Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në Akademinë përkujtimore me rastin e kalimit në Ahiret të Kasim ef. Gërgurit

E nderuara familje e Kasim efendi Gërgurit,
Të nderuar drejtues të institucioneve të Bashkësisë islame të Kosovës
Të nderuar kolegë, bashkëpunëtorë dhe gjithë ju të pranishëm që keni pasur nderin ta njihni dhe të punoni me kolegun tonë të çmuar e të respektuar, Kasim efendiun

Gjatë jetës në këtë botë, njeriut i është caktuar që të sprovohet e të provohet me shumë sfida dhe gjëra të cilat po të vareshin nga ai, asnjëherë nuk do t’i zgjidhte dhe edhe nëse do t’i zgjidhte, do të vepronte krejt ndryshe.
Edhe kjo fjalë e imja sot këtu para jush, për mua është pjesë e atyre sprovave të mëdha që në një rrethanë tjetër, kurrë nuk do ta kisha përzgjedhur dhe nuk do të isha pajtuar, pra që ta kujtojë e nderoj nxënësin, mikun, kolegun dhe bashkëpunëtorin tim të vyer Kasim efendi Gërgurin, i cili me caktimin e Allahut xh.sh. më datën 15 mars 2019 kaloi në Ahiret, duke na lënë neve të mërzitur e të pikëlluar dhe duke lënë një zbrazëti e boshllëk në mesin tonë.
Mirëpo, caktimit të Allahut ne i themi vetëm amin dhe atë e pranojmë me plotë besim, nënshtrim dhe durim e sabër të thellë, sepse me urdhrin dhe caktimin e Allahut besimtari duhet të pajtohet plotësisht.
Të nderuar të pranishëm
Kasim efendiun e kam njohur, kam përcjellë sukseset dhe punën e tij dhe e kam vlerësuar këtu e tri dekada e gjysmë më parë, pra saktësisht që nga viti 1985, si nxënës në medrese dhe deri në ditët kur ai u nda fizikisht nga ne. Dhe kjo njohje e jona u takon tri periudhave të ndryshme: Kasimin si nxënës, si studentë dhe si koleg e bashkëpunëtor.
Si nxënës në Medrese, Kasim efendiun e kujtoj si një ndër më të mirët e gjeneratës së tij, i zellshëm, i disiplinuar, i përkushtuar në mësime ku tregoi rezultate të shkëlqyera, si dhe i edukuar tamam siç i kërkohej një të riu, një medresisti - pra ishe një nxënës shembull në çdo aspekt. Në mësime ishte i shkëlqyeshëm, kurse sjelljet gjithmonë i kishte shembullore. Në sytë e tij dallohej dëshira për mësim dhe për t’u bërë hoxhë dhe që nga atëherë tregoi afinitet për dijet fetare, për se menjëherë pas medresesë vazhdoi studimet në Aman të Jordanisë ku i përfundoi me sukses studimet e larta në Fakultetin e Sheriatit.
Sa ishte studentë Kasim efendiu, kënaqesha me sukseset dhe të arriturat e tij dhe kjo më bënte të lumtur dhe krenar njëkohësisht.
Pas studimeve, Kasim efendiu kthehet në atdhe, dhe menjëherë angazhohet si imam, hatib e mualim në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u shqua për afërsi me xhematë, për stil të ligjërimit të qartë e të kapshëm për xhematin si dhe për punë me brezat e ri. Këtu filloi edhe veprimtaria e tij në Bashkësinë Islame të Kosovës, duke u bërë kështu edhe një nga kolegët dhe bashkëpunëtorët tanë më të vyeshëm, për çka edhe më vonë do t’i besohen edhe detyra të tjera me rëndësi në kuadër të këtij institucioni.
Më pas, Kasim efendiun e gjejmë të angazhuar në administratën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës në pozitën e administratorit financiar, detyrë të cilën e kreu me përkushtim e profesionalizëm deri sa e thirri ora e historisë dhe së bashku me shumë djem e vajza tona, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të përmbushur e realizuar kështu edhe një detyrë shtesë ndaj fesë e atdheut.
Pas përfundim të luftës dhe çlirimit të vendit, Kasim efendiu i rikthehet profesionit të tij prej imami, mualimi, hatibi e udhëheqësi në institucionet e BIK, fillimisht të KBI të Prishtinës, e nga viti 2004 do të udhëheq me Drejtorinë e Financave në Kryesinë e BIK, ku ka bërë një punë të shkëlqyeshme.
Në detyrën e drejtorit të financave, Kasim efediu një kontribut të çmuar ka dhënë edhe për avancimin e programeve profesione në fushën e financave, trajnimeve dhe përgatitjen e stafit jo vetëm këtu në qendër, po në të gjithë Këshillat e BI dhe në institucionet tjera që veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai qe i afërt më bashkëpunëtorët, modest me të tjerët, parimor në punë e mbi të gjitha korrektë e bashkëpunues me të gjithë.
