Në vigjilje të tre muajve të mëdhenj

Sa herë që afroheshin tre muajt e mëdhenj, Pejgamberi a.s. lutej në këtë formë: “O Allahu im na i bëj të bekuar për në muajin Rexheb dhe Shaban dhe na e mundëso që të arrijmë muajin Ramazan!” (Ahmed Ibën Hanben, Musned 1.)

Ky është hadithi çelës nëpërmjet të cilit e kuptojmë rëndësinë e fillimit të Muajve të Mëdhenj, pra muajit Rexheb dhe Shaban të cilët janë edhe paraprijës të muajit Ramazan.
Ky hadith në formë të lutjes i cituar nga i Dërguari i Allahut, paraqet edhe një herë nevojën e besimit dhe të lutjes së njeriut. Madje përkujtuesi më i mirë i lutjes së njeriut drejtuar Krijuesit të Tij janë ditët – netët, javët dhe muajt e caktuar e të veçantë. Edhe një herë e shohim qartë se respektimi i fjalës së Pejgamberit të Allahut paraqet afrimin pranë mëshirës dhe kënaqësisë së Allahut, ndërsa zbatimi i fjalëve të tij ngritjen në shkallën dhe piedestalin më të lartë të moralit.
Këta muaj janë të radhitur dhe funksionojnë sipas kalendarit hënor, në këtë rast muaji Rexhep është muaji i shtatë me radhë në këtë kalendar. Në literaturën islame ky muaj, respektivisht Muaji Rexhep është njëri nga muajt që quhen “Esh-hurul Hurum” – “Muaj të ndaluar”. Muaj të veçantë janë këta katër muaj Muharrem, Rexhep, Dhilkade dhe Dhilhixhxhe. Quheshin në këtë formë sepse për myslimanët ishte një fazë parapërgatitjeje për të filluar një etapë të re ku duhej të përgatiteshin për muajin e madh gjatë të cilit me anë të agjërimit duhet të plotësojnë edhe kushtin e tretë të Besimit Islam.
Edhe në traditën e popullit shqiptar këta tre muaj, respektivisht muaji Rexhep – Shaban dhe Ramazan quhen “Muajt e Mëdhenj”, për hir të respektit dhe madhështisë së tyre. Kjo fjalë mbase edhe është bartur nga tradita osmane, e cila ishte prezente tek populli shqiptar pothuajse pesë shekuj me radhë.
Kemi transmetime të ndryshme të haditheve në të cilat shohim se Pejgamberi a.s., ditët e këtyre muajve i kalonte duke agjëruar, ndërsa gjatë netëve e shtonte ibadetin dhe lutjet e tij. Nëpër hadithet e shumta që i transmetojnë Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe thuhet se disa nga ashabët – shokët dhe tabiinët – shokët e shokëve të Pejgamberit a.s. agjëronin shumë ditë, e sidomos ditët më të vlershme të këtyre muajve, ndër ta dalloheshin Abdullah Ibni Omeri nga ashabët dhe Hasan el- Basriu nga tabiinët. Ndërsa kishte edhe nga ata të cilët që nga dita e parë e trokitjes së tyre e fillonin agjërimin dhe e vazhdonin deri në ditën e parë të Fitër Bajramit. Ndër praktikuesit e kësaj tradite shquheshin dy imamët e mëdhenj Imam Shafiu dhe Ahmed Ibën Hanbeli.
Tradita e mirë e këtyre dy imamëve pati ardhur edhe deri te shqiptarët ku mbahet mend shumë mirë se një pakicë e burrave dhe një shumicë shumë më e madhe e grave, kur vinte muaji Rexhep, fillonin agjërimin të cilin do ta ndërprisnin tek në ditën e parë të Fitër Bajramit. Ndërsa praktikimi i agjërimit të ditëve të caktuara në traditën e këtij populli vazhdon dhe kultivohet edhe sot e kësaj dite.
