Betimi i rrejshëm

"Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë. - (mëshirë) në botën tjetër, dhe në Ditën e Kiametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm." (Ali lmran, 77).

Asnjë fe dhe sistem mendimi nuk i ka dhënë rëndësi moralit sa i ka dhënë feja islame.
Prandaj një nga qëllimet kryesore të besimtarit është përsosja e tij morale. Muslimani duhet të distancohet nga të gjitha sjelljet e pahijshme dhe morali i keq. Në shoqëri ai duhet të rrezatojë moral shembullor.
Njeriu, përveç tjerash, është edhe qenie shoqërore, dhe si e tillë është e detyruar të jetojë në familje dhe bashkësi, që do të thotë se ai nga vetë natyra e tij është i krijuar të jetojë me të tjerët. Vetë jeta në bashkësi kërkon kushte dhe rregulla të Cilat duhet t'i respektojë çdo individ, me qëllim të arritjes së harmonisë në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Mirëpo, nuk ka bashkësi të shëndoshë po që se nuk ka individ të shëndoshë, ndërsa nuk ka individ të shëndoshë pa sjellje dhe moral të shëndoshë. Pra, normat e moralit janë ato të cilat dirigjojnë sjelljet e përgjithshme të njeriut në bashkësi.(1)
Prandaj, karakteri dhe morali i mirë është faktori themelor në jetën e njeriut, ai e ngre mbi nivelin e krijesave tjera. Njeriu pa karakter dhe moral të mirë nuk është njeri në kuptimin e njerzishmërisë. Ai vlen aq sa është i karaktershëm, e jo sa është i fuqishëm apo i rëndë. Karakteri është element aq i rëndësishëm në raportet ndërnjerëzore sa që jeta në bashkësi nuk do të ishte e mundshme (pa të). Njerëzit me karakter lidhen sikur tullat në mur. Muhamedi a.s. ka thënë: "Me të vërtetë jam dërguar për t'i plotësuar virtytet e larta morale."(2)
Njerëzit e karaktershëm përherë kanë qenë të besueshëm në fjalë, sepse zakonisht njerëzit e tillë kanë sjellje të mirë, bëjnë punë të mirë e me nder, dhe askënd nuk e pengojnë, por e kundërta, nëse ndonjëri fillon ta përlyejë karakterin e vet, atëherë njerëzit zakonisht nuk i besojnë, dhe atë me të drejtë, sepse ai fillon të bëjë intriga, të gënjejë, të mashtrojë, e kështu me radhë.
Në rrethanat të tilla, personat pa karakter betohen kur duhet bindur dikush për diçka, apo për të realizuar ndonjë interes.
Ata betohen edhe kur kërkohet ose jo, kurse për interesat e tyre vetanake të tillët shpeshherë janë të gatshëm, edhe me vetëdije, të betohen edhe rrejshëm. Më vonë betimi i rrejshëm për ta bëhet dukuri dhe shprehi e rëndomtë.(3)
Betimi, edhe pse sipas parimeve islame është veprim i lejuar në esencë, dijetarët myslimanë janë të rendimit se përdorimi i tepërt i tij është veprim i urrejtur. Allahu në Kuran thotë: "E mos e bëni Allahun peng të betimeve tuaja (kur betoheni në Të), kur doni të bëni vepra të mira...!”. (El Bekare, 224).

Cilat betime janë të lejuara?

Me betim, në terminologjinë islame "El jemin”, kuptohet të betuarit në emrat e Allahut apo Cilësitë e Tij. Kjo bëhet për ta siguruar dikë se e themi të vërtetën, apo kontestimi i një padrejtësie, ose që patjetër do të kryejmë një veprim. Në gjuhën arabe bëhet me pjesëzat: "vav", "ba" dhe "ta", që i përshtaten parafjalëve të gjuhës shqipe: "për" dhe “pasha”. Arabisht thuhet: vallahi, bilahi, tallahi, e që do të thotë: pasha ose, për Allahun. Betimi në emrat e Allahut lejohet sepse edhe vetë Pejgamberi a.s. betohej në Allahun xh.sh., si p.sh.: "Pasha ose Për Allahun!", ose "Betohem për Atë që ka në dorë jetën time!”. Gjithashtu, edhe meleku Xhibril, paqja dhe bekimi i Allahut çofshin mbi të, është betuar në Madhështinë e Allahut, duke thënë: "Betohem në Madhështinë Tënde, se kushdo që do të dëgjojë për xhenetin, ka për të hyrë në të!" (Tirmidhiu).(4)

