Domethënia besimore e përshëndetjes islame “es-selamu alejkum”

“O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj (me selam). Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim” En-Nur: 27

1. Përkufizimi i formës së ‘selamit’ si përshëndetje

‘Selami’ është shprehje (përshëndetje) unikate për të gjithë pjesëtarët e Islamit. Ai shprehet në gjuhën arabe. Forma e plotë e përshëndetjes islame ‘selam’ është kështu: i pari i cili e fillon përshëndetjen thotë: ‘es-selamu alejkum’, dhe mund t’ia shtojë pjesën: ‘ve rahmetullahi’, domethënë: es-selamu alejkum ve rahmetullahi. Ndërsa, i dyti që e kthen përshëndetjen, thotë: ‘ve alejkum selam ve rahmetull-Llah’, dhe sipas mundësisë i shtohet edhe pjesa ‘ve berekatuhu’. Sepse, më së paku, duhet kthyer përshëndetjen e njëjtë, ndërsa më së shumti (e mira e të mirës) është që përshëndetja t’i kthehet duke ia kapërcyer, e kjo bëhet duke ia shtuar në fund fjalën ‘ve berekatuhu’. Ky konstatim, ka mbështetje në ajetin kur’anor, ku Allahu i Madhëruar i porositë besimtarët se: “Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose kthenie ashtu. Allahu llogarit për çdo send.” (Kur’ani, En-Nisa:86)

2. Domethënia e përshëndetjes “es-selamu alejkum”

Përshëndetja islame ‘selam’ me të vërtetë ka domethënie të gjerë. Ajo karakterizohet me një kuptim unikat në gjuhën arabe, ndërsa përkthimi i saj bukval në gjuhën shqipe, po thuajse është i pamundur. Kur i hapim fjalorët e gjuhës, vërejmë dhe vërtetojmë se nocioni ‘selam’ ka më shumë se një, dy, tre, katër, pesë e më tepër kuptime tejet domethënëse. Teufik Mufti?i, ne lidhje me domethënien e nocionit ‘selam’ numëron këto kuptime. Sipas tij ‘selam’ do të thotë: të jesh shëndosh e mirë; të jesh i padëmtuar; i sigurt; i dëlirë, i panjollë, shembullor; të jesh besnik, të dëshmohesh; të jesh i përkushtuar (Zotit); shpëtim; mirëqenie; paqeje, etj.(1) Përveç kësaj, ‘selam’ është edhe fjalë e Allahut të Madhëruar: “…Selam, thënie e Zotit Mëshirues” (Jasin:58). Edhe më shumë, ‘selam’ është edhe njëri nga emrat e bukur të Allahut të Madhëruar.

3. Bazat e ‘selamit’ si përshëndetje

Allahu i Madhëruar, në Kur’an i porositë besimtarët që kur të hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj, të marrin leje nga familjarët dhe në kontaktin e parë me ndonjërin prej tyre, t’i përshëndesin me ‘selam’: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj (me selam). Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim” (Kur’ani, En-Nur: 27)
Pejgamberi s.a.v.s. në një thënie të tij, ndërsa na mëson rregullat e mirësjelljes, thotë se dhënia dhe pranimi i ‘selamit’ konsiderohet prej 5 detyrimeve që muslimani i ka ndaj muslimanit: “Muslimani ndaj muslimanit i ka pesë obligime: kthimin e selamit, vizitën e të sëmurit, faljen e namazit të xhenazes, përgjigjen ndaj ftesës së tij dhe lutjen për mëshirë nga Allahu kur teshtitë.”(2)
Pastaj hadithi tjetër: “Nuk do të hyjni në xhennet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni në mes veti. A doni t’ju tregoj për një gjë, që nëse e veproni do të duheni: jepni selam në mesin tuaj.”(3)
Dhe hadithe të tjera.

