Nënmyftinia e Gjakovës gjatë luftës së dytë botërore (1941-1945) II

Vazhdon nga pjesa e parë...

Kjo shihet edhe nga pjesëmarrja e tyre në Kongresin e Klerit Mysliman të Kosovës, të mbajtur më 22 nëntor 1941 në Prizren. Si përfaqësues të Gjakovës, ishin: Hasan Islami (Hasan ef. Nahi A.D.) e Asim Luzha. Kongresi ngarkoi si kryetar të përkohshëm, Hafiz Abdulla Hizirin.

Kongresi kishte si qëllim Bashkimin Kombëtar, perfeksionimin e organizimit fetar për realizmin e parimeve islame. Përderisa të stabilizohej gjendja juridike e vendeve të çliruara, Kongresi e mendoi të nevojshme që administrimi fetar në këtë vend të dirigjohet prej një myftiu të përgjithshëm dhe i përbërë prej 4 anëtarëve të zgjedhur nga ky Kongres, me qendër në Prizren.
Myftinia e përgjithshme mund të varen në Kryesinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa Këshilli i Naltë i Sheriatit do të kishte kompetenca për organizimin fetar të këtyre vendeve, moralisht dhe materialisht.
Këshilli i Naltë për rregullimin e mësim-besimit dhe të gjitha kompetencat e "Ulema Mexhlis-it". të Shkupit, i vishen Këshillit të Naltë të Sheriatit në Prizren. Kjo u bë për shkak se Shkupi mbeti jashtë Kosovës, të paktën për momentin. Iniciatorët e kësaj lëvizjeje deshën të formojnë një "Ulema Mexhlis" për Kosovën. Përfaqësuesi i Gjakovës në këtë Kongres, Hasan Islami, më vonë u njoh me emrin Hasan efendl Nahi, dijetari i madh, myderriz, studiues, mendimtar dhe përkthyes i Kuranit, aftësitë e të cilit, kontributi familjar, puna, aktivitetit i tij nëpër Kosovë bënë që në prill 1943, të emërohej drejtor i Medresesë "Mehmet Pasha" në Prizren (1943-1948). Paralelisht me këtë emërohet edhe kryemyfti i Prizrenit dhe i Dukagjinit, për t'u bërë pastaj ndër hoxhallarët kryesorë në Kosovën e pas luftës së Dytë Botërore, në një kohë shumë të vështirë për popullin shqiptar, në aspektin fetar e kombëtar.
Gjatë vitin 1939-1945 në Shqipëri u botua revista "Kultura islame", e përmuajshme fetare, filozofike, letrare, morale e shoqërore, pasardhëse e revistës së njohur "Zani i Naltë" (1923-1939), që ishte organ zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Revista kishte si qëllim edukimin fetar të tyre në përputhje me të gjitha normat e fesë islame. Autorë të këtyre shkrimeve ulema, hoxhallarë e fetarë të shquar, paraqisnin përpara besimtarëve rrënjët historike të islamit, shtrirjen e tij, pejgamberet myslimanë, festat e ritet fetare, detyrimet islame etj. Por, mbi të gjitha, vend të dukshëm zënë, në faqet e revistave, shkrimet që kultivojnë moralin dhe normat islame, që kanë si synim të edukojnë te njeriu virtytet më të mira, që mund të sintetizohen te një njeri i vlefshëm për shoqërinë dhe për atdheun.
Prandaj pas unifikimi të bashkësive fetare islame në trevat shqiptare gjatë luftës së Dytë Botërore, kjo revistë, pati jehonë dhe sukses në qytetin e Gjakovës, në mbajtjen me rregull të revistës me shërbimin e saj duke plotësuar misionin që i kishte besuar Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Kështu, Ismail H. Muçaj nga Gjakova, në një letër drejtuar redaksisë së kësaj reviste, më 15 prill 1944, çmonte lartë punën e saj në frymëzimin me ndjenja fetare të popullatës, shprehë