Ndodhitë dhe sfidat gjatë jetës së Muhamedit a.s.

Ai u dërgua mëshirë (rahmet) për mbarë njerëzimin në të dy botët.

Qenia e cila e përgëzoi njerëzimin me të vërtetën, ai që e shndriti këtë botë dhe i mundësoi njerëzimit të sigurojnë lumturinë në Botën tjetër (Ahiret), është Pejgamberi, i Dërguari i fundit i Allahut, Muhammedi a.s. Ai u dërgua mëshirë (rahmet) për mbarë njerëzimin në të dy botët (Dynja – Ahiret). Ishte dita e 12 Rebiul Evvelit të vitit 571, dita e Hënë kur në Mekën (Meke) e Shenjtë lindi njeriu më i mirë dhe më i dashuri i Allahut xh.sh.. Pema e trungut familjar të Muhammedit a.s. është radhitur në tabela,që në gjuhën arabe quhen “Shexhereh – Trungjet”, që e ndrisin prejardhjen e tij deri tek pejgamberi i parë i njerëzimit Ademi a.s.. Këto të dhëna për prejardhjen e familjes së Muhammedit a.s. janë të verifikuara deri në paraardhësin e njëzetë të tij familjar, gjyshit - Adnanit, përveç pas radhitjes së paraardhësve të tij pas gjyshit të tij - Adnanit, emrat që janë dhënë kanë prodhuar disa kundërshtime dhe diskutime.
Megjithëkëtë, nuk ka dyshim aspak për faktin që Muhammedi a.s. është i biri i Ibrahimit a.s. dhe është nga pasardhësit e Ismailit a.s.. Pra, sipas kësaj që theksuam më sipër, pema e prejardhjes së Pejgamberit a.s. deri tek gjyshi i tij – Adnani, radhitet kështu: Muhammedi i biri i Abdullahut i biri i Abdulmuttalibit i biri i Hashimit i biri i Abdulmenafit i biri i Kusajjit i biri i Kilabit i Murr-rres i biri Ka’bit i biri i Luejjit i biri i Galibit i biri i Fihrit i biri i Malikut i biri i En- Nadrit i biri i Kinanit i biri i Huzejmes i biri i Mudrikes i biri i Iljasit i biri i Mudarit i biri i Nizarit i biri i Me’addit i biri i Adnanit.Dy muaj para se të lindte Muhamedi a.s. në Jethrib (Medinë) i kishte vdekur babai i tij gjersa po kthehej nga një udhëtim tregtar. Nëna e tij - Aminja, ishte e bija e Vehbit të birit të Abdulmenafit, i cili ishte nga fisi Kurejsh dhe një nga pinjollët dhe kryetar i fisit Benu Zehre. Pas lindjes së birit të tij, Aminia nuk mundi të kënaqej dhe ta mbante në duar shumë gjatë birin e vet të vetëm dhe jetim, përveçqë disa herë i dha të pijë qumësht, sepse paria e Mekës e kishte zakon që fëmijët e tyre t’i dërgonin në shkretëtirë dhe atje ia jepnin një gruaje mëndeshë (nënë qumështi), një adet i arabëve në përgjithësi. Pejgamberin a.s., derisa iu dorëzua një mëndeshe me qumësht, e ushqeu edhe nëna e tij tjetër e qumështit, robëresha e Ebu Lehebit e quajtur Suvejbe. Më pastaj Pejgamberin
a.s. për një kohë të gjatë do ta ushqente me qumështin e saj Halimeja, e bija e Ebi Zuejbit, e cila ishte nga pjesëtarët e fisit Hevazin që kishin lidhje me fisin Benu Sa’d dhe që jetonin në shkretëtirë, në malësi. Paria e mekës kishin parashikuar që klima e rëndë dhe e nxehtë e Mekës do të ishte e dëmshme për zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve të tyre dhe, gjithashtu, gjatë periudhës së ceremonisë së Haxhit, ky popull kishte marrëdhënie me popuj të ndryshëm dhe kjo kishte ndikuar që gjuha e tyre arabe, pra e mekasve të ndikohej nga të huajt, ndërsa mekasit ishin një popull që i jepnin shumë rëndësi gjuhës së pastër letrare dhe oratorisë së rrjedhshme.