Të nderuar të pranishëm
Një segment i rëndësishëm i Kasim efendiu është edhe kontributi i tij në periodikun islame tek ne ku e gjejmë të pranishëm që nga fundi i viteve të 90 të shekulli të shkuar me kontribute kryesisht nga fusha e akaidit, ku ka botuar një sërë kontributesh në revistat “Dituria Islame”, “Edukata Islame” dhe “Takvim”, të cilat do ta bëjnë të pa harrueshëm atë.
Po ashtu, ai ka marrë pjesë në një sërë konferencash e sesionesh shkencore të organizuara nga BI dhe institucionet simotra, kontributet e të cilit tashmë janë botuar në vëllimet përkatëse .
Kasim efendiu në kontributet e tij shkencore të Akaidit i qe përkushtuar maksimalisht doktrinës së Maturidiut, që realisht është edhe drejtim yni historik. Në këtë rrafsh ai më 2015 botoi veprën “Akaidi sipas imam Maturidiut” – një kontribut i çmuar për fushën në fjalë, një vepër që duhet pasur në konsideratë nga të gjithë ne.
Përveç kësaj, Kasim efendiu ka lënë në dorëshkrim, të gatshme për botim, edhe një vepër tjerë që i kushtohet mënyrës së përgatitjes së hytbeve, e të cilën Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës së shpejti do ta botoj dhe do ta bëjë pronë të bibliotekave të të gjithë nëpunësve të BI dhe dashamirësve të fjalës së shkruar.
Ajo që e ka bërë të veçantë Kasim efendiun duhet të them që ka qenë institucionalist i përkushtuar, që do të thotë i ka dashur e respektuar institucionet, është angazhuar për to. Shpeshherë e thoshte me bindje, Ne shyqyr Zotit kemi krijuar institucionet tona, këto duhet respektuar. Madje edhe në derset e ligjërimit e tij gjithherë vëmendje të posaçme u kushtonte forcimit të institucioneve si në kuadër të BIK ashtu edhe të institucioneve publike e shtetërore të vendit.
Si pedagogë, bashkëpunëtorë e bashkudhëtar i Kasim efendiu me bindje e them se përkushtimi, urtësia e besnikëria ishin virtytet kryesore të Kasim efendiut.
Të nderuar vëllezër e motra!
Allahu xh.sh në Kuranin fisnik thotë:
“Askush nuk vdes pa vullnetin dhe lejen e Allahut, në kohë të caktuar. E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, Ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botës tjetër, edhe atij do t’ia japim atë, kurse mirënjohësit Ne do t’i shpërblejmë”. (Ali Imran, 145)
Kasim efendiu jetoi dhe kaloi në botën tjetër pikërisht nw përputhje dhe konform këtij ajeti kuranor. Ai kaloi në Ahiret vetëm me vullnetin dhe caktimin e Allahut, në një kohë të caktuar, siç do të kalojmë të gjithë ne. Ai me tërë qenien e tij punoi për të mirën e përgjithshme të vendit, të popullit dhe të besimatrëve, gjithnjë duke e kërkuar, lutur e shpresuar në mëshirën dhe shpërblimin e Allahut xh.sh. në këtë dhe në botën tjetër dhe për këtë sigurisht që do të jetë i shpërblyer tek Allahu.
Prandaj, familja Gërguri dhe gjithë ne të tjerët jemi krenar që e njohëm, punuam e bashkëvepruam me Kasim efendiun. Atë do ta kujtojmë gjithmonë dhe i tillë do të mbetet në mendjet dhe shpirtin tonë si një imam, mualim, koleg, vëlla, mik, dashamirë e udhëheqës të përkushtuar, të dashur, të urtë e fisnik.
Allahu i madhëruar e shpërbleftë Kasim efendiun për veprën e tij, kurse shpirtin e tij e bëftë pjesë të kopshteve të Xhenetit Firdevs!
Shpirtit fisnik të Kasim efendiut të gjithë t’ia bëjmë hedije një “Fatiha”!



Prishtinë, 21 mars 2019
Myftiu Naim ef. Tërnava

Twitter Digg Delicious Stumbleupon Technorati
Index ->

Komentet

No Comments!

Komento këtë artikull:

* Emri
* E-mail adresa juaj 1
* Your Comment 2

shkronja të mbetura.

 

Shkruaj kodin:

Captcha

 

* Fusha duhet të plotësohet patjetër


1. E-mail adresa juaj nuk do të publikohet, dhe do të jetë e dukshme vetëm për administratorët e faqës.


2. Islam Gjakova.net e posedon të drejtën e redaktimit, modifikimit dhe fshirjes së komenteve që kanë përmbajtje ofenduese, që fyejnë dikë dhe që nuk i përmbahen temës së artikullit. Gjatë komenteve gjithashtu nuk lejohet reklamimi i ndonjë ueb-faqe.