Institucionet islame në Kosovë në shërbim të çështjes kombëtare

Në mesin e këtyre institucioneve islame kombëtare, që hyri në histori si çerdhe ku lindi, u formua dhe nga ku u përhap ideja vendimtare e të bërit shtet me Lidhjen e Prizrenit, është Xhamia dhe Medreseja e "Mehmet Pashës” në Prizren

Shembullin e Xhamisë dhe të Medresesë "Mehmet Pasha" të Prizrenit, më vonë do ta ndjekin edhe institucionet e tjera islame gjithandej Kosovës dhe se, duke qenë se në krye të Lëvizjes Kombëtare qenë vënë myftinj e myderrizë në zë, siç ishin Ymer ef. Prizreni, Halim ef. Ramadani-Gjergjizi, Haxhi Zeka, Hafëz Rrystem ef. Shporta, Sheh Hasani, e më vonë Idris ef. Gjilani, Haki ef. Sermaxhaj, Hasan ef. Dashi, Rexhep ef. Remziu, etj., mund të thuhet se veprimet e këtyre myftinjve dhe myderrizëve autoritativë e zyrtarë i ndiqnin edhe ulemaja tjetër.
Rrethanat politike dhe shoqërore nëpër të cilat kaloi Kosova në veçanti dhe trojet shqiptare në përgjithësi që nga koha e Lidhjes së Prizrenit e këndej; ishin jo shumë të përshtatshme dhe me kthesa të mëdha dhe të pafavorshme për popullatën shqiptare. Sa binte një regjim, ngrihej një tjetër, secili më i vështirë dhe më i paparashikueshëm se tjetri për shqiptarët.
Në këto rrethana dhe në këto kushte, krahas ulemasë shqiptare, të cilët ose u vunë në krye të shumë proceseve me karakter kombëtar, ose ishin përkrahës të këtyre proceseve, - në shërbim të çështjes kombëtare, ata po ashtu i vunë edhe institucionet islame, që i udhëhiqnin edhe objektet që ishin nën administrimin dhe vartësinë e tyre, duke i bërë kështu vatra të përpjekjeve për mbijetesë dhe pavarësi të shqiptarëve.
Në mesin e këtyre institucioneve islame kombëtare, që hyri në histori si çerdhe ku lindi, u formua dhe nga ku u përhap ideja vendimtare e të bërit shtet me Lidhjen e Prizrenit, është Xhamia dhe Medreseja e "Mehmet Pashës" në Prizren, së bashku me myderrizët dhe ulemanë që shërbyen në këtë medrese dhe në këtë xhami, ose që kishin dalë nga ky institucion.