Kjo ishte arsyeja pse ata kishin marrë vendim që fëmijët e tyre në vitet e para të jetës t’i dërgonin nëpër vende larg Mekës nëpër shkretëtira dhe male, ku gjuha flitej e pastër dhe e pandikuar, në formën e plotë dhe të paprishur, me pastërti të gjuhës letrare dhe me oratori të rrjedhshme.

Fëmijëria

Kështu, Pejgamberi a.s. i kaloi dy vite e gjysmë të jetës së tij si foshnjë tek fisi Benu Sa’d, i cili fliste një arabishte të pastër. Këtë Muhamedit a.s. Allahu i Madhëruar ia mundësoi në mënyrë që në të ardhmen të ishte i gatshëm
edhe me trup (beden) edhe me shpirt (ruhan) për përsosjen e detyrës së tij të shenjtë hyjnore - të shpërndarjes së mesazhit, për se do ta urdhëronte Allahu i Madhëruar. Pejgamberi a.s. filloi detyrën (vazife) e ftesës (da’ven) në Islam në vitet dyzet të moshës së tij. Duhet ta pranojmë se kjo detyrë ishte një detyrë e shenjtë (mukaddes), e cila, edhe pse ishte e shenjtë në të vërtetë ishte e mundimshme, e lodhshme dhe me shumë vuajtje. Ja pra, për ta përsosur në formën e merituar dhe të duhur këtë detyrë të mundimshme e të vuajtur, nevojitet që personi në krye të kësaj detyre të ishte posedues i një strukture të fortë dhe të shëndetshme. Kështu,
Pejgamberi a.s., vitet e para të fëmijërisë së tij i kaloi larg nga klima e nxehtë e ngulfatëse dhe sëmundjesjellëse e Mekes, prandaj po i krijohej mundësia e zhvillimit dhe rritjes së tij duke jetuar në një vend me ujë dhe klimë të mirë, në mal dhe me kushte që i mundësojnë rritje të shëndetshme. Edhe për sa i përket gjuhës atje, dhamë disa sqarime se kushtet i plotësonin vetëm disa vise malore e shkretinore të rrethinës së Mekës. Në të ardhmen kjo do t’i mundësonte Pejgamberit a.s. që të ligjëronte dhe t’u fliste njerëzve të ndryshëm, e që të mund të ngrihej në një shkallë të lartë, ky Pejgamber pa dyshim duhej të ishte posedues dhe zotërues i një gjuhe të mirë dhe të pastër; për përhapjen e mesazhit hyjnor në formën më bindëse dhe më të suksesshme, ishte kusht që gjuha e tij të ishte e pastër, me rrjedhshmëri dhe kjo nuk do të mësohej ndryshe përveçse që nga mosha e hershme e vegjëlisë. Duhet ditur se gjatë kësaj periudhe, pra në periudhën e fëmijërisë dhe rinisë, Pejgamberi a.s. nuk kishte njohuri se në të ardhmen do të bëhej një i Dërguar i Allahut.
Kjo gatishmëri nuk po bëhej me vullnetin e tij individual dhe me dijen e tij, por kryekëput ishte nën udhëheqjen dhe drejtimin e Allahut të Vërtetë, i Cili mbante nën kontroll dhe përgjim gjithë rrjedhën e situatës që po zhvillohej.
