Nënmyftinia e Gjakovës gjatë luftës së dytë botërore (1941-1945) (I)

Në prill të vitit 1941, shtetet e Bllokut fashist sulmuan Jugosllavinë duke e shpërbërë dhe copëtuar atë. Fatin e saj e përjetuan edhe trevat shqiptare që ishin nën sundimin jugosllav.

Në kuadër të pushtimit nazifashlst, viset shqiptare u ndanë në tri zona pushtimi: gjermane, italiane dhe bullgare. Pjesa më e madhe e Kosovës, së bashku me trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit; trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga, u përfshinë në zonën italiane të pushtimit. Zonës okupuese gjermane iu bashkëngjitën Qarku i Mitrovicës, ku u përfshinë edhe rrethet e Podujevës, Vushtrrisë dhe Tregut të Ri, që hynë në kuadër të Serbisë së Nediqit. Bullgarisë fashiste veç rrethit të Shkupit e Kumanovës, i takoi një pjesë e rrethit të Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë si dhe Presheva e Bujanoci. Edhe pse bashkimi u bë nën kapelën fashiste, megjithatë për popullsinë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore kishte rëndësi të madhe historike. Forcat pushtuese vendosën që qeverisja lokale në rajonet e populluara nga shqiptarë duhej drejtuar nga shqiptarë, dhe gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare bashkë me atë italiane. Për herë të parë u rihapën shkolla fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, u legalizua përdorimi i simboleve kombëtare, u lejuan gazetat shqip, u lejua shënimi i festave shqiptare dhe u realizua bashkimi i komuniteteve islame në një komunitet të vetëm.
Me ndarjen e lartpërmendur u bë edhe ndarja e re administrative e Bashkësisë Islame në Kosovë, pra ajo që u bashkua me Shqipërinë nën okupimin italian u lidhë me kryeqendrën e re në Tiranë. Në zonën bullgare organizimi i Bashkësisë Islame mbeti i pa ndryshuar. Ulema Mexhlisi e Shkupit, ishte një ndër qendrat e islamit që përfshinte tërë viset shqiptare në Jugosllavinë e themeluar më 1921 për t'u reformuar dhe marrë nën kontroll shqiptarët pas vitit 1936. Nën okupimin bullgar kjo bashkësi u lidhë me qendrën e Myftinisë Supreme në Sofje. Ndërkaq, në zonën gjermane, përkatësisht nga viti 1942 u lidhën me kryeqendrën e formuar në Novi Sad, që lidhej me Beograd. Në zonën e administrimit italian në Kosovë u formuan dy qendra të kryemftinive: Prizren dhe Prishtinë. Në qendrat e kësaj zone ekzistonin kryemyftinjtë dhe myftinjtë, ndërsa në vendbanimet më të vogla nënmyftinitë dhe xhematët e imamëve. Gjakova bënte pjesë në kryemyftinin e Prizrenit, e cila përfshinte edhe vakëfet e: Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit, kurse kryemyftinia e Prishtinës përfshinte: Gjilanin, Drenicën (Skenderaj) dhe Ferizajn. Peja, për arsye se nuk ishte parashikuar në buxhet për kryemyftinj, mbeti myftini dhe komunikonte drejtpërdrejt me Këshillin e Ulemave. Myftinia e Pejës përfshinte: Istogun, Plavën, Gucinë, Rozhajën dhe Tutinin. Në kuadër të kësaj ndarje administrative të vakëfeve, Gjakova kishte edhe 10 këshilla të xhematit, të lagjeve dhe fshatrave të cilat kishin qendra selinë në: Cermjan, Raniq, Deçan, Skivjan, Junik, Ponoshec, Lagjja Qerim, Lagjja Hadum, Lagjja e Xhamisë së Mahmut Pashës, Lagjja e Xhamisë së Mulla Jusufit.
