Thirrja islame dhe metodologjia e saj kuranore

"Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët. (En-Nahl, 89)

Kurani famëlartë si libër hyjnor i shpallur te Muhamedi a.s., në brendësi të tij përmban çdo gjë që ndërlidhet me njeriun dhe i përgjigjet dëshirave të tij ideore, jetësore, mjekësore dhe të gjitha fushave, në të cilat hulumton mendja njerëzore qoftë në të kaluarën apo sot. Për këtë çështje i Lartësuari thotë: "Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për myslimanët. (En Nahl,89).
Në realitet, Islami që nga shfaqja e tij deri më sot mbetet i fortë për të ushtruar ndikimin në jetë dhe në analet historike, qoftë kur myslimanët ishin të fuqishëm apo edhe kur kalonin momente krizash si sot. Islami, në botëkuptim të saktë dhe të plotë është fe dhe qytetërim. Dokumenti i madh dhe i përjetshëm i islamit, Kurani është ruajtur nga devijimi. Islami, asnjëherë nuk është ndalur së shtriri, që nga fillesa e tij, e deri në konfliktet me kolonizatorët. Islami e ka theksuar qartë rëndësinë e mendjes, rëndësinë e dijes duke unifikuar dy komponentet materialen dhe shpirtëroren, si dhe asnjëherë nuk është bërë pengesë për zhvillim. Komentimi historik, Islamit i jep një koncept të ndryshëm nga konceptet e feve dhe drejtimeve tjera fetare. Sheriati islam është i gjallë dhe i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend, qëndron vetvetiu dhe nuk është i marrë nga të tjerët."(1)
Çfarëdo problemi që njeriut i paraqitet apo edhe qoftë edhe nëse gjinden para një sfide shkencore, shtegdalje dhe udhëzim ka metodat kuranore, të cilat e thërrasin njeriun të tregohet i vëmendshëm para argumenteve kuranore. Madje, Allahu na kërkon që argumentet e Tij t'i shikojmë në vetveten tonë:
"Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?" (Edh-dharijat,21).
Po ashtu në këtë drejtim nga metodat kuranore përfituan shkencërisht edhe mjekët, të cilët i tërhoqi drejt dritës së vërtetë, duke njohur rrugën e cila shpie për te feja e Zotit duke iu dorëzuar fakteve të qarta në punën e tyre, dhe çdo gjë problem që janë ndesh, ku Allahu xh.sh. thotë: U lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, (El Arafë, 157), ku qartë shumë thirrës islam përfituan nga ky ajet kuranor duke e vënë në funksion të debateve dhe polemikave në mënyrën më të mirë e me urtësi që pas çdo harami qëndron një urtësi e cila ka ndikimin e saj në shoqëri dhe individ, ku dihet fakti se shkenca ditë pas dite po i vërteton urdhëresat dhe ndalesat që i ka bërë islami për njerëzimin.
Bindja e myslimanëve me rëndësinë e fesë islame nga njëra anë dhe nevoja e botës për të, numërohet bazament i shëndoshë dhe pikënisje e thirrjes islame. Po ashtu rol të veçantë ka planifikimi, i cili është element i domosdoshëm i suksesit të çdo projekti.(2)
Nisur nga fakti se feja islame është fe e thirrjes që nga shfaqja e Pejgamberit a.s., të cilin Allahu xh.sh., e urdhëroi që të kryen këtë mision duke treguar të vërtetën për të gjithë popujt e botës, ashtu siç kemi edhe ajetin kuranor:
“Nuk ka dyshim se ata që e trashëguan librin prej tyre (prej të parëve) janë në dyshim të thellë ndaj tij (ndaj librit Tevrat e Inxhil). E për këtë shkak (të përçarjes së tyre), ti thirr dhe përqendrohu ashtu si të është urdhëruar dhe mos shko pas dëshirave e thuaj: "Unë kam besuar në librat që i shpalli Allahu, jam urdhëruar të mbajë drejtësi mes jush, Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Ne kemi përgjegjësinë e veprave tona e ju të veprave tuaja, nuk ka polemikë mes nesh dhe jush. Allahu bën tubimin mes nesh dhe vetëm te Ai është përfundimi." (Esh Shura,14-15).
Dërgimi i tij përfshinte botën njerëzore dhe të xhinëve, duke ua kumtuar fenë e Zotit, të vërtetën dhe ta dinë detyrën e tyre kryesore të kësaj bote kalimtare: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata." (Edh-dharijatt, 56-57)
Kjo thirrje e vërtetë nuk pranon Zot tjetër pos Tij. Për këtë thirrje ka dërguar pejgamber dhe rrugën e tyre e kanë ndjekur reformatorët të cilët me përkushtim të sinqertë dhe me mund e angazhim të pashoq me dijen e tyre kanë kontribuar në mbajtjen në vijë hyjnore të njerëzve. Ky mision i pejgamberëve është përmbyllur me ajetin e fundit të zbritur, ku i Lartësuari thotë: "E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t'i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit." (Ali Imran, 85)
Ndërkaq në një vend tjetër i Gjithëfuqishmi thotë: "Pa dyshim feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami. U kundërshtuan ata që u është dhënë libri, pasi që erdhi e vërteta, nga zilia mes vete. E kush mohon argumentet e Allahut (le ta dijë se), Allahu (ia) llogaritë shpejtë." (Ali Imran, 19.)
Pasues të Muhamedit a.s. ishin shokët, të cilët nuk iu ndanë natë as ditë, duke transmetuar sunetin e tij në mënyrën më besnike dhe më të sinqertë. "Andaj, ti përmbaju asaj që të shpall, e s'ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë. Dhe se ajo (shpallja) është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd dhe për këtë (lëvdatë) më vonë do të përgjigjeni."(Ez-Zuhruf,43-44) .