Vatra të Lidhjes së Prizrenit

Ambientet e institucioneve islame, duke marrë shembull Medresenë e famshme "Mehmet Pasha" dhe myderrizin e saj Haxhi Ymer Prizrenin, do të bëhen vatra serioze të asaj fryme, që po sillte Lidhja e Prizrenit në historinë e shqiptarëve. Kjo ishte një përsëritje e vazhdueshme e rregullit se ngjarjet më të rëndësishme që ka pasur historia jonë, janë themeluar apo zhvilluar në vende të kultit.
Autoriteti dhe pozita e Haxhi Ymer Prizrenit, si myderriz dhe drejtor i Medresesë "Mehmet Pasha" dhe si Myfti i Prizrenit, bëri që të gjitha objektet në këtë kompleks t'i liheshin në shërbim për veprimtari Lidhjes së Prizrenit. Kështu në xhaminë e "Mehmet Pashës" do të mbaheshin shumë takime, si qe mbajtur edhe Kuvendi Themelues i Lidhjes. Kjo organizatë do të zhvillonte veprimtarinë e saj disavjeçare pikërisht në medrese. Në kthinat e saj ishin vendosur selitë e dikastereve. Lidhja arriti të formonte në fillim të viteve 1881 edhe qeverinë e parë të përkohshme mbarëkombëtare shqiptare, e cila si rezidencë të veten kishte pikërisht ndërtesën e "Ders'hanes" së kësaj medreseje. Kurse selitë e Lidhjes ishin vendosur nëpër komplekse me karakter fetar, p.sh. selia e LSHP-së për Pejën ishte në kompleksin e Jashar Pashës (Haxhi Zekës), kurse në "Hamam Xhaminë" e Pejës do të mbaheshin tubime të shumta me masat e gjëra të popullit të Pejës dhe të rrethinës, sidomos gjatë përgatitjes së forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit për mbrojtjen e viseve shqiptare të Plavës dhe Gucisë.
Në anën tjetër, Kompleksi i Teqesë Bektashiane në Prizren, do ri bënte konak Abdyl Frashërit me rastin e qëndrimit të tij në Prizren, kurse në Kompleksin e Teqesë "Marash Hisar" në Prizren, u mbajtën edhe disa mbledhje të rëndësishme të Lidhjes së Prizrenit. Delegatët e Shkodrës dhe të Malësisë, kishin fjetur dhe ishin mirëpritur nga babai i kësaj teqeje, Shej Hyseni, në kohën e Lidhjes.
Me një fjalë, shembullin e Xhamisë dhe të Medresesë "Mehmet Pasha" të Prizrenit, më vonë do ta ndjekin edhe institucionet e tjera islame gjithandej Kosovës dhe se, duke qenë se në krye të Lëvizjes Kombëtare qenë vënë myftinj e myderrizë në zë, siç ishin Ymer ef. Prizreni, Halim ef. Ramadani-Gjergjizi, Haxhi Zeka, Hafëz Rrystern ef. Shporta, Sheh Hasani, e më vonë Idris ef. Gjilani, Haki ef. Sermaxhaj, Hasan ef. Dashi, Rexhep ef. Remziu, etj., mund të thuhet se veprimet e këtyre myftinjve dhe myderrizëve autoritativë e zyrtarë i ndiqnin edhe ulemaja tjetër. Veprimet e këtyre kishin karakterin e vendimit juridik legjitim dhe të plotfuqishëm - si fetva për të gjitha institucionet, objektet dhe nëpunësit islamë, që vepronin në Kosovë. Sa kohë që Haxhi Ymer Prizreni, sikurse më vonë edhe Vehbi ef. Dibra, do të nxirrnin fetvatë që do të vlenin edhe për ulemanë tjetër se lufta për çlirimin e Atdheut qoftë edhe për çlirim nga Perandoria Osmane, përkatësisht kësaj periudhe synonte likuidimin fizik të shqiptarëve si komb dhe si popull. Në këtë kuadër zunë vend edhe përpjekjet për t'i detyruar ata për të braktisur fenë islame dhe për të përqafuar fenë e pushtuesit. Pushtuesit dhe kleri i tyre shpresonin se ndërmjet ortodoksizmit do të zgjidhnin përfundimisht problemin e sllavizimit të territoreve të pushtuara rishtazi.
Në këto rrethana për popullsinë shqiptare myslimane ruajtja e lirisë së besimit dhe të fesë ishte e drejtë e ligjshme fetare, por dhe komponent i rëndësishëm i përkatësisë së saj kombëtare. Për këtë arsye rezistenca popullore kundër masave për ndërrimin me dhunë të fesë islame mori përmasa të gjera. Proces- për pavarësim nga ajo, është e detyrueshme-farz dhe në pikëpamje fetare e arsyeshme.
Për këta patriotë, sikurse edhe për të tjerët, politika nuk ka qenë profesion, përkundrazi, besimi i lartë islam dhe karriera e tyre si myderriz, myfti e imam kanë qenë profesione të tyre. Për këtë arsye mund të thuhet se vetëdija morale e politike e tyre ka qenë sintezë e dy komponentëve kryesorë: atdhedashurisë dhe besimit islam.

