Mrekullia e Kuranit Famëlartë nga lëmi i mjekësisë

Allahu i Madhëruar dhe i Lavdëruar në Kur'anin Famëlartë urdhëron e thotë: "A nuk i dhamë Ne atij dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë?" (El Beled, 8-9)

Drita e Kur' anit Famëlartë, shkëlqen edhe sot e kësaj dite me të njëjtin intensitet si para 14 shekujsh, duke freskuar dhe duke begatuar zemrat e shpirtrat e besimtarëve dhe gjithnjë duke provokuar dhe ngacmuar intelektin njerëzor për meditim dhe studim.
Mrekullitë e Kur'anit Famëlartë janë të panumërta në lëmenj të ndryshëm, e veçanërisht nga lëmi i mjekësisë. U vërtetua për të shumtën herë se Kur'ani i Lavdishëm është burim i pashtershëm, inspiruesi dhe frymëzuesi më i lartë për secilin njeri, i cili i qaset me respekt, objektivitet dhe sinqeritet me dëshirë që të begatohet me njohuri jetike.
Para se të fillojmë me temën e cekur duhet theksuar dhe potencuar se Kur'ani Famëlartë është apriori libër Hyjnor, atribut i përhershëm i Allahut të Madhërishëm, i cili zbriti për të na mësuar rregullat e besimit të vërtetë, moralit dhe lartësimit shpirtëror, e nuk erdhi të na mësojë shkencat ekzakte si: kiminë, fizikën, matematikën, biologjinë, gjeografinë, astronominë, filozofinë apo mjekësinë. Por, Kur'ani i Lavdishëm edhe pse nuk erdhi të na mësojë në rastin tonë konkret mjekësinë, ai vjen dhe prek një çështje nga lëmi e embriologjisë dhe na informon detajisht për të. Ndërsa shkenca e mjekësisë arrin tek ajo pas një hulumtimi dhe studimi prej qindra e ndoshta mijëra vjetësh.
Të analizojmë me kujdes versetin e cituar me larte:
"A nuk i dhamë Ne atij dy sy?"
Që nga java e tretë e zhvillimit embrional /2,5mm/, vërehen fillet e para të syrit, këtij organi vital, të cilin Allahu i Madhërishëm e përmend në shumë versete të Kur'anit Famëlartë, dhe përfundon kompletimi i tij në javën e shtatë.
Tërë syri, si organ periferik i receptorit optik mund të krahasohet me aparatin fotografik /por është afro 3000 herë më i ndjeshëm se kamera më precize/, ku pjesa e parme e tejdukshme i lëshon dhe i thyen rrezet e dritës duke i drejtuar drejt fetëzës së brendshme, e quajtur retina, pikërisht sikurse sistemi i thjerrëzave në aparatin fotografik, që i drejton fytyrat e objektit ne film.
Para se të arrijnë rrezet e objektit në retinë, ato thyhen nëpër sistemin e kalimit të dritës në sy /kornea, lëngu ujor i syrit, kristalina, trupi qelqor/ gjatë së cilës aftësi të mëdha të thyerjes së dritës ka kristalina, kështu fytyra e krijuar në retinën e syrit është e mbrapshtë dhe e zvogëluar.
Pjesët ndijore pranuese të dritës në retinë të cilat Allahu i Gjithëfuqishëm i krijoi me precizitet te rrallë, janë thupërzat me madhësi 4 deri në 5 mikrona dhe kunjëzat.
Me ndihmën e kunjëzave pranohet drita e ditës /me ngjyrë/, ndërsa me ndihmën e thupërzave drita e muzgut /bardhe e zi/.
Është vërtetuar se gjatë procesit të të parit d.m.th. ngacmimit të thupërzave, funksioni i tyre është i lidhur për një materie speciale, e cila gjendet në to dhe quhet purpuri i të parit /rodopsin/, për krijimin e së cilës nevojitet vitamina A.
