Kontributi i Qemajl Morinës për dhe në revistën "Dituria Islame"

Kontributi i prof. Qemajlit qoftë si autor, qoftë si kryeredaktor, qoftë si menaxher dhe ofrues i kuadrove dhe bashkëpunëtorëve, ndër këto vite dhe sidomos në vitet e nëntëdhjeta, është i jashtëzakonshëm, është determinues, i prekshëm dhe shumëdimensional.

Revista "Dituria Islame" për këto 30 vjet të veprimtarisë së saj, me gjithë vështirësitë dhe sfidat me të cilat është përballur, ka arritur me sukses që të zërë vend të merituar dhe të krijojë emër e të marrë peshë meritore në radhën e revistave jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë hapësirën shqiptare, aq sa sot lirshëm mund të themi se "Dituria Islame" radhitet në mesin e atyre revistave që kanë krijuar identitet, fizionomi dhe taban të qartë e të kultivuar dhe të cilat me kontributet dhe me zërin e tyre patën ndikim dhe rol dominant në të kaluarën tonë jo të largët. Për më tepër, "Dituria Islame" ishte model për revistat e tjera me karakter fetar islam që do të dilnin pas saj në gjithë hapësirat shqiptare; ajo ishte, madje që nga fillimi i veprimtarisë së saj, udhërrëfyese, shtytëse dhe motivuese për iniciativë e veprimtari të suksesshme drejt suksesit për revistat simotra gjithandej trojeve tona.

Në fillim "Dituria Islame" nisi misionin e saj si revistë fetare e informative(1), ndërsa në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekulli të shkuar mori edhe trajtë e formë të revistës kulturore e shkencore(2), duke krijuar kushte e hapësirë për të dhënë kontributin e tyre në fjalën e shkruar, së pari ulematë e Kosovës, veteranët e literaturës Islame në gjuhën shqipe në Kosovës, siç ishin h. Sherif Ahmeti, hfz. Avni Aliu, Bajrush Ahmeti, Qazim Qazimi, Resul Rexhepi etj., e më pastaj për t'i dhënë hapësirë dhe me shkrimet e tyre për të kontribuuar edhe shtresa intelektuale e akademike jashtë Bashkësisë Islame.

Nëse i hedhim një sy përmbajtjes së revistës, të pasqyruar në 30 vjetët e veprimtarisë së saj, do të vërejmë se para vetes kemi një thesar të paçmuar për kulturën, trashëgiminë dhe historinë tonë në përgjithësi. Këto tipare e bëjnë revistën "Dituria Islame" një tribunë dhe tryezë e cila, në ditët më të vështira për popullin tonë, arriti që rreth vetës të tubonte brezin më të mirë të intelektualëve tanë fushash të ndryshme, të cilët revistën e shndërruan në një tribunë të mendimin kombëtar, fetar e kulturor.

S'ka dyshim se meritorë për këtë sukses të revistës "Dituria Islame" janë një varg i madh i bashkëpunëtorëve të revistës, por para së gjithë më meritorë për këtë janë drejtuesi t e saj, të cilët për këto vjet patën fatin, po edhe përgjegjësinë, që ta drejtonin revistën "Dituria Islame". Njëri ndër ta, që e drejtoi me shumë sukses këtë revistë në një kohë shumë të vështirë dhe të ndjeshme, është padyshim pedagogu, studiuesi e publicisti ynë i njohur jo vetëm tek ne por edhe më gjerë, profesor Qemajl Morina, i cili revistën "Dituria Islame" e drejtoi nga numri 18 (tetor 1990) deri në numrin 84 (shtator 1996), kurse me kontribute nga fusha të ndryshme është i pranishëm deri në ditët e sotme.

Profesor Qemajl Morina detyrën e kryeredaktorit të revistës "Dituria Islame", sikurse u tha, e mori më 1990 kur në Kosovë po mbretëronte një situatë e vështirë, sepse Serbia, siç dihet, kishte suspenduar autonominë e Kosovës dhe kështu praktikisht e kishte riokupuar Kosovën, sa kohë që gjithandej Evropës juglindore fryenin erërat e demokracisë dhe popujt e tjerë të ish-federatës jugosllave, tashmë kishin marrë rrugën e pavarësimit të tyre, por që kundërshtoheshin e luftoheshin nga serbët.