Për rëndësinë e Muajit Rexhep na flet shumë edhe nata e 27-të e këtij muaji, pra Nata e Madhe e Miraxhit, natë në të cilën Pejgamberi a.s. me vullnetin e Allahut u ngrit në qiell dhe iu bë obligim falja e pesë kohëve të namazit. Vlera dhe rëndësia e kësaj nate përshkruhen në ajetin e parë të Suretu El – Isra: “I pastër është Allahu i cili ia mundësoi robit të Tij, udhëtimin natën prej Mesxhidi Haramit (Qabesë) në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, në mënyrë që t’ia tregojmë disa nga argumentet tona. Vërtet Ai (Allahu) dëgjon dhe sheh shumë.” (El- Isra, 1)
Në një hadithë të cilin e transmeton Usame bin Zejdi, vërehet shumë mirë dhe qartë vlera dhe rëndësia e këtyre muajve, duke e pa për së afërmi edhe praktikimin nga vetë i Dërguari i Allahut. Usame bin Zejdi i drejtohet Pejgamberit a.s.: “Ja Resullah po ju vërej se ju po agjëroni më së shumti gjatë muajit Shaban, përse veproni në këtë mënyrë?!” Atëherë Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Ndërmjet muajit Rexhep dhe Ramazan njerëzit janë më të habitur, ndërsa ky është një muaj i tillë kur veprat ngrihen tek Krijuesi i Botëve! Dëshiroj që gjersa të jem agjërueshëm të ngrihen veprat e mia tek Allahu!” (Transmeton Nesaiu, kap. Sijam).
Gjithashtu kemi edhe hadithe të shumta se sa herë që afroheshin këta muaj Pejgamberi a.s. fillonte e shtonte veprat e mira duke filluar nga namazi, agjërimi, leximi i Kuranit dhe shtimi i dhënies së sadakasë pra lëmoshës. Vepronte në këtë formë, dmth që nga dita e parë e muajit Rexhep fillonte me vepra të mira, dhe çdo ditë e shtonte diçka më tepër për të arritur pikën më të lartë gjatë natës së fundit të muajit Ramazan, kur edhe e quante natë të shpërblimit të atyre që kanë bërë punë të gjatë në një periudhë të gjatë.
Pejgamberi a.s. për rëndësinë dhe vlerën e këtyre muajve thotë: “Muaji Rexheb është muaji i Allahut xh.sh., muaji Shaban është muaji Im, ndërsa muaji Ramazan është muaji i Ymmetit (popullit tim)!”
Këtu shihet shumë qartë edhe një herë vlera me të cilën dallohen këta muaj nga muajt e tjerë. Këta muaj edhe një herë e testojnë njeriun se sa është i gatshëm të përgatitet për të hyrë në një klimë të re shpirtërore në të cilën është më afër Mëshirës së Allahut. Shtimi i ibadeteve nënkupton afrimin tek mëshira e Allahut, ndërsa afrimi tek mëshira e Allahut nënkupton hapjen e një faqeje të re, shpëlarjen e shpirtit dhe devotshmërinë e cila e arrin kulminacionin gjatë muajit të Madh të Ramazanit. Kjo përgatitje njëherit është edhe si parahyrje ose uvertyrë e cila na mundëson që në formën shkallë - shkallë të afrohemi të pastër për të kryer kushtin e tretë të besimit Islam, pra agjërimin e Ramazanit.
Edhe populli shqiptar përpos përgatitjes për të bërë ibadet dhe për t’u afruar më pranë Krijuesit të tyre, sipas traditës osmane me ardhjen e këtyre muajve patjetër shtonte edhe punët e tjera në shtëpi. Në këto kohë fillonte pastrimi më i detajuar i shtëpive dhe vendeve që i rrethonin. Ushqimi përgatitej pak më ndryshe në krahasim me muajt e tjerë. Ndërsa në net të mëdha patjetër që do të përgatiteshin edhe ëmbëlsira. Në këto raste përgatiteshin ëmbëlsira me më pak përbërës në mënyrë që të solidarizoheshin të gjithë së bashku sikurse i pasuri po ashtu edhe i varfri. Kjo traditë madje ishte edhe në sarajet e sulltanëve.
Me ardhjen e muajve të mëdhenj kandilat e xhamive do të rrinin të ndezur, gjithë natën, sepse edhe kjo ishte në shenjë se kishte filluar një natë dhe ditë e re më e ngritur sesa të tjerat. Në trojet shqiptare këto net shpesh quhen edhe netët e kandilave ose [SIC! qirave]. Kjo ngase kudo nëpër xhamia ndriçonin kandilat me vajgur ose qirinjtë, që ishte si formë dhe lloj simboli për t’i dalluar nga netët e tjera.
