Koha në jetën e muslimanit

Qëndrim për llogaritjen e vetes

Prej obligimeve të myslimanit është të qëndrojë me veten e tij sa herë që të kalojë një vit, ta llogarisë veten për vitin e kaluar, ç’ka bërë në atë vit? Ç’ka përgatitur për Ahiretin (botën tjetër) e tij?
Ç’ka fituar dhe ç’ka humbur? Ashtu siç bën tregtari i suksesshëm në fillim të çdo viti: i mbledh të gjitha fletoret, u jep një shikim të gjithë regjistrave, dhe do të dijë se sa ka humbur dhe sa ka fituar.
Cilat janë shkaqet e humbjes së tij? Cilat janë shkaqet e fitimit të tij? Ashtu që të shmangë shkaqet e humbjes, dhe t’i shtojë shkaqet e fitimit.
Kjo është në çështjet e kësaj bote, në fitimin e kësaj bote; ndoshta do të ketë dobi apo s’do të ketë dobi, e nëse do të ketë dobi ndonjëherë, ajo s’do të zgjasë shumë; e nëse do të zgjasë një kohë, ai vetë nuk do e zgjasë: “Thuaju: përjetimi i kësaj bote është pak, e për atë që është i devotshëm, bota tjetër është shumë më e dobishme. Nuk do t’ju bëhet e pa drejtë as sa fija. Kudo që të jeni, vdekja do t’ju kapë, po edhe në qofshi në pallate të fortifikuara”. (EnNisaë, 77-78) 1 .

Njeriu doemos duhet të qëndrojë me veten e tij e ta llogarisë atë. Nëse s’mund të llogaritë veten e tij çdo ditë, le ta bëjë për çdo javë; nëse nuk mund ta bëjë çdo javë, atëherë le ta bëjë për çdo muaj; nëse nuk e bën për çdo muaj, atëherë le ta bëjë për çdo vit. Njeriu e llogarit veten e tij: ç’ka bërë gjatë atij viti?
Është bërë traditë ndër njerëz që, sa herë të kalojë një vit nga jeta e tyre, të festojnë “ditëlindjen e tyre”, një zakon në të cilin ka rituale dhe tradita të veçanta: ushqim e pije, qirinj që ndizen e pastaj fiken. Do të ishte më e rëndësishme për njeriun e mençur që në vend të këtyre risive, dhe në vend të këtyre traditave të importuara, të mbajë një qëndrim të matur ndaj vetes së tij dhe ta llogarisë atë: ç’ka bërë gjatë një viti? Dhe të qajë për veten e tij, për neglizhencën dhe gabimet e tij, për të drejtat e veta dhe të të tjerëve, mirëpo njerëzit nuk e bëjnë.


Koha është jeta

Koha kalon ditë pas dite, koha është jeta, ashtu siç ka thënë Imam Hasen ElBenna.
Njerëzit thonë: Koha është prej ari, mirëpo ç’është ari? Ç’është argjendi? Ç’është diamanti? Ç’është xhevahiri? Të gjitha këto janë gjëra materiale, kurse koha është më e shtrenjtë se të gjitha këto xhevahire, koha është jeta.
O njeri, ç’është jeta jote? Ajo është: koha që shpenzon që prej djepit e gjer në varr, që nga lindja e deri në çastin e vdekjes, prej zhurmës që del fëmija nga nëna e gjer në rënkimin kur të dalë shpirti prej tij.
Kjo kohë është jeta jote; nëse e humb kohën tënde, e ke humbur jetën tënde.
Ata që thonë: ejani ta vrasim kohën tonë! Ata, kur ta vrasin kohën e tyre, në të vërtetë vrasin vetjet e tyre, e nuk ndiejnë, dalëngadalë bëjnë vetëvrasje.


