Morali i mirë është shkak për tu futur në Xhenet

Pejgamberi a.s. ka thënë: (Unë do të jem lider-udhëzues në një shtëpi në rrethinë të Xhenetit, për atë që braktis mosmarrëveshjet-grindjet edhe nëse ka të drejtë, gjithashtu në një shtëpi në mes të Xhenetit, për atë që braktis gënjeshtrën edhe gjatë shakasë, gjithashtu në një shtëpi në pjesën më të lartë të Xhenetit, për atë që ka moral të mirë). (1)

Transmeton Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. është pyetur për gjërat që më së shumti ndikojnë për të hyrë në Xhenet, e ai është përgjigjur duke thënë: "Frika ndaj Zotit (devotshmëria) dhe morali i mirë." Ai gjithashtu është pyetur për gjërat që më së shumti ndikojnë për të hyrë në Xhehenem, e ai është përgjigjur duke thënë: "Goja dhe organi gjenital.”(2)
2. Morali i mirë është shkak që Allahu xh.sh. ta dojë robin e Tij.
Allahu xh.sh. ka potencuar se Ai e do atë që stoliset me moral të mirë, siç janë durimi, mirësia, drejtësia etj. Ai në Kuran thotë: "Dhe jepni për në rrugën e Allahut e mos e hidhni veten në rrezik, dhe bëni mirë se me të vërtetë Allahu i do bamirësit." (El Bekare, 195). Ai gjithashtu thotë: "Allahu i do durimtarët." (Ali Imran, 146). Gjithashtu thotë: “Allahu i do të drejtit.” (El Maide, 42). Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: "Robërit më të dashur te Zoti janë ata që janë më të moralshëm."(3)
3. Morali i mirë është shkak që Pejgamberi a.s. ta dojë atë person. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Njerëzit më të dashur te unë dhe më afër meje Ditën e Kiametit do të jenë njerëzit e moralshëm.”(4)
4. Virtytet morale Ditën e Kiametit në peshoje peshojnë shumë rëndë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk ka asgjë më të rëndë në peshore sesa morali i mirë.”(5)
5. Morali i mirë shumëfishon shpërblimin dhe sevapet. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Myslimani përmes moralit të mirë arrin gradën e falësit të namazit të natës dhe të agjëruesit.”(6) Ai gjithashtu ka thënë: “Me të vërtetë myslimani i përkushtuar arrin shpërblimin e agjëruesve dhe falësve të namazit përmes sjelljes dhe moralit të mirë.”(7)
6. Morali i mirë është nga veprat më të mira të njerëzve.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "O Ebu Dherr, a do të të tregoj për dy virtyte që janë të lehta për t'i vepruar, por kanë peshë të madhe ndaj të tjerave?" Ai tha: ”Gjithsesi, o i Dërguari i Allahut." Pejgamberi a.s. tha: ”Përqendrohu në moral të mirë dhe heshtje të gjatë, sepse për Zotin nuk ka vepër më të mirë sesa këto dyja."(8)
7. Morali i mirë shton jetëgjatësinë dhe shtëpinë e mbush begati (bereqet).
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Morali i mirë dhe mirësjellja ndaj fqinjit mbushin shtëpitë (bereqet) dhe shtojnë jetëgjatësinë.”(9)
8. Morali i mirë është shenjë e plotësimit të imanit-besimit.
Transmeton Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Besimtarët më të plotësuar në imanin-besimin e tyre janë ata që kanë moral të mirë, dhe më të mirët prej jush janë ata që sillen mirë ndaj grave të tyre.”(10)
Ndërsa, një hadith tjetër Pejgamberi a.s. është pyetur nga Amër bin Abese, pra për imanin-besimin më të mirë, e Pejgamberi a.s. është përgjigjur: "Morali i mirë.”(11)