Në çka nuk lejohet të betohemi?

Nuk lejohet betimi në tjetër gjë pos emrave dhe cilësive të Allahut, pa marrë parasysh sa e shtrenjtë është ajo në çka betohemi, ngase i Madhëruari i Vetëm e i Denjë është vetëm Allahu xh.sh., kurse krijesat nuk mund të madhërohen deri në atë shkallë sa të betohemi në to. Shpesh dëgjojnë betime të gabuara si: Pasha nënën, babanë, fëmijët, Qaben, namazin, bukën, flamurin, besën, dritën, diellin, hënën, etj., por ka edhe të atillë që betohen duke e mallkuar veten si: Dhashtë Zoti u bëfsha kështu; M’u qorrofshin sytë; Fëmijët mos i gjetsha në shtëpi, etj. Këto betime nuk janë të lejuara.
Transmeton Omeri r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vërtet Allahu ua ndaloi juve të betoheni në prindërit tuaj, prandaj kush betohet le të betohet vetëm në Allahun xh.sh., ose le të heshtë!” (Buhariu dhe Muslimi).
"Kush betohet në dikë tjetër pos Allahut, ka bërë shirk.”(Ahmedi).
Si dhe: "Mos u betoni në tjetër gjë veçse në Allah, e mos u betoni ndryshe veçse kur të jeni të sinqertë (në atë që thoni)!” (Ebu Davudi dhe Nesaiu).(5)
Ibrahim Nehaiu thotë: Neve si fëmijë na kanë rrahur për shkak të dëshmisë dhe betimit”.
Imam Shafiu ka thënë: ”Asnjëherë gjatë jetës time nuk jam betuar në emër të Zotit, as për të vërtetën, e lëre më rrenën”.(6)
Nëse dikush është i drejtë, i sinqertë dhe i moralshëm, ai as që ka nevojë të betohet, sepse njerëzit i besojnë. Në të shumtën e rasteve betohen ata njerëz që nuk i kanë këto veti, dhe ata shumë herë me vetëdije betohen edhe rrejshëm.

Llojet e betimit të rrejshëm

a) betimi i paqëllim (el-jemin el-legv),
b) betimi i rrejshëm (el-jemin el-gamus)
c) betimi i qëllimshëm (el-jemin el-mun’akide)

Betimi i paqëllim, është nëse dikush betohet, (në Allahun apo në ndonjë cilësi të Tij), mirëpo pa pasur si qëllim betimin, dhe nuk thuhet për t'u betuar, por thjesht një fjalë goje me të cilën është mësuar gjuha. Kjo fjalë gjykohet si një mëkat që duhet mënjanuar. Ndryshe nga betimet e tjera, ky betim nuk sjell pasoja dhe detyrime, të cilat sipas legjislacionit Islam, në rastet kur ato shprehen, bëhen detyra që duhen kryer. Këtë do ta sqarojmë më poshtë, kur të flasim për dy llojet e betimeve, atë të rrejshëm dhe të qëllimshëm.
Betimi i paqëllim është i falur nga Allahu i Madhëruar. Ai në Kuran thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht, me gjithë zemër. Allahu është I Butë dhe fal shumë”, (El Bekare, 225), si dhe: ”Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht", (El Maide, 89).
Aisheja, ka thënë: "Betim i paqëllim është kur njeriu në shtëpinë e tij thotë fjalët: "Vallahi jo, Vallahi po...”(7)

