Allahu është gjithmonë i Pranishëm

Allahu është i Mëshirshëm, detyrimi ndaj Tij është një detyrim i shkurtër. Por, meqë do ta themi, mbase dhjetëramijëra herë në jetët tona, është e nevojshme të mendojmë rreth saj herë pas here, çfarë po themi? Cila është rëndësia e këtyre disapak fjalëve? Me gjasë pjesa më e madhe prej jush e kanë kuptuar se përbëhet nga dy pjesë.

Pjesa e parë, el-Hamdu lil-Lahi rabbil alemin është deklarim i formës natyrore të adhurimit të Allahut të Shumëlartë. Lëvdimi i përket Atij. Pastaj jepen disa nga cilësitë e Tij, er-Rahmani er-Rahim, Maliki jeumid-din.
Kjo është ajo që arabët e quajnë përemri i mungesës, veta e tretë njëjës në gjuhën tonë. Jo i pranishmi, veta e tretë. Mund ta përdorni vetën e tretë për dikë pranë jush apo në hënë dhe do të jetë përsëri e vlefshme nga pikëpamja gramatikore. Por, në mes të sures, çuditërisht, ne kalojmë në vetën e dytë, në një gjëmimë shumë këmbëngulëse: Ijjake na'budu ue ijjake nesta'in. Befasisht, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë. Ajo kthehet nga një shprehje hamdi në një shprehje duaje. Në mënyrë të befasishme, në mes të saj, nuk flasim më për jo të pranishmen, por i drejtohemi Atij që është i Pranishëm. Kjo ndodh kur shprehemi në vetën e dytë njëjës: bëhet lutje.
Në këtë pikë feja braktis ngushticat abstrakte të mendjes dhe hyn në realitetin e gjallë të zemrave tona njerëzore. Ai bëhet Karib, i Afërt kur flasim me Të. Fel-jestexhibu li, “le të më përgjigjen Mua". Jo thjesht përmes shkrimit të disa traktateve teologjike abstrakte rreth marrëdhënies ndërmjet Atributeve dhe Thelbit, por përmes përgjigjes së një humanizmi të përunjur, të dërrmuar, ndaj Pranisë Absolute të el-Karib, duke kuptuar sa afër është Ai. Ue hue 'eKrabu ilejhi min hablin uerid, "Ai është më afër njeriut se damari i qafës". Kaq afër është Ai. Ne jemi urdhëruar të jemi afër. Ky është një ndër urdhrat që i erdhi Profetit të Shenjtë a.s., lidhja e sërishme përmes lutjes aktive, uesxhud uekterib, "Përdhesu dhe afrohu"!
Hadithi na tregon se robi është më afër Zotit të tij, kur është në sexhde. Kjo është pika kulmore e lutjes. Prandaj pika kulmore e jetës së besimtarit është të ripohojë që Ai është afër. Ky është realiteti i fesë. Realiteti i fesë është të lotosh gjatë lutjes, të ndiesh momentin e jashtëzakonshëm kur njeriu është i vetëdijshëm se Allahu nuk ka ardhur, as ka shkuar, por Ai është gjithmonë i Pranishëm. Meija e Tij, veprimi i pakalueshëm i Emrave të Tij madhështorë pafundësisht të bukur, kullueshmërisht të ndritur, gjithë rreth nesh, brenda nesh s'ka ekzistuar kurrë tjetër gjë. Kjo është mënyra si i sheh gjërat besimtari i vërtetë.
Kjo është e vështirë, sepse jemi qenie njerëzore dhe kemi impulsin shtazor që vëren shkak-pasojën. Kemi atë impuls që e bën vërtet të vështirë ta mbjellësh në zemër atë teologji, ta bësh atë parimin tonë të jetës. Kafshët nuk e kanë këtë. Macja e di që ekziston shkakësia. Kur bie shi macja ndien lagështinë. Nuk mund ta kuptojë ei-Karibin. Por ne qeniet njerëzore e kemi këtë aftësi përmes misterit, tek i cili Fatihaja na fton, nga bota abstrakte e të largëtit në realitetin e gjallë të Atij që është i Pranishëm.
Nuk ekziston një mënyrë më e mirë për ta zbuluar këtë se shqyrtimi i shumë duave, lutjeve që Profeti ynë a.s. na ka lënë trashëgim në traditën e bukur. Nëse doni të kuptoni vërtet Islamin, unë u them gjithmonë njerëzve: shihni lutjet e Profetit të Shenjtë, ato do t'ju mësojnë më shumë se 1000 vëllime me teologji. Në lutjen mund të shihni realitetin e fesë, përunjësinë e shpirtit njerëzor, madhështinë e qenies njerëzore, kur ajo zbulon teuhidin-njëjësinë.
Çfarë rezultati ka kjo? Rezultati - dhe sërishmi mësuesit e mi kanë këmbëngulur në këtë gjë - është se kur sheh el-Karib-in dhe e përbrendëson këtë, nis ta duash krijimin; njëmend fillon ta duash krijimin. Sigurisht që ka gjëra të frikshme në krijim. Emrat Hyjnorë janë shpeshherë të rreptë; të vrojtosh përmes teleskopit Hubble të hapësirës arrin të kuptosh sa shumë gjëra të frikshme dhe gjëra madhështore gjenden në krijim. Por, i gjithi është krijimi i Tij dhe i gjithi është për t'u dashur. Shenja e besimit të vërtetë është shpërthimi i dashurisë nga zemra, që të bën ta shohësh krijimin e Allahut jo thjesht si një grusht dukurish, vargje të ADN-së dhe grimcave atomike që zhduken dhe rikonfigurohen në një univers material thelbësisht të pakuptimtë, por ta shohësh si ajo që Allahu dëshiron në atë moment, dhe ai është Ahkemil-hakimin.