Në këto rrethana aspak të volitshme për Kosovën dhe popullin e saj, Kryesia e BI-së e emëroi prof. Qemajl Morinën në krye të revistës "Dituria Islame". Me të marrë këtë detyrë, prof. Qemajli iu përvesh punës me përkushtimin më të madh që besimin e dhënë nga Kryesia ta arsyetonte dhe punën ta realizonte sa me më sukses. Nëse vështrojmë me kujdes botimin e revistës "Dituria Islame" nën udhëheqjen e profesor Qemajl Morinës, lehtësisht mund të nxjerrim përfundimin se kontributi i prof. Qemajlit qoftë si autor, qoftë si kryeredaktor, qoftë si menaxher dhe ofrues i kuadrove dhe bashkëpunëtorëve, ndër këto vite dhe sidomos në vitet e nëntëdhjeta, është i jashtëzakonshëm, është determinues, i prekshëm dhe shumëdimensional. Së pari, prof. Qemajli u krijoi hapësirë dhe mundësi kuadrove të reja që të sprovonin vetën në fushën e fjalës së shkuar, dhe në këtë drejtim arriti shumë suksese(3). Kjo është një meritë e pakontestueshme e prof. Qemajlit.

Së dyti, prof. Qemajli me vizonin e tij mbajti afër vetes kuadrin e mëhershëm që kishte drejtuar e kontribuar në shtypin e Bashkërisë Islame të Kosovës, dhe me këtë ruajti vazhdimësinë dhe kontributin e gjeneratave(4). Kjo është një meritë tjetër e veçantë e prof. Qemajlit.

Një kontribut të çmuar prof. Qemajli ka dhënë edhe në hapjen e "Diturisë Islame" për shtresë më të gjerë intelektuale e akademike të Kosovës, të cilët pas rënies së sistemit monist dhe rrethanave të vështira nën okupimin serb, te revista "Dituria Islame" gjetën si askund tjetër hapësirën, mundësinë dhe përkrahjen e duhur për t'u kontribuuar shkencës, kulturës, trashëgimisë dhe vendit të tyre, ndërsa tek profesor Qemajli gjetën një bashkëpunëtor, bashkëmendimtar e bashkudhëtar të përkushtuar për këtë kauzë, siç ishin studiuesit e përmendur nga fusha të ndryshme: dr. Muhamet Pirraku, Iljaz Rexha, Mehmet Halimi, Mehmet Kajtazi, Ali Podrimja, Kadri Halimi, Mehdi Polisi, Rexhep Hoxha, Vehap Shita, dr. Faik Shkodra, dr. Mahmud Hysa, dr. Gazmend Shpuza, dr. Skender Rizaj, Nexhat Nahi, Isa Bajçinca, Pajazait Nushi, dr. Shefqet Pllana, dr. Sabile Basha-Keçmezi, dr. Kristaq Prifti, dr. Sabit Uka, dr. Zekeria Cana. dr. Ali Ilajzi, dr. Hakif Bajrami, Mr. Abduallah Hamiti, dr. Zejnullah Gruda, Behram Hoti, e shumë të tjerë, të cilët bashkëpunuan me revistën "Dituria Islame" gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe në kohën kur këtë e udhëhiqte prof. Qemajli. Kur jemi këtu, duhet thënë se në këtë kohë në revistën "Dituria Islame" dhe rreth saj gjejmë penat më të shquar të Kosovës nga rrafshe të ndryshme dhe pikërisht kjo i dha revistës edhe një karakter tjetër, atë shkencor e kulturor, përveç atij fetar që e kishte që nga themelimi i saj. Edhe një meritë tjetër e veçantë kjo e prof. Qemajlit.