Krimi i humbjes së kohës kot

Ndër krimet më të mëdha që bëhen, janë krimet që i bëjmë në të drejtën e kohës. Shpenzimi dhe humbja më e madhe është humbja e kohës kot, ajo është më e madhe se shpenzimi i pasurisë.
E shohim popullin (ymetin) tonë që e humb kohën kot, njerëzit e shkojnë ko hën dhe vitet kot. Të paktë janë ata që prodhojnë, të paktë janë ata që punojnë, gjatë natës rrinë zgjuar (papunësi dhe fjalë boshe), e gjatë ditës flasin për nderet e njerëzve, saqë edhe ata që punojnë në punët e tyre zyrtare, gati sa s’punojnë.


Populli (ymeti) ynë nuk punon

I kam parë njerëzit në Evropë dhe në Amerikë tek lodhen në punët e tyre, lodhen e derdhin djersë tërë ditën, që prej mëngjesit e deri në mbrëmje, dhe kthehen në shtëpitë e tyre të rraskapitur, për të kaluar pak kohë me familjet dhe fëmijët e tyre. Mirëpo vetëm në vendet tona njerëzit punojnë pak dhe prandaj rrinë po thuaj tërë natën zgjuar, sillen kot nëpër rrugë gjatë ditës, nuk punojnë as për botën e tyre.
Ne nuk prodhojmë, mbështetemi në tjetërënd për importimin e gjërave më kryesore dhe pjesët përbërëse të jetës sonë; ushqimin me të cilin ushqehemi, e importojmë prej tjetërkujt; vendet myslimane dhe arabe janë vende bujqësore, megjithatë nuk u mjaftojnë ato që kanë, doemos duhet t’i zgjasin duart e tyre që të importojnë ushqimin, ushqimin dhe prodhimet e mëdha e të rënda, të gjitha i importojmë.
Armën me të cilën mbrohemi për ekzistencën tonë, nuk e prodhojmë po e marrim nga të tjerët. Pse? Sepse ne nuk punojmë, ne jemi popull që nuk punojmë, e humbim kohën kot, personi e humb kohën, familja e humb kohën, dhe njerëzit e humbin kohën e tyre.


Çdo kohë e ka të drejtën

Koha ka rëndësi shumë të madhe në Islam, e për atë Allahu xh.sh. është përbetuar në librin e Tij të shenjtë, është për betuar në pjesët e tij, është përbetuar në agimin, është përbetuar në paraditen, është përbetuar në pasditen, është përbetuar në natën, është përbetuar në ditën, a thua pse të gjitha këto përbetime? Kur të përbetohet për diçka Allahu xh.sh., përbetohet për atë që të na tërheqë shikimet tona për rëndësinë dhe rrezikun e tij, saqë të mendojmë në të gjitha pjesët e kohës: në agimin, në paraditen, në pasditen, në natën dhe në ditën e tij. Allahu xh.sh. i ka ndarë obligimet në kohë, derisa të ndiejmë për çdo pjesë të kohës. Kur të zbulohet errësira e natës nga agimi i mëngjesit, ngrihet myezini dhe e thërret ezanin e sabahut, e kur di elli të largohet nga kupa e qiellit, thërret ezani i drekës, dhe, kur hija e njeriut është e zgjatur sa dy herë trupi i tij, thërret ezani i ikindisë, e kur të perëndojë dielli, thërret ezanin e akshamit, dhe, kur të largohet kuqërrimi i horizontit, thirret ezani i jacisë.
Këto të tëra janë që njeriu të ndiejë se çdo kohë e ka të drejtën (hakkun) e saj, e duhet të mos lihet pas dore.


Rreziku i shtyrjes (vonesës)

Koha është si shpata, nëse nuk e mpreh atë, ajo do të të presë ty, sepse ajo punon në jetën tënde. Siç ka thënë Omer ibën AbdulAzizi: “Nata dhe dita punojnë në ty, atëherë puno në ato të dyja”.
Punojnë në ty, do të thotë marrin nga jeta jote, sprovojnë me çdo të re, e afrojnë çdo të largët, dhe shkurtojnë çdo gjë të gjatë.
Për çdo mëngjes që zgjohesh, i afrohesh varrit për një hap, dhe largohesh nga lindja për një hap, e ti je i lindur që të vdesësh.

