Modestia-kurora e besimtarit

Të gjithë njerëzit kërkojnë lumturinë në këtë botë, por vetëm besimtarët e kërkojnë atë në të dy botët. Të gjithë e kërkojnë, por vallë?

Për ta arritur duhen ndjekur rrugët që të shpien tek ajo dhe të mos ketë devijim prej tyre. Prej këtyre rrugëve, veçanërisht për besimtarin, është të qenët modest (i thjeshtë) me njerëzit dhe i përulur ndaj Krijuesit dhe ligjeve të Tij. Modestia është ngritur në shkallë e gradë. Besimtari i arrin ato gradë në saje të suksesit që i jep atij Allahu i Lartësuar, sigurisht me mund, përpjekje e sakrificë nga vetë ai.
Fjala “modesti” ka shumë kuptime por ne po veçojmë vetëm dy prej tyre.
-Të pranosh atë që është e drejtë (e vërtetë) dhe t’i nënshtrohesh asaj prej cilitdo qoftë ajo, i vjetër ose i ri, i pasur ose i varfër, i dëgjuar apo jo, nga miku ose armiku...Pra të pranojmë atë që është e drejtë prej kujdoqoftë.
-Modesti është sillesh mirë me njerëzit, cilado qoftë pozita e tyre shoqërore, të pasur ose të varfër, të fortë ose të dobët, të respektuar ose të përbuzur.
Pra, modestia është rruga e drejtë dhe e fortë për bashkimin e zemrave dhe fjalëve, si dhe çarjeve në mes të bijve të umetit islam. Allahu i Lartësuar në Kuranin famëlartë thotë: “Atë vend të përjetshëm (Xhenetin) ua kemi caktuar atyre që nuk duan as mendjemadhësi e as ngatërresa në tokë, e përfundimi i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut!” (Kasas, 83)
Prej urtësive që mund të nxjerrim nga ky ajet, mund të veçojmë cilësitë e atyre njerëzve modestë, të sinqertë, të devotshëm, si dhe të atyre të cilët janë faktorë stabilizues në tokë apo në shoqërinë ku jetojnë, të cilët kanë arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, i Cili vendqëndrim për ta zgjodhi Xhenetin, në të cilin do të jenë përgjithmonë. Sa përfundim i këndshëm u takon atyre që i frikësohen Allahut të Madhëruar!
Modestia është çelësi i pastrimit të vetvetes: rruga për faljen e mëkateve dhe fshirjen e të këqijave. Ajo është rruga për në Xhenet me lejen e Allahut të Lartësuar.
Modestia nuk matet me peshën e pronës, pasurisë, pushtetit apo personalitetit, përkundrazi, ajo është garë e përpjekje në devotshmëri e punë të mira.
Të mundohemi që modestia të zërë vendin kryesor në jetën tonë të përditshme, në mënyrë që të ndiejmë ëmbëlsinë e saj, të shijojmë shijen e saj e të lumturohemi me gjurmët e saj. Të mos ngremë fjalën e askujt mbi Fjalën e Allahut të Madhëruar, apo të të Dërguarit të Tij në mënyrë që të ngrihemi në shkallët më të larta dhe në lumturinë e qëndrueshme. Për shkak të kësaj vlere dhe shpërblimit të madh që ka modestia (thjeshtësia) tek Allahu i Lartësuar, shejtani lufton dhe përpiqet që askush të mos arrijë këtë vlerë e shpërblim. Për vlerën e modestisë dhe peshën (rëndësinë) që ka ajo tek Allahu (xh.sh.), Ebu Hurejra r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “...Nuk është përulur ndokush për hir të Allahut veçse Allahu e ka ngritur atë.” (Trans. Muslimi)
Nuk ka dyshim se ai që përulet/është modest për hir të Allahut, Ai do t’i rrisë atij autoritetin dhe do ta ngrejë atë në një shkallë shumë të lartë. Shembullin më të mirë e kemi në të Dërguarin e Allahut (a.s.), i cili hyri në Mekë kokulur nga modestia. Subhanallah (Pa të meta je, o Allah)... “Ja ç’modesti është kjo! Kush e bën këtë sot? Fitore madhështore, e modestia e tij është më madhështore...! Rezultati? Ai me moralin e shkëlqyer arriti të përfitonte edhe zemrat e armiqve të tij. Në Kuran thuhet: “VVërtet ti (Muhamed) jje në një shkallë të lartë morali.” (Kalem, 4)
Ky është piedestali më i lartë me të cilin Allahu e lavdëroi të dashurin e tij, Muhamedin (a.s.), në Librin e tij fisnik. Padyshim ky është njëri prej shembujve që tregon virtytet e larta morale të Profetit të Islamit.
