Arti i vështirësimit të hyrjes në Xhennet!

Disa individëve u është hapur porta e vështirësimit të hyrjes në Xhennetin e robërve të Allahut. Sikur çelësat e Xhennetit janë në xhepin e një individi të tillë dhe ai kë të dojë, e fut në Xhennet e kujt të dojë, ia ndalon hyrjen në të!

Dhe sikur instrumentet (faturat) e faljes janë në dorën e tij, dhe ai kë të dojë, e mëshiron e kë të dojë, e ndëshkon. Kur takohet me mëkatarët, ai i përgëzon me zjarrin e Xhehenemit dhe betohet para tyre se ata në asnjë mënyrë nuk do të futen në Xhennet, ndërsa, kur takohet me njerëz të nënshtruar ndaj Zotit, dyshon në nënshtrueshmërinë e tyre dhe ua përmend atyre mangësitë e veprave të tyre. Kur i dëgjon tekstet (kuranore apo hadithet e Pejgamberit a.s.), të cilat flasin për faljen dhe mëshirën, nuk i merr ashtu siç janë, po i komenton vetë. Madje më ka rastisur të dëgjoj disa prej tyre duke i komentuar tekstet e haditheve, të cilat flasin për falje të mëkateve, siç është hadithi ku Pejgamberi a.s. thotë: (Kush thotë: “Subhanallah ve bihamdihi” gjatë ditës njëqind herë, atij do t’i falen mëkatet e tij, edhe nëse janë sa shkuma e detit), duke thënë për këtë hadith: Ky hadith nuk duhet kuptuar sipas kuptimit sipërfaqësor – të jashtëm, sepse nuk falen të gjitha mëkatet dhe as mëkatet e mëdha; ka disa kushte për faljen e mëkateve dhe ato nuk janë përmendur në këtë hadith! Ai sikur i kundërpërgjigjet Pejgamberit a.s.!
Ndërsa, kur përmendet hadithi i Pejgamberit a.s. (Kush thotë: “La ilahe il-laLlahu-Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” me sinqeritetin më të madh, do të hyjë në Xhennet) ai e komenton duke thënë: Hadithi nuk duhet kuptuar sipas kuptimit sipërfaqësor – të jashtëm, sepse ekzistojnë kushte, obligime dhe ndalesa të cilat duhet të plotësohen patjetër, në mënyrë që të kuptohet ky hadith sipas kuptimit sipërfaqësor – të jashtëm. Ndërkohë që thënësi i këtij hadithi është Pejgamberi i mbrojtur nga mëkatet, njeriu më i njohur me domethënien gjuhësore të teksteve dhe njeriu më i ditur për qëllimin e Zotit të tij si dhe njeriu më i pastër dhe më i devotshëm ndaj Zotit të tij.


Çfarë dobie kemi nga nënshtrimi ynë, nëse paraprakisht tashmë jemi të humbur?

Në këtë mënyrë ky grup i njerëzve vazhdojnë t’ua vështirësojnë njerëzve hyrjen në Xhennet përderisa ai që është i nënshtruar ndaj Zotit dhe zbatues i urdhrave të Tij, të mos besojë në nënshtrueshmërinë e tij, e mëkatari të mos pendohet për mëkatet e tij. Ata nuk ua përkujtojnë njerëzve pendimin as mëshirën e më të mëshirshmit. Kur përmendet ndonjë tekst qortues (kuranor apo i haditheve të Pejgamberit a.s.), e komentojnë sipas kuptimit sipërfaqësor - të jashtëm dhe ia shtojnë edhe disa gjëra, siç është thënia e Pejgamberit a.s. (Nuk do të hyjë në Xhennet bartësi i fjalëve “thashethemexhiu”), ata thonë: Domethënia e hadithit është se bartësi i fjalëve do të jetë në zjarrin e Xhehnemit përgjithmonë dhe hyrja në Xhennet për të do të jetë e ndaluar (haram), ndërsa ne e dimë se ky nuk është qëllimi dhe domethënia e hadithit. Nëse ceket ndonjë përgëzim për falje të mëkateve apo për mëshirë të Zotit në ndonjë ajet kuranor apo në ndonjë hadith, ata ia ndryshojnë kuptimin dhe domethënien, për të prishur gëzimin për këtë përgëzim. Kjo sjellje e rrezikshme, për të vështirësuar hyrjen në Xhennet, te shumë njerëz krijon dëshpërim, humbje të shpresës dhe zhgënjim, saqë disa edhe thonë: Meqenëse edhe nëse pendohemi ne, kjo nuk pranohet prej nesh, e gjithashtu veprat tona të mira janë të përziera më hipokrizi dhe syefaqësi, atëherë çfarë dobie kemi nga nënshtrimi ynë, nëse paraprakisht tashmë jemi të humbur!?
Kam takuar disa të rinj shumë të zhgënjyer, të cilëve disa predikues ua kishin vështirësuar hyrjen në Xhennet, saqë ata kishin filluar të thoshin: Çfarë dobie kemi nga lutjet tona dhe nga namazi ynë, pasi tashmë jemi të zhytur dhe të ndotur në mëkate e gjynahe?


