Hadithi sherif mbi natyrshmërinë e lindur të njeriut (fitret)

Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet që Pejgamberi a.s. ka thënë: "Secili i porsalindur lind në natyrshmërinë islame (fitret), por prindërit e tij e bëjnë jahudi, të krishterë ose zjarrputist. Sikur që e tërë bagëtia bartë të gjithë pasardhësit, a ndodh ndonjëherë me të meta?!” (1)

Pasi që e transmetoi këtë hadith, Ebu Hurejre r.a. tha: “Nëse dëshironi lexoni këtë verset:
“Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e All-llahut në të cilën i krijoi njerëzit, s'ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga All-llahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er - Rrum, 30)


1. Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

Duke komentuar ajetin fisnik, Ibn Axhibi thotë: “Përkushtohu fesë në tërësi, e jo pjesërisht. Vazhdo në te, ke kujdes për çdo gjë që ndikon në kualitetin e fesë sate. Nga feja varet fati përfundimtar i njeriut, andaj ajo gjithmonë në jetë duhet të ketë përparësi.” (2)
Në kohën e paralashtësisë - Ezel, kur shpirtrat tanë ende nuk kishin trupin dhe lindur në këtë jetë, secili prej nesh nga Zoti i dashur ka marrë atributin e teuhidit - besimin që Zoti i madhërishëm ekziston dhe është Një i vetëm.
Kjo është fitra - natyrshmëria. Shpirtrat tanë kanë ditur vetëm për teuhid, e asnjë besim tjetër. Ja, kështu Allahu i madhërishëm na bëri të pastër.
Për këtë flet edhe hadithi kudsi në të cilin Muhammedi s.a.v.s. transmeton fjalët e Zotit: “Të gjithë robërit e Mi i kam krijuar me besim absolut në njësinë Time (Hunefa), të gjithë ata. Por, iu qasen shejtanët, i kthejnë nga feja e tyre, u ndalojnë atë që Unë e kam lejuar, i urdhërojnë që të më përshkruajnë rival, edhe pse për këtë nuk kanë asnjë argument.” (3)
Ai i cili me ibadet të përhershëm dhe meditim për argumentet dhe shenjat e Zotit në ne dhe rreth nesh, kujton kohën e Ezelit (paralashtësinë), do të përkujtojë se ai personalisht ia ka dhënë dëshminë që Allahu i madhërishëm është i vetmi Zot.
Siç konkludon Ibn Axhibi, fitreti në realitet është njohuria që vetëm Allahu i dashur është Zot, i vetmi Krijues. Secili prej nesh, secili njeri e ka të ngulitur këtë njohuri në shpirtin e tij.
Por, te ndonjëri pluhuri i harresës së Ezelit dhe mosbindja ndaj Zotit është e vogël, andaj deri te zemra i depërton dritë më e fuqishme e fitretit. Te tjerët, kjo shtresë e pluhurit është më e trashë, andaj drita e fitretit është e dobët. (4)
Te secili fitreti - natyrshmëria është e fshehur. Nëse te kjo arrihet i pa përgatitur, e meqë në te është e vendosur fshehtësia e mbizotërimit të Allahut mbi çdo send (sirrul-rrububijje), paraqitja e menjëhershme e kësaj fshehtësie do të digjte të gjithë ligjet e natyrës që njohim dhe jemi të mësuar në këtë botë. Për këtë kjo fshehtësi zbulohet dalëngadalë dhe vetëm besimtarëve të vërtetë, të vetëdijshëm dhe të ndërtuar.


2. Mbi sahabiun fisnik, transmetuesin e këtij hadithi

Transmetuesi i këtij hadithi sherif është sahabiu fisnik i njohur i Pejgamberit s.a.v.s., Ebu Hurejre r.a. Këtë ofiq ia dha Pejgamberi a.s. dhe ka kuptimin “ai i cili ka dëshirë të luajë me macet”.
Emri i tij i vërtetë është Abdurrahman ibn Sahr el-Edhdi i cili ka transmetuar më shumë hadithe se tërë sahabët tjerë sepse vazhdimisht ka qenë pranë Pejgamberit s.a.v.s.
Gjithashtu, Muhammedi a.s. iu lut Allahut të madhërishëm që t’i dhurojë Ebu Hurejres kujtesë të fortë, kështu që pas kësaj çdo gjë që dëgjonte, menjëherë e mbante mend, duke falënderuar bereqetit të kësaj lutje.
Islamin e ka pranuar vitin e shtatë sipas Hixhretit, kur ndodhi beteja e Hajberit. Ka vdekur në Medine në vitin 57 sipas hixhretit. Është varrosur në Xhennetul-Bekije.


3. Kuptimi i fjalës hanif

Ruzbehan Bakli Shiraziu thotë: “Hanif është besimtari i vërtetë i cili ia ka kthyer shpinën krijesave. Pas zhdukjes së egos së tij (fena) në tërësi është kthyer kah Ezeli, sepse vetëm duke shikuar Ezelin mund të shihet esenca personale, kuptimi i ekzistencës personale.” (5)
Kjo botë është kalimtare dhe çdo gjë që kalon është sikur nuk ekziston. Për këtë ky “besimtar i vërtetë” është në udhëtim të përhershëm nga kjo ekzistencë provizore (adem) kah përhershmëria (kidem). Kur vie te caku i tij, besimtari i vërtetë në marrëdhënien e tij ndaj Allahut të madhërishëm nuk ka ndërmjetësues.
Kështu njeriu arrin në gjendje ku zemra e tij është e zbrazur nga çdo gjë tjetër përveç Allahut të dashur. Kjo është fshehtësia e veçantë. (6)


