Koha është flori

Allahu i Madhërishëm në Kur'anin fisnik urdhëron e thotë:
"Pasha kohën!Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm". (El - Asr, 1-3)

"Koha është flori", është metafora më e shpeshtë për kohën. Ekziston një element i vërtetë në këtë. Duke shfrytëzuar kohën në mënyrë produktive ne mund të bëhemi të pasur. Pra metafora "koha është flori" përmban në vete një mesazh që koha duhet vlerësuar si floriri.
Historikisht, kjo ishte një ide kyçe në rrugën e revolucionit industrial dhe zhvillimit teknologjik në këtë shekull. Njeriu zbuloi shumë gjëra, përparoi teknikën kështu ai tani ka kohë më tepër. Natyrisht, lista e këtyre zbulimeve dhe arritjeve në shpejtësi janë mahnitëse. Sot, njerëzit, gjërat dhe idetë transmetohen prej vendit në vend me shpejtësi marramendëse. Detyrat që dikur janë bërë me muaj dhe vite sot bëhen për disa minuta. Por, megjithatë në këtë progres ka diç ironike.
Në njërën anë përderisa mjetet të cilët mund ta kursejnë kohën gjithnjë e më shumë shumohen, në anën tjetër njerëzit janë më të zënë se kurrë. Me një fjalë janë shumë të zënë!
Por në fund të ditës nuk mund të themi se me çfarë kemi qenë të zënë. Ku mbeti koha jonë e ruajtur?Në çfarë mënyre jetët tona mund të bëhen produktiv?
Vetëm paramendoni se me internet është mundësuar qasje informative nëpër tërë botën vetëm për një sekondë. Por, gjithashtu, shohim që i njëjti medium shërben për humbjen e orëve të panumërta!
Shpeshherë dëgjojmë "nuk po di si ta humb kohën". Me siguri, koha ka më shumë vlerë se të hollat për tu humbur në këtë mënyrë. Për t'i vërë gjërat në perspektivë duhet bërë një komparacion historik të gjallë.
Le të shikojmë kohën e myslimanëve të parë kur nuk ka pasur asgjë nga arritjet e çuditshme të kohës së sotme. Ata njerëz kanë jetuar të qetë, ngadalë, por në një aktivitet të madh në të gjitha sferat. Ishte kjo një periudhë e aktivitetit intensiv si social, kulturor dhe edukativ, gjithashtu ekonomik dhe politik, gjatë secilës gjysma e asaj bote e përqafuan islamin. Ata myslimanë me siguri nuk e kanë arritur tërë këtë duke u kotur në koltuqe.
Edhe pse u paraqitën nga pjesa më e prapambetur e botës, të cilët të devotshëm, i sollën botës civilizimin e tërësishëm human dhe të vërtetë. Në mënyrë individuale, ata më shumë kanë kaluar kohë në ibadet se sa që bëjmë ne sot. Shumica prej tyre kanë kaluar kohën më të madhe të natës në namaze nafile.
As komunikimet mes njerëzve nuk kanë qenë të shpejta siç janë sot. Shumë herë kanë qenë të detyruar të ecin këmbë apo duke kalëruar me javë, muaj dhe vite p.sh. për të marrë një hadith të Pejgamberit a.s., por prapëseprapë gjatë kësaj periudhe, pavarësisht nga këto vështirësi, kanë mbledhur qindra mijë hadithe me përmbledhje të ndryshme që edhe sot shfrytëzohen. Kjo është vetëm një formë e punës së tyre.
Shtrohet pyetja, si ata në një botë të tillë kanë gjetur kohë për diç të tillë? Përgjigjja është e thjeshtë. Ata në kokat e tyre kanë pasur një ide tjetër për kohën. Ata e kanë çmuar kohën si dhuratë nga Krijuesi i tyre dhe kanë kuptuar se përdorimi i keq ose i mirë i kësaj begatie do të përcaktojë ardhmërinë për ahiret. Ata kanë dëgjuar nga Pejgamberi s.a.v.s. kur thoshte: "Ekzistojnë dy begati që shumica e njerëzve i anashkalojnë: shëndetin dhe kohën". (Buhariu) Ata kanë kuptuar seriozisht këtë këshillë të tij: "Çmoni pesë gjëra para pesë tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se me qenë të zënë dhe jetën para vdekjes". (Tirmidhiu)
Abdullah ibn Hasani, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se dy shokë të Pejgamberit s.a.v.s. nuk ndaheshin para se ta lexojnë kaptinën el-Asr, njëri-tjetrit, duke përkujtuar vetvetes në humbje të përhershme që do ta bënin nëse kohën e tyre do ta çonin kot. Ata nuk kanë harxhuar asnjë moment të jetës së tyre në llomotitje, përgojim dhe thashetheme.
Ndryshimi është i qartë. Ne mund të kemi veturë të shpejtë, por nëse vozisim për t'u kënaqur në vozitje e jo për të arritur te caku, ne nuk do të arrijmë aty. Suksesi i sahabëve dhe paraardhësve tanë qëndron në mendjemprehtësinë e tyre për qëllim dhe përgjegjësi, si dhe në brengën për kujdesin e shfrytëzimit maksimal të kohës.
Çdo ditë që kalon na bën një ditë më të vjetër. Një ditë koha jonë do të kalojë, dhe do ta lëshojmë këtë botë përgjithmonë. Çfarë do të ndodhë do të varet nga mënyra se si e kemi shfrytëzuar çdo moment që kemi pasur në dispozicion.
Pra koha është jetë. Andaj nuk duhet humbur atë që është më e vlefshme, sepse një ditë do të pendohemi, por edhe do të japim llogari për çdo moment të jetës se si e kemi kaluar.



Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.