Merita Halili dhe Raif Hyseni Artistët që i përkushtohen edhe besimit të tyre

Sado qofsh i plotësuar profesionalisht; sado qofsh mirë ekonomikisht; sado qofsh i njohur publikisht, do të të duhet të ndihesh i qetë shpirtërisht, përndryshe të gjithë të tjerat e humbasin rëndësinë dhe vlerën e tyre, sepse vetëm ana shpirtërore të ofron lumturinë e të mbush boshllëqet, të cilat nuk t’i mbushin dot, as të mirat materiale që posedon e që të rrethojnë, e as fama që mund të gëzosh ndër njerëz.

Ata të dy janë artistë të mirënjohur, fama e të cilëve ka tejkaluar kufijtë e trojeve shqiptare, për t’u zgjeruar në të gjithë botën ku ka bashkatdhetarë. Me një jetë të mbushur plot arritje e suksese. Me një axhendë të pasur angazhimesh gjatë gjithë vitit, e sigurisht edhe me përfitime të kënaqshme. Bëhet fjalë për Merita Halilin - këngëtarja e mirënjohur, Bilbili i këngëve popullore nga Tirana e Shqipërisë dhe instrumentisti profesionist nga Mitrovica e Kosovës, Raif Hyseni, të cilët konsiderohen ndër çiftet më simpatikë ne rrethin e artistëve shqiptarë nëpër botë, por ata janë edhe çift në jetë.
Të dy rrjedhin nga familje me tradita fetare islame. Merita kujton babain e saj tek falte namaz, ndërsa Raifi është rritur në një familje ku është praktikuar feja islame, kështuqë për të feja nuk është diçka e re, me të cilën është njohur vitet e fundit. Për të gjithë ata që nuk e njohin nga afër fenë islame, Raifi thotë: “Ne nuk duhet ta lëmë të panjohurën të ngelet e tillë, pasi shumë njerëz janë skeptikë ndaj të panjohurës dhe ndoshta ushqejnë urrejtje ndaj saj. Njeriu duhet të shkojë drejt të panjohurës për të zbuluar të vërtetën”.
Gjurmët fetare të familjes janë trashëguar tek të dy, edhe pse tek Raifi ndoshta janë më të dukshme, por edhe Merita nuk mbetet pas. Ajo më herët ka agjëruar ditë të veçanta nga muaji i Ramazanit, por që prej 8 vitesh e agjëron muajin e Ramazanit të plotë, ndërsa Raifi pothuajse ka agjëruar gjithmonë. Ata, familjarisht prej vitesh jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ushtrojnë aktivitetin e tyre, por kjo nuk i ka penguar aspak që t’i përkushtohen anës së tyre shpirtërore dhe këtë e përmbushin nëpërmjet riteve fetare islame siç është agjërimi.
Besimi për Meritën është zgjedhje dhe bindje personale, por sipas saj, mirë është që njerëzit të kenë besim, sepse i bën të mendojnë dhe të veprojnë pozitivisht. Besimi është ai që të bën të dallosh të mirën nga e keqja. Besimi është ai që të shton vigjilencën së është DIKUSH (Zoti) që të sheh, kështuqë ti nuk e gënjen më veten tënde, shprehet këngëtarja shumë e dashur për publikun shqip-folës. Më tej, Merita rrëfen e thotë: “Mendojmë mirë, veprojmë mirë. Kam dëshirë të jem shumë pozitive. Në mëngjes ngrihemi me BISMILAH, gjë e cila na sjell shumë mirësi”.
Në shumicën e këngëve të saj, po të vëresh me kujdes, do të konstatosh se ajo i këndon vlerave humane dhe universale, të cilat zënë një vend shumë të rëndësishëm në paketën morale dhe etike që këshillon feja jonë e bukur islame. Zëri dhe talenti i të kënduarit nuk kanë qenë të trashëguara tek Merita nga familja e saj, pasi vetë ajo thotë: “Zoti më ka dhuruar zërin dhe talentin, që për mua është një privilegj dhe fat i madh”.
Të dy e shfaqin hapur dhe me shumë krenari faktin që agjërojnë, madje shkëpusin edhe një kujtim të bukur e të veçantë me një mikun e tyre të vjetër amerikan, i cili u kërkon që t’u bashkangjitej për iftar në shtëpinë e tyre, edhe pse nuk i përkiste fesë islame dhe mbeti i impresionuar nga atmosfera shpirtërore e vaktit të iftarit dhe respekti që iu ofrua në këtë darkë ndryshe për të. Me shumë kënaqësi i ftoi në shtëpinë e tij për iftar Raifin dhe Meritën, iftar të cilin, ata thonë se nuk do ta harrojnë kurrë.
Raifi, pa asnjë kompleks e ndrojtje, madje me shumë krenari përshëndet me përshëndetjen që zgjodhi feja islame për pasuesit e saj: Paqja dhe Mëshira e Zotit qoftë mbi ju. Mesazhi i të dyve – burrë e grua, është që njerëzit të jetojnë në paqe e në mirësi e të ketë midis tyre më tepër dashuri e respekt.
Tek shumë njerëz është përhapur bindja se njerëzit e famshëm, e kryesisht artistët nuk është se janë shumë të lidhur pas ndonjë feje të caktuar e aq më tepër të jenë praktikantë, por ky është një perceptim i gabuar, pasi edhe ata kushdo qofshin, para se gjithash janë njerëz e duke qenë të tillë kanë nevojë edhe për anën e tyre shpirtërore, për një mbeshtetje dhe besim në një fuqi mbinatyrore, pra besimi në një Zot të Vetëm. Nëpërmjet këtij shkrimi ju përcollëm shkurtimisht një anë të panjohur për shumëkënd nga jeta e artistëve me një karrierë shumë të pasur dhe me një impakt shumë të madh, Merita Halili dhe Raif Hyseni.



Qani Sulku
Botuar ne Revisten: Drita Islame,
Tetor 2018

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Hallo Admin Site ?s No Safe ! e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.