Burimet e moralit islam

Burimet e moralit islam mund t'i përmbledhim në dy burime esenciale, e ato janë dy burimet më të mëdha nga rrjedh morali i mirë:
1. Kurani famëlartë, dhe;
2. Suneti i Pejgamberit a.s.
Kurani famëlartë është burimi i parë i moralit. Ajetet që ftojnë për t'u stolisur me virtyte të moralit të mirë dhe largim nga morali i keq janë të shumtë, e ndër ta edhe ajeti ku Allahu xh.sh. thotë: "Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim." (En Nahl, 90).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: ”Thuaj: Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t'i mvishni Allahut shok pa pasur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë." (El Araf, 33).
Për vërtetësinë dhe origjinalitetin e këtij burimi na tregon fakti se Pejgamberin a.s. Allahu xh.sh. e ka cilësuar me moral madhështor, ndërsa Aisheja r.a. e cilësoi atë me shprehjen: "Morali i Pejgamberit a.s. ishte Kurani."(12) Kuptimi i këtij teksti, siç thotë Ibën Kethiri, është se: Pejgamberi a.s. e ka obliguar veten e tij që të mos veprojë asgjë tjetër përveç asaj që e kishte urdhëruar Kurani, dhe që të mos braktisë asgjë përveç atë që e ka ndaluar Kurani. Prandaj, nënshtrimi ndaj urdhrit të Zotit iu bë virtyt dhe atribut deri në Ditën e Kiametit."(13)

Burimi i dytë është Suneti i Pejgamberit a.s.

Domethënia e fjalës "sunet" përfshin thëniet, veprat dhe miratimet-pëlqimet e Pejgamberit a.s., dhe në këtë mënyrë suneti autentik i Pejgamberit a.s. konsiderohet burim i dytë i moralit islam. Allahu xh.sh. thotë: "Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë Allahun!” (El Hashr, 7).
Allahu xh.sh. gjithashtu thotë: ”Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (Es Sexhde, 21). Gjithashtu thotë: "Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i Dërguari, po që se besoni Allahut dhe Ditës së Fundit?!" (En Nisa, 59). Ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: "Jam dërguar për të përsosur moralin e mirë.”(14) Lidhur me moralin e Pejgamberit a.s. dijetarët kanë thënë: Kur një njeri dëgjon apo mëson për një sjellje të Pejgamberit a.s., atëherë ai duhet të kujdeset që ta futë në praktikën e tij. Për këtë arsye shokët e Pejgamberit a.s. ishin shumë të përkushtuar që të pajisen me moral të mirë, gjithherë duke u mbështetur në atë që ka ardhur në Kuran dhe hadithe të Pejgamberit a.s.(15)


__________________________
(1) Transmeton Imam Ebu Davud, Imam Neveviu në librin e tij "Rijadus-Salihin” f. 216, thotë se hadithi është autentik.
(2) Transmeton Imam Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi.
(3) Transmeton Imam Hakimi dhe Imam Taberaniju në librin ”El-Ke-bir”.
(4) Transmeton Imam Tirmidhiu.
(5) Transmeton Imam Tirmidhiu dhe Ibën Hibani.
(6) Transmeton Imam Ebu Davudi, Imam Ahmedi dhe Hakimi.
(7. Transmeton Imam Ahmedi dhe Taberaniu në librin "El-Kebir”.
(8) Transmeton Bezari dhe Ebu Jaëla.
(9) Transmeton Imam Ahmedi.
(10) Transmeton Imam Tirmidhiu dhe Ahmedi.
(11) Transmeton Imam Muslimi.
(12) Transmeton Imam Muslimi.
(13) El-Fusul fI Siretir-Resul, Imam Ismail bin Omer bin Kethir, botimi i tretë, Damask, 1981.
(14) Transmeton Imam Ahmedi, Imam Hakimi dhe Imam Buhariu në librin El-Edebul-Mufred.
(15) Mevsuatul Ahlak, Halid bin Xhumua bin Othman El-Harraz, botimi i parë, Kuvajt, 2009.



Mr. Vedat Shabani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.