Betimi në emër të Allahut dhe ndalimi i betimit që nuk bëhet në emër të Tij (1)

Transmetohet nga Abdilah bin Omer r.a. se vërtet Pejgamberi a.s. kishte hasur Omer bin El Hatabin, që betohej në babanë e vet, i cili udhëtonte në mesin e karvanit (të deveve). Pejgamberi s.a.v.s. tha: "Me të vërtetë Allahu xh.sh. jua ndalon të betoheni në prindërit tuaj, por ai që betohet le të betohet në Allahun, ose le të heshtë."(1)

Tirmidhiu transmeton: "Me të vërtetë Allahu xh.sh. jua ndaloi të betoheni në prindërit tuaj, le të betohet betuesi në Allahun, ose le të heshtë.”(2)
Transmeton Muslimi nga Ibn Omeri r.a., se vërtet Pejgamberi a.s. ka thënë: "Betuesi të mos betohet në tjetër përveçse në Allahun!” Kurejshët betoheshin në prindërit e tyre. Pejgamberi a.s. u tha: "Mos u betoni në prindërit tuaj!”(3)
Ebu Davudi transmeton: "Mos u betoni në baballarët tuaj, as në nënat tuaja, as në idhuj, mos u betoni për asgjë tjetër përveçse në Allahun! As mos u betoni në Allahun, pos kur diçka të jetë e vërtetë (e drejtë)!”(4)

Përkufizimi i betimit

Me nocionin "el-jemin” - betim, nënkuptohet el-jedu-dora. Kjo fjalë është përdorur për betim, ngase arabët kur betoheshin i rroknin duart me njëri tjetrin, e kjo tek ata vlente si vërtetim për betimin. Thuhet se roli i dorës së djathtë "el-jedul jumna” është të ruajë. Prandaj me këtë shprehje emërtohej betimi, sepse ai që betohej e ruante atë. Por, do të thotë edhe fuqi, forcë - "el-kuvetu vel kudretu”. Allahu xh.sh. thotë: “Le ehadhna minhu bil jemin" - "Ne do ta kapim atë me forcën Tonë.” (El-Hak-45). Këtu fjala el-jeminë do të thotë forcë. Thuhet se përdoret edhe në kuptim të pozitës së mirë, p.sh.: indena bil jeminë d.m.th. në pozitë të mirë: bimenziletin hase-netin. Përdoret edhe për të treguar fuqi. Allahu xh.sh. thotë: "Pabesimtarët u thoshin atyre që devijuan: ”Ju ishit ata që na mashtronit me shkaqe (mënyra) më të forta.” (Es-Safat, 28). Në terminologjinë fetare nënkuptohet: "Vërtetimi i një gjëje duke u betuar në njërin nga emrat e Allahut xh.sh., ose në ndonjërin nga atributet e Tij, ose duke përdorur ndonjërën nga shkronjat e betimit, në mënyrë të qartë ose parciale.” Të betuarit është legjitimuar me Kuran, sunet dhe me ixhma (konsensus). Allahu xh.sh. thotë: “Allahu nuk do t’ju ndëshkojë për betimin që e bëni pa qëllim, por do t’ju ndëshkojë për betimin e bërë me qëllim.” (El Maide, 89). "Mos i thyeni betimet pasi t’i keni vërtetuar.” (En-Nahl, 91). Thuaj: "Pasha Zotin tim, gjithsesi do të ringjalleni dhe do të njoftoheni për atë që keni bërë!" (Et-Tegabun, 7).

Fjalët e panjohura

Shprehja err-rrekbu - "Karvani i deveve", për udhëtim, por jo edhe karvani i kafshëve të tjera. Numri i tyre është më tepër se dhjetë.
Përdoret edhe në shumës err-rrukbanu - karvanët e deveve.
Emri el-endadu - idhujt, në njëjës nidden, do të thotë:
"Një send i ngjashëm (idol), që i kundërvihet në çështjen e tij.
Përdoret si folje edhe në këtë formë: junaduhu – e kundërshton, i kundërvihet. Këtu me qëllim i përmend idhujt që konsideroheshin zota, në vend të Allahut xh.sh.(5)