Po ashtu, duke qenë se Prof. Qemajli ishte pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame, ai një kontribut të çmuar ka dhënë në nxit-jen e studentëve të tij që të merren më shkrime dhe ato t'ua botonte në revistën "Dituria Islame". Si rezultat i kësaj nxitjeje, stimulimi e përkrahjeje, disa prej tyre asokohe nisën hapat e parë në fushën e publicistikës pikërisht në revistën "Dituria Islame", e më vonë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut jo të vogël qoftë në "Dituria Islame", qoftë në revista të tjera(5). Kjo është një meritë shumë domethënëse e prof. Qemajlit.

Nga kjo që evidentuam këtu, mund të përfundojmë se prof. Qemajli me urtësi, vizion e largpamësi, tregohet e dëshmohet si një udhëheqës e drejtues i suksesshëm në një revistë së cilës i dha formë e trajtë të veçantë, ia rriti namin, vuri kritere e standarde, krijoj një gjeneratë nga entuziastë në krijues potencialë, ofroi bashkëpunëtorë, shtoi tirazhin dhe "Diturinë Islame" e nxori përtej institucionit të Bashkësisë Islame dhe mendoj se nuk do ta tepronim nëse themi se prof. Qemajli e nxori "Diturinë Islame" edhe përtej kufijve të Kosovës, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe në Diasporë(6).

Mirëpo jo vetëm kaq, kontributin më të vlershëm e më të rëndësishëm të prof. Qemajl Morinës në revistën "Dituria Islame" përveç si drejtues të saj, e gjejmë sidomos edhe në fushën e shkencave e disiplinave të ndryshme, qoftë si autor, studiues, përkthyes, editorialist e publicist.

Gama e veprimtarisë dhe e kontributeve të prof. Qemajlit është e gjerë dhe ajo u përket fushave e disiplinave të ndryshme me interes për islamologjinë(7), historinë(8), kulturën(9), publicistikën(10) e deri te intervistat, reportazhet, kronikat e informatat dhe lajmet e shumta.

Veprimtaria e prof. Qemajlit në shtypin tonë fillon që nga vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, fillimisht si nxënës në Medrese, pastaj si studentë në studimet posdiplomike në Universitetin e Kajros, (ku edhe bëri hulumtime në arkivat e kryeqendrës së Egjiptit duke ndriçuar dokumente të rëndësishme për shqiptarët e Egjiptit), për të qenë më pastaj i pranishëm edhe në shtypin e kohës respektivisht në të përditshmen "Rilindja", në të cilën botoi një sërë shkrimesh, ku spikasin ato për Mehmet Ali pashën, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Koloninë Shqiptare të Egjiptit etj ..

Duke qenë se kam pas fatin dhe jam marrë me bibliografinë e prof. Qemajlit, konstatoj se vetëm deri në vitin 2008 kam evidentuar 565 zëra bibliografikë të profesorit të botuar në periodikun tonë, shumica në revistën "Ditura Islame"(11), por që për arsye vendi nuk mund t' i përmendim.

Po ashtu kontributi i prof. Qemajl Morinës është një ndihmesë e dorës së parë për të kuptuar rrethanat shoqërore-politike në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës, rrethanat e Shqipërisë postkomuniste, pastaj rrethanat në Bosnjë e në vendet e tjera të rajonit.

"Islami jeton në zemrat e popullit shqiptar"; "Si u festua dita e Bajramit në Tiranë?"(12), "Feja shqiptarët dhe Evropa"(13), "Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit"(14), "Terrori serb mbi myslimanët nuk ka të ndalur"(15), "Bota Islame dhe lufta në Bosnjë"(16), "Bosnja - viktimë e indolencës së perëndimit"(17), "Bosnja - Endulus i ri"(18); "Edhe një kryqëzatë e re kundër myslimanëve"(19), "Evropa po vdes në Bosnjë"(20), "Çështja e Kosovës në shtypin amerikan”(21), “A ka feja ndikim në konfliktin kosovar(22), "Kosova ndërmjet luftës dhe bisedimeve"(23), "Kosova ndërmjet terrorizmit serb dhe indiferencës së Perëndimit"(24), ''A është Kosova pjesë e Evropës?!"(25), "Masakra që tmerroi botën"(26), "Kthimi në Kosovën e lirë"27, "Beteja e fundit serbe në Kosovë"(28), "Kosova: Thirrja e ndërgjegjes?!"(29) etj.