Rrezet e dritës si dhunti e Allahut xh.sh. me intensitet të mjaftuar ngacmojnë kunjëzat dhe thupërzat, ngacmimi i krijuar nga proceset biokimike, përcillet nëpërmjet nervit optik deri në pjesët kortikale te analizatori optik, ku krijohet nyja e dritës.
Përveç asaj se kjo ndjenjë mund t’u përket intensiteteve të ndryshme të dritës, Krijuesi Absolut bëri që retina dhe i tërë analizatori optik të kenë aftësi t'i dallojnë ngjyrat e ndryshme.
Nëse shkaktohet çrregullimi i këtij mekanizmi, atëherë nuk mund të dallohen disa ngjyra.
Tërë aparati i të pamurit tregon një mrekulli të përsosur të Krijuesit të Gjithëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm. Vetëm lotët, që i tajojnë gjendrrat e lotëve, nëse i vëzhgojmë, do të shohim një përbërje interesante. Lotët janë lëng pa ngjyrë me reaksion alkalik. Për 8 orë njeriu tajon afro 0.5-0.8 gr lot, por kjo varet nga gjendja psikike e njeriut. Te personat sentimental, të ndjeshëm dhe te femrat, të cilat si në hidhërim ashtu edhe në gëzim, reagojnë me lot, tajohen më tepër. Pra lotët, përveç mbrojtjes së syrit dhe veprimit kundërbakterial, manifestojnë ndjenjat e brendshme të njeriut. Është interesant, edhe pse në pamje lotët duken të pastër, e të kthjelltë, në analizën biokimike vërehen shumë përbërës, siç shihet nga tabela, që prezantojmë:



Nëse vështrojmë me kujdes këtë përbërje të lotëve, atëherë, vërtet mendja për një moment ndalet, mahnitet, por shpirti entuziazmohet, merr hove duke i dhënë elokuencë gjuhës për të madhëruar Krijuesin më të bukur i Cili, krijoi dhe përsosi çdo send, siç aludon verseti Kur'anor:
"...Mjeshtëri e Allahut që përsosi çdo send"... (En Neml, 88)
Analizojmë më tej versetin tjetër të Kur'anit Famëlartë:
"Edhe gjuhë e dy buzë?"
Gjuha si organ mishëror, paraqet një mrekulli në vete. Së pari merr pjesë në bluarjen e ushqimit. Së dyti me lëvizjet e saja dhe elokuencën trajton të folurit dhe shpreh ndjenjat tona të brendshme. Kur flet bukur mahnit, kur flet ashpër pret si thikë. Për këtë organ me rëndësi Muhammedi a.s. na tërheq vërejtjen në një hadith:
"Shpëtimi i njeriut është në ruajtjen e gjuhës".
Së treti më anë të nervave të veçanta përcakton shijen e ushqimit. Së fundi këndon gëzueshëm e herë me melankoli të gjitha këngët dhe meloditë, që mund t'i ekzekutojnë në instrumentet muzikore më moderne. Po ky organ përcjell dhe transmeton fjalën e Allahut të Madhërishëm dhe të Dërguarit të Tij.
Gjuha përmban katër lloje papila: rrethore /papilae cirkum valatae/, fletëzore /papilae foliatae/, këpurdhore /papilae fungiformes/ dhe pejzore /papilae filiformes/, të cilat reagojnë në katër lloje primare të të shijuarit: tharbët, njelmët, ëmbël dhe idhët. Koncentrimi HCL, i cili nevojitet për të shkaktuar ndjenjën e tharbët është 0.0009 N, ndërsa i saharozës për ndjenjën e ëmbël 0.01 M, natrium kloridit për njelmët 0.01 M, ndërsa kinidina për ndjenjën e idhët 0.00000 M. Kjo do te thotë se ndjenja për idhët është më e ndjeshmja se të gjitha shijet tjera. Ngacmimet nga gjuha me shpejtësi të madhe me fije nervore përcillen deri te qendrat e trurit /talamusi/, ku bëhet analiza finale e perceptimeve.