Dispozitat e hadithit dhe mendimet e dijetarëve

E para: Hadithi tregon se nuk lejohet betimi në diçka tjetër përveç në Allahun xh.sh., d.m.th. hadithi ka për qëllim të ndalohet betimi në krijesat e Allahut dhe të lejohet betimi në emrat dhe në atributet e Krijuesit të gjithësisë, si: "I Gjithmëshirshmi, Mëshirëploti”.
Mbështetje për këtë është Pejgamberi a.s., i cili nuk betohej vetëm se me shprehjen ose me fjalën e Allahut, por madje edhe në ketë mënyrë: "Mukal-libel kulubi!" - "Pasha rrotulluesin e zemrave!", që ka për qëllim Allahun xh.sh.; - "Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im!”, etj.
Dijetarët kanë thënë se fshehtësia e ndalesës së betimit, përveç në Allahun xh.sh. është se, betimi në diçka nënkupton madhërimin e asaj gjëje, ndërsa dihet se madhërimi i vërtetë i takon vetëm Allahut xh.sh. Prandaj robi nuk duhet të betohet në asgjë tjetër përveçse në Allahun, në qenien e Tij dhe në atributet e Tij.(6)
Hanefitë thonë se atributi i Tij, që është bërë traditë betimi, është edhe shprehja: "Izetil-lahi ve xhelalihi ve kibrijaihi" - "Pasha madhërinë e Allahut, shkëlqesinë dhe madhështinë e Tij!”(7)
E dyta: Si gjykohet betimi jo në emër të Allahut xh.sh.?
Të gjithë dijetarët janë të një mendimi se nuk duhet të lejohet tjetër betim përveçse në Allahun xh.sh. Ibn Abdul Berri thotë: "Ky është parim ku të gjithë janë të një mendimi.”(8)
Në vazhdim do të paraqesim mendimet e dijetarëve:
1. Malikijtë dhe hanbelijtë i kanë dy thënie: ndalimin dhe mekruhin;
2. Shafiijtë thonë se betimi jo në Allahun xh.sh. është mekruh, por jo i rëndë. Shafiu thotë: "Ndoshta është mëkat (betimi jo në Allahun xh.sh.)”9;
3. Ibn Hazmi thotë: "Është i ndaluar betimi jo në Allahun xh.sh.”;
4. El Hanefije dhe Imamul Haremejni thonë: “Betimi jo në Allahun xh.sh. është mekruh". Mirëpo hanefitë lidhur me këtë kanë dhënë më shumë sqarime.(10)
5. Disa të tjerë thonë se ka dallim në bindje ndërmjet asaj që betohet, sepse ajo ngërthen madhërimin sikur edhe bindja në madhërinë e Allahut xh.sh. Ky betim është i ndaluar. Me këtë bindje ai zhytet në mosbesim, prandaj ndërmjet betimit jo në Allahun, duke pasur parasysh rëndësinë (madhështinë) e sendit të betuar me kufij të caktuar, e me këtë nuk futet në mosbesim, por betimi i tij është pa vlerë;
6. El Hadevijtë thonë se betimi jo në emër të Allahut nuk është mëkat. Mirëpo sipas tyre, e vërtetë është se një betim i tillë është mekruh, nëse madhërimi i tij nuk barazohet me madhërimin e Allahut xh.sh., por nëse betimi ka në vete mosbesim ose fyerje (ofendim), atëherë është i ndaluar.(11)
El Makdesiu transmeton nga disa dijetarë lejimin e betimit jo në Allahun xh.sh., por pa e sqaruar hollësisht një gjë të tillë, sepse Allahu xh.sh. është betuar në krijesa:
"Pasha ata (melekët) që janë të radhitur në safa!”;
"Pasha ata (melekët) që sjellin të mira!”;
"Pasha ata (melekët) që i marrin shpirtrat me rrëmbim!
Pejgamberi a.s. i tha Bedeviut, që e kishte pyetur për namazin: "Efleha ve ebihi in sadaka” - "Ka shpëtuar, pasha prindin e tij, nëse e thotë të vërtetën!”
Edhe hadithi i Ebil Ashrait për therjen: "Ve ebike lev ta’ante fi fehdhiha le exhzeeke” - "Pasha prindin tënd, sikur ta therje në kofshën e saj do të të mjaftonte!”(12)