4. Umeti islam dhe përshëndetja ‘es-selamu alejkum’

Secili popull ka veçoritë dhe identitetin e vet. Umeti i Muhamedit a.s. pa marrë parasysh largësitë territoriale dhe të kufijve apo dallimet e tjera, është një dhe unikat në pikëpamjet e fesë, sepse ka një besim, një moral fetar, andaj edhe e ka përshëndetjen e vet të veçantë që njihet me emërtimin ‘selam’. Me këtë, dëshiroj të potencoj se përshëndetja islame ‘esselamu alejkum’ nuk është pronë e asnjë populli apo kombi. Ndonëse është në gjuhën arabe, ajo nuk është e arabëve në mënyrë të veçantë. Në të vërtetë aq sa kanë të drejtë arabët, që të pretendojnë se ajo është përshëndetja e tyre, po aq ka të drejtë çdo komb tjetër, pjesëtar i fesë islame, që të thotë se ajo është e tyre. Sepse ‘selami’ është ‘gjuha’ e fesë islame dhe me të mund të komunikojnë dhe duhet të komunikojnë të gjithë ata që Islamin e njohin për besim të tyre dhe fe të tyre.
Le ta themi edhe këtë, se kombi arab ka përshëndetjet e veta ekskluzive, sikurse çdo komb tjetër, p.sh. Mirëmëngjesi (sabahul hajr), mirëdita (neharukum se’idun), mirëmbrëma (lejletukum se’idetun), mirupafshim (ilel-likai) etj. Të njëjtat përshëndetje i kemi edhe ne si komb shqiptar. Pa dyshim edhe këto konsiderohen përshëndetje, porse në krahasim me përshëndetjen e ‘selamit’ nuk krahasohen dot.
Pretendimi paradoksal se përshëndetja islame e ‘selamit’ është e ndonjë kombi të caktuar, është e barabartë sikur të themi se Kur’ani është i ndonjë kombi të caktuar apo saktësisht, i arabëve për se ka zbritur në gjuhën arabe, apo edhe më paradoksalisht të themi se feja islame është e kombit arab, për shkak se Kur’ani është në gjuhën arabe dhe se Pejgamberi është nga gjiri i tyre. Kjo nuk qëndron absolutisht. Madje pohimi i këtillë, tregon cekshmërinë e njohurive në raport me njohjen e fesë islame. Këmbëngulësia në këtë paraqet një gabim sa të panevojshëm aq të pajustifikueshëm.
Definitivisht, përshëndetja islame, ‘selam’ është e të gjithë muslimanëve pa dallim ngjyre, kombi, fisi apo gjinie, për arsyen e vetme, sepse është përshëndetje fetare dhe buron nga Kur’ani dhe Sunneti i Resulullahit s.a.v.s.

5. Historiku i përshëndetjes islame ‘selam’

‘Selami’ ka një histori të gjatë te njerëzimi në përgjithësi. Realisht ajo është e vjetër sa edhe vetë njeriu. Në hadithe të Pejgamberit a.s. vërtetohet se prej normave morale të mirësjelljes, që Allahu i Madhëruar i pati mësuar njeriut të parë Ademit a.s., menjëherë pas krijimit të tij, kishte qenë edhe mësimi i përshëndetjes ‘es-selamu alejkum’.
“Pasi që Allahu e krijoi Ademin a.s. i tha atij: shko dhe jepju selam atij grupi të melaqeve që qëndrojnë ulur dhe dëgjoji mirë se si po ta kthejnë përshëndetjen, sepse ajo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve tu. Ai (Ademi a.s.) u tha: esselamu alejkum!” Ata ia kthyen: es-selamu alejke ve rahmetullahi. Pra ia shtuan fjalën ‘ve rahmetull-Llahi’.”(4)
Ky hadith na qartëson dy të vërteta:
1. të vërtetën, se ‘selami’ historikisht prinë ndaj çdo forme tjetër të përshëndetjeve, dhe
2. se ‘selami’ si përshëndetje nuk fillon vetëm me zbritjen e Kur’ani dhe dërgimin e Muhamedit a.s. për pejgamber, por ajo është shumë e hershme.
Ky është edhe një argument shtesë se ‘selami’ nuk është aspak përshëndetje ekskluzive e arabëve, por e të gjithë njerëzve (muslimanëve), sepse Ademi a.s. është babai i të gjithë njerëzve.