Nga sa thamë më sipër në këtë kumtesë, - e cila nuk pretendon se është shteruese për kontributin e prof. Qemajl Morinës, por përkundrazi, është vetëm nisma dhe fillimi i asaj shumësie që do të shkruhet, - le të na lejohet të përfundojmë se historinë e revistës "Dituria Islame" nuk mund ta shkruajmë e ta njohim pa pasur parasysh dhe pa u ndalur te kontributet e prof. Qemajlit.

Dhe fare në fund duhet thënë se Prof. Qemajli është një shembull dhe model i cili duhet ndjekur, qoftë për vizionin e tij, qoftë për urtësinë, qoftë për përkushtimin, punën, guximin e largpamësinë. Kontributi i profesor Qemajlit do jetë një trashëgimi e pasur për brezat edhe në të ardhmen.


___________________
1. Numri i parë i Revistë "Dituria Islame" doli në qershor të vitit 1986 si revistë fetare informative. Është organi i parë zyrat i Kryesisë së BlK në të cilin përveç temave me karakter fetare e kulturorë, hapësirë e veçantë u është dhënë aktiviteteve të BI. Numri i parë i revistës ka 32 faqe, duke përfshirë këtu edhe kopertinat që janë kolor. Në ballinë është dhënë fotoja e godinës së re të Medresesë që ishte përuruar në shtator të vitit 1985. Revista hapet me fjalën e redaktorit - H jetish Barjami, i cili përveç që është kryeredaktor, në të njëjtët kohë ishte edhe kryetar i Kryesisë së BI për RSS me seli në Prishtinë. Në fjalën e tij - Editorialin, H. Jetish Bajrami evidentonte mungesën e një organi të informativ të BIK, mungesën e kuadrit si dhe shprehte bindjen në suksesin e revistës. Më tutje, ai u bënte thirrje kuadrit të kohës për të kontribuar në ngritjen e revistës. Qëllimi parësore i revistë ishte misioni informativ, kjo më së miri kuptohet nga Editoriali ku thuhet citojmë: "Dituria Islame" ka për qëllim që t'ofroj lexuesit informata lidhur me nevojat e BJ, lidhur me problemet e saja të përditshme, që opinioni të njoftohet drejtpërsëdrejti me të mbrrimet e BI ..." (Dl". nr. 1, fq.
2). Ndërkaq nga autorët që paraqiten në numrin e parë me tema fetare e kulturore gjejmë Sherif Ahmetin, hfz, Avni Aliun, Nexhat Ibrahimin, Miftar Ajdinin, të gjithë këta të njohur për masën islame nga periodiku i BI që botohej nga Shoqata e Ulemave, si ''Edukata Islame" dhe "Takvimi". Në numrin e parë të "DI”, hapësirë meritore u është kushtuar aktiviteteve të BI ku spikat Reportazhi për përurimin e godinës së Medresesë së re që është dhënë në mesë të revistës i shoqëruar me foto. Pastaj është dhënë një raport i gjerë nga mbledhja e Kuvendit të Bashkësisë Islame për RSS me seli në Prishtinë, si dhe një sërë lajmesh e informatash nga aktivitet e BI në terren.
3. Nga numri 18 e këndej revista "Dituria Islame”, përveç karakterit fetar e informativ, mori edhe karakterin e revistës kulturore, historike e shkencore. Nga këtu, në kuadër të revistës "Dituria Islame”, përveç temave fetare nga doktrina islame, gjejmë edhe tema nga historia e kultura e shqiptarëve, si dhe tema nga fushat e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë e disiplinave të tjera nga trashëgimia jonë. Një rol të rëndësishëm s'ka dyshim se revista "Dituria Islame" ka luajtur edhe në fushën e informimit publik, ngase këtë kohë pushteti serb kishte mbyllur të gjitha mjete e informimit në gjuhën shqipe.