përkushtimin e tij ndaj detyrave fetare, dhe ofron gatishmërinë e tij, për të ndihmuar revistën që me mundësi të tij, të bëjë përkthime nga gjuha angleze, franceze, arabe dhe italiane. Ai kontribuoi në këtë revistë me shkrime si: "Kontributi i Islamizës? për nji paqë botnore", "Shkodrë i këputet një Hoxhë i njoftun për kulturë e shpirtbardhësi", "Feja dhe nevoja e saj, Feja dhe nevoja e saj II", "Qytetnimi islam; Fjala e vepra e Zotit" dhe "Kur'ani e Hadithi". Me këto artikuj, duke pas parasysh burimet e pakta për kohën në literaturë dhe publicistikë, autori na njehë në mënyrë më të plotë me islamin dhe kulminacionet e tij dhe veçanërisht, për paqen botërore. Ai synonte që islamin të mos jetë i kufizuar vetëm për hoxhallarët, dijetarët, mendimtarët apo shkrimtarët, por çdo besimtar të jetë i ditur, misionar dhe thirrës i mirë në misionin e fesë së tij.
Kur mbaron së lexuari artikujt, ajo që të bie në sy është se autori ia ka arritur qëllimit të shtrojë, të analizojë në mënyrë të argumentuar organizimin e fesë islame, rritjen dhe fuqizimin e saj, si në shtrirje dhe në përmbajtje, masivizimin e gjerë, mbështetjen dhe udhëheqjen e bazuar në Kuran dhe Hadith, për të bërë realitet misionin e islamit si një fe monoteiste.
Në korrik 1942, mëkëmbësi i Italisë fashiste në Shqipëri, Jakomoni, filloi një riorganizim të ri të Komunitetit Mysliman. Ishte si një nismë për t'i dhënë një vulë më shumë unitare Shqipërisë së bashkuar. Italianët, të kujdesshëm ndaj ndryshimeve politiko-fetare, të shkaktuara nga gjendja e re që ishte krijuar, në qershor të 1942, e zëvendësuan Behxhet Shapatin me Hafiz Sherif Langun, edhe pse ai, siç shkruante Jakomoni në raportin e tij për Romën: "Sado që i kryente detyrat duke më kënaqur, nuk gëzonte, megjithatë në këtë mjedis islam, për shkaqe personale, atë kredi që unë e mendoj të nevojshëm për një personalitet në funksion aq të lartë".
Pushteti italian bëri një riorganizim të fesë islame në Shqipëri, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Komunitetit, me një organ kolegjial drejtues, i quajtur Këshilli i Ulemave, pesë anëtarët e të cilit emëroheshin që të gjithë nga mëkëmbësi.
Kjo ishte një mënyrë për të shtuar kujdesin për institucionet e fesë islame në Shqipëri dhe për të krijuar një hapësirë përfaqësimi të myslimanëve të territoreve tjera, që deri në ato kohë ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë. Prandaj, kryetari Hafiz Sherif Langu, për të krijuar një pasqyrë më të qartë, në kuadrin e administrimit të përbashkët të Komunitetit Mysliman Shqiptar në një njësi të vetme, kërkoi informacione të hollësishme mbi gjendjen e popullsisë myslimane, xhamitë dhe teqetë e tokave të liruara të Kosovës.
Në bazë të informacioneve të regjistruara Gjakova rezulton të kishte shtëpi myslimane 4 848, meshkuj 18307, femra 16 578 gjithsej 34 885 frymë; kishte 14 teqe të tarikateve të ndryshme, 2 rifa'i, 3 kaderi, 1 bektashi, 3 halveti, 1 nakshibendi dhe 4 sadi; kishte 39 xhamia.