Derisa ndodhej tek nëna e tij e qumështit, pra mëndesha Halime, Pejgamberit a.s. i ndodhi një ngjarje e çuditshme, e cila në historinë islame quhet “çarja e gjoksit ose operimi i gjoksit”, ngjarje që merret si spastrim dhe parapërgatitje për të qenë i gatshëm dhe i patëmetë në davet – ftesën e tij në Islam. Gjatë kësaj ngjarjeje gjoksi i Pejgamberit a.s. qe çarë nga dy melekë (engjëj), të cilët ishin emëruar për këtë detyrë. Ata ia nxorën zemrën e tij dhe e pastruan pjesën e ndotur dhe të gabuar nga shejtani (djalli) dhe mënjanuan sulmet e epshit (nefs) dhe e lanë me ujë Zemzemi, për ta vënë sërish në vendin nga e kishin nxjerrë. Pas kësaj ndodhie, Pejgamberi a.s. qe përgatitur për davetin (ftesën) e tij në Islam edhe nga ana shpirtërore (ruh).Ngjarja e kishte frikësuar nënën e qumështit të Pejgamberit a.s.,
pra nënën Halime, dhe ajo e mori atë menjëherë dhe e dërgoi në Mekë për t’ia dorëzuar nënës së tij - Amines dhe gjyshit të tij -Abdulmuttalibit, dhe kështu, që nga ajo ngjarje e deri në moshën gjashtë vjeç, Muhammedi a.s. do të qëndronte
pranë nënës së tij Amine. Gjatë kësaj kohe e ama - Amineja e mori pranë vetes Pejgamberin a.s. dhe shkoi për t’i vizituar (për ziaret) kushërinjtë (akrabatë) e saj në Medinë. Me atë rast ajo po shkonte të vizitonte edhe varrin e bashkëshortit të saj, i cili po mbushte gjashtë vjet që kishte vdekur dhe ishte varrosur në Medinë. Kjo vizitë zgjati një muaj dhe, kur po ktheheshin pas kësaj vizite në Mekë, në një fshat që gjendej jo shumë larg nga Medina e që quhej Ebva, Amineja u sëmur papritmas e vdiq dhe u varros po në atë vend. Pejgamberi a.s. tani kishte mbetur jetim edhe i vetmuar pa asnjërin prind. Pastaj fëmijën (pra Pejgamberin a.s.), i cili kishte mbetur i vetëm në rrugë, në shtëpinë e tij në Mekë do ta sillte Ummu Ejmeni, e cila Muhammedin e vogël do t’ia dorëzonte gjyshit të tij - Abdylmuttalibit.
Gjyshi i tij, që ishte në moshë të shtyrë, ushqente një dashuri të madhe shpirtërore për të nipin, një dashuri të madhe dhe mëshirë (rahmet) të papërshkrueshëm ndaj të nipit ai e pasqyroi dhe shfaqi për dy vjet, duke u munduar t’ia kompensonte mungesën e të dy prindërve të tij.
Gjyshi i Pejgamberit a.s. ishte një personalitet me ndikim dhe vlera tek bijtë e familjes së Hashimit dhe në Mekë në përgjithësi ai gëzonte një autoritet të lartë, sepse ai kishte vlera të veçanta, kishte një aftësi dhe zgjuarsi të madhe, vlerat e tij morale ishin të ditura për të gjithë mekasit, dhe këto vlera do t’i rriteshin sidomos kur do ta gjente sërish, pas një kohe të gjatë, ujin e humbur të burimit të Zemzemit dhe do t’ua tregonte atyre, prandaj Meka në përgjithësi kishte një respekt të pafund ndaj tij, çmonte dhe respektonte gjithashtu edhe më shumë fjalën e tij, vlera këto që i kishin mundësuar atij të merrte postin e një prijësi (reis) në qytetin e Shenjtë të Mekës. Abdylmuttalibi kishte vendosur, ngjitur me murin e Kabes, një minder të posaçëm vetëm për veten e tij, e aty vinte Këshilli i parisë së Mekës “Darunnedve”, dhe paraqiste probleme të ndryshme të tyre ,të cilat i dëgjonte ai dhe gjente rrugën më të lehtë për zgjidhjen e tyre.
