Zhvillohet simpoziumi me temë: “Kurani dhe mesazhi universal i tij”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Myftinia e qytetit të Kavajës, organizuan në Pallatin e Kulturës simpoziumin me temë: “Kurani dhe mesazhi universal i tij”

Në aktivitet morën pjesë dhjetëra besimtarë dhe besimtare të moshave të ndryshme të qytetit të Kavajës.

Simpoziumi u hap me fjalën përshëndetëse të myftiut të zonës, z. Besnik Leçini, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen u ndal në rëndësinë që ka organizimi i aktiviteteve të tilla në freskimin e besimit në jetën e besimtarëve.

Ndër të tjera ai tha se mungesa e kundërthënieve, pamundësia për të sjellë të ngjashëm me të, ruajtja e autenticitetit, faktet shkencore etj, e bëjnë Kuranin mrekullinë më të madhe të Profetit Muhamed (a.s). Dhe të gjithë besimtarët anë e mbanë botës duhet ta kërkojnë aty shembullin më të mirë për ta përshtatur jetën e tyre.

Më tej ishte radha e Nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu, të ndante me të pranishmit fjalën e tij përshëndetëse, duke u ndal në rëndësinë që i ka dhënë Kurani dijes dhe hulumtimit.

“Në këndvështrimin islam, aq sa vlerësohet arsyeja, po aq vlerësohet edhe dituria, shkenca, studimi, hulumtimi, meditimi, arti dhe teknika, të cilat natyrshëm janë pa përjashtim përfundime dhe produkte të arsyes. Në shumë ajete të Kuranit Allahu kërkon prej njeriut që ta përdorë dhe të përfitojë nga arsyeja, njerëzit ftohen dhe inkurajohen që të meditojnë dhe hulumtojnë.”

Ndërsa Drejtori i Kulturës në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë z. Dorian Demetja, theksoi se Kurani është themelor në orientimin e jetës së njeriut drejt të vërtetës hyjnore.

“Ndryshe nga sistemet e tjera që janë ndërtuar nga dora e njeriut, Kurani është një kushtetutë hyjnore, që ofron sistemin më të përkryer të jetesës, duke i dhënë orientime njeriut për të kuptuar e ndërtuar jetën personale, familjare dhe shoqërore në tokë. Nëse do ta shprehnim me një fjali dimensionet e tij, do të pohonim se Kurani krijon raportin mes individit dhe Krijuesit, individit me veten e tij dhe individit me shoqërinë. Me gjithë problematikat e veta, shoqëria shqiptare sot dhe gjithmonë, gjen brenda në Kuran mesazhin e Krijuesit, i cili e udhëzon njerëzimin se si të gjejë rrugën e shpëtimit dhe çelësat e lumturisë.”

Më tej, Zv. Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja, foli mbi lidhjen që duhet të kenë besimtarët me librin e shenjtë të Kuranit, dhe hapësirën që duhet të ketë ai në jetën tonë të përditshme.

“Nuk ka libër në botë veç Kuranit që të lexohet disa herë pa u mërzitur, kurse Kurani lexohet vazhdimisht, në namaze pa shkaktuar kurrë ngopje, lodhje e mërzitje. Sa libra të zgjedhura, shkrime, poezi e humbin vlerën dhe origjinalitetin e tyre, kurse Kurani jo vetëm që nuk zbehet e vjetërsohet as si fjalë, as si lexim, as si përmbajtje e kuptim, as si origjinalitet e aktualitet dhe as si drejtësi e vlefshmëri, por çdo ditë që kalon, shpirtrave, mendjeve dhe zemrave u fryn frymëzime të reja, u ofron ide dhe njohuri të një niveli më të përparuar dhe e ruan rininë e freskinë duke u bërë çdo ditë më i ri e më i freskët”.

Në fund të aktivitetit u promovua edhe libri “Tefsiri i sures Fatiha” nga z. Xhemal Balla. I cili e sjell këtë punim si përmbledhje të përkthimit dhe të komentimit të sures “Fatiha” të Kur’anit nga veprat e dijetarëve myslimanë, H. Vehbi Dibra, me titull “Ç’urdhëron Kur’ani”; H. Ibrahim Dalliu, me titull “Ajka e kuptimeve të Kurani Qerimit”; dhe H. Ali Korça “Tefsiri i sures Fatiha”, botuar në revistën “Zani i Naltë”.

Në fjalën e rastit ai bëri një analizë gjuhësore dhe kuptimore të saj.

“Surja Fatiha është e bekuar, pasi përfshin bazat themelore dhe mësimet kryesore të Kur’anit Fisnik, rrjedhimisht edhe të të gjithë librave të shpallur nga Zoti i Madhëruar. Parë në këtë optikë, ajo shihet si parathënia e Kur’anit, në të cilën përmblidhen shumë të vërteta të patundshme që shpjegohen me hollësi në sure të tjera të tij” – tha ai.

Aktiviteti vazhdoi më tej me interpretime të ndryshme, në fund të tij u shpërnda literatura e revistës drita Islame, Kurani dhe tefsiri i lartëpërmendur për të gjithë besimtarët e pranishëm./kmsh/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.