PEW, Uashington: Myslimanët, shumicë në RMV

Në botë, numri i myslimanëve do ta tejkalojë numrin e të krishterëve deri në vitin 2100. Atëherë numri i myslimanëve do të bëhet 1% më shumë se ai i të krishterëve, pra myslimanët do të bëhen 35% nga popullsia e përgjithshme, kurse të krishterët 34% - thuhet në hulumtim.

Myslimanët do të bëhen popullsi shumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e ardhshme. Kështu thuhet në studimin e qendrës hulumtuese amerikane “PEW (Pju)”, me seli në Uashington, e cila këtij procesi i parasheh një periudhë më të gjatë, brenda 30 vitesh. Hulumtimi mban titullin ”Ardhmëria e religjioneve botërore - projeksione lidhur me rritjen e popullsisë në vitet 2010-2050".
Sipas këtij hulumtimi, Maqedonia bën pjesë në grupin e vendeve që do të kenë shumicë tjetër në vitin 2050, në krahasim me atë të vitit 2010. Në Maqedoni, në vitin 2050 të krishterët do të jenë më pak se 50 për qind nga numri i tërësishëm i qytetarëve, ndërkohë që numri i myslimanëve do të rritet dhe do jetë mbi 50 për qind. Parashihet se disa shtete do të kenë shumicë tjetër në vitin 2050, në krahasim me vitin 2010. Numri i vendeve me shumicë krishtere do të zvogëlohet në 151. Pritet që të krishterët do të jenë më pak se 50% nga popullata e përgjithshme në Australi, Benin, Bosnjë dhe Hercegovinë, Francë, Holandë, Zelandë e Re, në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në vitin 2050 pritet që myslimanët të bëhen më shumë se 50% të popullsisë së përgjithshme në 51 shtete, në mesin e tyre edhe në Nigeri dhe në Maqedoni”, thuhet në hulumtimin e qendrës “Pju”.
Në hulumtimin e qendrës nga Uashingtoni, Maqedonia përmendet edhe si njëri nga shtetet me natalitet më të ulët të pjesës së krishterë të popullsisë. "Shtetet në të cilat të krishterët do të kenë nivelin më të lartë të natalitetit në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2050 janë Zambia, me mesatare 6,3 fëmijë për një grua, dhe Çadi me 6,2 fëmijë për një grua. Të krishterët kanë nivelin më të ulët të natalitetit në Portugali -1.3 fëmijë për një grua, Koreja e Jugut (1.2), Singapori (1.1), Republika e Maqedonisë së Veriut (1.1) dhe Bosnja e Hercegovina (1.1) Sipas hulumtimit, orientimi religjioz në botë po ndryshon në mënyrë rapide, kryesisht udhëhequr nga dallimet në nivelin e lindjeve dhe numrit të popullatës së re mes religjioneve kryesore në botë, si edhe për shkak të ndryshimit të fesë.
Në katër dekadat e ardhshme të krishterët do të mbeten grupi më i madh fetar, por Islami do të rritet më shpejt nga të gjitha fetë e mëdha. "Numri i myslimanëve gati do të barazohet me numrin e të krishterëve në botë. Në vitin 2010 të krishterët ishin religjioni numerikisht më i madh në botë, me 2.2 miliardë besimtarë, ose 31% nga numri i përgjithshëm i popullsisë në botë, Islami ishte religjioni i dytë me 23% të popullsisë së përgjithshme. Deri në vitin 2050 myslimanët do të afrohen dhe do të bëhen 2.8 miliardë, ose 30% nga popullsia e përgjithshme, ndërsa të krishterët do të bëhen 2.9 miliardë ose 31%, thuhet në hulumtimin e “Pju”. Në periudhën e njëjtë, te myslimanët parashihet që popullsia relativisht e re të ketë nivel të natalitetit me rritje afër 73%. Po ashtu, parashihet që do të rritet edhe numri i të krishterëve, por me një ritëm më të ngadalësuar, rreth 35%.
Sipas hulumtimit, në nivel global myslimanët kanë përqindje më të lartë të natalitetit dhe ajo mesatarisht është 3.1 fëmijë për një grua, përqindje kjo që e tejkalon nivelin prej 2.1 për një grua e që paraqet minimumin e nevojshëm për të pasur një popullatë stabile. Të krishterët janë të dytët në këtë radhitje me 2.7, indianët me 2.4 dhe hebrenjtë me 2.3 fëmijë për një grua. Të gjitha grupet tjera kanë nivel shumë të ulët riprodhimi të popullatës së tyre. Kështu, religjionet popullore kanë 1.8 fëmijë për një grua, religjionet tjera kanë përqindje 1.7 dhe ato të paregjistruarat gjithashtu 1.7, budistët 1.6 dhe kjo paraqet një natalitet shumë të ulët. Migrimi ndërkombëtar është edhe një faktor i cili do të ndikojë mbi madhësinë e paraparë të grupeve religjioze në vende dhe rajone të ndryshme.
Në Evropë numri i myslimanëve pritet të rritet prej 5.9 në vitin 2010, në 10.2 % në vitin 2050, për shkak të migrimit. Pa migrimin, përqindja e pjesës myslimane të popullatës në Evropë pritet të jetë 8.2%, e që është për 2% më pak. "Duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të popullsisë myslimane në botë, a do bëhen në fund myslimanët më të shumtë në numër nga të krishterët? Nëse modeli kryesor projektues zgjerohet përtej vitit 2050, pjesa myslimane e popullsisë në botë do të barazohet me atë të krishterë diku rreth vitit 2070. Më pas, numri i myslimanëve do ta tejkalojë numrin e të krishterëve deri në vitin 2100. Atëherë numri i myslimanëve do të bëhet 1% më shumë se ai i të krishterëve, pra myslimanët do të bëhen 35% nga popullsia e përgjithshme, kurse të krishterët 34%”, thuhet në hulumtim.



/Hëna e Re nr.329/

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.