Kanë lindur për vdekje dhe kanë ndërtuar për shkatërrim
E të gjithë ju do shkoni në dhe...

Çdo ditë që jeton, një pjesë merr nga jeta jote. Thotë imam Hasen ElBasriu: “O biri i Ademit, ti je disa ditë të mbledhura, sa herë që shkon një ditë, shkon një pjesë jotja, mbaron një fletë nga libri yt, bie një gjeth nga pema jote, shembet një mur nga ndërtesa jote”.

E ç’ është njeriu vetëm se hipës mbi shpinën e jetës së tij
Në një udhëtim që mbaron me ditë dhe me muaj
Fle e zgjohet çdo ditë e natë Larg nga bota dhe afër varrit

Nata dhe dita punojnë në ty, atëherë puno në ato të dyja, mos e shtyj punën e natës për ditën, dhe as punën e ditës për natën, dhe as punën e sotes për nesër.

Nuk e shtyj punën e sotes prej përtacisë
Për nesër, se dita e të dobëtve do të jetë nesër!

E sa janë dobësitë tona të myslimanëve tani, pasi i vonojmë dhe i shtyjmë punët tona!
Të parët tanë na kanë qortuar për shtyrjen, dhe kanë thënë: fjala “do të” është ushtar prej ushtarëve të Iblisit (djallit).
Mos thuaj: do të pendohem, do të punoj. Ku e di se ti do të mbesësh (gjallë) për të punuar? A e ke të siguruar se do të jetosh? Kush ta ka shkruar çekun se, kur të dalësh nga shtëpia, do kthehesh i shëndoshë? Kush të ka premtuar se, kur t’i veshësh rrobat, je ai që do t’i zhveshësh e s’do t’i zhveshë dora e personit që do të lajë kufomën tënde? Kush t’i ka siguruar ato?
Në kohën e sotmes, ka shumë njerëz që vdesin papritmas nga infarkti ose nga pushimi i zemrës, ose nga aksidentet; ndoshta do të hipësh në aeroplan e ai do rrëzohet; ndoshta ndonjë njeri do të vijë befas dhe ti, duke ngarë automobilin tënd,
do të të mbysë, sa e shpejtë është vdekja, dhe sa shpejt njerëzit e harrojnë atë!

Furnizohu me devotshmëri se ti nuk e di
Kur të vijë nata: a do të jetosh deri në mëngjes?
Sa të shëndoshë kanë vdekur pa kurrfarë sëmundjeje
Dhe sa të sëmurë kanë jetuar edhe një kohë
Sa të rinj flenë e zgjohen të sigurt
E ata nuk e dinë se qefini i tyre është qepur

A e ke kujtuar këtë gjersa je duke e përfunduar vitin e kaluar dhe po pret vitin e ri?
Myslimani e ka obligim të ndalet dhe ta llogarisë veten e tij për vitin e kaluar: ç’ka bërë gjatë atij viti? Viti ka dymbëdh jetë muaj, muaji ka tridhjetë ditë, dita ka njëzet e katër orë, ora ka gjashtëdh jetë minuta, minuta ka gjashtëdhjetë sekonda. Allahu do të të pyesë për të gjitha këto.
Sa frymëmarrje tunden? Sa damarë rrahin? Sa sy mbyllen? Sa dhunti i ke nga Allahu, që të mbulojnë nga koka e gjer tek këmbët e tua në këto momente dhe në këto sekonda? Allahu do të të pyesë për to.