6. ‘Selami’ si përshëndetje është obligim për muslimanët

‘Selami’, pa dyshim konsiderohet prej çështjeve obligative për muslimanët. Në konceptin islam, përshëndetja islame ‘selam’ është e pazëvendësueshme me asnjë përshëndetje, sepse është përshëndetje që Allahu e ka urdhëruar, kurse i Dërguari i Tij s.a.v.s. na ka mësuar se si ta aplikojmë në jetën tonë të përditshme. Aplikimi i tij, nuk është çështje vullneti, por është çështje urdhri dhe detyrimi. I Lartëmadhëruari në Kur’an thotë:
“Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme.” (En-Nur:61).
Edhe Pejgamberi a.s., e ka obliguar përshëndetjen me ‘selam’.
“Na ka urdhëruar Pejgamberi s.a.v.s. për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera. Na ka urdhëruar për: vizitën ndaj të sëmurit, faljen e namazit të xhenazes, lutjen për shëndet ndaj atij që teshtitë, kthimin e selamit, ndihmën ndaj të të dëmtuarit, përgjigjen ndaj ftuesit dhe përmbushjen e betimit.”(5)
Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s., urdhëron që ‘selami’ si përshëndetje, të prijë para çdo bisede tjetër. Ai thotë: “Kush ju flet juve para se t’ju japë selam, mos iu përgjigjuni derisa të fillojë me selam”.(6)

7. ‘Selami’ është përshëndetja e banorëve të xhennetit

Përshëndetja islame ‘selam’, përpos që është përshëndetje e muslimanëve në këtë botë, ajo është përshëndetje edhe e banorëve të xhennetit. Në dhjetëra vende në Kur’an, Allahu ka vërtetuar se banorët e xhenetit, do të përshëndeten me ‘selam’.
Engjëjt do t’u thonë: “selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin, sa përfundim i lavdishëm është ky vend” (Kur’ani, Er Rra’d:24).
Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Adhurojeni të Gjithëmëshirshmin, jepni ushqim dhe jepni selam, do të hyjni në xhennet me selam.”(7)

8. Domethënia besimore e ‘selamit’ dhe epërsia e tij mbi çdo përshëndetje tjetër

Deri këtu, përgjithësisht i kemi pa specifikat e përshëndetjes islame ‘es-selamu alejkum’. Kemi vërejtur se, ‘selami’ si fjalë është thënie e Allahut të Madhëruar; se ai ka domethënie të gjerë dhe shumë përmbajtësore; se ‘selami’ është përshëndetja e parë e njeriut të parë Ademit a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja e melekëve që i kanë bërë Ibrahimit a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja për Pejgamberin a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja për të vdekurit, se ‘selami’ është përshëndetja e banorëve të xhennetit; se ‘selami’…, me një fjalë dhe mbi të gjitha është ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar në njërin prej ajeteve që e kemi cituar më lartë: ‘është një përshëndetje e caktuar nga Allahu, e që është e bekuar dhe e këndshme.’
Nuk janë vetëm këto veçoritë e ‘selamit’ si përshëndetje. Jo, ato janë akoma më shumë që ne, disa mund t’i identifikojmë e disa nuk mund t’i dimë. Një është me rëndësi se përshëndetja islame ‘es-selamu alejkum’ është unikate, e veçantë, me vlerë të pazëvendësueshme dhe e pa krahasuar me asnjë përshëndetje tjetër nga formulimet njerëzore. Le të pyesim, cilat janë ato vlera besimore (akaidore) që ‘selamin’ si përshëndetje e bëjnë të veçantë dhe atraktive? Prej vlerave besimore më kryesore janë tri sosh:

1. ‘Selami’ është reflektim i besimit stabil në Allahun e Madhëruar.