Mbjellja e shpresës tek njerëzit

Gjithashtu kam takuar disa të tjerë, të cilët janë goditur nga vesveset, nga frika e madhe si rezultat nga dëgjimi i disa ligjëratave dhe hytbeve kërcënuese dhe të zjarrta, të cilat u premtojnë mëkatarëve zjarrin e Xhehenemit dhe ua humbin atyre shpresën në mëshirën e Zotit! Pyetjet janë: Kush e futi këtë grup të padëshirueshëm në fe dhe këtë grup ekstrem në legjislacionin islam, që të gjykojë për njerëzit se kush do të hyjë në Xhennet dhe kush nuk do të hyjë në të? Kush i ka autorizuar ata që t’i zbrazin tekstet nga domethënia dhe përmbajtja e tyre? Tekstet e mëshirës, sipas tyre, kanë një kuptim tjetër nga kuptimi sipërfaqësor – i jashtëm, ato kanë një domethënie të brendshme që tregojnë tekstet e tjera. Ndërsa tekstet e ndëshkimit dhe dënimit janë sipas domethënies sipërfaqësore – të jashtme dhe gjithashtu sillen dhe tekste të tjera edhe më të fuqishme. Nëse dëgjojnë hadithin e Pejgamberit a.s. që e transmeton Imam Muslimi në përmbledhjen e tij nga Ebu Dherr r.a,. se Pejgamberi a.s. ka thënë: (“Xhibrili a.s. më ka përgëzuar se kush vdes nga ymmeti yt duke dëshmuar se nuk ka zot tjetër përveç Allahut xh.sh. dhe se ti je i Dërguari i Allahut, ai do të jetë nga banorët e xhennetit”, Ebu Dherri tha: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh, Ebu Dherri prapë tha: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh, ebu Dherri prapë tha: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh? Pejgamberi a.s. u përgjigj: Edhe nëse bën amoralitet dhe vjedh, pavarësisht nga mospëlqimi apo habia e Ebu Dherrit). Ndërsa ata dëgjojnë këtë hadith, fillojnë të japin komentime të ndryshme, të cilat bien ndesh me domethënien sipërfaqësore – të jashtme të tij. Përse të mos jemi me tekstet e Kuranit dhe të haditheve të Pejgamberit a.s. mes frikës dhe shpresës? Dhe përse të mos jemi ashtu siç ka thënë udhëheqësi i besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib r.a.: (Dijetari apo juristi më i mirëfilltë është ai që nuk i siguron njerëzit nga ndëshkimi i Zotit dhe që nuk i dëshpëron a largon njerëzit nga shpresa në mëshirën e Zotit). Kjo është qasja e dijetarëve dhe mendimtarëve. Sepse Allahu xh.sh. në Librin e Tij ka bashkuar mes frikës dhe shpresës ndaj Tij e ka thënë: “Njoftoji robët e Mi se vërtet Unë jam Ai Që fal shumë dhe mëshirues i madh. Po (njoftoji) se edhe dënimi Im është i dhmbshëm”. (El-Hixher, 49-50)



Dr. Aid El-Karni
Përktheu nga gjuha Arabe, Vedat Shabani
Burimi: www.aawsat.com 5.1.2010 nr. 11361

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.