Gjithçka që i dallon dhe i vlerëson netët e mira si për shembull Natën e Miraxhit, Beratit, muajin e Ramazanit nga netët e tjera është qetësues dhe domethënëse si dhe vetë akti i të veçuarit nënkupton një respekt ndaj asaj që e ka veçuar për ne Zoti dhe i Dërguari i Allahut. Tek shqiptarët kjo traditë është e lashtë që nga fillimi i praktikimit të Islamit, ndërsa tek osmanlitë veçimi i netëve të mira me ndezjen e kandilave ka filluar në kohën e Selimit
Në Perandorinë Osmane këto net festoheshin me ceremoni të mëdha, duke filluar me lexim të Kuranit të Madhëruar, dërgim të salavateve, këndim i ilahive dhe kasideve të ndryshme si shenjë respektimi dhe rikujtimi ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Të gjitha këto ceremoni bëheshin në formë grupore, gjë që edhe e nxisnin frymëzimin dhe ashkin ndaj dashurisë Hyjnore dhe njëherit edhe afrimin e njerëzve. Në fund ceremonitë mbaronin me shpërndarjen e ëmbëlsirave e që në këto raste ishin sherbeti dhe hallva, sepse arrinin ti përgatisnin të dy shtresat, pra sikur shtresa e pasur po ashtu edhe ajo e varfër.
Prandaj Netët e Mëdha dhe të Mira gjatë këtyre muajve ngjasojnë me yjet e urtësisë që zbusin zemrat dhe shpirtat e njerëzve duke krijuar në këtë formë një atmosferë më të qetë shpirtërore. Gjatë këtyre netëve vlen të shtohet edhe lutja drejtuar Zotit, duke e shtuar edhe kërkim - pendimin dhe duke e hapur zemrën tonë në kërkim të asaj që na mungon dhe në falënderim të asaj që e posedojmë.
Këto net hapin dhe vizionin e vigjilencën njerëzore duke kujtuar gjithmonë se çdo padrejtësi që e veprojmë, nuk ngelet e pallogaritur sepse për të një ditë do të japim llogari para Gjykatësit të Drejtë dhe Absolut, kjo na mundëson që të jemi të drejtë dhe të ruhemi nga padrejtësitë ngase kjo na nxit që gjithmonë kemi parasysh se a thua si e qysh do të gjykohemi?!
Vetë duaja nënkupton shpresimin për të mirë dhe pozitivitetin, sepse sa herë që njeriu pendohet duhet të lutet dhe në këtë mënyrë i qetësohet zemra dhe mendon vetëm mirë, largon negativitetin dhe mllefin nga vetja. Ngarkesat e shumta, dinamika e zhurmshme dhe e ngarkuar e jetës njerëzore, streset që na shkaktohen, shpesh na ndodh që të na kalojnë ditët pa i hetuar fare, andaj kur afrohemi në net, ditë dhe muaj të caktuar pothuajse pak ndalet koha dhe e veçojmë një kohë për t’u afruar më pranë Allahut xh.sh.
Njerëzit nuk janë të pagabuar, vetë jeta dhe kjo botë bëhen shkaktarë që ndonjëherë edhe të gabojmë. I Dërguari i Allahut në lidhje me këtë thotë: “Të gjithë njerëzit gabojnë dhe bëjnë gjynahe! Më i miri prej tyre është ai i cili e pranon gjynahun e vet dhe pendohet!”
Ndërsa Zoti duke e njohur robin e vet na porosit në Kuran me fjalët: “O ju që besuat! Pendohuni të gjithë para Allahut në mënyrë që të jeni të shpëtuar!”
Prandaj të fillojmë që tani e të përgatitemi në mënyrë gjatë Muajit Ramazan të arrijmë qetësinë, të fitojmë paqen absolute me veten tonë dhe rrethin dhe të jemi fitimtarë të shpërblimeve që na premtohen. Tanimë jemi shumë afër një muaji ku do jemi më afër Krijuesit tonë, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi falje dhe fundi shpëtim.
Allahu i Madhëruar e kupton njeriun më mirë sesa ai vetveten, Ai e di shumë mirë se shpesh njerëzit janë të prirë të largohen nga shpirtërorja, lutja dhe madhërimi i denjë. E për të na dhënë shpirt, për të na shtuar dashuri dhe për të qenë sa më afër Allahut ai na specifikoi disa ditë, net dhe muaj. Prandaj të lutemi njëzëri sipas lutjes së Pejgamberit a.s.: "O Allah Im m’i bëj të bekuar muajin Rexhep dhe atë Shaban dhe na e mundëso të presim muajin Ramazan!".

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.