Urtësia, fisnikëria, përzemërsia dhe mirësjellja e Profesor Qemajlit rrallë mund të hasen në shoqërinë tonë

(Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në Akademinë përkujtimore me rastin e kalimit në Ahiret të Profesor Qemajl Morinës)

E nderuara familje e Profesor Qemajl Morinës,
Të nderuar studentë
Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë dhe gjithë ju të pranishëm që keni pasur nderin ta njihni Profesorin tonë të respektuar dhe veprën e tij

Sot më ka rënë hise një detyrë e rëndë, ndër më të rëndat në këto vitet e fundit të përvojës time në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, që para jush të shpreh vlerësimet dhe konsideratat e mija dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për bashkëpunëtorin, kolegun dhe profesorin tonë Qemajl Morina, i cili më datën 22 shkurt 2019 kaloi në Ahiret, si një shpirt i qetë e fisnik dhe duke iu përgjigjur urdhrit të Zotit konform ajetit kuranor:

“O shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i vetkënaqur e i pranuar! Hyr mes robërve të Mi! Dhe hyr në Xhenetin Tim!” (el-Fexher, 27-30)

Jemi mbledhur sot për ta nderuar një njeri që prore na ka nderuar të gjithëve, familjen, institucionet në të cilat punoi, bashkëpunëtorët, shoqërinë dhe kohën në të cilën jetoi; një njeri që me tërë qenien ka punuar për përparimin fetar dhe kulturor dhe të gjithmbarshëm të shqiptarëve, një njeri që me penën e tij shumë nga vlerat e dëshmuara e të gjithmonshme të njerëzimit, me punën e palodhshme e sakrifikuese, i ka bërë edhe pjesë të kulturës sonë, por dhe kulturën tonë kombëtare e ka afirmuar nëpërmjet prezantimit të saj në relacione me kulturat e tjera.
Në të këtilla raste fjalët gjithmonë duken të pakta dhe duke u përpjekur për të thënë ato më kryesoret që e kanë karakterizuar Profesor Qemajlin, shumë gjëra të tjera, po aq të rëndësishme, do të na mbesin pa i përmendur.
Por për Profesor Qemajlin do të flitet e do të shkruhet gjatë, shumë gjatë, nëpër katedra, konferenca e simpoziume, nëpër revista shkencore e monografi të veçanta, sepse trashëgimia dhe veprimtaria e bollshme që na e la profesor Qemajli si pedagog, shkencëtar dhe, përgjithësisht, si individ i dalluar i shoqërisë sonë, do të mbetet e përhershme.
Prandaj, çfarëdo që të them në këtë fjalë, jam i bindur se do të thuhet e pakta e punës së tij, kurse e shumta, esencialja, do të thuhet më pastaj, koha do të jetë vlerësuesja më e denjë e veprës së Profesor Qemajlit.
Në vend se t’i them disa nga datat e rëndësishme të biografisë së Profesorit tonë të nderuar, dua të flas për disa veçanti që e karakterizuan si njeri, si intelektual, si pedagog dhe si dijetar.
Profesor Qemajli ka filluar të merret me shkrime që nga vitet 1970 pra që nga koha kur ishte nxënës në medrese dhe kur kishte botuar për herë të parë poezinë e tij kushtuar Pejgamberit a.s. për të mos u ndalur pena e tij kurrë deri sa ndërroi jetë.
Me ardhjen e Profesor Qemajlit në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, respektivisht në krye të sektorit për veprimtari botuese nisi një periudhë e re në këtë fushë duke krijuar kushte e premisa për zhvillimin e saj të mirëfilltë.
Ndërsa, që nga momenti kur u vu në krye të revistës “Dituria Islame”, Profesor Qemajli me përkushtimin dhe vizionin e tij, e ngriti revistën në nivele të tjera duke e hapur ndaj shtresës intelektuale të vendit, ndaj të rinjve dhe duke ruajtur me kujdes edhe brezin e parë të autorëve në literaturën islame në gjuhën shqipe.
Falë punës, angazhimit dhe vizionit të tij, periodiku islam i Bashkësisë Islame të Kosovës u bë pjesë edhe e periodikut gjithëkombëtarë, sepse Profesor Qemajli arriti që në periodikun tonë të sjell pena dhe bashkëpunëtorë nga të gjitha viset dhe trojet tona.
Po ashtu Profesor Qemajli është autor i një numri të madh studimesh që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe historinë tonë, me theks të veçantë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të cilën Profesori për herë të parë ka botuar studimin e tij në Konferencën për 100 vjetorin e kësaj ngjarjeje të vitit 1978, kurse gjatë viteve të studimeve pikërisht për Lidhjen e Prizrenit ka hulumtuar në Arkivat e Kajros ku na ka lënë si trashëgim veprën e rëndësishme dhe me vlerë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian”.
E kësaj natyre dhe e kësaj rëndësie është edhe monografia për ndriçimin e figurës fetare dhe kombëtare të Hoxhë Kadri Prishtinës dhe mendimet e tij në revistën “Udha e së vërtetës”.
