Tregtari dhe betimi i shpeshtë

Një nga shprehitë më të përhapura te tregtarët është betimi i shpeshtë gjatë shitblerjes. Kështu, ata i gjen duke bërë be për çdo gjë, madje edhe për gjërat më të thjeshta, vetëm e vetëm që ta shesin mallin e tyre. Ata nuk e dinë se bërja be është e urryer edhe nëse njeriu ka nevojë dhe është i sinqertë në betimin e tij, e aq me pak kur nuk i kërkohet.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik ka thënë: "Ruani betimet tuaja!” (El Maideh, 89).
Kurtubiu gjatë komentit të këtij ajeti ka thënë: ”Pra, ruani betimet tuaja duke iu larguar atij, pasi që nëse njeriu nuk betohet, atëherë ai nuk e ngarkon veten me përgjegjësi (barrë)!”(1)
Gjithashtu Kurtubiu përcjell nga disa komentatorë të Kuranit edhe fjalën e Allahut: "Mos e bëni peng betimin në Allahun, për kryerjen e veprave të mira, largimin prej të ligave dhe për pajtimin e njerëzve! Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.” (El Bekare, 224).
Kuptimi i këtij citati është që mos të shpeshtohet betimi në Allahun e Madhërishëm, pasi kështu Ai është më i respektuar në zemrat tona(2)
E nëse betuesi është gënjeshtar dhe këtë e bën me qëllim, atëherë ai ka rënë në mëkat. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ”Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, as nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit, dhe as nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve, e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77)
Imam Buhariu përcjell se shkaku i zbritjes së këtij ajeti ishte një njeri në treg, i cili betohej padrejtësisht për mallin e tij se i kanë dhënë më shumë se i jepte myshteriu, dhe kështu ai tentonte ta mashtrojë atë, dhe pas kësaj zbriti ajeti i lartpërmendur.
Pejgamberi a.s. i ka ndaluar betimet e shpeshta gjatë shitblerjes dhe gjatë çdo forme të bashkëpunimit me njerëzit. Vërtetohet nga Ebu Hurejra, se e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: "Betimi e shter mallin dhe e asgjëson fitimin." (Ahmedi).
Ebu Katadeja përcjell se e ka dëgjuar Muhamedin a.s. duke thënë: "Kini kujdes ndaj betimit të shpeshtë gjatë shitjes, për shkak se ai e shter tregtinë, pastaj e çrrënjos fitimin!” (Muslimi).
Neveviu, gjatë komentit të këtij hadithi ka thënë: "Ky hadith aludon në ndalimin e betimit të shpeshtë gjatë tregtisë, pasi që betimi i panevojshëm është i urryer. Kësaj i bashkëngjitet edhe promovimi i mallit nëpërmes betimeve të njëpasnjëshme dhe ka mundësi që myshteriu të mashtrohet me këto premtime.”(3)
Kurse Gazaliu ka thënë: "Nuk është e drejtë që tregtari të betohet në asnjë rast, kjo për faktin se, nëse ka gënjyer, atëherë ka rënë në betim të rrejshëm që e fundos pronarin (el Ieminul Gamus), dhe kjo konsiderohet nga mëkatet e mëdha..., kurse nëse është i sinqertë, atëherë e ka bërë Allahun peng të betimit të tij, dhe është sjellje e keqe me Krijuesin. Kjo botë është shumë e ulët që njeriu të synojë nëpërmes përmendjes së Allahut të shes e të blejë.”(4)
Ndërsa, sa i përket pasojave në botën tjetër, Muhamedi a.s. na tregon se njëri nga tre grupet e njerëzve që Allahu i Lartësuar nuk i shikon Ditën e Gjykimit është: "Njeriu i cili e bën Allahun si mall të tij, nuk blen gjë vetëm se me betimin në Të dhe nuk shet gjë vetëm se me betimin në Të." (Bejhekiu).
Për faktin se betimi bën pjesë në ritualet fetare me të cilët madhërohet Allahu, dhe në anën tjetër kjo praktikë është një ves i përhapur te tregtarët, në vazhdim do të shpjegojmë edhe disa rregulla e konsekuenca sheriatike të cilat ndërlidhen me betimin, me qëllim të vetëdijesimit dhe përmirësimit të kësaj shprehie te myslimanët në përgjithësi, dhe te tregtarët në veçanti.(5)