Muhamedi i vogël, i cili nuk ndahej për asnjë çast nga gjyshi i tij, kishte rastin që të shihte dhe të dëgjonte e të përjetonte nga afër ato problemet e fetare, administrative, ekonomike, shkencore dhe shoqërore të Darunnedves, që më pastaj do të ndikonte që muhamedi a.s. të kuptonte që nga ajo moshë se në Mekë po mbizotëronte një mizori (zullum) i madh dhe një shkatërrim i tmerrshëm. Kur Muhamedi a.s. mbushi tetë vjeç, gjyshi i tij Abdylmuttalibi kishte arritur moshën tetëdhjetë e dy vjet të jetës, d.m.th. ishte plakur dhe tashmë nuk mund të sfidonte sëmundjen, kështu që në atë moshë do të vdiste.
Mirëpo, kur e pa Abdylmuttalibi se i qe afruar vdekja, nipin e tij jetim - Muhamedin do t’ia dorëzonte Ebu Talibit, të birit të tij, që ishte axha i Muhamedit a.s. dhe kishte edhe fëmijë të tjerë. Ebu Talibi ishte vëlla nga një nënë e një baba me babain e Pejgamberit a.s. - Abdullahun. Kështu Muhamedi a.s. që nga mosha tetë vjeç e deri në moshën njëzet e pesë vjeç, do të qëndronte pranë axhës së tij - Ebu Talibit.

Ngjarjet e skalitin për të ardhmen

Pra, për periudhën e ardhshme të Muhamedit a.s. pas kësaj periudhe, dhe për faktin se ai do të bëhej pejgamber dhe rrethin ku jetonte Muhammedi a.s., kemi më pak të dhëna. Mirëpo janë të njohura disa të dhëna që nuk kanë të bëjnë vetëm me Pejgamberin a.s. po edhe me mekkasit e tjerë, dhe kjo na jep të kuptojmë se
Pejgamberi a.s. kishte luajtur një rol të veçantë në atë mes. Këto ndodhi janë të njohura dhe përmenden në historinë islame. Një nga ato ngjarje, e cila paraqet rëndësi të veçantë, është ngjarja shumë e rëndësishme e takimit të Pejgamberit a.s. me priftin Bahira. Pejgamberi a.s. në moshën dymbëdhjetë vjeç, së bashku me axhën e tij, kishin marrë rrugën për tregti për në Siri, pra Pejgamberi a.s. i ishte bashkuar këtij karvani, i cili, gjatë udhëtimit, kishte ndaluar në vendin Busra për të pushuar. Aty ishte një prift manastiri, që quhej Bahira, Sipas burimeve islame, prifti, duke i vërejtur cilësitë e veçanta të Pejgamberit a.s., sipas mendimeve dhe të dhënave të tij, kishte arritur të zbulonte se ai djalosh në të ardhmen do të jetë pejgamberi i fundit i njerëzimit.
