Dilema e shoqërisë islame bashkëkohore ndaj modernizmit

A është diç moderne vetëm pse pikënisjen e ka në Perëndim? A është moderne vetëm pse është e prodhuar nga perëndimorët? A mund të quhet një inovacion modern dhe të mos jetë prodhim perëndimor?

Hyrje


Çështja e përparimit intelektual, sidomos përparimit teknike-teknologjik, është ndër temat më të përfolura në të gjitha nivelet, në të gjitha vendet gjatë shekullit XX-XXI. Por, më së shumti përflitet në vendet e pazhvilluara dhe ato të gjysmëzhvilluara, për shkak të synimit të tyre që t'i bashkohen të zhvilluarve. Në këtë bisedë, e pashmangshme është edhe fjala Perëndim, si sinonim i zhvillimit, progresit, në të gjitha pikëpamjet. Këtë për vete e mendon edhe vetë Perëndimi. Si i tillë edhe sillet me vendet e tjera, duke shtrirë dominimin e vet tek ta, madje duke eksportuar maniret e veta tek ta, si në shkencë e teknologji, ashtu edhe në kulturë, art, filozofi, letërsi, bonton e përditshmëri.


Shqyrtime rreth modernizmit


A është moderne një gjë edhe për Perëndimin, edhe për Lindjen? A është e dinjitetshme një gjë edhe për Perëndimin, edhe për Lindjen?

Pyetja vijuese është: përse Perëndimi quhet modern e jo edhe Lindja? Mos është modern për shkak të shkencës e përparimit, apo edhe për shkak të kulturës e qytetërimit që ka, për shkak të kulturës, filozofisë dhe mënyrës së jetesës që bën? Mos është modern Perëndimi për shkak të pornografisë, luksit, shfrenimit e perversitetit moral, përdorimit të narkotikëve etj.? A mos duhet të bëhemi edhe ne sikurse amerikanët nëse dëshirojmë të bëhemi modernë, përparimtarë në shkencë e teknologji? A mos domethënë kjo që, nëse ne duam të bëhemi përparimtarë në shkencë e teknologji, duhet të kemi politikë e kulturë jo religjioze e të pamoralshme?

Mendimet janë të shumta, por dy prej tyre dominojnë. Njëri mendim është se disa kritikë të modernizmit thonë se modernizmi ka instaluar vlera të shumta negative, pikërisht në saje të sistemit dhe mënyrës së funksionimit të tij. Ata porositin se, pasi që vlerat moderniste janë të papranueshme për tradicionalizmin (si shkatërrimi i natyrës dhe problemi ekologjik, kolonializmi dhe neokolonializmi, prodhimi i armëve kimike e biologjike të shkatërrimit në masë, pervesiteti seksual i të gjitha llojeve, pornografia etj.), as modernizmi si përparim teknik e teknologjik nuk nevojitet.

Në anën tjetër, të arriturat e fundit në industrinë automobilistike, të aviotransportit, arritjeve teknike në fushën e biologjisë, kozmologjisë, fizikës, në telefoni, kompjuteristikë, televizion, grafikë e shumë tjera, jo vetëm që joshin, por ulemaja islame madje i rekomandon si mjete për të mbajtur hapin me botën (edhe pse ato përmbajnë në vete edhe pornografi e degjenerime të tjera). Para kësaj çështjeje duhet të pyesim: a është diç moderne vetëm pse pikënisjen e ka në Perëndim? A është moderne vetëm pse është e prodhuar nga perëndimorët? A mund të quhet një inovacion modern dhe të mos jetë prodhim perëndimor.

