Zhvillohet konferenca ndërkombëtare me temë: “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Këshillin Botëror të Komuniteteve Myslimane dhe Departamentin e Shkencave Islame pranë Kolegjit Universitar “Bedër”, organizuan Konferencën e 2-të Ndërkombëtare në Studimet Islame (ISCON), me temë: “Roli i gruas në shoqërinë moderne sipas këndvështrimit Islam”.

Kjo konferencë, e cila u zhvillua në ambientet e Kolegjit Universitar Bedër, mblodhi së bashku studiues nga vende të ndryshme të botës, akademikë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme publike dhe private të vendit, përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë dhe studentë të shumtë institucionit të lartë përmendur.

Në seancën e parë, e cila përbënte njëkohësisht edhe seancën e përshëndetjeve të kësaj konference, ishin të pranishëm H. Skender Bruçaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit Shtetëror për Kultet, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, si dhe Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i KMSH-së, z. Brucaj, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në punimet e kësaj konference, u ndal në punën dhe kontributin e deritanishëm të institucionit që ai përfaqëson në ndërgjegjësimin e shoqërisë për rëndësinë dhe rolin jetik të gruas në stabilitetin dhe progresin e shoqërisë sonë.

“Mund të themi se në Shqipëri femrat myslimane janë aktive në jetën shoqërore në role të ndryshme, si mësuese, mjeke, inxhiniere, politikane etj, duke ofruar një model dhe një kontribut të rëndësishëm në progresin dhe mbarëvajtjen e shoqërisë sonë. Por, nga ana tjetër, është për të ardhur keq kur sheh se akoma ndeshemi me problemin e dhunës ndaj gruas, dhunës në familje, fakt ky që është një ndër shkaqet kryesore të numrit e lartë të divorceve në vend. Prandaj le të shërbejë kjo konferencë si një tjetër kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të rolit të gruas në të gjitha sferat e shoqërisë.” – tha z. Brucaj gjatë fjalës së tij.

Ky sesion vazhdoi më tej me fjalën përshëndetëse të Rektorit të Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, i cili në fjalën e tij u përqendrua në kontekstin historik të zhvillimit të figurës së gruas në shoqërinë sonë ndër vite.

“Po të hedhim vështrimin pas dhe të shohim rrethanat historike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, figura e gruas shfaqet në përpjekje të përhershme për të fituar të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri. Nisur nga kjo mendoj se të gjithë duhet të kontribuojmë, në forma dhe mënyra të ndryshme, për barazinë e gruas në të gjitha aspektet e jetës sociale. Mendoj se punimet e kësaj konference ashtu si e shumë platformave të tjera të ngjashme të zhvilluara më parë, do të kontribuojnë akoma më shumë në konsolidimin e mëtejshëm të gruas në të gjitha sferat e jetës publike e sociale të shekullit në të cilin jetojmë.” – tha ai.

Më tej ishte radha e Znj. Loreta Aliko, Kryetares së Komitetit Shtetëror për Kultet, të ndante me ta pranishmit fjalën e saj përshëndetëse.

“Me kënaqësinë për ftesën, duke qenë grua, ndihem veçanërisht e përfshirë në këtë argument. Tema domethënëse e cila trajtohet sot është e një rëndësie të veçantë dhe ju përgëzoj për iniciativën dhe guximin qytetar, parë nën dritën e ngjarjeve të fundit të trishtueshme që lidhen me dhunën ndaj grave. Gratë përfaqësojnë një kontingjent të çmuar për çdo sistem politiko – ekonomik, për vetë bagazhin e tyre intelektual, për intuitën e natyrshme që mbartin, për energjitë e pashtershme që posedojnë. Fuqizimi i gruas është parësor për zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë, të hapur dhe gjithëpërfshirëse dhe për përshpejtimin e rritjes ekonomiko – sociale. Prandaj nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj organizatorët për këtë kontribut kaq të vyer në një temë të veçantë siç është kjo e konferencës së sotme” – tha znj. Aliko gjatë fjalës së saj.

Ndërsa Dr. Mohammed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Myslimane, si përfaqësues i këtij komuniteti në punimet e konferencës së sotme, falënderoi për bashkëpunimin Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe KU “Bedër”, për bashkëpunimin në trajtimin e një teme kaq të veçantë jo vetëm për shoqërinë shqiptare por edhe atë globale gjithashtu. Pasi femra myslimane në veçanti por edhe femra e çfarëdolloj besimi qoftë, ndeshet me vështirësi apo paragjykime të ndryshme të tipit social, ekonomik, politik e kulturor kudo në botë. Prandaj është përgjegjësia jonë e përbashkët që me organizimin e platformave të tilla siç është kjo e sotmja të kontribuojmë në fuqizimin e rolit të saj në shoqëri. Më tej ai u ndal në brendinë e punimeve të konferencës.

“Referuesit e sotëm do të hedhin dritë mbi tematika të ndryshme që prekin përfshirjen social-kulturore të gruas myslimane në shoqërinë ku ato jetojnë. Një pikë mjaft e rëndësishme e kësaj konference është edhe evidentimi i zgjidhjeve më të aplikueshme për çdo problematikë aktuale të rolit të femrës në shoqërinë e shekullit 21.” – përfundoi ai.

Konferenca u zhvillua më tej me referimin e dhjetëra temave të ndryshme që preknin aspekte të shumëllojshme të rolit të gruas sipas këndvështrimit Islam në shoqërinë e shekullit 21, të tilla si: “Kontributi patriotik, emancipues dhe kulturor i gruas myslimane në historinë e Shqipërisë”, “Divorci dhe dhuna në familje, plagë të shoqërisë moderne”, “Roli gruas në edukimin e brezave, bazuar në revistat kulturore islame”, “Analizë sociologjike e fesë, edukimit dhe familjes: shembulli i rolit të gruas në Islam”, etj.

Në seancën e mbylljes, u shpërndanë certifikatat për të të gjithë referuesit që morën pjesë me punime të ndryshme në këtë konferencë.

Konferenca Ndërkombëtare e Studimeve Islame është një platformë e cila organizohet për të dytin vit radhazi nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Kolegji Universitar Bedër, me tematika të ndryshme që lidhen me hulumtime në këtë fushë/kmsh/










Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.