Ky është transformimi ndërmjet atyre që dinë dhe atyre që nuk dinë, çka përbën dallim të madh. Nuk janë i njëjti lloj i qenieve njerëzore. Cili është efekti i kësaj gjëje? Efekti është se ai që e sheh Allahun si el-Karib e do krijimin e Tij dhe i do qeniet njerëzore më shumë se çdo gjë tjetër në krijim, sepse në qenien njerëzore manifestohen këto cilësi të jashtëzakonshme të Allahut të Shumëlartë, sepse nuk janë thjesht cilësi të bukura dhe madhështore, por janë edhe morale. Mund të gjeni dhembshurinë në qeniet njerëzore, drejtësinë, butësinë, dhe nëse ato nuk i kanë gjithë këto cilësi aktualisht, të paktën mund të vëresh aftësinë për t'i pranuar ato; duajini për atë që janë, apo për atë që u kërkohet të jenë, por duajini!
Kjo është urtësia në rrugën e mësuesve të mi - një trajtim jashtëzakonisht i dhembshur i të gjithë këtyre krijesave, përfshirë edhe mëkatarët nga mesi i tyre. Kjo ka qenë gjithmonë shenja dalluese e eulijave dhe shkollarëve të mëdhenj të Islamit. Vetë procesi i krijimin ka si synim qeniet njerëzore dhe kjo nuk është gjë e vogël. Kujtoni atë histori me të cilën nisi parehatia apo gjendja jonë, në suren El-Bekare, episod i jashtëzakonshëm në fillim të kësaj Besëlidhjeje të fundit madhështore të teuhidit - monoteizmit të pakompromentuar abrahamik: mu në ag të qenies njerëzore, Allahu i Shumëlartë urdhëron engjëjt të përdhesen (bien në sexhde) përpara kësaj krijese të bërë nga argjila.
Tekst i çuditshëm për t'u vënë në një dokument që ka si qëllim të thyejë idhujt e arabëve dhe të reduktojë të qenët njeri në gjendjen e abdit, engjëjt vetë, me afërsinë që kanë me Allahun -et-mela'iketel mukarrabun -të urdhëruar të përdhesen përpara kësaj qenieje të çuditshme, të krijuar nga argjila. Ata përdhesen përveç Iblisit, që sigurisht nuk e bën këtë gjë.
Kjo është zgjedhja jonë. Ose do ta njohim dinjitetin e pafund, dashurueshmërinë dhe jetëgjatësinë e pafund të qenieve njerëzore, jo për shkak të asaj që jemi si një grumbull qelizash, organesh e grimcash. jo dhe aq të këndshme, por për shkak të dritës së shpirtit - ruh -që Allahu e ka krijuar në këtë argjilë - ose arrijmë t'i duam ato me të vërtetë dhe t'i shohim me syrin e dashurisë, ose do të ndjekim rrugën e Iblisit dhe të refuzojmë t'i respektojmë apo t'i admirojmë. Përse? Për shkak të krenarisë së tij, logjikës dhe teologjisë së tij të rreme, përfundimit të tij të gabuar: jam më i mirë se ai; jam zjarr. Zjarri vjen nga autonomia jonë vetjake, nga energjitë tona të brendshme, nga zemërimi, tërbimi, krenaria, që gjenden me shumicë në fe sot. Ka shumë pak dashuri për robërit e Allahut, sepse ka kaq shumë krenari, zemërim, pështjellim, arrogancë.
Këto janë vetëm disa nga efektet e teuhidit-njëjësisë.
Në këtë gjendje i la njerëzit Profeti a.s. duke qenë të ndarë më parë në fise, që ndiqnin statuja të ndryshme, duke u hakmarrë shekull pas shekulli, bashkoi zemrat e tyre falë këtij parimi transformues, unik dhe unikalisht të pazëvendësueshëm të teuhidit, të Njëjësisë së Allahut të Shumëlartë. Shumë nga ne flasin për teuhidin në ditët e sotme, herë me zemërim, herë me butësi, por teuhidi nuk është asgjë nëse mbetet thjesht në tru dhe në manualet teologjike e nuk hyn në zemër dhe nuk transformon mënyrën si jemi. Teuhidi nuk duhet të na ndihmojë vetëm për te ripohuar Unitetin e Krijuesit, por të na ndihmojë edhe të rikujtojmë unitetin e racës njerëzore.
Çdokush i përket ose ummet ed-dauah, ose ummet el-ixhabah - ose që duhet të ftohet, ose që tashmë është përgjigjur, por janë të gjithë aty, siç ishin në kohën kur engjëjt iu përdhesën Ademit a.s., të gjithë zotërojnë ker-remna beni Adem: Ne i kemi fisnikëruar bijtë e Ademit. Të gjithë kanë el-'ismeh el-ademijeh, ajo që shkollarët maturidij e quajnë si paprekshmëria e përkatësisë në familjen adamike. Kjo është rrjedhoja e vërtetë e teuhidit. Mos u kushtoni vëmendje, mos i respektoni, mos u besoni atyre që flasin për teuhidin e zemrat e të cilëve nuk janë tejmbushur me dashurinë për krijesat e Allahut.
Zoti ju bekoftë! Paqja dhe dashuria e Zotit ju shoqërofshin!



Shejh Abdu-l-Hakim Murad-i
Përktheu: Vehap Kola
Dituriaislame 327

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.