Ata që mendojnë se betimi jo në Allahun xh.sh. është i ndaluar ose mekruh, mbështetje kanë:
1. Hadithin bazë dhe hadithet e tjera të ngjashme me të;
2. Thënien e Pejgamberit s.a.v.s.: "Kush betohet jo në Allahun, ka bërë mosbesim ose shirk.” Tirmidhiu tha: "Ky hadith është i shkallës së mesme (hasen)”(13)
3. Thënien e Pejgamberit a.s.; "Kush betohet në (idhuj) Latin dhe Uzanë, le të thotë La ilahe ila llah!”(14);
4. Thënien e të Dërguarit a.s.:”Kush betohet rrejshëm, jashtë betimit islam, ajo është ashtu si i thotë (rrenë)” (Mutefekun alejhi).
Ata iu përgjigjen mbështetjes së atyre që betimin jo në Allahun xh.sh. nuk e shohin mekruh:
1. Vërtet Allahu xh.sh. është betuar në krijesat e Tij, dhe kjo tregon fuqinë e Tij, ndërsa në betimin e Tij paramendohet fjala Zot. "Birabbi hadhihil mahlukati! ”
- "Pasha Zotin e këtyre krijesave!" Në thënien e Tij:
”Vedduha”- "Pasha mesditën!”, d.m.th: "Ve rabbid-du-ha" - "Pasha Zotin e mesditës!”;
2. Ky betim në veçanti është për Allahun xh.sh. Ai, kur dëshiron ta tregojë rëndësinë e një sendi a krijesave të Tij, betohet në të. Kjo nuk i takon askujt tjetër (të betohet)(15)
3. Sa i përket betimit të Pejgamberit a.s., jo në Allahun xh.sh., sikur në thënien: "Ka shpëtuar, pasha prindin e tij, nëse e thotë të vërtetën!”, Ibn Abdul Berri thotë: "Kjo shprehje nuk është ruajtur në formë të mirëfilltë.” Këtë e kanë transmetuar Maliku dhe të tjerët, por nuk e kanë vënë në pah këtë shprehje.
Hadithi i Ebil Ashrait, sipas Ahmedit, nuk është i vërtetë, mirëpo disa dijetarë thanë: "Betimi i Pejgamberit a.s. ka qenë para ndalimit."
E treta: Hadithi tregon se betimi jo në Allahun nuk është i vlefshëm dhe nuk konsiderohet betim, sepse ndalimi për të tregon prishjen dhe thyerjen e atij që betohet për të. Ky është mendim i shumicës. Sikur të betohej në Qabenë, ose në prindin e tij, ose në ndonjë objekt të betimit, për të nuk do të kishte mbulesë (shpagimin) - "fela kefaretun alejhi”.
Por, ai nuk i shpëton mëkatit , sepse një vepër e tillë është e ndaluar.
Disa dijetarë të drejtimit hanbeli(16) mendojnë se kush betohet në Pejgamberin a.s., ose në ndonjë tjetër send që i takonte atij (në të drejtën e tij), për të parashihet kefareti-mbulesa (shpagimi). Disa prej tyre këtë e shohin si të preferueshme, madje edhe jo të ndalueshme.
"Nëse betoheni në diçka, por diçka tjetër është më e mirë se ajo, si do të Veproni?
Transmetohet nga Abdurrahman bin Semre, se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nëse betohesh në diçka, kurse tjetrën e ke parë më të mirë se ajo, bëje atë që është e mirë, ndërsa betimin tënd mbuloje (kompensoje)."
Në tekstin tjetër thuhet: "Kompensoje betimin tënd dhe bëje atë që është mirë." Në tekstin tjetër thuhet: "Nëse betohesh, shpaguajë betimin tënd, pastaj bëje atë që është mirë.”(18)
Nëse ndonjëri prej jush betohet, por sheh se tjetra është më e mirë se ajo, le ta shpaguajë (betimin) dhe le ta bëjë atë që është më e mirë."
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a.: "Kush betohet, por sheh se tjetra është më e mirë se ajo, duhet ta shpaguajë betimin dhe ta bëjë atë që është më mirë.”(19)