Pas këtij udhëtimi të parë në jetën e tij jashtë mekës, Muhammedi a.s. do të udhëtonte edhe në vitet e ardhshme të jetës së tij së bashku me xhaxhallarët e tjerë të tij. Në këto udhëtime tregtare ai do të arrinte të njihej me kulturën, fenë, zakonet, gjendjen dhe situatën e popujve të ndryshëm të rajoneve të ndryshme. Këto njohuri Pejgamberit a.s. do t’i ndihmonin për të ardhmen në përhapjen e Islamit, sepse ai, duke u mbështetur në këto njohuri, do të zhvillonte përhapjen e fesë. Pra, të gjitha këto udhëtime dhe ndodhi duhet të vlerësohen si ngjarje që do ta përgatisnin atë për një pejgamber të përgatitur edhe me dituri edhe me njohuri, që do t’i dëshmonte gjatë jetës. Allahu i Madhëruar e kishte gjithmonë në kontroll dhe mbikëqyrje Pejgamberin e Tij të ardhshëm; atë do ta përgatiste shpirtërisht për të bërë ftesën (da’ven) e fesë së vërtetë, dhe gjithashtu atë do ta mbante larg çfarëdo lloji të shirkut (larg të bëri shok Allahut) dhe nga çfarëdo e keqe e amoralitet, që ishin të përhapura në kohën e injorancës (xhahilijetit). Mekasit kishin një festë të veçantë fetare, në të cilën ishte zakon që secili të vepronte sipas zakonit, dhe kështu ai duhej hynte në radhë për të madhëruar një idhull që ishte i gatshëm, dhe, përderisa ai, me insistimin e madh të xhaxhallarëve dhe të hallave të tij, kishte hyrë e po priste, ende pa i ardhur radha, ishte alivanosur një kohë të shkurtë dhe nuk kishte bërë shirk (nuk e kishte adhuruar idhullin, pra nuk I kishte bërë shok Allahut). Nga ajo ndodhi të afërmit e tij më nuk insistonin që ai t’i adhuronte idhujt. Natyrisht, Pejgamberi a.s. që nga mosha e vogël e tij dhe gjatë gjithë jetës së tij nuk kishte adhuruar asnjë idhull, nuk kishte prerë kurban në emër të tyre, bile ua kishte bërë të qartë atyre se nuk i vinte mirë as kur përmendte emrat e tyre. Pejgamberi a.s. në moshën e rinisë, duke ruajtur dhentë, po ndihmonte axhën e tij - Ebu Talibin, i cili kishte në gjendje të vështirë ekonomike.
Gjatë asaj periudhe ai shpesh ishte përballur me atmosferën shfrenuese të mekasve gjatë ahengjeve të tyre, e kjo do t’i mundësonte atij që të zbulonte dhe të arrinte të rriste të perceptuarit e njohjes së tij se Krijuesi i çdo gjëje ishte Allahu xh.sh., se Ai ishte Pronar dhe Bashkues i gjithçkaje, dhe Muhamedi a.s. e kishte kuptuar shumë mirë se, nëse i bëhet Allahut shok, kjo ishte një humbje, prandaj të gjitha këto sprova dhe mundime atë do ta forconin shumë shpirtërisht. Njëherë, derisa po ruante delet, vendosi t’ia linte në besë ato një shoku të tij, gjithashtu bari, dhe të zbriste në Mekë nga shkretëtira, për të ndjekur një aheng që ishte përgatitur të mbahej në Mekë, por atij Allahu i Madhëruar ia çoi një gjumë që, ende pa u ulur, nuk arriti t’i shihte ata teksa po pinin pije alkoolike, e që i zgjati derisa luajtën lojërat e tyre dhe bënë amoralitete që i vepronin.
Gjithashtu, edhe një herë tjetër, në të njëjtën mënyrë ishte ndaluar nga një vëzhgim i një ahengu të tillë, dhe pas këtyre Pejgamberi a.s. nuk kishte ndier nevojë për të marrë pjesë në to, pra kurrë në jetën e tij nuk kishte vëzhguar ahengje të tilla me harame (gjëra të ndaluara).
Kur Pejgamberi a.s. ishte në moshën njëzet e pesë vjeç, ndodhi lufta e Fixharit në mes të mekasve dhe fisit Hevazin. Edhe pse ishte në kushte dhe kishte fuqi të luftonte, Pejgamberi a.s. në atë luftë vetëm i mblodhi shpatat që binin në pjesën tjetër të fushës së luftës dhe ua dorëzoi xhaxhallarëve të tij. Edhe pse në përgjithësi në atë luftë Pejgamberi a.s. ndodhej pothuajse jashtë saj, megjithëkëtë, ajo ndodhi në të ardhmen do t’ia mësonte taktikën dhe teknikën, pra është e vërtetë që ai më vonë do të fitonte dhe do të formonte një praktikë në komandimin dhe në pjesën lëvizëse të luftës.