Sahabët e Muhamedit (a.s.) tregojnë se, kur ai përshëndeste dikë, nuk ia lëshonte dorën deri sa tjetri të mos tërhiqte vetë dorën e tij. Kur përshëndeste e bënte me tërë qenien e tij dhe kurrë nuk e hiqte shikimin nga personi që e përshëndeste derisa ai vetë të mos e largonte shikimin prej tij. Ulej atje ku kishte vend të lirë dhe gjithmonë i buzëqeshur. Nuk dëshironte të ngriheshin shokët në këmbë, kur hynte në një shoqëri.
Tregohet se kur Muhamedi (a.s.) iu afrua nga Allahu të jetë mbret e pejgamber apo rob e pejgamber, ai nga modestia e lartë që kishte ndaj Allahut, zgjodhi të ishte rob e pejgamber i Allahut. Aq modest ishte saqë në shoqëri nuk dallohej nga shokët e tij. A thua ku jemi ne nga këto cilësi?
Tregohet se një ditë kishte ardhur një njeri te Pejgamberi (a.s.) dhe, kur u takua me të, filloi të dridhej nga emocionet. Pejgamberi iu drejtua me butësi duke i thënë: “Qetësohu, mos u frikëso, sepse unë nuk jam mbret.” Detyrimi ynë është që të frymëzohemi dhe të ndriçojmë rrugën tonë me shëmbëlltyrën dhe nurin e Muhamedit dhe të mos ndahemi nga orientimi që na ka hapur i dashuri ynë (a.s.). Sahabët u edukuan me mësimet e Muhamedit dhe i dhanë një kah të ri historisë së njerëzimit. Modestia ishte morali i tyre i përditshëm dhe pas vdekjes së tij. Ebu Bekr Siddiku r.a., gjatë kohës që ishte
udhëheqës i myslimanëve, çdo ditë pas faljes së namazit të sabahut shkonte dhe pastronte shtëpinë e një plake. Tregon Omeri r.a.: “Pasi kishte dalë Ebu Bekri, hyra brenda në shtëpi dhe pyeta plakën. Ajo nuk e njihte, por ai vinte e pastronte shtëpinë çdo ditë në një kohë të caktuar.”
Tregohet se Ebu Bekri r.a. i kishte dhënë dikujt një letër për Omerin. Por kur shkoi te Omeri ai e refuzoi. Personi u kthye përsëri te Ebu Bekri duke i thënë: “Nuk e di kush është kalifi, ti apo Omeri!” Ebu Bekri ia ktheu: “Ai, nëse dëshiron të bëhet.”
Tregohet se Omer bin Hattabi r.a. ishte duke ligjëruar dhe gaboi lidhur me metrin për gratë. Një grua e kundërshtoi dhe e argumentoi me ajetin 20 të sures “Nisa” të
Kuranit. Omeri nuk u hidhërua, pranoi gabimin e tha: “Gruaja ka të drejtë, Omeri gaboi.” Ky qëndrim ia shtoi autoritetin, e lartësoi dhe e bëri edhe më të dashur në zemrat e besimtarëve.
Osman bin Afvani r.a., njëri prej shokëve më të afërt të Pejgamberit (a.s.), kalifi i tretë i myslimanëve, dallohej për moralin e tij të lartë që kishte saqë edhe engjëjt turpëroheshin prej tij. Ai ishte i afërt me myslimanët.
Një ditë po ligjëronte në hytbe dhe myslimanët që nuk i kish parë një kohë të gjatë, po i përshëndeste nga minberi në shenjë respekti që kishte për ta.
Në një nga luftërat që kishte zhvilluar Ali bin Ebi Talibi r.a. i kishte humbur shpata të cilën e kishte gjetur nëj çifut. Meqë çifuti nuk pranoi dhe lindi konflikti në mes tyre, ai iu drejtua gjykatës. Gjykatësi e pyeti Aliun r.a. se në cilin vend i kishte humbur shpata. Aliu, i buzëqeshur i tha: “E kam ditur se do të ma bësh këtë pyetje”, dhe u largua. Kur e pa këtë gjest të shkëlqyer të Aliut, çifuti vrapoi pas tij dhe ia dha shpatën, duke i treguar edhe vendin ku e kishte humbur. Aliu r.a. e pyeti: “Përse e pranove tani që shpata është e jotja?” Çifuti iu përgjigj: “Më habiti se si shoku i Muhamedit, djali i xhaxhait të Muhamedit dhe kalifi i myslimanëve, nga modestia e tij dhe e vërteta që ishte në anën e tij, pranoi të bisedonte me një njeri të thjeshtë siç jam unë dhe ky gjest i shkëlqyer u bë shkak që unë të pranoja Islamin. Aliu r.a. u gëzua pa masë dhe si dhuratë për pranimin e Islamit ia dha shpatën e tij.