Duke i lexuar këto dy vepra, po edhe punimet e tjera të Profesorit, veçohet përgjegjësia e madhe shkencore, e cila e karakterizonte përgjithësisht punën e tij, duke bërë që një monografie t’ia kushtonte vite e dekada, t’i qëmtonte të dhënat e arkivave, pastaj edhe bibliotekat e literaturën, me qëllimin e vetëm që konstatimet e tij t’i mbështeste në burime të mirëfillta e t’i argumentonte shkencërisht. Profesori, në këtë pikëpamje, punonte me ngulm, nuk ishte ndër ata që entuziazmohej lehtë e së tepërmi nga rezultati, por edhe nuk dëshpërohej para vështirësive që rëndom e karakterizojnë punën shkencore.
Mbështetur në këto parime, Profesor Qemajli ka arritur të botojë vepra autoriale dhe të përkthyera dhe mbi 400 zëra bibliografik në shtypin vendor dhe të huaj. Në to gjejmë një lloj-llojshmëri tematike, duke filluar nga ato fetare, pastaj të kulturës, historisë, qytetërimit e deri tek temat që kanë të bëjnë me dialogun e mirëkuptimin ndërfetar, ku Profesori ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht me rëndësi.
Një dimension shumë i rëndësishëm i veprimtarisë intelektuale të Profesor Qemajlit ishte edhe përkthimi i literaturës nga gjuha arabe në gjuhën shqipe. Në rend të parë mirënjohjen tonë ai e ka merituar me përkthimin në shqip të romanit “Koha e shpërnguljes në veri” të autorit Tajjib Salih.
Gjithashtu, duhet përmendur faktin se, në saje të punës plot përkushtim, Profesor Qemajli i ka bërë pjesë të literaturës në gjuhën shqipe edhe veprat dhe shkrimet e autorëve të njohur të botës islame, si Hasan Doh, Abdurrahman Basha, Sharavi etj.
Me gjithë veprimtarinë e shumanshme intelektuale e edukative, Profesor Qemajli nuk u tregua asnjëherë indiferent lidhur me zhvillimet shoqërore, sidomos nga vitet e ’80-ta e këndej.
Në vitet e ’90-ta dhe pas suprimimit të subjektivitetit politik të Kosovës, Profesori u ndodh përkrah prijësve të bashkësive fetare në Kosovë, duke u bërë pjesë e takimeve me delegacionet e huaja, pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare, nëpër tribuna në të cilat do ta ngrinte zërin në mbrojtje të kombit të tij. Kurse me penën e tij dhe përmes shkrimeve që i botonte gjithandej në shtypin shqiptar dhe të huaj, ai denonconte haptazi dhunën dhe terrorin që po ushtronte pushteti serb jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, Sanxhak etj..
Një kontribut të çmuar prof. Qemajli ka dhënë padyshim edhe në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës, ku ishte një ndër themeluesit e këtij institucioni, ndër pedagogët e parë shumëvjeçar deri në pensionim dhe prodekan dhe drejtues për më shumë se 17 vite. Gjithashtu Profesor Qemajli ka drejtuar edhe revistën “Buletini” organ i këtij institucioni.
I pamohueshëm është edhe kontributi i jashtëzakonshëm i Profesor Qemajlit në inicimin dhe organizimin e një sërë konferencash, sesionesh shkencore e simpoziume në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, pa përmendur këtu pjesëmarrjen e tij gjithandej nëpër botë në këso aktivitetesh.
Si bashkëpunëtor i hershëm i tij, e them me plotë gojën se urtësia, fisnikëria, përzemërsia dhe mirësjellja e Profesor Qemajlit vërtet rrallë mund të hasen në shoqërinë tonë. Nuk mbaj mend ta kem parë të vrenjtur në fytyrë apo të hidhëruar në dikë. Pavarësisht se në debate edhe mund të kishte mospajtime, pamja e tij e natyrshme ishte e një njeriu të qetë, konstruktiv e mbi të gjitha korrekt me të tjerët.
Profesor Qemajli ka qenë njëri i shumanshëm, prandaj edhe kontributi i tij është shumëdimensional, si: publicistik, shkencor, historik, gjuhësor e pedagogjik.
Meqenëse kjo botë dhe gjithçka është kalimtare dhe sipas caktimit të Zotit të gjithësisë, kush me herët e kush më vonë, do të kalojmë në botën tjetër, ajo që mbetet pas është vepra e jonë. Në të dy këto drejtime, Profesor Qemajli na ka tejkaluar të gjithë neve. Ai para nesh kaloi në Ahiret, por na ka tejkaluar edhe për veprimtarinë e bujshme në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe dhe trashëgiminë e gjerë që ka lënë, dhe e cila, me Emrin e Allahut, do të botohet në një komplet të veçantë.
Duke e përmbyllur këtë fjalë timen dua të them se, në rend të parë, familja, farefisi i gjerë, miqtë, kolegët, studentët e tij të shumtë, lexuesit e veprës së tij shkencore e humanitare, shoqëria jonë në përgjithësi, me vdekjen e Profesor Qemajlit, kanë humbur shumë; por dhembja nuk duhet të na bëjë të harrojmë se kemi pasur fatin e rrallë që ta njohim një prind, një familjar, një të afërm, një mik, një koleg, një profesor, një dijetar e një pjesëtar të shoqërisë sonë me emrin e punën e të cilit krenohemi të gjithë.

Të nderuar të pranishëm,
Allahu i madhëruar e shpërbleftë Profesor Qemajlin për veprën e tij, kurse shpirtin e tij e bëftë pjesë të kopshteve të Xhenetit Firdevs!

Shpirtit të bekuar e fisnik të Profesor Qemajlit të gjithë t’ia bëjmë hedije një Fatiha!

Prishtinë, 26.02.2019
Myftiu Naim ef. Tërnava

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.