Për ndryshimin e gjuhëve dhe të ngjyrave të njerëzve ka argumente për studim dhe mendim, siç aludon verseti Kur'anor:
"Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argument për njerëz". (Er Rrum, 22)
Buzët me ngjyrën elegante, me njomësinë, formën dhe vendosjen e tyre, në përpjesëtimin e harmonizuar me organet tjera, i japin fytyrës një stoli, bukuri të ëmbël e të këndshme. Këto me lëvizjet e tyre elastike, që koincidojnë me ato të syrit e të vetullave e këndellin edhe më tepër gjallërinë e fytyrës, duke e bërë të gëzuar, të zymtë apo të buzëqeshur sipas ndjesisë shpirtërore. Buzët përveç që na ndihmojnë për të marrë ushqimin, na shërbejnë për mimikë dhe për të ligjëruar.
Vërtetë, njeriu është egoist, epshor dhe pak falënderues për dhuntinë e madhe të syrit dhe të organeve tjera, siç na përkujton shpesh Kur'ani Famëlartë:
"Thuaj: "Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen, kurse ju pak po e falënderoni". (El Mulk, 23)
Allahu i Madhërishëm, në çdo kohë dhe në çdo moment na drejtohet, duke na provokuar që të vështrojmë, hulumtojmë dhe studiojmë organizmin tonë, aludon verseti Kur'anor:
"Po edhe në veten tuaj, keni argumente, A nuk jeni kah e shihni?". (Edh-Dharijatë, 21)
Po ta vështrojmë vetëm një qelizë të organizmit tonë do të mahnitemi me artin e saj preciz dhe tejet të komplikuar. Membrana qelizore, është e hollë /75-100 Angstrem/ dhe elastike, e cila përmban: proteina 60% dhe lipide 40%. Është e pajisur me pore /zgavërza/, të cilat asnjëherë deri më tani nuk janë parë as me mikroskop elektronik, por eksperimentet funksionale, të cilat studiuan sjelljen e molekulave me madhësi të ndryshme në mes milieut qelizor dhe jashtëqelizor, treguan se ekziston difuzion i lirë i molekulave me madhësi afro 7 Angstrema. Kur membrana qelizore dëmtohet nuk dihet ende shkencërisht si formohet membrana e re qelizore. Membranat e gati të gjitha qelizave janë të elektrizuara, nga ana e jashtme është elektropozitive, kurse e brendshmja është elektronegative. Ne mes anës së jashtme dhe të brendshme të membranës ekziston dallim i potencialit, dhe ky quhet potenciali membranor, i cili është 85 milivolt. Potenciali membranor qelizor varet nga koncentrimi preciz i kationeve të natriumit dhe kaliumit, të cilën baraspeshë precize e sajoi Dora e Mjeshtrit të Përsosur. Natrium ka më shumë jashtë qelize, kurse më pak në qelizë. Anasjelltas, kalium ka më shumë në qelizë, kurse më pak jashtë qelize. Dallimi në koncentrim ruhet në saje të transportit aktiv dhe është arsye kryesore për ekzistimin e potencialit membranor.
Kur ndryshon lëshueshëria e membranës atëherë natriumi prej ambientit të jashtëm depërton në qelizë, me ç'rast ndryshon gjendja e elektrizimit të membranës qelizore dhe ajo nga jashtë bëhet negative. Ky quhet depolarizim membranor. Disa qeliza në organizëm kanë aftësi, që u dhuroi i Gjithëfuqishmi, që në mënyrë spontane të sajojnë potencial aksional, që quhet automatizëm. Automatizëm ka muskuli i zemrës dhe qendra për frymëmarrje.