Fakti se ‘selami’ është veçanti e muslimanëve dhe me të nuk lejohet t’i përshëndetim jo muslimanët, tregon se e vërteta e tij, mbi të gjitha, është një e vërtetë besimore. Pranimi i konceptit të ‘selamit’ si përshëndetje, është njëkohësisht edhe pranim i besimit islam dhe, e kundërta, refuzimi i tij, është refuzim i një vlere që ka rëndësi fetare dhe besimore.
Për asnjë përshëndetje tjetër, Allahu nuk ka thënë se është përshëndetje prej Tij, përpos për ‘selamin’. Po ashtu për asnjë përshëndetje tjetër Allahu i Madhëruar nuk ka deklaruar se ka ndonjë vlerë, përpos për ‘selamin’, të cilin e ka cilësuar si përshëndetje të ‘bekuar’ (mubareketen) dhe të ‘këndshme’ (taj-jibeten) (En-Nur:61).
A ka dëshmi më të madhe për muslimanin, për të vërtetuar epërsinë e një vlere kundrejt të tjerave se sa dëshmia e Allahut të Madhëruar? Pa dyshim se nuk ka. Allahu i ka ditur dhe i dinë dhe do t’i dijë të gjithë përshëndetjet e karakterit njerëzor, por ‘selamin’ e ka bërë të jetë përshëndetja e Tij, jo vetëm për këtë botë, por edhe për banorët e xhennetit, që është edhe një dëshmi shtesë për mirësinë e ‘selamit’. Sepse gjithçka që i atribuohet xhennetit, vlera e saj është jashtë çdo krahasimi. Cila prej përshëndetjeve njerëzore i ka këto begati? Sigurisht se asnjëra.

2. ‘Selami’ është fjalë e Kur’anit dhe e Sunnetit.

Më lartë kemi përmendur ajetet, të cilat citojnë tekstualisht se ‘es-selamu alejkum’ është pjesë e citateve kur’anore. Funksionalizimi i ‘selamit’, në raportet ndërshoqërore gjithsesi e ka këtë frymë, pra, atë të respektimit të një urdhri dhe fjale të Kur’anit dhe Sunnetit të Pejgamberit s.v.a.s., për dallim prej të gjitha përshëndetjeve tjera të llojit njerëzor, që nuk e kanë synimin e tillë. Ndërsa është fare e qartë se citimi i një fjale të Kur’anit, në kuptim të funksionalizimit të urdhrit të Kur’anit dhe respektimit të tij, konsiderohet vepër e lavdëruar te Allahu i Madhëruar dhe e shpërblyer. Po kështu është edhe me aplikimin e një dispozite nga Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ”Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, atij për këtë i takon një e mirë, ndërsa kjo e mira është me dhjetëfishin e saj….”(8)
Sipas kësaj, përshëndetja ‘es-selamu alejkum’ si fjalë e gjuhës arabe i ka tetë shkronja (s,l,m – a,l,j,k,m), që nga dhjetë sevape japin shumën prej tetëdhjetë sevapeve, e kur kësaj ia shtojmë edhe sevapet që pasojnë nga respektimi i një norme kur’anore, përfundojmë se shpërblimi për dhënie-marrjen e ‘selamit’ është shumë i madh.
Në kuadër të kësaj, ‘selami’ si një sintagmë kur’anore, ka edhe një vlerë tjetër. Imam Ebu Hanife r.a. rreth ajeteve të Kur’anit thotë: “Të gjitha citatet (ajetet) e Kur’anit në kuptimin e tyre si fjalë (e Allahut) janë të barabartë si në vlerë (në kontekst të shprehjes) ashtu edhe në madhëri (në kontekst të domethënies). Përveç disa ajeteve të cilat përpos që e kanë vlerën e vet si fjalë e Allahut, ato e kanë edhe vlerën për shkak të karakteristikës së përmbajtjes.”(9)
E ‘selami’, pa dyshim se i ka këto vlera, sepse përveç tjerash ai është edhe një prej emrave të Allahut e, emrat e Allahut, pa dallim, pa dyshim kanë domethënie të madhe.

3. ‘Selami’ është lutje për atë, të cilit i drejtohet ai.