Gjakova zinte një vend të rëndësishëm në ndarjen administrative në kuadër të ristrukturimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar për shkak të rrethanave të reja që u krijuan në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, ajo si qendër kryesore në perëndim të Kosovës, por edhe viset përreth çmoheshin lartë në faqet e revistës "Kultura islame", e cila ishte organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në një artikull të kësaj reviste ndër të tjera shkruhej: "Përveç kësaj asht edhe pllaja e Priszrendit e Gjakovës dhe ajo e Pejës. Këto ndahen prej fushës së Madhe vetëm me anën e Malësisë së Drenicës dhe at të Sërmollës, dhe kufizohen si në veri ashtu edhe në jug-perëndim me Alpet e nalta të Shqipnis dhe me malsin e Gjakovës, të Lumës e të Gorës. Pra të gjitha qytetet e Kosovës mbarë gozhdohen me rradhë në ate fushë të bekueme sikurse me qenë nji varg inxhish". Vlerësime të tilla për këto treva vinin për shkak se ishin të pasura me trashëgimi islame-orientale si me xhami, teqe, mektebe, por në veçanti me Medresenë e Madhe (rreth viteve 1700) dhe Medresenë e Vogël (1815), të cilat ishin institucionet kryesore të arsimimit, nëpër të cilat përveç që mësoheshin gjuhët osmane, arabe dhe perse, shpjegimi i lëndëve mësimore bëhej edhe në gjuhën shqipe. Kjo është edhe arsyeja se pushtimi serb midis dy luftërave botërore nuk arriti të shtrinte ndikimin dhe influencën e vetë, pasi organet administrative fetare islame ishin të vetmet institucione, që mund të quhen organe institucionale legale për shqiptarët myslimanë të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jozyrtarisht në gjuhën amtare, shqipe. Kështu, edhe Partia Komuniste Jugosllave (PKJ) në Gjakovë nuk ka qenë gjerë në prill të viti 1941 parti masovike, kryesisht malazezë dhe disa serbë.
Gjatë kësaj periudhe u bë edhe riemërimi i imamëve. Dekretet e emërtimit lëshoheshin nga kryeqendra përkatëse në Tiranë. Imamët ndaheshin në dy kategori, në shtetërorë dhe private. Meqë imamët shtetërorë paguheshin me rroga të larta (imami shtetëror në zonën okupuese italiane merrte 600, vaizi 400, mësuesi i besimit 500, myezini 400 lekë etj.), kurse imamët privatë mbaheshin nga kontributet e besimtarëve kjo gjë nuk hetohet në veprimtarin e tyre profesionale. Në kuadër të këtij riorganizimi, Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë, me kërkesë të nënprefektit Sulejman Kryeziu, kërkohej emërimi si myfti në Gjakovë i Fahri Iljazit Myderriz, i cili kishte filluar detyrën më 9 maj 1941, mirëpo nënprefektura dëshironte dekretimin e tij zyrtar nga Kryesia e Komunitetit Mysliman, pasi e konsideronte atë: "Nji fetarë i zoti në çdo pikpamje e ma i nderit intelektual i këti qyteti. Përkushtimin e tij si fetar dhe intelektual gjatë Luftës së Dytë Botërore e dëshmon edhe angazhimi nga kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Behxhet Shapati, për të zhvilluar hetimet për parregullsitë e shfaqura në Myftinin e Gjilanit, ku Shaip Rexhepi ishte shkarkuar nga pozita e myftiut për shkak të pazotësisë se në disa fetva të lëshuara gabimisht. Në vend të tij ishte emëruar Idriz Hajrullahu. Në vazhdën e organizimeve dhe emërimeve në kuadër të Bashkësisë Islame, filloi të promovohej aktivisht pjesëmarrja e të rinjve në nivele të ndryshme lokale e regjionale. Kështu, Ismajl Agush Gashi, banues në Gjakove i drejtohet, me një kërkesë Kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili pasi potencon kualifikimin e tij si i diplomuar në Medresenë të drejtuar prej myderrizit Fahri Iljazit, kërkonte që nëse shfaqet nevoja e emërimit të një nënmyftije në nënprefekturën e Rahovecit, ishte i gatshëm të shërbente, pasi me këtë vend ishte në kontakt prej shumë kohësh.