Modernizmi paraqet pikën kthesë të epokës së re ideore në Perëndim. R. Bekoni (1220 - 1292) dhe R. Dekarti (1597-1651) janë fillimi i kësaj epoke me kontestimin e metodologjisë aristoteliane (e cila bazohej në pikëpamjen racionale, me epërsi ndaj metodës eksperimentale) dhe afirmimin e metodës tjetër, asaj empirike. R. Bekoni e avancoi metodën empirike, të vrojtimit dhe përvojës dhe në vend të Organonit të Aristotelit propozoi Organonin e Ri, me synim të sendërtimit të dobisë materiale për njeriun. Edhe R. Dekarti ndihmoi pikëpamjet e Bekonit për përdorimin e të menduarit. Dekarti mendonte se shkenca ka njohuri të qarta dhe të besueshme, ndërsa matematikën e konsideronte shembull të përkryer të shkencës. Për Bekonin rëndësi fondamentale kishin shkencat natyrore, por për Dekartin rëndësi kishte matematika. Këto dy metoda, ajo e vrojtimit dhe përvojës të Bekonit dhe ajo e matematikës e Dekartit, i hapën Perëndimit dyert drejt përparimit shkencor, i cili ishte shkaktari themelor i fillimit të modernizmit. Me zvogëlimin e rëndësisë së filozofisë peripatetike të Aristotelit, u zvogëlua edhe ndikimi i Kishës në shoqëri, ashtu si i kishte kuptuar Kisha çështjet e caktuara filozofike, të cilat ishin ngushtë të lidhura me perceptimin kishtar të peripatetizmit (kjo ndodhi për shkak se Toma Akuini ishte interpretuesi më i madh kishtar, kurse Vatikani mësimet e Akuinit në teologji e filozofi i shpalli për doktrinë zyrtare kishtare në vitin 1879. Rritja e ndikimit të shkencës në shoqëri çoi në lirinë e shkencës nga Kisha dhe në paraqitjen e modernizmit si tërësi shoqërore, me pikëpamje të përkufizuara në fushat e ndryshme të jetës. Në evoluimin e modernizmit ndikuan shumë faktorë, si: ushtarakë, ekonomikë, politikë, socialë etj .. Por, meqë ne hulumtojmë aspektin ideor e jo praktik të përparimit të shkencës e teknologjisë, po orvatemi të gjejmë edhe faktorët ideorë të përparimit dhe modernizmit.



Përse përparimi teknik dhe teknologjik në Perëndim



Pyesim sërish: përse shkenca në kuptimin e sotëm u shfaq dhe përparoi në Perëndim e jo diku tjetër?

Ka shumë faktorë, por njëri nga ta është trashëgimia antike greke dhe qëndrimet e feve të shpallura (monoteiste), përkatësisht moskonsistenca e pajtimit të ndërsjellë ndërmjet besimit dhe arsyes në etapa të caktuara të mesjetës te myslimanët dhe kontestimi i Kishës Romane dhe të doktrinës së saj nga luterianët reformatorë, përgatiti klimë të favorshme për kërkimin e dijes jashtë sistemit të deriatëhershëm. Kjo ndarje e shkencës prej Kishës shkaktoi shumëzimin e ideve dhe rriti frymën e hulumtimeve. Dalja në skenë e E. Kantit (1724 -1804) dhe G. F. Hegelit (1779-1831), i dhanë rëndësi njeriut, ndërsa për këtë angazhim Jyrgen Habermasi (1929) e quajti Hegelin si themelues dhe kontribuues të modernizmit. Në këtë frymë ishte edhe E. Kanti, ndër mendimtarët e rëndësishëm modernistë, i cili, i pyetur për iluminizmin, tha: "Eliminimi i tutorisë mbi njeriun".

Kjo ishte edhe një përgjigje në favor të frymës së kolektivizmit grek dhe instalimit të frymës së subjektivizmit të njeriut, i cili e gjeti veten në fushën e kolektivitetit, që në fund të dominojë me kolektivitetin.

Këto ndryshime sollën vlera dhe jovlera, vlerësime relative të palëve, por sidoqoftë, modernizmi solli përparim, i cili, edhe pse pati efekte edhe pozitive (materiale) edhe negative (në sistemin e vlerave), njerëzve u solli një klimë pozitiviteti pas një varfërie shkatërruese shumëshekullore. Produkti më i rëndësishëm i progresit ishte mirëqenia, edhe pse grupet e sufizmit islam e kontestojnë këtë konstatim, duke favorizuar varfërinë, por grupet e etikës islame e relativizojnë mendimin sufist, duke thënë: “Nëse njeriu është i varfër duhet të bëjë durim e nëse është i pasur duhet të bëhet falënderues.” Në anën tjetër, në peshoren e arsyes dhe hulumtimeve shkencore, këto dilema nuk kanë vlerë dhe më tepër acarojnë gjendjen sesa e qetësojnë. Madje, bollëku material, sipas tyre, çon në degjenerim moral, social e ekonomik. Por, edhe varfëria nuk qëndron më mirë, sepse nxit kriminalitetin material, social, moral etj.