Betimi duhet të bëhet vetëm në Allahun

Betimi është përmendja e një gjëje të shenjtë për ta siguruar dikë, se po e thua të vërtetën, pra e konfirmon respektivisht e mohon një çështje duke përmendur një nga emrat e Allahut apo cilësitë e Tij.
Përderisa betimi është madhërim dhe shenjtërim i asaj në çka betohemi, atëherë njeriut nuk i lejohet të betohet në diçka tjetër përveç në Krijuesin e tij, Allahun e Plotfuqishëm.
Buhariu e Muslimi përcjellin nga i Dërguari a.s., se ka thënë: "Kini parasysh, Allahu jua ndalon të betoheni në prindërit tuaj, prandaj kushdo që dëshiron të betohet për diç, ose le të betohet në Allahun ose le të heshtë!”
Gjithashtu ka thënë: ” Mos u betoni në baballarët tuaj dhe në nënat tuaja, e as në idhuj! Mos u betoni as në Allahun, vetëm se atëherë kur e thoni të vërtetën!” (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Albani e cilëson te saktë).
Me një rast Ibën Omeri e dëgjoi një person duke thënë: - ”Jo, pasha Kaben (Qaben)”, e qortoi atë dhe i tha se: "E kam dëgjuar të Dërguarin as., duke thënë: "Kush betohet në diç tjetër përveç Allahut, ai ka bërë shirk!' (Ebu Davudi).
Tahaviu, gjatë komentit të këtij hadithi thekson se ky shirk nuk është ai që të nxjerrë nga feja, por nënkupton se ky veprim është i ndaluar.(6)
Prandaj njeriu, posaçërisht tregtarët, duhet të ruhen gjatë tregtisë së tyre e të mos betohen në gjërat që janë mësuar të betohen, si: fëmijët, sytë, babai, nderi, familja, jeta, etj., pasi këto betime janë të ndaluara për
besimtarët.
Nuk është i pranueshëm preteksti i disave se jemi mësuar me këtë dhe e bëjmë pa qëllim, sepse duhet të mundohemi në maksimum që ta largojmë këtë shprehi,
Forma që ndihmon në mënjanimin e këtij vesi, është që nëse na shpëton dhe betohemi pa qëllim në diç përveç Allahut, menjëherë pas kësaj të themi: "La Ilahe il-Allah!" Nëse e praktikojmë këtë vazhdimisht, pas një kohe do të arrijmë ta largojmë nga vetja këtë gabim. Këtë praktikë e kanë porositur disa dijetarë dhe kanë këshilluar se është metodë efikase dhe e provuar praktikisht, që besimtari ta largojë nga vetja këtë shprehi. Gjithashtu, kjo mënyrë është në përputhje edhe me atë që i Dërguari a.s. i ka mësuar shokët e tij në fillim të pranimit të Islamit, pra, nëse gabimisht betoheshin në idhujt e tyre të mëhershëm, të veprojnë kështu. Në hadith thuhet: "Kush betohet e thotë: "Pasha Latin e Uzanë (dy idhuj të mekasve) ”, le të thotë: "La llahe ilAllah!”. (Buhariu),
Kurse për faktin se Zoti i Madhërishëm në Kuranin fisnik betohet në gjëra të krijuara, sikurse në kohën, lapsin, agimin, qiellin, shkrimin, etj., themi se kjo është specifikë e Krijuesit të Gjithëfuqishëm, pasi që me këtë betim të Allahut të Madhërishëm nuk synohet që njeriu të bindet se kjo çfarë thuhet është një e vërtetë, ndërkohë që gjërat tjera në Kuran të cilat nuk shoqërohen me betime mund te jenë të pavërteta. Pra, në Kuran ky nuk është qëllimi i betimit të Allahut, ashtu si mund të jetë qëllimi i betimit te njerëzit në përgjithësi, pra për ta bindur dikë se po e thotë shumë sigurt të vërtetën. Allahu i Madhërishëm ka thënë ne Kuran: "Atij nuk mund t'i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti (Allahut), që meriton të gjitha lavdet." (Fussilet, 42).
Mirëpo betimi nga ana e Allahut xh.sh, ndodh edhe për disa arsye tjera, e prej tyre:
- Përmes betimit në këto krijesa Allahu dëshmon Madhërinë e Tij në krijim, sikurse betimi në diellin, qiellin, yjet, etj. Pra, këto krijesa dëshmojnë madhështinë e Krijuesit të tyre, Allahut të Plotfuqishëm.
- Rëndësinë dhe vlerën e asaj gjëje të krijuar për njeriun, sikurse betimi në kohën, lapsin, shkrimin, etj.

Betimi i paqëllim

Është ai betim që pa dashje del nga gjuha e njeriut, ose njeriu betohet për një çështje të kaluar se ka ndodhur ashtu (pasi ka harruar apo për diç tjetër), mirëpo pastaj vërtetohet e kundërta e saj.(7)
Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "Betimi i paqëllim është kur njeriu thotë në shtëpinë e tij: "Jo, për Zotin!", ose: "Po, për Zotin!” (Ebu Davudi).
Ky lloj i betimit nuk ka ndonjë peshë dhe në këtë rast nuk ka nevojë për shpagim (kefaret).
Gjithashtu nuk është mëkatar edhe betuesi nëse nuk e realizon atë për çfarë betohet, pasi që është një betim që bëhet pa qëllim. Për këtë lloj të betimit Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim!' (El Maide, 89).
Megjithëkëtë, njeriu duhet të ruajë gjuhën e tij nga betimet e kësaj natyre, pasi ky zakon është i ndaluar dhe prej veprimeve të banorëve të zjarrit t xhehenemit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Por ti mos e paso çdo betues (që betohet shumë) të përçmuar!" (El Kalem, 10).