Në këtë kuadër të riorganizimit, teqetë në qytetin e Gjakovës u lidhën me kryeqendrën e re në Tiranë. Sipas dokumenteve arkivore vërtetohet që kryetari i Sektit Halveti ishte Shejh Qerim Kavaja, kurse kryetar i organizatës "Drita Hynore" ishte Ferdi Vokopola. Lidhjet e vjetra të teqeve të Shqipërisë dhe Kosovës u ripërtërinë dhe bashkëpunimi midis tyre u intensifikua. Në vitin 1942 u bë organizimi i rendeve aleviane. Shejhlerët e teqeve nga Gjakova, që u përfshinë në Kryesinë e Sekteve Aleviane të Shqipërisë, ishin: Shejh Ramadani, Shejh Ahmeti, Shejh Haliti, Shejh Osmani, Shejh Jakupi, Shejh Rexhep Marina, kurse anëtar në organizatën "Drita Hynore", nga Gjakova ishte shejhu i Teqesë Rifa'i, Shejh Danjoll Shehu.
Po ashtu, përveç lidhjeve administrative u intensifikuan edhe lidhjet dhe kontaktet afërmi ndërmjet prijësve fetar dhe popullsisë myslimane. Për të krijuar një fizionomi më të plotë për vakëfet, xhamitë dhe pasuritë e tyre dhe për të fituar një ide të qartë mbi të gjitha problemet fetare që do të rregullohen në të ardhmen, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Behxhet Shapati, i shoqëruar nga Muharrem Mullahi, Sulejman Bakalli, Hafiz Muhameti, Hasan Tahsini, Vexhëhi Buhara etj., realizoi një vizitë zyrtare në Kosovë, duke u nisur nga Tirana për të përfunduar në Gjilan. Në vizitën e tyre në Gjakovë, më 20 nëntor 1941, kishin dalë për t'i pritur prijësit fetarë si edhe të gjithë autoritet qeveritare e ushtarake të vendit dhe një numër i madh i popullatës së Gjakovës. Fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes e mbajti Myderrizi Fahri Efendi Ilijazi, ku ndër të tjera tha: "Shkëlqesi, me arritjen e Personit t'Uaj fort të lartë e të dashur, kjo turmë qytetarësh të Gjakovës së bashku me ata të krahinave të sajë më kanë ngarkuar t'Ju shpreh mirëseardhjen. Na që të gjithë ndiejmë në zemrat tona ngushëllimet më të madha kur shohim pranë nesh personin t'Uaj të lartë, i cili duke marrë parasysh udhëtimin e lodhshëm e të gjatë, denjoi të na vizitojë, pos sa vjet mundimesh, vuajtjesh dhe torturimesh të Kosovës së robëruar. E tërë kjo turmë që ka dale këtu për t'Ju pritë ndien në shpirtin e saj gëzim të madh për këtë vizitë që na bëtë. Tash që na u bashkuam me Mëmën Shqipëri, me të cilën na bashkon gjuha, gjaku, dhe feja, e ndiejmë vetveten më se të lumtur, e sidomos kur shohim pranë nesh Kryetarin e Fesë sonë, që është një vëlla i ynë, i gjakut e i gjuhës s'onë. Prandaj, Ju shprehim Shkëlqesë dashurinë më të sinqertë, nderimet më të gjalla si edhe çmimet më të zgjedhura, si në emën të Klerit ashtu edhe të këtij grumbulli qytetarësh. Shkelqësi, zemrat t'ona kullojshin gjak për të parë një ditë të realizuar ëndrrën t'onë të madhe, Bashkimin me Mëmën Shqipëri në të gjitha fushat e sidomos në atë fetare e shpirtërore. Por, sot që u realizua kjo nuk na mbetet veçse të duamë, të nderojmë dhe të çmojmë njeri tjetrin. Të zhvillohemi në pikëpamje shpirtërore, intelektuale dhe patriotike".