Njohuri për transmetuesit

Abdurrahman Bin Semre Bin Abdushems el Abshemiju, si pseudonim e kishte edhe nofkën Ebu Seid. Emri i tij ka qenë Abdu Kelal. Pejgamberi a.s.. ia ndryshoi.
Ka qenë Sahabi. Fenë islame e pranoi ditën e çlirimit të Mekës. Ka qenë pjesëmarrës në Tebuk, së bashku me Pejgamberin a.s.. Ka marrë pjesë edhe në luftërat për çlirimin e Irakut. Ka çliruar Sixhistanin dhe vende të tjera në kohën e kalifatit të Othmanit r.a., pastaj u vendos në Basër. Ka transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s. dhe nga Muadh bin Xhebel r.a. Prej tij kanë transmetuar: Ibn Abbasi, Katab bin Umejri, Ibn el Musejjibi, Ibn Sijrini, Ibn ebi Lejla dhe Hasan el Basriu.
Prej këtij sahabiu janë transmetuar 14 hadithe, për të cilat Buhariu dhe Muslimi kanë rënë në ujdi, ndërsa dy hadithe i ka transmetuar vetëm Muslimi. Hadithet ei kanë hyrë në gjashtë koleksionet më të njohura të
hadithit. Ka Vdekur në Basër, në Vitin 50 h.(20)
Adij Bin Hatim është Ebu Turejf Adij bin Hatim bin Abdilah bin Sead bin el Hasarexh bin Imrul Kajsi Et-Taij. Para se ta pranonte fenë islame ishte katolik.
E vërtetoi Islamin e tij në periudhën e dezertimit, kur erdhi tek Ebu Bekri dhe solli zekatin e njerëzve të fisit të tij. Ka marrë pjesë në çlirimin e Irakut dhe të Medainit. Pastaj u vendos në Kufe. N ë luftën e Sifinit ishte në anën e Aliut r.a. Vdiq në Vitin 68 h. Ishte shumë i moshuar, kishte jetuar 120 vjet. Për të thuhet edhe më tepër: se ka qenë fisnik dhe i devotshëm dhe se ka transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s. Nga ky kanë transmetuar: Hisham Bin el Harthi, Eshu`ubiju, Ibn Sirini etj. Ka transmetuar 65 hadithe. Buhariu dhe Muslimi për gjashtë hadithe kanë rënë në ujdi. Buhariu është i vetmi që i transmetoi tre hadithe, kurse Muslimi dy hadithe. Hadithet e tij kanë hyrë në gjashtë koleksionet e librave të hadithit.(21)
Ka qenë pjesëmarrës i delegacioneve që vinin te Pejgamberi a.s. në vitin e shtatë të hixhretit. Pejgamberi a.s. e kishte nderuar këtë delegacion. Ka transmetuar disa hadithe që kanë të bëjnë me gjuetinë.

Rrugët e hadithit dhe senedet e tij

Ky hadith është transmetuar nga shumë rrugë, Veç rrugëve që u përmendën më lart. Imam Tirmidhiu e ka transmetuar edhe nga Ebi Derda, Enesi, Aishja, Abdullah bin Amri, Ummi Seleme, Ebi Musa el Esh`ariju r.a.
Hadithet që i përmendëm janë autentikë, disa janë aso për të cilët Buhariu dhe Muslimi kanë rënë në ujdi - muttefekun alejhi, dhe disa i kanë futur në koleksionin e Muslimit. Tirmidhiu për hadithin bazë thotë: "Hadithun hasenun sahih" - "Është i shkallës së mesme autentike.”(22)
Sa i përket transmetimit të Ebu Davudit dhe të En-Nesaiut është: "Shpaguaje betimin, pastaj bëje atë që është më mirë!” Ibn Haxheri e ka verifikuar si hadith autentik. Ibn Avane e nxori në Sahihun e tij. Edhe El Hakimi e nxori të transmetuar nga Aisheja r.a. Et-Taberaniju e nxori nga Ummi Seleme me këtë tekst: "Le ta shpaguajë betimin e tij, pastaj le ta bëjë atë që është më mirë!”(23) ... Vijon


____________
(1) Fet`hul Bari, V. 14 f. 335-336. Sahihu Muslim, V. 3 f. 1266.
(2)Tuhfetul ahvedhi, V. 5 f. 134.
(3) Sahihu Muslim, V. 3 f. 1267.
(4) Sunen Ebi Davud, V. 3 f. 302.
(5) En-nihaje ,V. 5 f. 35.
(6) Fet`hul Bari, V. 14 f. 337. Nejlul Evtar V. 8 f. 237.
(7) El Hidaje, V. 2 f. 54.
(8) El mugnij , V. 8 f. 677.
(9) Po aty. El Muhedheb, V. 2 f. 129.
(10) Bedaiu es-sanaiu, V. 3 f. 8-21.
(11) Fet`hul Bari, V. 14, f. 340. Subulu Selam , V. 4 f. 101.
(12) El Mugnij, V. 8, f. 677. Sunen Ebi Davud, V. 3, f. 303.
(13) Tuhfetul Ahvedhi, v. 5 f. 135.
(14) Sunen ebi Davud, V. 3 f. 302.
(15) Fet`hul Bari, V. 14, f. 339. El Mugnij V. 8, f. 677-678.
(16) El Mugnij, V. 8 f. 705.
(17) Sahihu Muslim bi sherh En-neVeVij, V. 11 f. 116. Fet-hul Bari,V. 9 f. 345.
(18) Sunen Ebi Davud, V. 3, f. 311.
(19) Sahihu Muslim. V. 11. F. 114.
(20) El Isabe fi temjizis-sahabe, v. 2, f. 393.
(21) Po aty, V. 2 f. 460. Hulasatul Hazrexhij, f. 223.
(22) Tuhfetul ahvedhij, V. 5, f. 127.
(23) Telhisul Habir, V. 4 , f. 170.



Prof. Ass. Dr. Musa Vila

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.