Betimi i rremë

Është betimi me vetëdije, i cili nëpërkëmb të drejtat e njerëzve, duke e ditur se çështja nuk është ashtu. Ky lloj betimi i rrejshëm është delikt i rëndë, e në shumë hadithe është karakterizuar si një ndër mëkatet më të mëdha, pra është betim me të cilin synohet mëkati dhe tradhtia. Quhet edhe "fundosës" ngase e fundos në mëkat, pastaj në zjarr, atë që e thotë. Këtë e vërteton rasti kur një arab kishte ardhur te i Dërguari a.s. dhe e kishte pyetur se. Cilët janë mëkatet e mëdha, o i Dërguari i Allahut?”, e Pejgamberi a.s. i ishte përgjigjur: "Të përshkruarit shok Allahut xh. sh.” Pastaj cili është? Pejgamberi a.s. tha: ”Mosrespektimi i prindërve." Pastaj cili, o i Dërguari i Allahut? Pejgamberi a.s. tha: "Betimi i rrejshëm fundosës.” Të pranishmit e pyetën Pejgamberin a.s.: "O i Dërguari i Allahut, çka është betimi fundosës? Pejgamberi a.s. tha: “Betimi i cili e fundos pronarin e tij në zjarr të xhehenemit” (Buhariu dhe Muslimi: 1558).
Ndërsa Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush, e të rrëshqitni pas forcimit, e ta shijoni të keqen (e dredhisë)!...” (En-Nahl, 94).
Si dhe: “Mos e shitni besën e dhënë Allahut për një vlerë të paktë, pse atë që do ta keni te Allahu është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e
dini!" (En Nahl, 95).

Betimi i qëllimshëm

Është betimi që bëhet me këmbëngulje, për të Vërtetuar veprimin apo mosveprimin e diçkaje, si p.sh. kur thua: "Pasha Allahun do ta bëjë këtë, ose do ta lë këtë!”, e prapë tërhiqemi. Nëse e çon në vend betimin, atëherë
s'ka gjë për të, në të kundërtën detyrohet me shpagim.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: "Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër...” (El Bekare, 225).

Shpagimi për betim të qëllimshëm

Shpagimi për thyerjen e betimit të plotfuqishëm është i përcaktuar në Kuranin famëlartë. Allahu xh.sh. thotë: "Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqimin mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t'i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja, kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja! Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës." (El Maide, 89). Nga ajeti kuptojmë se kush e thyen betimin e tij ai zgjedh mes tre shpagimeve:

1. Ushqimi i dhjetë të ngratëve;
2. Veshja e tyre dhe;
3. Lirimi i një robi

Nëse nuk mund t'i bëjë këto, atëherë ai agjëron tri ditë, pra, pika e katërt mund të zgjidhet vetëm nëse nuk mund të bëjë asnjërën prej tri të parave. Betimi i rrejshëm nuk është rrugë dhe metodë njerëzore, por është rrugë dhe metodë djallëzore, rrugë e cila shpien drejt zjarrit të xhehenemit dhe shkakton hidhërimin e Allahut xh.sh., duke e larguar njeriun nga mëshira e Tij.


______________
(1) Shaqir Fetahu, Feja fenomen i Vërtetë. Shkup, 1997, ? 73.
(2) Perla të urtësisë nga i Dërguari i Perëndisë, Shkup, 2002, f. 111. 522. Sahih. Musned, Ahmed b. Hanbel.
(3) Rrugët e ndritshme të Islamit. Përktheu: Ejup Mazllami, Tetovë, 2005, f. 193.
(4) Ebu Bekër el Xhezairi, Minhaxh el Muslim, Tiranë, 2005, f. 537;
(5) Po aty.
(6) Rrugët e ndritshme të Islamit. Përktheu: Ejup Mazllami, Tetovë, 2005, f. 194.
(7) Ebu Bekër el Xhezairi, Minhaxh el Muslim, Tiranë, 2005. (Buhariu) f. 538.



lsa Tërshani

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.