Argumenti që e vërteton se ‘selami’ ka karakter të lutjes, është rregulli besimor se me këtë përshëndetje nuk lejohet që të përshëndeten jomuslimanët. Kjo sepse, ‘selami’ si domethënie, bartë një uratë të madhe dhe lutje që konsiston shpëtimin, sigurinë, paqen nga të këqijat etj., cilësi këto që, Allahu i ka bërë meritë për ata të cilët e besojnë Atë. Mbi këto parime, Allahu i ka ndaluar muslimanët që të lutën për jo muslimanët dhe, as mos t’i përshëndesin me ‘selam’. Kurorë e kësaj është praktika e Pejgamberit s.a.v.s., i cili për shkak të mosbesimit të xhaxhait të tij Ebu Talibit, nuk kishte bërë lutje për të.
Le ta zëmë se edhe përshëndetjet e karakterit njerëzor kanë karakter të lutjes për atë, të cilit i drejtohet. P.sh. nëse i themi “mirëmëngjesi”, me këtë bashkëbiseduesit po i urojmë një mëngjes të mirë. Ngjashmërish është edhe me uratat tjera si: mirëdita, mirëmbrëma, tungjatjeta, mirupafshim, etj. Të gjitha këto, janë një lloj urate në vete. Mirëpo, cili është perimetri, që karakterin e ‘selamit’ si lutje ndaj besimtarit, e bënë të veçantë, nga karakteri i përshëndetjeve tjera të llojit njerëzor?
Kësaj pyetje i përgjigjemi kështu: ‘selami’ si lutje është i pa krahasuar me asnjë përshëndetje tjetër, sepse, kur muslimanin e përshëndesim me ‘selam’, atë e kemi uruar, apo për të jemi lutur me një domethënie shumë dimensionale që përfshinë: paqen, sigurinë, shpëtimin dhe të tjerat me radhë, dhe të gjitha këto domethënie që i inkorporon ‘selami’ i adresojmë te Ai, i cili ka mundësi që t’i plotësojë të gjitha këto të mira, e Ai është Allahu i Madhëruar. Pra, nëpërmjet ‘selamit’ bëjmë një lutje dhe këtë lutje në të njëjtën kohë e drejtojmë te Allahu që t’i dhurojë shëndet, atij të cilin po e përshëndesim. Ky është qëllimi i ‘selamit’ dhe çdo vepër që e bën besimtari atë e drejton te Allahu, si Dhurues i vetëm i të gjitha të mirave, që njeriu i gëzon.
Për dallim prej përshëndetjeve tjera të karakterit njerëzor, të cilat përpos që kanë një domethënie shumë të lokalizuar, kanë karakter formal. Sepse, ta urosh dikë me përshëndetjen ‘mirëdita’ apo ‘mirëmbrëma’, kjo do të thotë që me këtë uratë, t’i shprehish një admirim personal, por pa e adresuar te Ai i Cili ka mundësi që këtë ‘mirëdita’ apo ‘mirëmbrëma’ ta shndërrojë në realitet.
Prandaj për këto arsye dhe të tjera, përshëndetja ‘esselamu alejkum’, është unikate dhe e pakrahasueshme me asnjë përshëndetje të karakterit njerëzor.


_____________________________
1. Teufik Mufti? “Arapsko – srpskohrva - ski rje?nik”, Sarajevë, 1984, botimi i dytë, vëll.I, fq. 1558-1560.
2. Sahihul Buhari, kitabu’l-xhenaizi (babu: el-emru bit-tibai’l-xhenaizi), hadithi nr. 1164.
3. Sahihu’l-Muslim, Kitabul imani, (babu: bejanu ennehu la jed’hulul xhennete ilel muminune) hadithi nr. 81 (citim sipas CD-së).
4. Sahihul Buhari, Kitabul-isti’dhan (babu: bedeu’s-selam), hadithi nr.5759. (citim sipas CD-së).
5. Sahihul Buhari, Kitabul medhalimi vel gasbi (babu: nasrul madhlumi), hadithi nr. 2265.
6. Muttefikun alejhi, sipas: Ebu Beker El-Xhezairi, “Minhaxhul Muslim”, op.cit. fq.101.
7. Suneni i Termidhiut, kitabul-et’imeti an Resulilahi (babu: ma xhae fi fadli it’amitta’ami), hadithi nr. 1778. Transmetuesi thotë se hadithi është ‘hasenun sahihun’ – i vërtetë në shkallën ‘i mirë’
8. Sunenu Termidhij, “Kitabu fedailil Kur’ani”, babu: ma xhae fimen kare’e harfen. Hadithi nr. 2835.
9. Ebu Hanife ‘El-Fikhul-Ekber’, sipas Orhan Bislimaj “Akaidi Hanefij” Prizren, 2008, fq. 565.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.