Andaj kjo ishte ndodhia që ai e kujtonte si një situatë që, kur ishte anëtarësuar, kishte autoritet dhe taktikë. Pas asaj ngjarjeje ndodhi ngjarja “Hilful fudul”, që i shërbyen Pejgamberit a.s., t’i njihte nga afër gjendjen në shoqëri dhe çështjet që e preokuponin atë, sepse ai kishte parë shumë shembuj në realitet se si në shoqërinë e xhahilijetit (injorancës) i forti shtypte të dobëtin, dhe si ata dridheshin dhe shkriheshin përballë të fortit dhe të fuqishmit.

Njihte ambientin që e rrethonte

Kur ishte në moshën njëzet e pesë vjeç Muhammedi a.s. u takua me Zonjën Hatixhe në një karvan tregtar që po e udhëhiqte vetë Muhammedi a.s.. Besnikëria e kësaj udhëheqjeje më pas do t’i mundësonte atij që Zonja Hatixhe të martohej me të, dhe ai të krijonte një familje të re duke u ndarë nga xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Pejgamberit a.s. nga ajo martesë i lindën gjashtë fëmijë. Katra ishin vajza, dhe quheshin: Zejneb, Rukijje, Ummu Gulthum dhe Fatime. Që të katrat e arritën vahjin (shpalljen e pejgamberllëkut) të babait të tyre dhe kishin bërë hixhret – shpërngulje duke i besuar në fenë e shpallur babait të tyre. Djemtë e tij quheshin Kasim dhe Abdullah. Djali i parë i Pejgamberit a.s. quhej Kasim dhe, për këtë shkak më vonë edhe Pejgamberi do të merrte nofkën “Ebul Kasim” “babai i Kasimit”. Sipas disa burimeve të tjera të dhënash, Pejgamberi a.s. thuhej se kishte pasur edhe dy djem të quajtur Tajjib dhe Tahir, po kjo nuk është e vërtetë, sepse në disa të dhëna të tjera thuhet që ata dy emra ishin llagape të birit të tij Abdullahut. Djali që i lindi pas Hixhretit – shpërnguljes në Medinë, ishte me robëreshën e Egjiptit - Marijen. Të gjithë fëmijët djem të Pejgamberit a.s. kishin vdekur në moshë shumë të vogël. Pas martesës me Hatixhen r.a., Pejgamberi a.s. ishte munduar që, me anë të tregtisë, të siguronte mbajtjen gjallë të familjes, prandaj ndonjëherë kishte bërë tregti me ortakë (të tjerë) e ndonjëherë vetëm. Muhammedi a.s. gjatë zhvillimit të kësaj tregtie, dallohej për drejtësinë, fjalën e tij të drejtë, zbatimin e premtimeve të dhëna, sjelljet e tij të drejta e të matura, veprimin e mirë ndaj secilit, ndihmën ndaj secilit me aq sa kishte mundësi, ndihmën dhe shtrirjen e dorës ndaj atyre që nuk kishin (të varfërve) dhe ndaj nevojtarëve, ndihmën dhe interesimin ndaj të afërmve dhe farefisit të tij (akraba), përparësitë dhe formimin e tij moral e shpirtëror, të cilat menjëherë kishin shkëlqyer dhe ishin bërë cilësi të njohura në opinionin ku jetonte, në rrethin ku jetonte secili kishte krijuar për të besim dhe kishte respekt, për të arritur në piedestal, ku secili e numëronte nga të parët dhe e donte atë.