Myslimani kërkon përparim

Disa nga të parët tanë thoshin: “Ai që e kalon ditën e sotme si të djeshmen, ai është i mashtruar, ndërsa ai që e kalon ditën e sotme më keq se të djeshmen, ai është i mallkuar”.
Ai që e kalon ditën e sotme si të djesh men, nuk përparon; këtë të parët tanë e kanë llogaritur ndër të mashtruarit, si tregtari i dështuar që nuk fiton, sepse ai i ruan ato që ka në përparimin apo në dështimin e tij.
Ndërsa ai që e kalon ditën e sotme më keq se të djeshmen, ai është i mallkuar, Allahu na mbrojttë prej tij! E falte namazin me xhemat, e tani e fal me kaza; falte namaz nafile, e tani i fal vetëm farzet; largohej nga mekruhet, e tani nuk largohet vetëm prej harameve; bënte mëkate të vogla, e tani bën mëkate të mëdha, e kështu drejtohet dhe ul veten.
Myslimani e lut Allahun xh.sh. që të mos bëhet prej të mallkuarve dhe as prej të mashtruarve, përpiqet ta përparojë veten e tij gjithmonë, që të ngrihet sa më lart, siç thuhet në hadith: “Kur t’i luteni Allahut, kërkojani Firdevsin, se ai është Xhenneti më i mesëm dhe më i lartë, dhe mbi të është Arshi i Allahut” 2.
Kërkoja Zotit tënd pozitat më të larta. Myslimani gjithmonë është ambicioz (lakmitar) për më të lartat, nuk i mjafton të jetë në fund të karvanit, veçse dëshiron të jetë në ballë të tij, në pikënisjen dhe fillimin e karvanit, kështu është njeriu besimtar.
Ne, në këtë qëndrim në fund të vitit, duhet t’i përmirësojmë ato që na kanë kaluar, që ta dimë vleftën e kohës, dhe vleftën e jetës që na ka dhuruar Allahu, se do të pyetemi për të në Ditën e Gjykimit, siç thuhet në hadithin e vërtetë: “Nuk do të përfundojë robi nga gjykimi derisa të mos pyetet për katër gjëra: për jetën ku e ka harxhuar, për rininë si e ka jetuar, për pasurinë prej nga e ka fituar dhe në se e ka shpenzuar, dhe për diturinë se ç’ka bërë me të” 3 .
Katër pyetje kryesore, dy prej tyre i përkasin kohës: një pyetje për jetën në përgjithësi dhe për rininë në veçanti. Rinia është periudha e gjallërisë, periudha e forcës dhe mundësisë për prodhim, peri udha e shpresës dhe vendosmërisë.


Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave

Pejgamberi (salallahu alejhi we selem) e ka këshilluar një njeri duke i thënë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin tënd para sëmundjes, pasurinë tënde para varfërisë, kohën tënde të lirë para punës, dhe jetën tënde para vdekjes”4 .
“Rininë tënde para pleqërisë”: në periudhën e rinisë ke mundësi të prodhosh, s’ke mundësi të punosh, ke mundësi të luftosh, ke mundësi të kontribosh për fenë dhe botën tënde, për veten dhe për popullin tënd. Mos e humb rininë tënde kot, mos i imito ata që shkojnë pas epsheve, por imito rininë e ymetit tonë në kohët e kaluara, Ali ibn Ebi Talibin, Mus’ab ibn Umejrin, Usama ibn Zejdin, Muham med ibn ElKasim ibn Muhammedin, komandantët çlirues që i udhëhoqën ushtritë e tyre dhe kanë mbushur botën me punë e me fe, e ata ende nuk i kishin mbushur të njëzetat!
Shfrytëzoje rininë tënde para pleqërisë, ki kujdes e mos e humb rininë në
pakujdesi e mëkate; përpiqu të jesh prej atyre shtatë personave që do t’i strehojë Allahu atë ditë kur s’do tëketë hije përveç Hijes së Tij, e njëri prej tyre është: “Dhe një i ri që është rritur në adhurimin e Allahut xh.sh.” 5 .
Apo një e mre që është rritur në adhurimin e Allahut xh.sh., ç’thuhet për meshkuj, vlen edhe për femra.
Nëse të rrëshqet këmba në ndonjë ditë e bie në mëkat, dera e pendimit është e hapur, ngutu e merr iniciativë dhe qëndro para Zotit tënd i penduar dhe me shpresë se do të të falë duke thënë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes sonë, e në qoftë se nuk na mbulon (mëkatin) dhe nuk na mëshiron, ne me siguri jemi prej të shkatërruarve!” (El A’raf, 23).
Allahu i do të penduarit, dhe dashuria e tij për të riun e penduar është më e madhe, pendohu tek Allahu me pendim të sinqertë.
“Shëndetin tënd para sëmundjes”: sot je i shëndoshë në trupin tënd dhe i mbrojtur nga sëmundjet, ky shëndet është dhunti prej dhuntive të Allahut xh.sh. për ty, mos e shfrytëzo shëndetin tënd për të këqija, e as mos të të dhimbset në të mira, e as mos e kurse në adhurim.
Shfrytëzoje shëndetin tënd në adhurimin e Allahut xh.sh., në veprat e mira. Përgatitu për botën tjetër, përgatite balancin që do të të bëjë dobi tek Allahu, nëse njerëzit mundohen që ta shtojnë bala ncin e tyre në banka me pasuri, nuk do të vlejë atë ditë kur njerëzit do të kërkojnë për ndonjë gjë që u bën dobi: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i para qitet Zotit me zemër të shëndoshë” (EshShuaraë, 88-89).
Mundohu që ta shtosh balancin tënd tek Allahu me të mira, me adhurime.
Shfrytëzoje shëndetin tënd para sëmundjes, para se të të godasë sëmundja. E, sa të shumta janë sëmundjet që e lënë njeriun të gjymtë dhe e bëjnë të paaftë për punë, e pastaj të thuash: ah sikur t’i kisha bërë në ditët kur kam qenë i shëndoshë, ah sikur t’i kisha bërë në ditët kur kam qenë i ri. E, pra para vete e ka rastin. “Pasurinë tënde para varfërisë”: nëse ke mundësi për diçka tani si në pasuri apo në pozitë, apo ndonjë mundësi tjetër, bëje ndonjë të mirë me të para se të varfërohesh nga ajo, e të mbesësh duarthatë.
Sot mund të jesh i pasur, e nesër të mos kesh pasuri; sot mund të kesh ndonjë pozitë, e nesër s’do ta kesh; sot mund të jesh i ngarkuar me diçka, e nesër s’je. “Kohën tënde të lirë para punës”: nëse ke kohë të lirë, atëherë shfrytëzoje atë për gjëra prej të cilave ka dobi feja dhe populli yt. Për fat të keq, shumica nuk e ndiejnë dhuntinë e kohës së lirë, e Pej gamberi (sallallahu alejhi we sellem) ka thënë: “Shumë njerëz janë të mashtruar në dy dhunti: shëndetin dhe kohën e lirë” 6 .
Shumë njerëz nuk e dinë vleftën e shëndetit dhe kohës së lirë; nëse ke kohë të lirë, mos e humb kot ashtu sikur bëjnë shumica.


