushin shtatë vjet, kurse
rrahni kur t’i mbushin dhjetë dhe le të flenë të ndarë”.
Të mësohen fëmijët që të flenë në krahun e djathtë dhe t’u tërhiqet vërejtja që mos të flenë barkas.
Shmangia e përzierjes së gjinive dhe ngacmimeve seksuale.
T’i mësohen fëmijëve farzet dhe sunetet e guslit.
Fëmijëve të cilët e kanë arritur moshën e pjekurisë, t’u shpjegohet
kaptina kur’anore (En-Nurë) dhe të kërkohet prej tyre që ta mësojnë përmendësh.
Haptas me ta të flitet mbi pasionin seksual dhe t’ju tërhiqet vërejtja prej prostitucionit dhe jetës amorale (zinasë).
Dialektika e botës rinore është e pasur dhe e ndërlikuar. Rinia nuk e ka përvojën e duhur jetësore dhe mund të mos e dalloj të renë e vërtetë nga ajo false. Mund të “joshet” nga “molla e ndaluar” e të ndikohet nga desinformacioni.
Prandaj, nuk ka përse të trembemi për t’u dhënë fëmijëve njohurit e nevojshme mbi pasionin seksual, duhet edukuar fëmijët se si t’i frenojnë epshet dhe pasionet e tyre, duhet informuar mbi pasojat e kurvërisë. Më mirë është që fëmija të marrë njohuri nga prindi se sa nga “mësuesit e rrugës”.
Allahu i Plotfuqishëm me mëshirën e Tij, neve na e ka treguar rrugën e drejtë dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve me qëllim që në ne, gjithmonë të triumfoj njerëzia dhe që ta mbërrijmë shpëtimin dhe rehatinë në këtë dhe në botën e amshueshme. Krijuesi i Plotfuqishëm di për pasojat e tmerrshme të prostitucionit dhe jetës së shfrenuar dhe imorale të njerëzve. Jeta e tillë tanimë, deri sot, ka rrënuar themelet e shumë shtëpive, ka shkatërruar shumë familje dhe i ka përcjell në barkun e tokës shumë e shumë të rinj në kohën më të bukur.
Virtytshmëria njerëzve gjithmonë u ka sjell vetëm lumturi kurse imoraliteti dhe prostitucioni fatkeqësi. Prandaj, Feja islame porosit për pastërti morale dhe virtytshmëri për ithtarët e saj.
T’i dëgjojmë fjalët e shenjta kur’anore të versetit tridhjetë e dy të kaptinës El - Israë:
“Dhe mos iu ofroni imoralitetit, (zinasë), sepse vërtetë ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”



Shaban Aziri
Hëna e Re nr 226

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.