Metoda kuranore

Edukimi dhe përgatitja më e mirë e thirrësve islam është që të ndërtohet mbi metodat kuranore që kanë të bëjnë me dave, duke treguar sinqeritet dhe vendosmëri në punë, si dhe duke ndjekur metodat pejgamberike të butësisë, larg brutalitetit, se sikur Pejgamberi a.s. të tregonte ashpërsi dhe vrazhdësi, masa do të largohej prej tij. Brendësia e moralit të të Dërguarit a.s., që myslimanët duhet të marrin si model, është se ai ishte tolerant, i buzëqeshur, i sjellshëm dhe shpirtbutë. Nuk ishte zemërfortë, i vrazhdë, i ashpër dhe turpërues. Nga goja e tij asnjëherë nuk dilnin fjalët e ashpra dhe të vrazhda. Asnjëherë nuk i thoshte turpin askujt, dëgjonte folësin derisa ai e mbaronte fjalën e tij. Nuk interesohej me jetën private të asnjërit, ishte modest dhe i turpshëm. Atë që e dëshironte për veten e tij çdoherë e dëshironte edhe për të tjerët, asnjëherë nuk ndahej nga drejtësia. Aishja r.a. thoshte se morali i tij ishte Kurani.(3), kurse një herë Ebu Bekri e pyeti të Dërguarin a.s.: "Ja resulullah kush të edukoi (mësoi) ty?" -i Dërguari a.s. tha: "Mua Zoti im më edukoi dhe sa bukur më edukoi!"
Ishte metoda kuranore që përgatiti individ, që mbi supet e tyre të bartin amanetin e daves, të çojnë në vend urdhrat e Zotit. Metodat kuranore, Allahu i ka sqaruar bukur në Kuran për robërit e Tij dhe ka porositur të Dërguarin a.s. pasi që iu afrua momenti i largimit nga kjo botë, la këshillën më të mirë: "Po ua lë dy gjëra me të cilat nuk do të humbni: Librin e Allahut dhe sunetin tim."(4)
Metodat e Kuranit në thirrjen islame iu flasin mendjeve në çdo kohë dhe vend, duke u përshtatur me të arriturat e tyre. E afron ndjeshmërinë në çdo ambient në mendjet e pastra që të njohin madhështinë e Zotit dhe me çka obligohen krijesat për të. Vetëm ai që thellohet në meditime të metodave kuranor të thirrjes mund t'i perceptojë si të tilla, që dalin si të fuqishme nga semantika gjuhësore: ''A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!" (Muhamed, 24)
Në vijim po sjellim disa metoda kuranore të thirrjes:
Përgatitja e personalitetit të thirrësit, e cila bartë përgjegjësinë e komunikimit dhe ballafaqimit me lloje të ndryshme njerëzish që ndryshojnë nga natyrshmëria, qëllimet, synimet dhe idealizmin në punë.
"Te Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!" (Saf,3). E po ashtu edhe sinqeritet në punë të përditshme.
"Ti (Muhamed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta." (El Ahkaf, 35).
Përfshirja e njerëzve të ftuar tek ibadeti i pastër ndaj Zotit dhe mos shkaktimi i ndasisë sipas perceptimit social në caktimin e pasimit, bazuar në standarde materiale. Kjo metodë do të krijonte mundësi tepër efikase dhe të përshtatshme për dave dhe të komunikuarit me to, si dhe do të prodhonte po ashtu edhe ndjenja sociale dhe ndijore.
''Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. Ngase atij i erdh i verbëri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t'i bëj dobi! E ai që nuk ndien nevojë (për Zotin) pse ka pasuri, Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)! Po ti nuk ke përgjegjësi, pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton dhe vjen te ti, dhe meqë ai frikësohet, E ti nuk e zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij)." (Abese, 1-10).
Gjerësia horizontale, dituria e thirrësit, zemërgjerësia e tij në perceptimin, në veprimin në shoqërinë që thërret në islam, qoftë për nga adetet, zakonet që janë të rrënjosura në shoqëri si dhe me urtësinë më ta madhe të përpiqesh që të evitosh dhe ndryshosh bindjet e gabuara në shoqëri. Kjo mënyrë e përdorur do të qetësonte zemrat dhe do të eliminonte problemet të cilat janë prezentë tek ata.
"Thuaj: "Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t'ju sjell ujë mbitokësor (burimor)?" (El Mulk,30).
Model i thirrësve islam duhet të jenë pejgamberët, të cilët patën argumente nga ana e Allahut që sforcuan edhe më shumë bindjen dhe pasimin e tyre nga ana e masës, derisa iu zbutën zemrat dhe pati pranim të thirrjeve të tyre. Faktet e Zotit ishin të qarta dhe kërkoi që të meditohej në to: "Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë? (Fussilet,53).