Me këtë rast, kryetari i Komunitetit Mysliman, Behxhet Shapati, shprehu konsideratat e tij për mikpritjen e parisë dhe e popullatës së Gjakovës, duke vlerësuar: "Të nderçëm zotërinj, i prekur thellësisht për mikpritjen që patët nderin të më bëni, ju shpreh të gjithëvet me gjithë zemër e me gjithë shpirt falënderimet e mija më të zjarrta. Na ishim të ndarë prej njeri tjetrit vetëm me trup ndërsa shpirtërisht ishim tërësisht të bashkuar". Pastaj delegacioni nga Tirana vizitoi Medresenë e Gjakovës, ku u prit nga një numër nxënësish të kësaj Medreseje. Kryemyftiu i zonës së Tiranës, Muharrem Mullahi, foli me një gjuhë të mprehtë mbi vëllazërimin myslimanë shqiptarë. Këtij iu përgjigj menjëherë Myderriz Hasan Islami (Hasan ef. Nahi A.D.) duke përshkruar vuajtjet e popullit të Gjakovës gjatë kohës së pushtuesve serbë, ku ndër të tjera potencoi se si malazezët kishin grabitur tokat shqiptare, e sidomos në Gjakovë. Kryetari i Komunitetit, Behxhet Shapati, foli përsëri duke këshilluar për të zënë udhën e mbarë se kështu do të qetësoheshin edhe shpirtrat e atyre që ranë dëshmorë për atdhe e për fe. Më tej Shapati ishte shprehur se duhet të përparojmë në mënyrë që të meritojmë të trashëgojmë vlerat morale e patriotike të atyre burrave që lan eshtrat e tyre dhe që e lyen çdo pëllëmbë të këtij vendi me gjak për të na dhënë lirinë, që po e shfrytëzojmë sot. Në fund ai porositi: "Le t'ia dimë vleftën asaj". Po atë ditë në mbrëmje, në Medrese, kryetari i Komunitetit bisedoi për çështjet fetare me një ndër hoxhallarët më në zë të Gjakovës, Asim ef. Luzha, mbi kurset fetare, mbi ligjet fetare në fuqi, mbi çështjet që kanë të bëjnë me imamët, mbi problemet e 150 studentëve që kishin studiuar në Medresenë "Isa Begu" në Shkup. Shumë prej këtyre studentëve, pasi medreseja është mbyllur, kishin shkuar nëpër gjimnaze. Ata biseduan edhe për zgjerimin dhe reformimin e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë, në të cilën do të gjenin strehë disa nga këta studentë. Populli gjithashtu kërkonte mësues t'u përshtaten shkollave fillore të atjeshme. Këta mësues duhet t'u dhënë një hov të shpejtë gjeneratës së re, si nga pikëpamja kombëtare ashtu edhe fetare.
Ditën e nesërme, më 21 nëntor 1941, delegacioni pak para se të falen në xhaminë kryesore të Gjakovës "Hadumit" apo siç e quanin ata "faltore madhështore të Gjakovës", Myderrizi Fahri et. Iliazi mbajti një predikim të bukur, kurse hytben e këndoi Asim ef. Luzha me një melodi të këndshme. Pas faljes së xhumasë delegacioni u kthye në medrese, ku u shtrua një drekë, me ç'rast u njohën edhe me programin mësimor të medresesë, së cilëve ju bëri përshtypje disa mësime si në: filozofi, etikë, jurispodecë islame etj., të cilat sipas tyre duhet të vihen edhe në Medresenë e përgjithshme në Tiranë. Delegacioni përfundoi vizitën në Gjakovë për vazhduar në qytetin e Pejës.
vazhdon në numrin tjetër ...



Alban Dobruna

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.