Vatra të qëndresës

Në anën tjetër, pas largimit të Perandorisë Osmane, filloi gjymtimi i kombit shqiptar, kurse Kosova u aneks ua nga Mbretëria Serbe e më pas nga Jugosllavia versajase dhe kështu filloi një nga periudhat më të rënda, më të vështira dhe më të rrezikshme të historisë së tyre.
Politika e ndjekur ndaj shqiptarëve pas vitit 1913 ishte politika e dhunës dhe e gjenocidit, e cila synonte shkombëtarizimin e popullsisë, ndryshimin me çdo mjet të përkatësisë etnike të këtyre viseve.
Në rrethanat e një pushtimi të tillë, përkatësia fetare e popullsisë së këtyre anëve, ku dominonte popullsia e besimit islam, si dhe lufta për ruajtjen e këtij besimi, u bë një faktor i rëndësishëm qëndrese dhe një mjet i fuqishëm shprehës i përkatësisë kombëtare të popullsisë. Për këtë arsye, gjenocidi antishqiptar i ndërmarrë gjatë ta filluan që nga xhamitë, si ajo e Vranocit të Pejës dhe institucionet e tjera islame, ku ulemaja propagandonte për mosndërrimin e fesë, se duhet të mbesin myslimanë, dhe kështu u ruajt edhe besimi, por edhe përkatësia kombëtare. Në institucionet islame, nuk mund të mendohet të jetë ligjëruar a folur ndryshe nga kjo. Dhe këtë fakt pushtuesit e dinin fort mirë, prandaj dhe nuk ishin të rastësishme djegia dhe shkatërrimi i objekteve islame, ose shndërrimi i tyre në depo municioni a stalla kuajsh, siç ishte p.sh. Xhamia dhe Medreseja e Sinan Pashës në Prizren, Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, Medreseja e Sulltan Selimit në Prishtinë, Medreseja e Gazi Ali Beut në Vushtrri, kurse imamët dhe myderrizët ishin marrë në pyetje, qenë burgosur e disa prej tyre nuk ishin kthyer të gjallë. Kjo dhunë kishte irrituar dhe kishte mobilizuar në masë të madhe ulemanë e Kosovës, e cila ishte vënë në krye të lëvizjes kundër pushtimit dhe agresionit sllav.
Institucionet e ndryshme islame u bënë vatra dhe çerdhe të propagandës dhe mobilizimit kundër armikut, që synonte shkatërrimin dhe rrënjosjen e përkatësisë kombëtare dhe fetare njëkohësisht.
Për ndryshimin e përkatësisë etnike dhe fetare, qarqet serbe-sllave në pushtet, u përpoqën të kombinonin shpronësimin, gjenocidin dhe terrorin antishqiptar me shpërnguljet me dhunë të popullatës.
Në këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë për popullatën shqiptare nën okupimin serb, u zhvillua veprimtaria e elementëve atdhetarë laikë e fetarë, e cila luajti një rol të rëndësishëm për ruajtjen e ekzistencës, për ngjitjen e vetëdijes politike, për pasojat që mund t'i sillte shpërngulja e tyre nga vatrat e stërgjyshërve, për hatanë dhe gjynahun, që paraqiste shpërngulja dhe ndarja nga varret e të parëve.