Një kohë kështu e një kohë ashtu

Nuk është kuptimi i kësaj se ne dëshirojmë që njerëzit të qëndrojnë duke adhuruar ditë e natë; të mos punojnë për botën e tyre dhe as t’i freskojnë vetjet e tyre, jo. Patjetër duhet “një kohë kështu e një kohë ashtu”, ashtu si i ka thënë Pejgamberi (sallallahu alejhi we selem) Handhales. Shkoi Handhale El-Ensariu, shoku i Pejgamberit (sallallahu alejhi we sellem), tek familja e tij dhe bëri shaka e qeshi me ta, pastaj iu kujtua se, kur ishte te Pejgamberi (sallallahu alejhi we sellem), ishte zemërbutë, i rrëshqisnin lotët, dhe i frikësohej Allahut, e tha:
Është bërë dyfytyrësh Handhaleja, kur jam tek i Dërguari i Allahut, jam në një gjendje, kurse në shtëpinë time dhe me fëmijët e mi jam në një gjendje tjetër! Do li në rrugë duke vrapuar e duke thënë: Është bërë dyfytyrësh Handhaleja! Është bërë dyfytyrësh Handhaleja! Derisa erdhi te Pejgamberi (salallahu alejhi we sellem) e i tha: O i Dërguar i Allahut, është bërë dyfytyrësh Handhale ja. Pejgamberi (sallallahu alejhi we sellem) i tha: Ç’të ka ndodhur? I tha: O i Dërguar i Allahut, kur jemi me ty, na e kujton zjarrin dhe Xhennetin, e neve na duket sikur po e shohim, e kur të dalim nga ti, merremi me bashkëshortet, fëmijët dhe vendbanimet tona e harrojmë shumë. Atëherë Pejgamberi (sallallahu alejhi we sellem) i tha: “Pasha Atë në dorën e Të Cilit është shpirti im, sikur të kishit vazhduar ashtu siç jeni tek unë duke e përmendur Allahun, do t’ju kishin kapur engjëjt për dore në vendbanimet tuaja dhe nëpër rrugë, mirëpo, o Handhale, një kohë kështu e një kohë ashtu, një kohë kështu e një kohë ashtu, një kohë kështu e një kohë ashtu” 7 .
Problemi qëndron në faktin se disa njerëz dëshirojnë t’i bëjnë njëzet e tri orë për zemrat e tyre, e nuk bëjnë as një orë për Zotin e tyre, ndoshta edhe atë nuk e bëjnë për hir të Allahut. Jo, patjetër duhet të bëjmë dallim ndërmejt fatit tonë dhe obligimin që kemi për Zotin tonë.
Nuk i ndalojmë njerëzit që të freskohen e të dëfrehen në kufijtë e lejuar, dhe në kufijtë e organizimit dhe ndarjes së kohës. Ne nuk e organizojmë kohën tonë e as nuk e ndajmë atë ndërmjet të rëndësishmes dhe jo të rëndësishmes, ndërmjet obligimit dhe obligimit të patjetërsueshëm, kohën duhet ta ndajmë patjetër.


Tabela e llogaritjes

Në kohën tonë, disa dijetarë bëjnë për vete “tabelë të llogaritjes” dhe me të llogarisin vetveten, çdo ditë e pyesin ve ten dhe i japin vetes shenjë (notë) ashtu siç bën mësuesi me nxënësit: A i ke falur namazet në kohën e tyre? A i ke falur me xhemat? Gjatë faljes a ka qenë zemra jote e pranishme dhe a është frikësuar për Allahun?
A e ke lexuar pjesën e caktuar nga Kurani? A i ke bërë mirë ose a i ke ndihmuar dikujt? A e ke urdhëruar dikë për të mirë ose a e ke larguar nga të këqijat? A ke ndier se s’po mund t’i kryesh të gjitha obligimet, e ke kërkuar falje prej Allahut?
Ai e pyet veten dhe i përgjigjesh,
e kështu duhet të bëjë njeriu. Mirëpo, ta humbësh kohën ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti, kjo është ajo, përgjigjja për të cilën do të jetë e vështirë para Allahut Ditën e Gjykimit.


