“Njerëzit që mbisundohen nga epshet nuk zgjedhin metoda për arritjen e qëllimeve të tyre edhe pse qëllimet e tilla janë në kundërshtim me etikën dhe moralin njerëzor.”
Njeriu si qenie më e përsosur dhe qenie e cila ka marrë përsipër misionin prej mëkëmbësi në planetin e quajtur tokë,gjatë përditshmërisë së tij ballafaqohet me moralen dhe materialen; me vlerën dhe antivlerën, me të mirën dhe të keqën e veprimit të tij. Këto dy aspekte gjithnjë e sfidojnë njeriun, i cili me intelektin dhe mendjen e tij, duhet të jetë i kujdesshëm që të përcaktohet për vlera duke qenë shpirtërisht i lidhur me Krijuesin e tij.
S`ka dyshim se për të arritur njeriu aftësinë, me të cilën ai do të ishte i moralshëm në të gjitha veprimet e tij, më se i nevojshëm është edukimi, arsimimi i shoqërisë e sidomos arsimimi dhe edukimi i pjesës më të rëndësishme shoqërore – brezave të ri.
Të ndiqen udhëzimet fetare
Sot e tërë bota është përfshirë në një krizë morale, krizë në të cilën, për fat të keq, gjithnjë vjen në shprehje konstatimi se njeriu për njeriun është ujk. Pra, tjetërsohet roli i njeriut në raport me njeriun, prej rolit human, në atë johuman, jonjerëzor. Janë shkelur të gjitha standardet morale, kështu që respektimi i familjes në radhë të parë respektimi i prindërve ka humbur kuptimin e vet. Po ashtu, në raportet shoqërore, respektimi i të riut ndaj të moshuarit, i të shëndoshit ndaj invalidit, i të pasurit ndaj të varfrit, i nxënësit ndaj mësimdhënësit, dita-ditës po zbehet.
Paralelisht me këtë gjithnjë po vijnë në shprehje veprimet dhe shprehitë antinjerëzore siç është prostitucioni, droga, alkooli dhe kamata, të cilat prodhojnë apo nxisin plaçkitje, vrasje e vetëvrasje. Ç`është më e keq, këto shprehi dhe punë të shëmtuara ndodhin në vatrat e dijes, shkollat, vendi ku edukohen gjeneratat e reja.
Amoralizimi i shoqërisë është pasojë e mospërfilljes së udhëzimeve që Krijuesi i hartojë për krijesën e tij të mençur, njeriun. Pra, duke mos i praktikuar udhëzimet e në anë tjetër duke e ndjekur lakminë e egos
së vet dhe paragjykimet, njeriu është futur në tunelin e errët të quajtur amoralitet. Këtë na e vërteton edhe një citat i Kur`anit famëlartë, ku Zoti xh.sh. thotë: “Po ata nuk ndjekin tjetër vetëm se paragjykimet dhe çka duan vetë, megjithë që prej Zotit të tyre u pat ardhur udhëzimi.”
Roli i prindërve në edukimin e fëmijëve
Pra, shkaqet kryesore për çështjen e njeriut nga morali është ndjekja apo nënshtrimi i lakmisë ose epsheve të tij individuale. Epshi është një cilësi shumë e rrezikshme, Njerëzit që mbisundohen nga epshet nuk zgjedhin metoda për arritjen e qëllimeve të tyre edhe pse qëllimet e tilla janë në kundërshtim me etikën dhe moralin njerëzor. Njeriu i këtillë gjithnjë është i ekspozuar rreziqeve dhe ai është i humbur si në këtë, ashtu edhe në botën e ardhshme.
Për të dalë nga kjo humnerë, për t`u shëruar nga kjo sëmundje kërkohet një intervenim apo terapi e quajtur edukim moral apo shpirtëror, në radhë të parë të brezave të ri.
Feja apo besimi në një Zot është medikamenti- ilaçi thelbësor i kësaj sëmundje. Përgjegjësia e kësaj terapie, në radhë të parë i takon prindërve, ata duhet të jenë edukuesit më të mirë sepse janë edhe edukues të parë të njeriut që është duke i bërë hapat e parë në jetë. Pra, roli i prindërve në edukimin e fëmijëve është i pazëvendësueshëm, shumë i rëndësishëm dhe shumë i përgjegjshëm. Po ashtu, institucionet edukativo-arsimore, shkollat, padyshim janë faktorët shumë të rëndësishëm për edukimin e gjeneratave të reja.
Por mjerisht, në këto institucione ende nuk e kemi inkorporimin e lëndës së edukatës fetare, përmes së cilës më së miri bëhet edukimi shpirtëror dhe moral i njeriut.
Për fat të keq, përgjegjësit për arsimimin dhe shkollimin e nxënësve tanë, të kapluar nga ndryshku i ish-sistemit, nuk janë në gjendje ta kuptojnë rëndësinë e edukimit shpirtëror dhe moral të gjeneratës së re.
Qufli OSMANI
Hëna e Re