Për këtë arsye, në saje të autoritetit, ngritjes dhe modestisë së tij, mekasit ia kishin dhënë nofkën “El- Emin” – “Person i besueshëm”. Kur Pejgamberi a.s. ishte në moshën tridhjetë e pesë vjeç, ndodhi ngjarja e rinovimit të Kabes, dhe gjatë asaj ngjarjeje Muhammedi a.s. ishte nga protagonistët kryesor për vendosjen e “Haxherul Esvedit” – “Gurit të Zi” në vendin e tij, që ndaloi gjakderdhjen në mes të fiseve të Mekës, duke e kthyer mosmarrëveshjen në një pajtim në mes të gjithëve dhe duke e kënaqur, secilin sepse e zgjidhi problemin në formë dhe në mënyrë të drejtë e të baraspeshuar për të gjithë, prandaj besnikëria dhe siguria ndaj tij qe shtuar edhe më tepër. dihet shumë mirë se rinovimi i shtëpisë së Allahut, Qabesë, sikur tek gjithkush, ashtu edhe tek Muhammedi a.s. kishte ngjallur ndjenja fetare emotive. Nga kjo shihet se që nga këto vite ishte shfaqur dëshira e Muhammedit a.s. që të qëndronte vetëm me Krijuesin e tij (Rrabb). Të gjitha të këqijat, padrejtësitë, mizoritë (zullumet), amoralitetet, shpërfilljet dhe shkatërrimet që kishin bërë në emër të fesë, e po t’u shtojmë edhe shkallën shumë të ulët të të menduarit të tyre, për atë që bëheshin në atë shoqëri, atëherë më lehtë dhe më mirë do ta kuptojmë se pse Muhammedi a.s. kishte qëndruar larg nga ajo shoqëri, i vetmuar, pa zë, në qetësi, në një shpellë, kohë pas kohe, për një kohë të caktuar.
Kështu, nga kjo moshë Muhammedi a.s., gjatë kohëve të caktuara dhe veçanërisht gjatë muajit Ramazan, largohej nga Meka për të gjetur qetësinë dhe rahatinë e tij, e kishte zgjedhur një shpellë në malin Hira, e aty i kalonte ditët e tij duke medituar për Ekzistencën, Njëshmërinë, fuqinë dhe madhështinë e Allahut të vërtetë, dhe aty analizonte varfërinë dhe dobësinë e krijesave përballë Forcës dhe Fuqisë së Tij. Ai analizonte edhe ni’metet (begatitë) e shumta dhe të pafundme të Krijuesit të Madhëruar për njerëzit dhe, në anën tjetër, mosmirënjohjen e njerëzve ndaj këtyre begative (ni’meteve). i kujtonte dhe mendonte për gjendjen e keqe fetare, politike, shoqërore morale, etj., në të cilën kishin rënë njerëzit e asaj kohe. Ja pra, ato ishin ditë të vetmisë dhe të meditimit që e kishin ngritur më vonë Pejgamberin a.s. në një formë të përsosur shpirtërore morale e, në anën tjetër, e kishin formuar edhe në aspektin mendor dhe argumentues, që e ngritën dhe i mundësuan që të arrinte në një shkallë të lartë mendore dhe shkencore.


1. Muhammed bin Is’hak bin Jesar, Siretu Ibni Is’hak el- Musem- ma bi Kitabil Mubtedei vel Mebahithi vel Megazi , E shqipëroi: Muhammed Hamidullah, E botoi: Muhammed el – Fasi, bot: Rabat, 1976 .
2. Ebu Muhammed Abdul Melik Ibni Hisham, “Es-siretun- Nebevijje li Ibni Hisham”, shqipëroi: Shejh Fuad Fuad bin Ali Hafidh, boton: Darul Kutub Al Ilmijje, Bejrut, Liban, 2009.
3. Vehbi Sulejman Gavoçi, “Pejgamberi, Muhammedi a.s. – jeta dhe vepra”, botim i shtëpisë botuese “Furkan”, Shkup, 1994.
4. Safijurrahman El-Mubarekfuri, “Nektari i Vulosur i Xhennetit”, botim i Islamhouse. Botim arabisht dhe përkthim në shqip.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.