Shfrytëzoje jetën tënde para vdekjes

“Dhe jetën tënde para vdekjes”: shfrytëzoje jetën tënde, para se të vijë koha e të thuash: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që kam lë shuar” (El Mu’minun, 99-100).
Mjerë për ty! Njerëzit nuk e dinë vleftën e jetës veçse në çastin e vdekjes. Kur të vijë jeleku i vdekjes për të ta marrë shpirtin, atëherë shpreson sikur të shtyhet vdekja për një ditë ose gjysmë dite, apo gjysmë ore, apo një minutë, në ato momente e përmend Allahun, mirëpo mjerë për ty: “O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit ndaj Allahut, e kush bën ashtu, të tillët janë mu ata të humburit. Dhe jepni nga ajo që Ne ju kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: o Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve! Po, Allahu kurrsesi nuk e shtyn askënd për më vonë, kur t’i vijë atij afati i vet. Allahu është i njohur hollësisht me atë që ju punoni”. (ElMunafikun, 9-11).
Allahu kurrsesi nuk e shtyn askënd për më vonë; kur t’i vijë afati i vet, asnjë moment, afati i njeriut është i caktuar (kohë e caktuar dhe frymëmarrje të kufizuara), e prandaj përgatitu që prej tash, para se ta thuash këtë fjalë, e cila nuk do të pranohet. Shfrytëzo rastin dhe kohën.
Thuhet: Ndër njerëzit më lakmues për personat që falen në xhami, janë banorët e varrit. Banorët e varrit thonë: kush na kthen ne në xhami që t’i falim në të dy rekate, ose ta lavdërojmë Allahun, ose ta falënderojmë Allahun, ose ta madhërojmë
Allahun, ndërsa personat që falen në xhami, nuk e vlerësojnë vleftën e asaj në të cilën janë.
Koha është e shtrenjtë, e pra, dija vleftën e saj, dhe prej vleftës së saj është se kur të kalojë, nuk kthehet. Ashtu siç ka thënë Hasen El Basriu: “S’ka ditë që, kur të lindë dielli, nuk thërret: O i biri Ademit, unë jam krijesë e re, dhe për punën tënde jam dëshmitar, atëherë furnizohu nga unë, se kur të shkoj unë, nuk kthehem deri në Ditën e Gjykimit”.
Kur të kalojë, koha s’kthehet, përpiqu t’i zësh ato që të kanë kaluar: “Ai është që bëri natën e ditën zëvendësuese të njëratjetrës dhe për atë që dëshiron të mendojë apo të falënderojë, argument” (ElFurkan, 62).
E ka bërë natën që ta zëvendësojë ditën, e dita ta zëvendësojë natën, kush e humb ndonjë punë gjatë ditës, mundohet ta zërë natën; e kush e ka harruar natën, mundohet ta zërë ditën.
Pendimi derën e ka të hapur: “Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim” (EnNur, 31).
Pritni vitin e ri me vendosmëri të vërtetë e me pendim të sinqertë tek Allahu xh.sh., ndoshta do ta bëjë ditën e sotme më të mirë se të djeshmen, dhe të nesërmen më të mirë se të sotmen.



(Përkthimi dhe përshtatja e këtij artikulli është bërë nga libri “Ligjëratat e Shejh El Kardawit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, 2000, vëllimi III, faqe: 291300).
Përktheu dhe përshtati:
Mr. Faruk Ukallo
_____________________

Fusnotat:

1. Përkthimin e ajeteve Kur’anore nga gj.arabe në gj.shqipe e huazova prej përkthimit të Kur’anit nga H.Sherif Ahmeti, Prishtinë, 1988.
2. Hadithin e transmeton Buhariu nga Ebu Hu rejreja.
3. Hadithin e transmetojnë Bezzari dhe Taberaniu.
4. Hadithin e transmeton Hakimi nga Ibën Abbasi.
5. Pjesë nga hadithi që e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejreja.
6. Hadithin e transmetojnë: Buhariu, Ahmedi, Tirmidhiu, Darimiu dhe Ibën Maxheja.
7. Hadithin e transmeton Muslimi nga Ebu Hurejreja Ahlak

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.