Të dy pikëpamjet kanë anën pozitive, por edhe anën negative, jo si pasojë e varfërisë vetvetiu, as e bollëkut vetvetiu, por si pasojë e abuzimit me këto dy gjendje, prandaj edhe eliminimi i shkencës do të ishte i paqëndrueshëm, sepse ajo është produkt i mendjes dhe të menduarit. Mendja dhe të menduarit nuk mund të eliminohen, sepse janë dhuratë e Zotit dhe nevojë e njeriut. Skajshmëria në përdorimin e mendjes dhe të të menduarit, frymëzuar nga Kanti e Hegeli, solli deri te epoka e quajtur "epoka e arsyes" (age of reason), duke e bërë arsyen strumbullar të jetës dhe veprimit.

Ky trend nxiti postmodernistët dhe të tjerët që të reagojnë kundër absolutizmit të shkencës dhe produktit të saj, arritjeve teknike.

Islami nuk është kundër dijes e shkencës, as kundër produkteve të tyre dhe dijen e konsideron mjet për njohjen e gjërave e jo synim në vete. As arritjet e saj nuk i konsideron absolute, por vetëm përpjekje njerëzore, pa marrë parasysh vendin dhe kohën ku prodhohet.

Muhammedi a.s. thotë: "Urtësia është gjë e humbur për besimtarin, ku ta gjejë, le ta marrë". "Kërkoje diturinë qoftë edhe në Kinë".

Në brezat e parë të myslimanëve nuk kishte neveri e rezistencë ndaj diturive të huaja. Përkundrazi, i merrnin dhe i studionin. Bënin vlerësimin dhe u sugjeronin besimtarëve për përdorimin apo mospërdorimin e atyre shkencave e urtësive. Shkenca vetvetiu nuk ka të keqe, derisa asaj nuk i shtohet kriteri i vlerësimit dhe orientimit dhe përdorimit të asaj shkence. Ajo mund të bëhet e keqe nëse nuk përdoret për qëllimet e mirëfillta, të dobishme e humane. Nuk ishte e keqe as shkenca islame që iu dha botës disa shekuj me radhë. Nëse një kulturë e qytetërim abuzon me shkencën dhe të arriturat teknologjike, shkenca dhe arritjet teknologjike vetvetiu nuk kanë kuptim të keq dhe nuk duhen refuzuar ato. Ajo do të refuzohet nëse njeriu i jep mandat të vlerësojë botën, të orientojë botën, të mohojë Zotin apo të prodhojë zota të tjerë. Kjo nuk është shkencë e mirëfilltë, por spekulim njerëzor. Si rezultat i kësaj mund të thuhet se filozofia antike greke nuk duhej refuzuar, por duhet refuzuar ajo që synohej nga disa filozofë grekë. Gjithashtu, bollëku nuk duhet refuzuar. Por, nëse bollëku bëhet synim në vete, atëherë nuk është faji te bollëku por te njeriu lakmues dhe i verbër apo te ideologjia e tij që synon çdo gjë, pa marrë parasysh mjetet e sendërtimit. Të këqijat në Perëndim nuk janë rezultat i shkencës, por i bollëkut dhe mungesës së moralit në këtë shkencë me bollëk.

Përfundim

Dija dhe shkenca janë pa atdhe, pa gjuhë, pa racë, pa ngjyrë, as të Lindjes e as të Perëndimit. Njeriu i interesuar mund t'i marrë dhe përvetësojë kudo qofshin ato. Shoqëria religjioze, që është e hapur ndaj urtësisë dhe vlerave botërore, është e volitshme për zhvillimin e dijes dhe shkencës. Gjasat që shoqëria e tillë të gjejë hapësirë në shekullin XXI dhe të bëhet e kërkuar, me synim të gjetjes së zgjidhjeve për krizën e shumëfishtë njerëzore, janë reale dhe shpresëdhënëse. Si rezultat i ndërlidhjes, pak nga pak, shoqëria moderne morale njerëzore do të rrëshqasë drejt shoqërisë moderne religjioze njerëzore.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.