Pra, duke parë këtë bukuri dhe harmoni madhështore vetëm të membranës qelizore, njeriu mahnitet me Krijuesin e Amshuar dhe rikujton versetin e Kur'anit Famëlartë:
"...Ai krijoi çdo gjë duke e përsosur në mënyrë të qartë e të matur..." (El Furkan, 2)
Njeriu, si ekzemplar i rëndësishëm i këtij universumi, të cilin Allahu i Madhërishëm e krijoi në mënyrë të përsosur, duke i dhuruar sy për të parë realitetin, veshë për të dëgjuar të vërtetën, gjuhën për elokuencë dhe komunikim, por ia tregoi dhe trasoi edhe rrugën e vërtetë të teuhidit /Njësimi i Allahut/, vetëm e vetëm që të adhurojë dhe ta njoh Krijuesin e vet, siç aludon verseti:
"Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës" (El Insan, 3)
Një mrekulli të Kur'anit Famëlartë nga lëmi i mjekësisë, e hasim në kaptinën e Et Tarik /ylli trokitës, ndriçues. Lexojmë me kujdes versetet:
"Le të shikojë njeriu se prej çkahit është krijuar? "Ai është krijuar prej një uji, që hidhet fuqishëm, "E që del nga kurrizi i shpinës dhe dërrasa e gjoksit." (Et Tarik, 5-7)
Vërehet preciziteti i fjalëve të përdorura në këtë verset, ngase fjala "dafik" /hidhet fuqishëm/ është përdorur në trajtën aktive, ndërsa trajta e kësaj foljeje në pasiv do të ishte "medfuk".
Përse, shtrohet pyetja, është përdorë trajta aktive?
Ngase siç është e njohur njeriu nuk ka ndikim në hedhjen e furishme të lëngut spermatik dhe nuk është në gjendje ta ndalë vrullin e tij kur ai fillon të dalë.
Ereksionin si fazë të parë të aktit seksual te meshkujt e shkaktojnë impulset parasimpatike, të cilët vijnë nga pjesa lumbosakrale e palcës kurrizore, e që Kur'ani Famëlartë e precizon me fjalën tejet adekuate "sulb". Ndërsa te femrat gjatë aktit seksual, përveç mekanizmave reflektor në pjesën lumbosakrale të palcës kurrizore, merr pjesë edhe oksitocina nga neurohipofiza, hormon i cili rrit kontraktilitetin e mitrës, duke shpejtuar transportin e spermatozoideve, andaj edhe në këtë hasim fjalën precize të Kur' anit Famëlartë "teraib".
Po të analizoj më me kujdes versetet Kur'anore në kaptinën Vakia:
"A më tregoni për farën (spermën) që e derdhni, "A e krijoni ju atë, apo jemi Ne, që e krijojmë?" (El Vakia, 58-59)
Sasia e lëngut spermatik është 3 ml. Në çdo ml. afërsisht ka 120 milionë spermatozoid. Jetojnë 24 deri 72 orë. Në temperaturë -100° C i ngrirë mund të jetojë më tepër se një vit. Fascinon përbërje komplekse e lëngut spermatik me mikroelementet, enzimet, andaj edhe Allahu i Madhërishëm na, drejtohet me pyetjen:
"A ju e krijoni atë, apo Ne jemi, që e krijojmë?''
Njeriu bashkëkohor ka arritur në Hënë, e në të ardhmen do të arrije edhe në planetet tjera, po nuk është në gjendje të krijojë një spermatozoid.
Shkencëtarët mbeten të habitur dhe të mahnitur, duke krahasuar tekstin Kur'anor me rezultatet e shkencës bashkëkohore:
"Ne e krijuam njeriun prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë" (El lnsan, 2)
Pra fjala "nutfetin ernshaxhin" është lëngu spermatik i krijuar nga sekreti i gjëndrave seminale, testisit, prostates dhe gjëndrave bulbouretrale.
Embriologët e sotëm mbeten të habitur me bukurinë, koherencën dhe precizitetin e Kur' anit Famëlartë për modalitetin e krijimit në mitrën e nënave. Rikujtojmë versetin:
"O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë /mendoni krijimin tuaj që/ Ne ju krijuam juve prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një kafshate mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që të ju sqarojmë. Ndërsa atë, që dëshirojmë Ne e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej ju nxjerrim foshnje ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ndodh që dikush prej jush vdes herët, e dikush të jetojë deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur..." (El Haxhxh, 5)
Fjalët e theksuara në verset janë tejet precize "muhal-lekatin dhe gajri muhal-lakatin" që do të thotë embrion proporcional dhe joproporcional, u zbuluan tek pas 14 shekujsh. Këto janë qelizat e formuara të embrionit dhe qelizat e paformuara, të cilat shërbejnë për ushqim dhe për mbrojtje të embrionit.