Omer bin Abdul Azizi ishte një kalifët më të dalluar të emevijve, i njohur për cilësi të larta morale dhe devocioni. Tregohet se një herë një njeri kishte vajtur për ta vizituar.
Teksa po rrinin ishte fikur qiriri. Omeri u ngrit dhe ndezi qiririn. I habitur nga ky gjest i tij, mysafiri e pyeti: “O udhëheqës i myslimanëve, pse nuk më urdhërove mua ta ndizja qiririn?” Ai iu përgjigj: “U ngrita si Omer, u ktheva si Omer. Kjo nuk ndikoi në mua asgjë”. Dhe shtoi se prej njerëzve më të mirë tek Allahu, është ai që është modest – i thjeshtë.
Metodat e edukatës së përsosur dhe sjelljet e shkëlqyeshme që duhet të ketë si cilësi myslimani, shembull është modestia e lartë dhe veprimet e sahabeve të Pejgamberit (a.s.).
Ja vlera e modestisë dhe shpërblimi i madh që ka ajo tek Allahu (xh.sh.) sipas komenteve dhe urtësisë së dijetarëve. Fudejl ibni Ijad për modestinë ka thënë: “Modestia është nënshtrimi ndaj të vërtetës dhe pasimi i saj, nëse e dëgjon të vërtetën prej fëmijës, pranoje atë, po edhe nëse e dëgjon të vërtetën prej injorantit më të madh, pranoje atë.”
Ebu Bekr Sidiku r.a. ka thënë: “Të mos e nënçmojë askënd askush prej myslimanëve, sepse fëmija i myslimanëve tek Zoti është i madh.”
Kurse Imam Shafiu ka thënë: “Njeriu me vlerën më të madhe është ai që tregohet modest.”
Kur është pyetur Hasan Basriu se ç’është modestia, ai është përgjigjur: “Modestia është të dalësh nga shtëpia jote dhe të konsiderosh çdo mysliman më të mirë se veten.”
Kurora e njeriut është modestia I madhi Zot, nëpërmjet ajeteve të Kuranit të cilat flasin për modestinë, na tregon se, nëse dëshirojmë të jemi një shoqëri produktive në të gjitha sferat e jetës, duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Thelbi i këtij bashkëpunimi padyshim që është modestia. Fryt i zhvillimit mjaft të avancuar të teknikës së sotme, padyshim që është modestia.
Sado që të kemi fuqi e aftësi, sado që të jemi të pasur, fuqia e Zotit është më e madhja nga të gjitha ato që posedojmë. Prandaj duhet të ulim kokën, të zhdukim vrazhdësinë, të hapim gjoksin, të bëhemi të mëshirshëm e të sillemi ndaj njerëzve ashtu siç dëshirojmë të sillen edhe ata me ne. Lidhur me këtë Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemrën e tij ka mendjemadhësi qoftë edhe sa grima.” (Trans. Muslimi dhe Tirmidhiu)
Dobitë e modestisë (thjeshtësisë) dhe gjurmët e saj në sjelljen e njeriut janë:
-Pranimi i së vërtetës prej kujdo që e thotë.
-Ekzistenca e një shoqërie të pastër e të dashur me njëri-tjetrin.
-Forca, fuqia e krenaria para besimtarëve.
-Falja, butësia dhe mirësjellja ndaj besimtarëve.
-Butësia me të vegjlit dhe të dobëtit.
-Ngritja e vendit dhe pozitës. I Dërguari i Allahut (a.s.) thotë: “...Dhe nuk është përulur ndokush për hir të Allahut vetëm se Allahu e ka ngritur atë.” (Trans. Muslimi)
-Të ndjesh ëmbëlsinë e Imanit (besimit).
-Një gjest i thjeshtë vlen më shumë se çdo gjë tjetër me vlerë.
I lutemi Zotit që të na e bëjë modestinë moralin tonë!



Remzi Gani
Drita Islame

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.