Zgjidhja e problemeve të vështira të cilat prodhojnë situata ndarjesh e grupimesh, duke i orientuar ata drejt metodës së shëndoshë të përfitimit të zemrave dhe përpjekja e mundjes së vështirësive në ambientin ku vepron.
Për këtë Allahu urdhëron e thotë: "Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani! Kujtoni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntitë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju të gjeni të vërtetën e lumtur." (Ali Imran,103).
Thirrësi duhet të gjejë kohën e përshtatshme për thirrje dhe duke qenë sa më i shkurtër në fjalë, me qëllimin që mos t'i mërzisë me ligjëratën e tij masën dhe si rezultat do të mund të largoheshin. Por, duke përdorur strategjinë e afrimit, drejton ligjëratën kah elementi ndikues që influencon mendjet e të pranishmëve si dhe mundësinë e thellimit në semantikën e ligjëratës.
"E ti thuaj: "E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë." (El Kehf,29).
Është tejet me rëndësi që thirrësi të arrij të kuptoj se thirrjen e bënë për Allahun dhe jo për vetën e tij, dhe se kjo thirrje është globale e jo rajonale.
"Dhe, sikur ta zbatonin Tevratin, Inxhilin dhe Kuranin, që u zbritën nga Zoti i tyre, ata do të kishin furnizim me bollëk nga qielli dhe toka." (El Maide,66). Ndërsa Allahu e urdhëron me komunikim të shpalljes në këtë ajet: "O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon." (El Maide, 67).
Fenë e Allahut duhet përçuar te tërë njerëzimi pa dallim race, kombi, ngjyre apo shtrese a kaste. Ajo komunikohet me paqe e dashuri, larg çdo përdorimi të dhunës dhe forcës, të cilat nuk janë atribute të thirrjes islame.
"Nëse ata (idhujtarët) refuzojnë, Ne nuk të kemi dërguar ty roje të tyre, ti ke për obligim vetëm komunikimin. Vërtet, kur Ne i dhurojmë njeriut nga ana Jonë ndonjë të mirë, ai gëzohet për të, e kur i godet ndonjë e keqe, që e ka merituar vetë, atëherë njeriu është përbuzës." (Esh Shura,48).
Një shoqëri duhet të angazhohet dhe të tregojë fuqi intelektuale që të thërrasë në islam publikisht shoqëritë e tjera. Kjo bëhet duke qenë shembull në punë dhe organizim, sinqeritet në shprehje, duke penguar të keqen, duke u ofruar të tjerëve dashamirësi e ndihmë, duke shprehur përgjegjësi dhe gjithsecilit duke ia dhënë hakun e tij, duke mbajtur premtimet dhe duke kryer përgjegjësinë e obligimit karshi të tjerëve. Në lidhje me këtë Allahu urdhëron e thotë: "Nuk ka dyshim se për myslimanët, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakdhënësit dhe sadakdhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh." (El Ahzabë,35).
Këto ishin vetëm disa metoda të cilat Kurani famëlartë na i rrëfen neve si thirrës në islam, që duhet t'i aplikojmë në misionin tonë. Përndryshe gjatë leximit dhe meditimit të fjalëve në Kuran do të hasim në argumente dhe metoda që përshtaten dhe ndihmojnë thirrjen islame, duke u shërbyer me praktikat dhe metodat e pejgamberëve me popujt e tyre, por edhe të vetë të Dërguarit të fundit. Historia e tyre është e mbushur me modele që kërkojnë nga ne që të hartojmë strategji të mbështetur në praktikat dhe udhëzimet e tyre me qëllimin që misioni ynë të ketë sukses, por duke ua përshtatur rrethanave dhe kushte të shekullit në të cilin po jetojmë. Sigurisht që jeta na sfidon me risi të përditshme andaj edhe ne si thirrës duhet të jemi në hap me kohën në mos përpara për t'u paraprirë gjërave dhe proceseve.


_________________________
1) Enver Xhundi, Afok Xhedide lidda'veti el islamije fi alemi el garbi, botim i parë, Muesesetu errisale, Bejrut, f.188.
2) Abdullah Sbebate, Eddave el islamije ve el'ilam eddini, El hej'etu el misrije el ame lilkutub, botim i dy të, 1986, Kajro,f.14.
3) Sahih Muslim, nr.746 dhe Imam Ahmedi 6/52.
4) Imam Maliku në Muueta, Xhamie el Usul nga Ibn Etbiri, v.1,f.211.



PHD(c) Rexhep Suma

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.