Po ashtu, në qytetin e Gjakovës dhe rrethinës gjatë kësaj kohe personeli i shërbyesve të xhamive përkatëse ishin: Idriz Shaqiri, Xhamia e Mulla Jusufit; Hasan Dashi, Xhamia e Mahmut Pashës; Asim Luzha, Xhamia e Qerimit; Mustafa Canhasi, Xhamia e Hadumit; Bajram Agani, Xhamia e Irzniçit; Halil Sulejmani, Xhamia e Cermjanit; Sadik Jusufi, Xhamia e Junikut; Ismajl Abdurrahmani, Xhamia e Deçanit; Imer M. Guta, Xhamia e Ponoshecit dhe Xhamia e Skivjanit, Selim Abdurrahimi. Sikurse shihet, Gjakova nëpërmjet objekteve të saj të proviniences islame dhe funksionarëve klerikalë, në rrethanat e zhvillimeve historiko-politike gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe riorganizimit institucional të Komunitetit Mysliman Shqiptar, kishte rëndësi gjeostrategjike si qytet, ishte vend kryqëzim i lidhjeve qarkulluese të shumta të karakterit rajonal dhe ndërajonal, me tokë pjellore, fusha, male, si dhe bjeshkë që rrethojnë në jugperëndim. Këto kushte nxitën dhe favorizuan zhvillimin dhe funksionimin ekonomik, të cilat i dhanë mundësi ndërtimit të xhamive, bibliotekave, mejtepeve e medreseve dhe krahas tyre edhe të institucioneve të tjera me karakter ekonomik, social dhe shoqëror ku edhe gravitonte një numër të madh të besimtarëve dhe nxënësve nga trevat e ndryshme që dëshironin të arsimoheshin në medresetë e Gjakovës. Mirëpo Bashkësia Islame e Gjakovës dhe i aktivitetet e saj fetare në përfundim të Luftës së Dytë Botërore filloi të marrë tatëpjetën, sepse qendra e Luftës Nacionalçlirimtare e Kosovës ishte në qytetin e Gjakovës, të rinjtë të brumosur me idetë komuniste në shkollat
e Shqipërisë në qytetet si: Tirana, Shkodra dhe Elbasani, u kthyen në vendlindje për zhvillimet e vrullshme të Luftës Antifashiste, prandaj këto ide ishin shumë të ashpër ndaj Bashkësisë Islame në Gjakovë dhe veprimtarinë e tyre e kishte cilësuar si primitive dhe të prapambetur, gjë që më vonë, solli edhe mbylljen e Medresesë së Vogël më 1947, me myderrizin e fundit, Jahja efendi Bakalli.
Periudha në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte e vështirë edhe për popullatën gjakovare. Lufta për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë nuk solli ndryshime në statusin e shqiptarëve të Kosovës dhe të tokave të tjera në përbërje të Jugosllavisë solli ripushtimin e saj. Madje ndaj tyre u shtua më shumë shtypja nga shteti policor i Serbisë. Atyre iu mohuan të drejtat nacionale dhe shoqërore, mirëpo në rrethana të tilla, dijetarët myslimanë nuk mbetën duarkryq, por shfrytëzuan potencialet e tyre si intelektuale dhe njerëzore, për t'i dalë krah popullatës së pambrojtur shqiptare. Njerëz me influencë si: hoxha Mustafa Canhasi e Shejh Danjolli u zgjodhën këshilltarë të Këshillit Popullor Krahinor, për rrethin e Gjakovës. Kjo ishte preludi i një periudhe shumë të vështirë për fenë islame jo vetëm në Gjakovë por edhe në tërë Kosovën, ku për më tepër se gjysmë shekulli në viset shqiptare, u sfidua nga ideologjia komuniste. Sistemi shtetëror i cili u instalua, pengoi zhvillimin, ruajtjen dhe përhapjen e fesë ndër gjeneratat e reja. Por megjithatë, populli, të devotshmit, i ruajtën dhe i kultivuan vlerat e saj deri në ditët e sotme. Kështu e përshkruan gjendjen në Gjakovë e rrethinë disa nga intelektualët e kohës, gjë që mendoj se përshkrimi i tyre i përgjigjet të vërtetës objektive shkencore historike.

Fund



Alban Dobruna

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.