Betimi i rremë

Nëse njeriu betohet qëllimisht për diçka të gënjeshtërt, si për shembull kur thotë: "Për Zotin e bleva këtë mall me pesëdhjetë euro!”, ndërkohë që nuk e ka blerë aq, i tilli ka bërë betim të rremë? Tregtari duhet të ketë kujdes shumë dhe të mos përbetohet në Allahun rrejshëm, për shkak të diçkaje të kësaj bote, ngase kjo konsiderohet ngrënie e pasurisë pa të drejtë, dhe meriton hidhërimin e Allahut. I Dërguari i Tij, a.s. thotë: "Kush betohet për diçka në mënyrë që të marrë pasurinë e myslimanit dhe ai është gënjeshtar, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të." (Buhariu dhe Muslimi),
Të betuarit rrejshëm sipas parimeve të Islamit konsiderohet prej mëkateve të mëdha, Madje ky betim është quajtur edhe fundosës (el Gamus), sepse e fundos në mëkat betuesin, Këtë e vërteton edhe hadithi në të cilin tregohet se me një rast një njeri kishte ardhur te i Dërguari i Allahut, a.s. dhe e kishte pyetur se cilat janë mëkatet e mëdha. Pejgamberi a.s. ishte përgjigjur: "Të përshkruarit shok Allahut” Pastaj cili është? Pejgamberi a.s. tha: ”Mosrespektimi i prindërve!' Pastaj cili? Pejgamberi a.s. tha: "Betimi që fundosë” Të pranishmit e pyetën Pejgamberin a.s.: "O i dërguari i Allahut, çka është betimi që fundosë?” Pejgamberi a.s. tha: "Është ai betim i rremë, i cili bëhet shkak për t`ia marrë një pjesë të pasurisë së besimtarit.” (Buhariu dhe Muslimi).

Betimi i drejtë

Është ai betim i cili realizohet në emër të Allahut apo në cilësitë e Tij, me vetëdije, me qëllim të vërtetimit të një të drejtë apo për të kontestuar një padrejtësi.
Ky betim, për të qenë valid, duhet të plotësojë këto kushte:
- Betuesi të jetë i moshës madhore;
- Të jetë mirë mendërisht;
- Të jetë betimi në Allahun xh.sh.;
- Të mos jetë nën presionin e dikujt;
- Të jetë i qëllimtë.

Shpagimi i betimit

Betuesi gjithsesi obligohet ta mbajë betimin që e ka bërë me qëllim dhe duke qenë i vetëdijshëm, dhe nuk lejohet ta thyejë atë pasi që, nëse e thyen, bën mëkat. Për këtë Allahu i Madhërishëm në Kuran ka thënë: "Por, ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim." (El Maide, 89).
Mirëpo, nëse ndodh ta shkelë atë, atëherë obligohet ta shlyejë betimin me njërën nga këto katër gjëra:

1) Ushqimin e dhjetë të varfërve;
2) Sigurimin e veshjes për dhjetë të varfër;
3) Lirimin e një robi;
4) Agjërimi tri ditë nëse nuk është mundësia e asnjërës prej këtyre.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: "Ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t'i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë! Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni, mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu fjalët dhe
ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës." (El Maide, 89),

Shpeshtimi i sadakasë nga tregtarët

Në fund themi se çdo njeri gjatë marrëdhënieve me të tjerët apo gjatë punës që kryen gabon dhe mund të mëkatojë, madje shumë herë edhe pa e kuptuar. Kurse te tregtarët mundësia për mëkat është shumë më e madhe dhe më e mundshme. Sadakaja (lëmosha) ndaj të varfërve dhe nevojtarëve është mënyra më e mirë për ta pastruar veten nga këto mëkate, e për ta pastruar gjithashtu edhe pasurinë e fituar. Muhamedi, a.s. tha: “O tregtarë! Shitblerjes suaj i shfaqen dhe i shoqërohen shumë kotësi (fjalë të kota, të panevojshme) dhe gënjeshtra, prandaj gërshetojeni atë (tregtinë) edhe me dhënien e sadakasë!” (Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu). Në fjalë të kota dhe të panevojshme bëjnë pjesë edhe betimet e shpeshta, prandaj një nga format e faljes dhe shlyerjes së këtyre tejkalimeve, qofshin edhe pa qëllim, është edhe shpeshtimi i sadakasë.


_______________
(1) “Tefsirul Kurtubi”, v. 6. f. 285.
(2) "Tefsirul Kurtubi”, v. 3, f 97.
(3) "Sherh Sahih Muslim” Neveviu, v. 3. f. 220.
(4) "Ihjau Ulumid Din”, v. 2 f, 77.
(5) "Fikhut Taxhiril Muslim”, dr. Husamedin Affaneh, f. 237139.
(6) "Mushkilul Athar”, Tahaviu, v. 1 f. 297.
(7) “El mevsuatul Fikhije el Kuvejtije”, v. 8. f. 365.
(8) ”l/Iinhaxh el Muslim”, f. 538.



Alaudin Abazi

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.