Vatra të arsimit kombëtar

Institucionet islame u vunë në shërbim të çështjes kombëtare për të penguar shpërnguljet, për të penguar kolonizimin, për zgjimin kombëtar ndër shqiptarë.
Në ato vite të vështira, kur hapja e shkollave shqipe ishte një veprimtari e ndaluar, xhamitë dhe institucionet islame përgjithësisht u bënë vatra të arsimit kombëtar dhe ndihmuan në krijimin e inteligjencies shqiptare fetare dhe laike. Mektebet dhe medresetë në atë kohë u bënë qendra të rëndësishme jo vetëm të fesë, por edhe të kulturës dhe mendimit të përparuar të kohës.
Xhamitë, medresetë, zyrat e vakëfit, myftinitë, teqetë dhe institucionet e tjera islame, sidomos në rrethana të robërisë serbomadhe, kanë luajtur edhe rolin e një klubi kulturor e kombëtar shqiptar, ku u edukuan fetarisht dhe kombëtarisht disa gjenerata.
Organet administrative fetare islame (imamatet e xhematit, komisionet e vakëfeve mearife dhe më vonë Ulema-Mexhlisi i Shkupit), ishin të vetmet institucione që mund të quhen organe institucione legale për shqiptarët myslimanë të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jozyrtarisht në gjuhën amtare shqipe.
Gjendja dhe pozita e arsimit fetar nën okupimin jugosllav versajas ishte gjithashtu shumë e rendë.
Pushteti serb përcillte me kujdes policor punën e mejtepeve dhe të medreseve, gjë që dëshmohet në shumë dokumente të kohës. Në një shkresë të Ministrisë së Fesë, dërguar këshillit kryesor të Ministrisë së Arsimit në Beograd, më 7 shtator 1928 thuhej: "Në viset jugore (shqiptare) çështja e arsimit fetar të myslimanëve është shumë e komplikuar ... , në këto vise ka afro 50 myftinj dhe 600 imamë, prej të cilëve asnjëri nuk e njeh gjuhën serbe, të gjithë janë të edukuar në frymën armiqësore ndaj vendit tonë, Jugosllavisë, dhe se, - sipas qarqeve qeveritare, - "te nxënësit e këtyre shkollave, po zgjohej me të madhe vetëdija kombëtare, ndërsa mësuesit e tyre cilësoheshin, si njerëz shumë të rrezikshëm dhe se këto institucione ishin bërë çerdhe kryesore të nacionalizmit shqiptar, prandaj paraqisnin rrezik të madh për interesat e tyre hegjemoniste".
Xhamitë dhe institucionet islame u vunë në shërbim të arsimit dhe çështjes kombëtare edhe në fillim të viteve '90, kur pushteti serb mbylli shkollat shqipe dhe nxënësit i nxori jashtë objekteve shkollore. Xhamitë i hapen dyert dhe u shndërruan në shkolla dhe universitete.
Tashmë është i njohur fakti se Medreseja "Alaudin" në Prishtinë, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, qe thuajse i vetmi institucion ku shqiptarët e shfrytëzonin për organizime nga ato edukative, kulturore, arsimore, politike e deri tek organizimet për të ndihmuar luftën për çlirimin nga Serbia. Po ashtu në shërbim të kauzës kombëtare, qe vënë edhe Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës, i cili, ndonëse edhe vetë vepronte në kushte jo shumë të favorshme, megjithatë kishte ndarë hapësirat në mënyre te barabartë me Universitetin e Prishtinës dhe me institucionet e tjera, siç ishte Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), i cili për afro një dekadë kishte selinë pikërisht në godinën e këtij Fakulteti.
Se xhamitë dhe institucionet islame kanë qenë gjithmonë pengesë për pushtuesin serb tregon edhe lufta fundit, ku forcat serbe dogjën dhe shkatërruan mbi 218 xhami në Kosovë dhe vranë 37 imamë, nxënës të medresesë dhe studentë të Fakultetit të Studimeve Islame.
Për më tepër, ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, forcat serbe i vunë zjarrin edhe selisë së Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilën e bënë shkrumb e hi, së bashku me arkivin dhe bibliotekën e saj mjaft të pasur më dokumente dhe dorëshkrime në gjuhët orientale, një pjesë nga to vepra autoriale të ulemasë shqiptare.
Si përfundim, mund të themi se historia e shqiptarëve të ndarë nga trungu etnik ka qenë tragjike. Inteligjencia që ishte e paktë nga numri, sikurse dhe ulemaja shqiptare e kohës, gjithnjë u vunë në ballë me mendimet dhe qëndrimet e drejta kombëtare që kishin.
Në këtë vështrim tonin, prekëm shkurt vetëm disa nga institucionet islame në Kosovë, që ishin në shërbim të çështjes dhe kauzës kombëtare shqiptare, me shpresë se kjo nismë do të trajtohet në mënyrë meritore në të ardhmen dhe kështu ulemasë shqiptare dhe institucioneve që ata udhëhoqën, t'u jepet vendi i merituar në historinë tonë dhe kështu të shlyhet në njëfarë mase borxhi që kemi ndaj tyre dhe gjeneratave që ishin para nesh.


Literatura e konsultuar:

1. Simpoziumi ndërkombëtar: "Feja, tradita dhe kultura ndër shqiptarët” botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, 1995.
2. Prof dr. Skënder Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1811 - 1885, Prizren, 1998.
3. Sabri Bajgora-Shemsi Rrahimi, Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë, Prishtinë, 1999.
4. Prof dr. Muhamet Pirraku, Myderriz Ymer Prizreni - Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1811- 1887, Prishtinë, 2003,
5. Prof dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941- 1951, Prishtinë, 1995.
6. Resul Rexhepi-Sadik Mehmeti, Haxhi Rrystem ej, Shporta (1865-1931) (jeta dhe vepra), Prishtinë, 2010.
7 Aliriza Selmani-Avni Aliu, Myderriz Haki Efendiu (1914-1948), Gjilan, 2005.
8. Grup autorësh, Imamët shehidë në luftën e fundit në Kosovë, Prishtinë, 2010.



Sadik Mehmeti - Ramadan Shkodra
DituriaIslame 331

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.