4. Po përmendim vetëm disa prej kuadrove të reja që solli në faqet e "D.I”, prof Qemajli: Nehat Krasniqi, Sabri Bajgora, Milaim Shehu, Arif Emini, Rexhep Elezaj, Faik Miftari, Xhabir Hamiti, Idriz Vuçitërna, Elez Osmani, Mexhid Yvejsi, Ali Vezaj, Fatmir Jëlliqi, Ramiz Zeka, Isa Tërshani, Beqir Ismaili, Tasim Ramadani, etj.
5. Periodiku islam në gjuhën shqipe zë fill në vitet e shtatëdhjeta të shekulli të shkuar me "Takvimin" (1970) dhe "Edukata Islame" (1971), botime këto të Shoqatës së Ylemave të cilat për një dekadë e gjysmë nën udhëheqjen dhe drejtimin e h. Sherif Ahmetit kishin krijuar një rrjet modest të bashkëpunëtorëve, ndër të cilët veçojmë: h. Hajrullah Hoxha, hfz, Avni Aliut, Feti Mehdiu, Bajrush Ahmeti, Qazim Qazimi, Resul Rexhepi, pastaj brezi më i ri se këta: Nexhat Ibrahimi. Miftar Ajdini e Muhidin Ahmeti.
6. Po veçojmë disa prej atyre që filluan të merren me shkrime në kohën kur ishin studentë të prof Qemajlit dhe kur revistën "D.I" e udhëhiqte po ky: Sadik Mehmeti, Zaim Qafleshi, Jahir Beqiri, Refik Gërbeshi, Xhemush Biçku, Esat Bajraktari etj.
7. Më gjerësisht për këtë, shih revistën "Dituria Islam”; nr. 18/1990 – 84/1996.
8. "Domethënia e Israsë dhe Miraxhit"; nr. 22- 231 1991, "Përse namazi është pesë kohë?”; nr. 241 1991, "Nuk ka Zot, tjetër përveç All llahut"; nr. 41/1992.
9. "Çështja shqiptare në shtypin arab”; nr. 26/1991-nr. 35/1992, "Sherif el-Idrisi mësues i Evropës në gjeografi”; nr. 76/1996, "Idetë islame të hoxhë Kadriut në revistën "Udha e S'Vërtetës'; nr. 87/1997.
10. "Tetëdhjetëvjetori i pavarësisë”; nr. 43/1992, "Granada - plagë e pashëruar në zemrat e myslimanëve”; nr. 64/1995, "Dialogu ndërmjet civilizimeve"; nr. 66/1995, "Feja dhe Intelektualët”; nr. 79/1996.
11. "Kujt po i pengon islamizmi?"; nr. 57/1994, "Turqia kërkon identitetin e saj”; nr. 60/1994, "Shqiptarët ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”; nr. 62/1994.
12. Për opusin e krijimtarisë së profesor Qemajl Morinës shih., Ramadan Shkodra: Bibliografi e punimeve të Mr. Qemajl Morinës 1971-2007, "Edukata Islame" nr. 85/2008, f. 337-386.
13. "Dituria Islame”; nr. 26/1991.
14. "Dituria Islame”; nr. 57/1994.
15. "Dituria Islame”; nr. 62/1994.
16. "Dituria Islame", nr. 40/1992.
17. "Dituria Islame”; nr. 41/1991.
18. "Dituria Islame”; nr: 51/1993.
19. "Dituria Islame”; nr. 57/1994.
20. "Dituria Islame”; nr. 63/1994.
21. "Dituria Islame”; nr. 70/1995.
22. "Dituria Islame”; nr. 102-103/1998.
23. "Dituria Islame”; nr. 105-106/1998.
24. "Dituria Islame”; nr 102-103/1998.
25. "Dituria Islame”; nr 104/1998.
26. "Diturin Islame”; nr ..
27. "Dituria Islame”; nr .108-109/1999.
28. "Dituria Islame”; nr. 110/1999.
29. "Dituria Islame”; nr. 110/1999.



Ramadan Shkodra
(Kumtesë e mbajtur në Konferencën shkencore "Dituria Islame - tri dekada jetë, punë, sfida dhe suksese”; të mbajtur në Prishtinë më 18-20 nëntor 2016.)
DituriaIslame 238

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.