4. Kuptimi edukativ i hadithit

Në këtë hadith fisnik ndihet një frymë prej frymëve të bukurisë Absolute (el-Xhemal), dritë nga drita e pejgamberisë. Pejgamberi s.a.v.s. e ka shpjeguar në mënyrë subtile, të stërholluar, një çështje tejet të rëndësishme, të cilën të gjithë dijetarët e hulumtojnë, me të cilën janë të preokupuar edhe filozofët dhe mendimtarët, dhe e cila quhet: A thua besimi është diç e lindur te njeriu? Dhe a thua ky themel, kjo bazë është e mirë apo e keqe?
Analogjikisht, a thua fëmija në lindje e merr shpirtëroren e cila frymëzon në mirësi dhe rrugë të drejtë?
Pejgamberi ynë fisnik s.a.v.s. me këtë ka vënë një prej themeleve të edukimit të drejtë, me dritën e fjalëve fisnike të tij duke tërhequr vërejtjen secilit edukues, secilit gjurmues dhe mendimtar që kërkon njohurinë dhe të vërtetën. Kjo thënie e Pejgamberit a.s. thekson: e mira është diç e mbjellur te njeriu, ndërsa e keqja nuk është e mbjellur te njeriu, por një vlerë e cila arrihet më vonë në jetë.
Njeriu është i lindur në fenë e shëndoshë në njësinë e Zotit (fitret), i pastër, i paturbulluar. Posedon afinitetin e plotë të pranimit të mirës. Por, shoqëria është ajo që e prish njeriun, mjedisi në të cilin jeton njeriu shtrembëron këtë natyrshmëri (fitret), shkatërron sjelljen e njeriut dhe besimin e tij.
Në këtë, sidomos është roli i prindërve esencial, të cilët lehtë mund të jenë shkas i dëmit dhe shkatërrimit të njeriut, gjegjësisht shkas i mirësisë apo i prishjes së njeriut, hapërimit të njeriut në rrugë të drejtë, ose bredhjes dhe humbjes.
Kur fëmija lind është i gatshëm të rritet si anëtar i shëndoshë i shoqërisë. Nëse asgjë nuk e pengon në mes këtij fëmiu dhe natyrshmërisë së tij (fitret) do të rritet me besim duke jetuar në mirësi dhe lumturi. Por, shoqëria e prishur, e sëmurë, mjedisi i keq, e në këtë më me rëndësi janë prindërit, janë faktor që prishin shpirtin e fëmiut, ia ndryshojnë logjikën dhe natyrshmërinë, e kthejnë nga udhëzimi në humbje, nga lumturia kah pamaturia, nga besim kah mosbesimi.
Nëse familja nuk është e prishur, shoqëria jo e sëmurë dhe prindërit jo të humbur, fëmiu do të mbetet në natyrshmërinë e tij, me shpirt të pastër, mendje të shëndoshë, në fisnikëri dhe jetë të përkryer.
Duhet, sidomos pasur vëmendje, se si Muhammedi s.a.v.s. e ka krahasuar fëmiun me qengjin, të cilin Allahu i madhërishëm e krijoi në formën komplete, me pamje dhe ndërtim të bukur.
Ndërsa njerëzit janë ata që prishin bukurinë e qengjit, ia presin hundën apo veshin, e gjymtojnë në forma të ndryshme, përderisa nuk bëhet i keq për ta parë.
A thua e tërë kjo nuk ndodh edhe me njeriun - Allahu i madhërishëm e krijon në formën më të përsosur, ndërsa tërë dëmi në realitet i vie nga njerëzit tjerë?!


5. Konkludim

Secili prej nesh është edukator (murabbi) dhe secili prej nesh me sjelljet, marrëdhëniet me njerëzit që hasim në namaz, në xhematet tona, në shtëpinë tonë, në rrugë, në punë, ndikon te tjetri.
Kur janë tre vetë dhe dy pëshpëritin diç në mes tyre, a thua nuk japin mesazh të tretit se momentalisht është i padëshiruar?!
Andaj Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur jeni tre veta, dy mos të pëshpëritin pa të tretin, sepse kjo atë mund ta dëshpërojë.” (7)
Kur zgjedhim që vetëm disave t’u japim selam, p.sh. vetëm ata që i njohim më mirë, a thua nuk u japim mesazh tjerëve që janë më pak të vlefshëm për ne?!
Secili prej nesh e di si është kur dikush ka “ditë të keqe”, kur është i pikëlluar, i padisponuar.
Duhet menduar: “Ndoshta ky person pranë meje është i ndjeshëm, ndërsa Allahu e ka udhëzuar tek unë, për këtë duhet t’i paraqitem, duke e pyetur si është, me i buzëqesh dhe ndihmuar.”
Për këtë duhet me sjellje të bukur këtë dritë me e flakëruar, rritur dhe përhapur te tjerët.
Ndërsa Allahu i dashur është udhëzues i vetëm.



1. Hadithin e shënon Buhariu.
2. Ibn Axhibi, Bahrul medid fi tefsiril Kuranil mexhid.
3. Muslimi, Ahmedi nga Ijad ibn Himera.
4.Ibid.
5.Ruzbehan Bakli Shirazi, Ara’isul bejan fi hakaikil Kuran.
6.Ibid.
7.Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe Ibn Maxhxheh nga Abdullah ibn Mes’udi.



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.