Verseti precizon edhe matufitetin e pleqërisë, i cili e përcjellë njeriun, duke harruar atë që ka pasur në kujtesë, e për të cilën gjë mjekësia e sodit /gerontologjia/ nuk mund të ndihmojë asgjë.
Tërë procesi embrional në mitrën e nënës është nën kujdesin permanent të Allahut të madhërishëm, siç aludon verseti i Kur anit Famëlartë:
"Allahu e di se ç'bart çdo grua, dhe /e di/ çka pakësojnë e çka shtojnë mitrat. Tek Ai çdo send është me masë të caktuar". (Er Rra'd, 8)
Me gjithë bukurinë e universit, qiejve, tokës, botës bimore dhe shtazore, Allahu i Madhërishëm na përkujton se formën më të bukur ia dhuroi njeriut, siç theksojnë versetet Kur'anore:
"Ai krijoi qiejt dhe tokën me urtësi të përsosur dhe Ai juve u dha formën, e formën tuaj e bëri të bukur dhe vetëm tek Ai është e ardhmja". (Et Tekabun, 3)
"Allahu është Ai qe ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira. Ky është Allahu, Zoti juaj, i lartë, pra Allahu është Zoti i botëve!”. (Gafir, 64).
"Vërtetë, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur". (Et Tin, 4)
"O ti njeri po ç'të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd, që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën, që Ai dëshiroi!". (El lnfitar, 6-8).
Njeriu i arsyeshëm, përpara kësaj godine madhështore të mrekullueshme të quajtur njeri, nuk mund të dyshojë, veç të përulet e të gjunjëzohet me plotë devotshmëri, duke lavdëruar mençurinë, urtësinë, diturinë dhe pushtetin e Krijuesit të Amshuar, duke thënë:
"Sa i lartë është Allahu i Madhëruar, që është më i bukuri Krijues!" (El Mu'minun, 14).
Pra, Kur'ani Famëlartë, përshkruan detajisht dhe me precizitet fenomenal fazat e zhvillimit embrional, para mikroskopit dhe amnioskopit e ekosonografisë, gjegjësisht para zbulimeve shkencore bashkëkohore 14 shekuj më parë, siç konfirmon verseti:
"Allahu është Ai qe ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i dijshmi, më i fuqishmi". (Er Rrum, 54).
Zhvillimin embrional në etapa, e hasim edhe në këtë verset:
"...Ai ju krijon juve në barqet e nënave tuaja, krijim /etape/ pas krijimi në tri errësira..." (Ez Zumer, 6).
Sipas Prof.Keeth Moore, këto tri errësira janë tre mbështjellës:
1. Muri i barkut,
2. Muri i mitrës dhe
3. Perdja e brendshme e cila mbështjell embrionin(*)
Këtë mund ta vërtetojmë duke krahasuar gjatësinë dhe peshën e embrionit-fetusit gjatë muajve lunar /sipas Haseut dhe Stoeckelit/.
Të gjithë rrjedhim prej një burimi, prej të njëjtit trung, prej të njëjtës materie, por çdo njeri e posedon personalitetin e vet, individualitetin dhe egon e vet. Secili organizëm njerëzor e ka "shifrën e vet personale gjenetike". Nga embriologjia jemi të informuar se të gjitha qelizat e embrionit trashëgues të njeriut përbëhen prej proteinave të ndryshme të shënuara me njëzet formula kimike /DNA dhe RNA/ diç e ngjashme sikur abeceda me të cilën janë hartuar libra të tëra. Kjo veçanti e njeriut arrin deri atje sa që secili njeri ka shenjë të veçantë të gishtërinjve.
Tërë kjo na tregon se individualiteti dhe veçantia personale është e vërtetë qenësore e argumentuar edhe shkencërisht.
Pra, është evidente se qenësia e njeriut komponentet e tija përbërëse materiale e tejkalojnë kuptimin e atij fizik, substancor dhe se qenësia e tij nuk përbëhet vetëm prej nevojave fizike, fiziologjike, të cilat reflektohen tek ai. Pra, është evidente se të ekzistuarit e atij "dirigjenti" të brendshëm të njeriut mbi elementet dhe instinktet trupore është argument i qartë mbi të ekzistuarit edhe të një elementi tjetër subtil, më kualitativ, i cili dominon mbi trupin e njeriut. Ky është shpirti, i cili shkencërisht nuk është objekt analitik që të analizohet apo të vendoset nën mikroskop, por është subjekt.
Dituria ka arritur në shkallë kulminante dhe do të arrijë edhe më shumë nga gjeneratat e ardhme, por për shpirtin do të kemi pak njohuri ekzakte, siç konfirmon verseti Kur'anor:
"Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: "Shpirti është çështje, që i përket vetëm Zotit tim, e juve ju është dhënë fort pak dije". (El lsra, 85).
Shpirti, pra i takon botës urdhërore /alemi emr/, andaj është i pandashëm i tejpashëm, i pandashëm i pakufizuar në hapësirë, vend dhe në kohë, jashtë kategorive cilësore dhe sasiore, andaj as idetë mbi formën, ngjyrën, madhësinë nuk mund ta perceptojnë.
Bota urdhërore /sublime-superiore/ mbizotëron botën e krijuar /alemi halk/, andej shpirti, i cili përmban në veti gjallëri, jetë, e dirigjon, kontrollon, rregullon dhe i jep gjallëri trupit.
Njeriu nëse përfill dhe jetëson urdhrat e Allahut të Mëshirshëm, në veti ka mundësi shpirtërore të pakufizuara dhe lartësohet në sferat qiellore dhe engjëllore duke arritur qetësinë shpirtërore i kënaqur Zoti me te dhe njeriu i lumtur në Parajsën e Tij, siç aludon verseti i Kur' anit Famëlartë:
"O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robëve të Mi! Dhe hyn në xhennetin tim!" (El Fexhr, 27-30)
Shpirti është zgjim i brendshëm, është dritë e padukshme jona e cila na ndriçon rrugën e të vërtetës dhe nëpërmjet së cilës e dallojmë të shëmtuarën prej të bukurës, të mirën prej të ligës, dhe me të njohim Krijuesin tonë.
Gjendja alternative e gjumit dhe e zgjuarsisë së njeriut në të vërtetë, shembulli i zbehtë i vdekjes dhe i ringjalljes, na konfirmon për çdo natë të ekzistuarit e atij elementi fisnik shpirtit në organizmin e njeriut. Rikujtojmë versetin:
"Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre /i vdekjes së trupave të tyre/ e edhe atë që është në gjumë..." (Ez Zumer, 42¬
A ke menduar o njeri ndonjë çast kur ke vështruar pranë teje personin e paralizuar, për funksionin e harmonizuar të sistemit tënd nervor?
A ke menduar për frymëmarrjen tënde të lehtë, pa pengesa duke vështruar të sëmurin që vuan nga frymëzënia?
A ke menduar për Krijuesin tënd që të dhuroj veshkët tua, që punojnë pa pra me precizitet madhështorë, duke vështruar të sëmurit në kemodializë?
A ke menduar për fëmijën tënd të shëndosh, kur vështron fëmijën me të meta psiko-fizike?
Pra, mund të konkludojmë se këshilla e Kur'anit Famëlartë është e përjetshme, për të gjitha kohët dhe brezat njerëzore, dhe vazhdimisht në mënyrë bindëse e provokon dhe aktivizon intelektin njerëzor që të meditojë, të mendojë dhe të studiojë argumentet e Allahut të Madhërishëm në univers, në natyrë, por edhe në vetë qenien e njeriut, siç aludon verseti Kur'anor:
"Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri sa t'u bëhet e qartë se ai /Kur'ani/ është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?" (Fussilet, 53)


____________________
*). Mrekullia shkencore në Kur’anit dhe Sunnet, Abdylmexhid Zendani, Prishtinë 1996.

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.